27/12/2024

ME SYTË E FËMIJËS (7)

0
Resmi-Osmani

Resmi Osmani

Roman-vazhdimi

Shtatë

Nëna më tha se kisha mbushur gjashtë vjeç dhe shkelur  në shtatë.   E besova. E kush mund ta dinte më mirë se ajo që më kishte lindur? Një vit më i madh! Nuk kisha pse të gëzohesha. Asgjë për mirë.  Kaloi pa u ndjerë, ato kohë nuk festoheshin ditlindjet. Po rritesha, kuptoja më shumë. Kisha hedhur shtat dhe rrobat më vinin të vogla e të ngushta, më dukeshin kërcinjtë. Hall më vete edhe të rriturit!

Tok me ditët që iknin, vinin dhe iknin edhe ngjarjet.

Na dhanë tokë!

Ata ishin tre vetë, dhe një polic me pushkë. Të tre  në mesmoshë,ca ndryshe nga të tjerët në veshje, në pamje dhe në sjellje.Fytyra bronzi të pjekura nga dielli. Me pantallona të shkurtëra, sandale dhe këmishë doku  blu me supore dhe dy xhepa të mëdhenj me lapsa: të kuq, blu, të zi dhe blloqe të vegjël. Ishin të të pajisur me harta e defterë, që I mbanin në një çantë lëkure, kambalec dërrase dymetrosh, litarë dhe  metër shirit metalik. Me ca dërrasa ngjyer kuq e bardhë, që u thoshin Zhalona dhe një dylbi  që vendosej në një mbajtëse me tri këmbë, i thoshin teodolit. Të heshtur  e fjalëpakë, mbase nga lodhja dhe vapa e gushtit. Kësaj që po bënin i thoshin reformë agrare. “Toka i takon atij që e punon” kështu thoshin, dhe kjo ishte thënia e ditës.  I shoqëronte  kryetari i këshillit dhe ca të tjerë djem nga fshati. Matën,  shënuan dhe vunë sinorë, në  gjithë arat e fshatit që ishin çiflig i Tafil beut.

Ne fëmijët , një grumbull gazmor e i zhurmshëm, si një tufë harabelash, u shkonim pas. Sehir i madh! Nuk na zbuan. U jepnim edhe një dorë ndihmë. Na dukej vetja pjesëmarrës dhe të dobishëm. Unë u mbushja paguret me ujë të freskët te pusi në shesholl dhe ua sillja me vrap që të mos ngrohej.

Familjes tonë i dhanë një truall katër dynym, matanë udhe, por afër kasolles. Nga të katër anët ishte i rrethuar me një brez dru  marinash dhe një hendek. Livadh, arë që i thoshin fang.

Kur mbaruan punë, në shesholl, u mblodh gjithë fshati, me kuç e me maç!. Aty mora veh sesa shumë njerëz kishte fshati që dukej i vogël. Ngazëllim i madh. Duke hapur vend me brryla  hyra mes gjindjes. Me drrasa kishin sajuar një vend të ngritur.Ku u ngjitën të deleguarit që kishin ardhur  nga Fieri. Njerit prej tyre i veshur ushtarak me kapele me yll të kuq i thoshin komisar. U mbajtën fjalime. E drejta, s’mora vesh gjë e nuk kuptova se ç’farë thoshin, por nga lëvizjet e vrullshme, të duarve , trupit dhe shprehja e vendosur e fytyrës, dora e djathtë e mbledhur grusht dhe e ngritur lart, dukej që thoshin gjëra me rëndësi. Në fund urimi:“Ta gëzoni dhe  trashëgoni tokën”. Këtë po, që e kuptova mirë. Dikush brohoriti sa i hante gurmazi:”Rroftë komandanti ynë” Njerëzia duartrokisnin. Ca më shumë edhe ne të vegjëlit, sa na dhëmbën pëllëmbët.Si i thonë asaj fjalës:Haha krushqit haha nusja! Pastaj thirrën emrat dhe ndanë ca letra me stemë dhe vula, që u thoshin tapi. U çudita. Kishte nga ata, si Llazi çalamani, që kur i merrnin tapitë, e puthnin, qanin nga gëzimi dhe thoshin”Martë nga ditët tona komandanti ynë”, por ca të tjerë ishin të drojtur dhe si të trembur e mosbesues. U dukej se hija e beut sillej akoma nëpër fshat dhe u bënte roje tokave të tij.Ishte përhapur një fjalë se qehajai i beut paskësh  thënë:”Kush trimërohet dhe merr token e beut,ka lënë peng kokën!”

Nga Baltëza,një fshat me bujq arixhinj, matanë Dërmënasit, kishin ardhur sazet, Zeqo gërneta, i pakët nga trupi, me kapele republikë dhe syze të errëta, me të bijtë. Ja morën një valleje të shtruar.Një grup valltarësh hoqën atë vallen myzeqare, që I thonë “rrethçe”pastaj një grup tjetër, ja thirrën këngës: “Rrofsh o komandanti ynë/ doli fjala që na dhe!”  Duhet të ishte këngë e re se nuk e kisha dëgjuar tjetër herë.

Kushërinjve tanë as u dhanë as u morën, iu lanë atë tokë që u kishte dhënë mbreti Zog.

