Merimanga kombëtare
Nga Ndue Ukaj
Át Gjon Shllaku ishte frat erudit, të cilin regjimi barbar i Enver Hoxhës e kishte pushkatuar. Ai në librin “Shqiptari-Frati-Shqipnia”, ka një shkrim shumë me vlerë, me titull “Nuk dijm shka duem, pse nuk duem shka dijm”, në të cilin, pos tjerash, para lexuesit sjell një ngjarje që lidhet me kohën e pushtimit austro-hungarez në Shqipëri.
Ai tregon për një tregtar shkodran, të cilin, një ditë e kishte vizituar një oficer austriak. Mes tregtarit dhe oficerit ishte biseduar për gjendjen e Shqipërisë e fatet kombit.
Tregtari po i shpjegonte oficerit sesa poshtë kishte mbetë Shqipëria në gjitha pikëpamjet, në krahasim me shtetet e Ballkanit.
“Do t’a dijsh zotni, – ia pritëka tregtari- se asht Turku qi për katërgjint vjetë e ma shumë nuk na la kanë me çue krye e perparue”- dhe vazhdonte t’ia shpjegonte gjendjen e gjatë të vuajtjeve të kombit shqiptar.
Kurse oficeri austriak iu përgjigj:
“Asht e vërtetë gjithëshka thoni Ju, por njatë pluhurë marimange që po e shoh njatje në skaj të murit a thue ndoshta Turku i Aizis nuk të ka lanë me e hjekë prej andej?”
Sigurisht, pas kësaj bisede, tregtari, nëse ka pasë pak mend në krye, ka mbetë pa fjalë e ndoshta edhe është turpru. Dhe ka pasë mundësi të reflektojë dhe kur të jetë larguar oficeri, menjëherë ta pastronte merimangën ose të vazhdonte me të njëjtën logjikë, t’ i akuzonte të tjerët për prapambeturinë e vendit të tij.
Át Shllaku shkrimin e tij vazhdon duke thënë se, “vendi ynë është mbushë me këso merimangash që me pluhurë të veta e kanë mbulue kryekëput shpirtin e shqiptarit e vijon gjithnjë me endë lirisht në trollin e Shqipnis.”
Këto marimanga të frikshme e kanë vërrshuar Kosovën dhe shihen prapa secilës paraqitje të udhëheqësve tonë, të cilët, e kanë ngulfatë zhvillimin e vendit, dhe të trullosur e të dehun nga pija e keqe e pushtetit, natë e ditë sillen e pështillen e nuk bëjnë gja tjetër, pos që akuzojnë të tjerët.
Natë e ditë flasin për të tjerët, duke u munduar t’iu mbushin mendjen krejt botës sa të këqij janë të tjerët.
Kurse oficerët politilkë, përditë u thonë: o të mjerë, kthejeni kryet prapa e shihni marimangat.
E këta, nuk i bren as ndërgjegja e as nuk kanë vetëdije shtetërore, që të kthehen prapa e t’i pastrojnë marimangat.
Ky as mjerim nuk është, ngaqë mjerimi është një gjendje kthjellimi, kur njeriu kërkon shtegdalje; kjo gjendje është një shkallë e marrëzisë, të cilën mendja njerëzore zor e ka ta dedektojë.