22/12/2024
u1_Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Të ndërtosh Memorial dhe të mbrosh kauzën e Erdoganit, kjo qartësisht domethënë t’i braktisësh vlerat perëndimore dhe t’ i përqafosh ato erdoganiste.

Ndaj, mos u përqurrni e mos kërkoni nga Europa hapje të negociatave e pranim.

Memoriali kushtuar shehidëve të Erdoganit në Tiranë, nuk është vetëm akt i shëmtuar, por edhe një vepër e ligë ogurzeze e nënshtrimit të shtetit shqiptar ndaj kastës sunduese turke, e cila tash e sa kohë po lufton ashpër vlerat e lirisë dhe të demokracisë perëndimore.

Ndryshe, ky Memorial, përfaqëson vërtet klasën sunduese shqiptare dhe mendësinë e saj.

Kjo përulje dhe ky nënshtrim kaq i pshtirë, me siguri do të lë njolla në ndërgjegjen kombëtare dhe protagonistët e kësaj, do t’ i vendosë në anën negative të historisë. Por, këta zuzarët tanë, ka kohë që kanë abortuar turpin, nderin e ndërgjegjen dhe nuk çajnë kokën për asgjë, përveç për pushtetin e tyre.

Në anën tjetër, me këtë akt, Tirana po tregon para botës së lirë se ç’ mentalitet mercenar përfaqëson dhe po ashtu po dëfton se ajo nuk është e zonja të bëjë monumente e vepra të mirë për të nderuar vetveten dhe për të përmirësuar fotografinë e zymtë e me plot njolla që ka.

Ky akt i turpshëm, më kujton atë që thoshte dikur Eqrem Bej Vlora, në një artikull të botuar më 1930:

“Sundimtarët shqiptarë janë kusarë të mirë”.

Në të vërtetë, ky soj sundimtarësh, duke mos i hequr “zinxhirët e robërisë së mendjes”- siç thoshte Konica – është shkëputur nga realiteti në të cilin e kanë katandisë popullin dhe kërkon aleanca me sojin e ngashëm politik, jo në dobi të zhvillimit dhe përparimit të popullit, por në dobi të zgjatimit të pushtetit të tyre personalë.

Duke nderur të tjerët dhe duke përçmuar pafund vetveten, në sytë e botës, jemi bërë komb qesharak.

Dihet, askush nuk e vlerëson një komb kaq shumë të përulur dhe kaq të nënshtruar para ish pushtuesve dhe atyre që shtypin të drejtat dhe liritë e njeriut.

Dihet, askush nuk e vlerëson një komb që ushqen dashuri dhe respekt për të tjerët dhe e përbuz vetveten e historinë e vet.

Mbase, dikush, këtyre zuzarëve edhe mund t’ju rrah krahët, por sapo t’ju kthejë shpinën, tallen me sjelljet tyre idiote, sepse, secili njeri me pak arsye e di se nuk mund ta duash e nderosh tjetrin, pa e dashur dhe nderuar vetveten.

Memoriali i turpit në Tiranë tregon se brenda kombit shqiptar, ende ka trushpëlarë që besojnë në aziatizmin e tokave shqiptare.

Atyre që u është ndalë ora e historisë qëmoti dhe vazhdojnë të përpëliten në anën negative të saj, duke gërvallur “duam babën.” E është pikërisht ky mentalitet mercenar e primitiv që ka penguar tash e sa kohë emancipimin kombëtar.

Në këto dekada të lirisë, jemi mësuar t’ i duam të tjerët, pa u mësuar njëherë ta duam vetveten, jemi mësuar t’i duartrokasim të tjerët, pa duartrokitur për vetveten. Prandaj, festojmë e ngazëllehemi për fitoret e të tjerëve, dhe përbuzim e poshtërojmë pafundësisht vetveten dhe historinë tonë.

Para më shumë se një viti kam shkruar: Unë besoj se askush nuk ka nevojë për dashurinë tonë, më shumë se toka jonë, njerëzit tanë, e kaluara dhe e ardhmja jonë.

Dhe, nëse vërtet duhet të zgjedhim Turqinë, së paku të zgjedhim Turqinë e Pamukut dhe të qindra e mijëra njerëzve të ditur të artit dhe të kulturës, që përndjekën dhe nuk pajtohen me qeverisjen totalitare të Erdoganit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok