Mehmetali Rexhepi: In Memoriam – Tefik Selimi (1948-2019)
Të varfër për një buzëqeshje
In Memoriam
Tefik Selimi (më 1 shkurt 1948- më 18 janar 2019)
Të çmuar familjarë, kolegë pune të Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan, familje e ngushtë dhe e gjerë, gazetarë të medieve të shkruara dhe elektronike, ish nxënës dhe letrarë, drejtori aktuale e Gjimnazit! Si njëri nga shokët e punës dhe të jetës, më takoi një rol i padëshirueshëm, gjithsesi i dhimbshëm për t`i renditur këto fjalë ngushëlluese dhe përkujtuese për kalimin në amshim të prindit, vëllait, mikut, edukatorit të brezave e kolegut tonë të urtë Tefik Selimi!
Ngushëllime të sinqerta për të gjithë ata dhe ju që e keni njohur dhe nderuar profesorin Tefik Selimi!
Po i shkëpus disa të dhëna për jetëshkrimin e Tefik Selimit.
Tefik Selimi u lind në fshatin Nasalë, që i përket Komunës së Gjilanit. Shkollën fillore e filloi në Lladovë, e vijoi në Nasalë dhe në Zhegër. Shkollën e Mesme Ekonomike e kreu në Gjilan. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Pas kryerjes së vitit të tretë të fakultetit përkatës, një vit, më 1971-1972, punoi arsimtar në shkollën fillore të Zhegrës dhe në fshatin Haxhaj.
Në vitin shkollor 1972-1973, filloi punën profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Gjatë kësaj periudhe, por edhe më herët, ka bashkëpunuar me disa revista dhe gazeta shqipe në Kosovë e Maqedoni. Botoi vjersha, shkrime letrare e publicistike. Nga viti 1964 ka botuar shënime të ndryshme për aktualitetin e atëhershëm në gazetën “Rilindja”. Ka publikuar vjersha për fëmijë e të rritur në “Rilindja për fëmijë”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Flaka e vëllazërimit”, “Shkëndija”, “Bota sot”, “24 orë”, “Gazeta e pionierëve”, “Bota e re”, “Kosovarja”, te revista “Jeta” e gjetiu.
Botoi këto vepra:
“Gjaku i pragjeve”, më 2002;
“Flijimtarët e plëngjeve”, më 2010;
“Bota e yjeve”, më 2011;
“Lule prilli”, më 2012;
“Pragjet e përgjakura”, publicistikë dokumentare, më 2014;
Monografia “Gjimnazi i Gjilanit” (1945-2013), Gjilan, më 2015.
Po ashtu, Tefik Selimi ka shkruar dhe një mori shkrimesh për autorë e vepra letrare, artistike, dokumentare e publicistike. Ai pa pritua asnjëherë piketonte dukuri e personalitete letrare, bënte shënime të shpejta dhe arrinte ta kapte aktualitetin e ngjarjeve kulturore e të përurimeve të ndryshme. Ishte tejet veprues edhe pas pensionimit nga puna arsimore-edukative në Gjimnazin “Zenel Hajdini”. Është për t`u theksuar se edhe për gazetat periodike të Gjimnazit përgatiste shënime për daljen dhe begatimin e tyre.
Dendur mbusheshin faqet e gazetave nga shkrimet e Tefikut, si në “Bota sot”, “Epoka e re”, “Zëri ditor”, “Lajmi” dhe në portalet elektronike, “Rajoni press”, “Zemra Shqiptare” e të tjera.
Pothuajse në çdo veprimtari kulturore, akademi përkujtimore, përurime librash, orë letrare dhe gjithçka që kishte të bënte me kulturën në Gjilan, aty ishte Tefiku, një kronist besnik, i pa munguar me laps e diktafon.
Familjarë, miq e kolegë!
Padyshim do të na mungojë prania e Tefikut, kronikat për ngjarjet e dhimbshme e krenare në jetën tonë si popull, për mësymjet tona liridashëse, për arritjet tona shtet ndërtuese…Do të na mungojnë qasjet e tija kudo, buzëqeshja e lehtë, qasja njerëzore e pa imponuar, mirëpo asnjëherë e munguar. Megjithatë, Tefiku do të jetë në kujtesën tonë arsimore, edukative në arkivat e brezave të nxënësve në Zhegër e në Gjilan, në trajtat e rezistencës paqësore për ruajtjen e autonomisë së shkollës shqipe… Emri i tij do të mbetet në faqet e gazetarisë dhe të publicistikës sonë, si një kronist që la gjurmë të dukshme.
Për të mos humbur durimin tuaj në këtë dhimbje të kësaj ore përkujtimore, do t`i lejoj vetes të shkëpus një fragment besimi të pa tundur për të ndjerin. Sapo kishte nisur grumbullimin e materialeve për monografinë që i kushtohej Gjimnazit “Zenel Hajdini”, më erdhi në zyrë kur po kryeja detyrën e drejtorit dhe, më dëftoi për nisjen e bërjes së një libri për Gjimnazin. I thash: Tefik të përgëzoj për guximin tënd, ngase kjo është një ndërmarrje e vështirë, unë nuk do të kisha guximin tënd t`i hyja i vetëm kësaj lënde me shumë të dhëna, me shumë dëshmi, por me shumë vlerë për arsimin e brezave të Pellgut të Moravës. Ai më pat thënë: Tashmë kur të dëftova ty, gjysmën e materialeve i kam gati. Ishte kjo një befasi e dorës së parë për qëllimin që ia kishte paravënë vetes dhe monografia u bë, është kjo që është, falë përkushtimit të paepur të profesor Tefik Selimit.
Tefiku e donte Gjimnazin, i çmonte kolegët dhe i gëzohej mbarëvajtjes e ritmeve të frytshme për arritjen e nivelit të kërkuar shkencor, arsimor dhe edukativ. Edhe pas pensionimit, herë pas herësh, vinte në objektin e Gjimnazit, ngase një jetë të tërë e kishte shkrirë në këtë Gjimnaz dhe për këtë Gjimnaz.
Një meritë e kësaj tradite për këtë homazh dhe për të tjera figura, i përkasin pikërisht kësaj drejtorie aktuale.
Qoftë i ndritur kujtimi dhe respekti për edukatorin dhe gazetarin Tefik Selimi!
Gjilan, më 25 janar 2019
Mehmetali Rexhepi