13/06/2024

Mes luftës dhe paqes!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Deklarimet e qeverisë për rritje ekonomike të Kosovës nuk janë në përputhje me nivelin e zhvillimin ekonomik të vendit dhe rënien e investimeve të huaja në Kosovë, të cilat kanë pësuar rënie për 45 %. Zvogëlimi artificial i shifrave të papunësisë nuk po vjen si rrjedhojë e rritjes ekonomike, por si rrjedhojë e zvogëlimit të numrit të popullsisë, si pasojë e migrimit të madh të qytetarëve, të cilët po kërkojnë çdo mundësi për t’u larguar nga Kosova si pasojë e kësaj klase të papërgjegjshme politike (pozitë-opozitë), ku vetëm gjatë këtyre tre viteve të fundit kanë migruar rreth 100 mijë qytetar drejt vendeve të BE-së, në kërkim të një jete më të mirë.

Edhe brezi i ri rrezikon të plaket në varfëri

Kësisoj rritja e varfërisë në njërën anë dhe paralajmërimi i lëvizjes së lirë, brenda një kohe relativisht të shkurtër do të bëjnë që Kosova të zbrazet nga popullata autoktone shqiptare, kurse në anën tjetër brenda pak vitesh do të ndryshojë dukshëm struktura e popullsië në vendin tonë, për çka, Kosova me të vërtetë do të bëhet shtet multietnik, por me zvogëlim enorm të popullsisë shqiptare.

Me nivelin aktual të zhvillimit ekonomik dhe keq-qeverisjes së vendit jo vetëm brezi aktual, por edhe brezi i ri rrezikojnë të plaken në varfëri dhe të pashpresë për të jetë në vendin më të pasur me resurse natyrore dhe me pasuri marramendëse nëntokësore.

Aq e pashpresë dhe e padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në këtë vend, saqë jo një ‘bombë’ sociale, por një bombë atomike duket të jetë e pamjaftueshme për këtë klasë të shëmtuar kusarësh politikë, të cilët e katandisen vendin siq është më së keqi, e për më keq se kaq, e sollën Kosovën edhe në prag të një lufte të re me përmasa shkatërrimtare.

Përceptim i gabuar apo përllogaritje sipas dëshirave personale

Kot mundohemi ta bindim Evropën që të ndërmerr masa kundër Serbisë kur ‘Qeveria e Kosovës’ me paratë e taksapaguesve shqiptar i paguan me paga të rregullta pjestarët serbë të ‘Mbrojtjes Civile’ dhe të gjitha shërbimet për serbët në veri, duke filluar nga rryma, uji dhe gjithçka tjetër dhe jo vetëm, deputetët e Listës Serbe i marrin pagat e rregullta pa qenë fare prezent në mbledhjet e Kuvendit!

E keqja nuk përfundon me kaq, si të kërkojmë ne ta gjykojnë dhe ndëshkojnë Serbinë shtetet e BE-së, kur ‘Parlamenti i Kosovës’ nuk e ka ndërmarrë asnjë masë ndaj Listës Serbe, e cila i përkrahu, i glorifikoi dhe mbajti zi për terroristët e vrarë.

Mirëpo Albin Kurtit po i konvenon situata e tensionuar në veri, për t’u shmangur nga zgjidhja e problemit me marrëveshje, sepse Albin Kurti e di mirë që marrëveshja i kushton me humbje të kredibilitetit më shumë sesa lufta me Serbinë.

Albin Kurti më rëndësi i kushton mazhit personal sesa jetës së qytetarëve dhe policëve të shtetit që drejton. Këtë e bën me vetëdije të plotë, për shkak se ai e di mirë që personalisht nuk pëson nga lufta, por pëson nga marrëveshja për “Zajednicën” siq e quante dikur Asociacionin e Komunave Serbe.

Prandaj, me vetëdije të plotë është duke e prolonguar marrëveshjen, duke e dërguar vendin drejt një lufte me përmasa shkatërrimtare.

Më mirë luftë sesa marrëveshje për Asociacionin, ky është përceptimi më i gabuar i kryeministrit dhe mbështetësve të tij morbid.

Në rast të fillimit të një lufte të re, askush nuk i di pasojat dhe rrethanat në të cilat do të përfundojmë si shtet dhe si komb në tërësi!

Me rastin e inaugurimit të komandantit të 28-të KFOR-it në Kosovë, gjegjësisht të pranim dorëzimit të detyrës nga gjenerali italian Angelo Michele Ristucca tek gjenerali turk Ozkan Ulutas, ishte prezent edhe admirali Stuart B. Munsch, që është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, i cili foli për shkalllën e lartë të rrezikshmërisë dhe trefishimin e forcave luftarake të KFOR-it në veri.

Në rrethanat kur i kemi dy luftëra të ashpra të hapura, njërën në Evropë dhe tjetrën në Lindjen e Mesme, Kosova duhet të përcaktohet fuqishëm për paqe dhe dialog, për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe miqësi të përjetshme me aleatët e saj, ndryshe “Rripin e Gazës” e kemi të gatshëm në veri, kur të do Serbia ‘ia ndez fitilin’. Thënë ndryshe, derisa të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërkombëtare, Kosova ndodhet mes luftës dhe paqes me Serbinë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok