Melodia e fyellit dyjar shqiptar si kolonë zanore në filmin “Odiseu”
Nga Prof. Blerim Latifi
Melodia e fyellit dyjar shqiptar si kolonë zanore në filmin “Odiseu” të Christopher Nolanit.
Nuk mund të gjendej një tingull që do t’u përngjante më shumë tingujve të kohës homerike sesa tingulli i këtij fyelli. Në vazot antike greke, perëndesha Athina paraqitet duke i rënë një vegle të ngjashme, aulosit të lashtë, një instrument me dy tuba frymorë që i përket së njëjtës familje veglash muzikore me fyellin dyjar.
Por, përtej këtij lajmi kaq të bukur për trashëgiminë kulturore të kombit tonë, shfaqet një pyetje e vjetër:
Pse rikthehet vazhdimisht Odisea?
Dhe: pse sot edhe një film tjetër për të?
Sot miliona njerëz përballen me luftëra shkatërrimtare, si në fronte ashtu edhe si të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ata mund të ndahen nga armiqësitë dhe konfliktet që i kanë vendosur përballë njëri-tjetrit, por të gjithë i bashkon një dëshirë thellësisht njerëzore: dëshira për t’u kthyer në shtëpi.
Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e Odisesë: ajo është eposi universal dhe i përjetshëm i kësaj dëshire njerëzore.
Ajo nuk është vetëm historia e udhëtimit të një heroi të lashtë drejt Itakës, por rrëfimi i përvojës së përbashkët njerëzore të humbjes, vuajtjes, kujtesës dhe shpresës për rikthim.
Siç shkruan Milan Kundera në novelën e tij “Padija”, thelbi më i thellë i Odisesë nuk qëndron vetëm te aventura e heroit, por te pyetja ekzistenciale e kthimit: a është ende e mundur të kthehesh te ajo që ke lënë pas?
Odiseu nuk kthehet thjesht në vendlindje. Ai kërkon një botë të humbur nga koha dhe nga përvoja e luftës. Pikërisht këtu lind dhimbja e nostalgjisë: dhimbja e kthimit të pamundur në një kohë dhe në një mënyrë jete që janë humbur përgjithmonë.
Dhe ndoshta kjo dhimbje shprehet në mënyrën më autentike pikërisht në tingujt melankolikë të fyellit dyjar dhe të iso-polifonisë shqiptare: tinguj të lashtë që bartin kujtesën e kohëve të largëta, mallin për vendin e humbur dhe dëshirën e përhershme njerëzore për t’u kthyer aty ku dikur ishte shtëpia jonë e vjetër, aty ku, përpara se ta njihnim tragjizmin e botës së madhe, ëndërronim për paqen dhe lumturinë e përhershme.
___________
Pse njerëzit, ndër shekuj, e kanë dashur heroin mitik Odiseun?
Për shumë arsye. Ja disa prej tyre,:
Patriotët e kanë admiruar për heroizmin e kthimit në atdhe dhe besnikërinë ndaj Itakës, aq sa ai zgjodhi të hiqte dorë edhe nga pavdekësia që i ofrohej, vetëm për t’u kthyer në shtëpinë e tij.
Iluministët kanë parë tek ai triumfin e intelektit njerëzor përballë fuqive misterioze të natyrës dhe fatit.
Adorno dhe Horkheimer, në veprën “Dialektika e Iluminizmit”, tek Odiseu gjejnë figurën zanafillore të qëndrimit iluminist ndaj botês: njeriun që, përmes arsyes, llogaritjes dhe vetëpërmbajtjes, ia del të bëj zap botën që e sfidon.
Politikanët e kanë çmuar për mendjen strategjike dhe aftësinë për t’i shmangur kurthet. Nuk është rastësi që edhe Kali i Trojës, mashtrimi që solli rënien e qytetit, lidhet me emrin e Odiseut.
Por edhe shkrimtarët e kanë dashur Odiseun, sepse ai është modeli zanafillor i zanatit të tyre: rrëfimi i një udhëtimi plot vuajtje, humbje dhe sprova, por me fund të lumtur.
Një ide që shpesh i atribuohet Tolstoit e përmbledh këtë strukturë themelore të tregimit: historitë tona ndërtohen rreth dy lëvizjeve të mëdha: largimit nga shtëpia dhe kthimit në të.
Tek në shekullin XX, arti i tregimit u përpoq ta sfidonte paradigmën e Odiseut. Kjo sfidë lidhet me emrin e shkrimtarit irlandez, James Joyce. N? romanin e tij Uliksi[ emri latin i Odiseut], krejt aventura zhvillohet brenda një dite dhe personazhet nuk largohen fizikisht nga qyteti i tyre.
Odiseu është heroi që nuk fiton sepse është më i forti, por sepse di të mendojë, të durojë dhe t’ia dalë mes dallgëve të botës së trazuar. Ndoshta pikërisht për këtë ai mbetet bashkëkohësi ynë edhe pas tre mijë vjetësh.
___________
Derisa tymi i luftës ngrihet mbi Moskë e Teheran, bota ndjek aventurat e Odiseut, të risjella nga Hollywood-i, dhe pret që, në mbrëmje, ta vazhdojë spektaklin me finalen e Kupës së Botës.
2800 vjet pas Homerit, bota njerëzore mbetet e njëjta: mes luftës dhe argëtimit, mes tragjedisë dhe spektaklit.
Ballkani, i cili në kohë trazirash botërore rëndom është gjendur në anën e tragjedive, kësaj here ka fatin ta shijojë spektaklin. Dhe këtë falë paqes të garantuar nga “imperializmi amerikan”, të cilin shumë budallenj ideologjikë në Prishtinë, Tiranë, Preshevë e Shkup e piketojnë si “të keqen më të madhe të njerëzimit”.