***

Ngjarja e dytë:

Në fshat, konakët e beut, që ishin bosh e të pazot u kthyen në qëndër shëndetësore.  Atje erdhi, për të punuar dhe jetuar Infermier Demiri, burrë i bëshëm, me syze dhe kapele republikë, që i pëlqente ta quanin doktor,me gruan e bukur qytetare, Dafinën dhe dy fëmijë binjakë, djalë e vajzë,Astriti dhe Drita, të veshur hijshëm,që u ndrinte fytyra nga shëndeti e pastërtia dhe, që ishin mbase një vit më të mëdhenj se unë. Më dukej , sikur ata vinin nga një botë tjetër, e panjohur për mua.

Zonja Dafinë iu lut nënës ta ndihmonte për të pastruar dhe ormisur shtëpinë, që do të ishte  ambulance dhe banesë. Unë shkova me ‘të. Më gostitën me karmele. Mora një, por zonj Dafina (kështu na tha ta quanim) më dha edhe një tjetër. Karamelet kishin ngjyrë të gjelbër dhe formën e peshkut, ishin të erëndshme dhe ta ftohnin gojën duke lënë shije freskuese.Hëngra duke e mbajtur gjatë në gojë, vetëm njerën, tjetrën e ruajta për Sanon. Teksa nëna iu përvesh punës, iu afrova moshatarëve të mi. Ishin veshur bukur. Astriti me rroba marinare, blu e me shirita të bardhë, Drita me fustan lulushan. Sandale të reja dhe çorape të bardha që, u vinin deri te gjunjët. Dukeshin të llastuar. Ngjanin si dy pika uji i dallonte veshja dhe flokët e gjata të Dritës.

“Ma kishte qejfi të luaja me ‘ta, por ata më qëndruan larg. Me rrobat e mia  varfanjake, të sajuara dhe të arnuara si leckaman, me këmbët e zbathura e të pluhurosura, kërcinjtë me dregëza, siç duket iu duka i pistë e i palarë. E kuptova. Dukej sheshit, nuk më donin për shok. Më erdhi inat, më hëngri dora që tu jepje nga një shuplakë, por, tekefundit s’mu bë vonë për ata spitullaqë që u kishte hyrë vetja në qejf dhe  ika. I shalova kalit tim, që ishte një shkop i gjatë hardalli, e graha me shufër dhe i thirra “ Hyja kalo” dhe fryva mes sheshollit, duke lënë prapa një vazhdë pluhuri, për te shtëpia e gjitonit tonë Dule Bacit, ku më priste Hajdari që ishte një vit më i madh e që luanim bashkë me kaçole e gogla , me cingla  apo doçe, me një top të sajuar me lecka dhe plot lodra të tjera.”

***

Ngjarja e tretë, ishte ardhja e mësueses nga Tirana. Po afronte shtatori dhe niste shkolla. Këshilli i fshatit e çoi për banim mësuesen te shtëpia e teze Selimesë, ngaqë kishte vënd, por edhe dy vajza të rritura që t’i bënin shoqëri.

Lam në kasolle të dy motrat dhe , nëna pasi më lau e pastroi, më mori për dore dhe zum udhën për në kodër te tezja, që ta shihnim dhe t’i uronim mirseardhjen mësueses nga Tirana. E gjetëm ulur në verandë teksa po lexonte një libër. Ajo u ngrit dhe u përshëndosh me nënën. Ishte shtathedhur e hollake. Vinte e zeshkët, flokët, ngjyrë gruri, prerë shkurt me vijë të drejtë mbi supe, teksa mbi ballë një tufë cullufe si të çupëlinave . Me syze të trasha, mbi hundën me samar, dhe një push mbi buzën e sipërme. Fustani i gjatë deri nën gju. Të them të drejtën nuk më pëlqeu,mu duk si një burrë i veshur grarisht. E prisja të ishte ndryshe, të bukur si ato zanat e përrallave. Ama ishte e sjellshme dhe kishte një zë kumbues , të shtruar që dukej se këngëzonte. Pashë që tezja i sillej me shumë nderim dhe e quante zonjushe Hedie. Kur mbetën vetëm, tezja I tha nënës: -“Eh, moj Ervehe,ta dish ti se nga ç’shtëpi e fisme është kjo, do të çuditesh që e kanë dërguar këtu në vrimën e bufit, që të mësojë fëmijët tanë. Ka mbaruar  shkollën e“Nanës Mbretëreshë”, në një bango me gruan e komandantit, që e ka patur shoqe!

S’kisha se ç’bëja në shoqërinë e grave, e pashë ç’kisha për të parë, i shalova kalit-shkop hardalli- dhe zura vrapin zdrënkthi mes oborrit dhe prapa shtëpisë. Më shkau këmba dhe u gremisa. Aty qëlloi një cep guri dhe më çau në gju. Më plasi gjaku. Kur pashë gjakun ja dhashë të qarit dhe thërrisja: o lele gjaku! Nëna dhe tezja më ngritën, por unë s’pushoja së qari. Tezja, ma pstroi me raki, më vuri mbi vëndin e vrarë një shtrat merimange dhe një fletë duhan-këto ishin ilaçet- dhe ma lidhi me një copë pëlhurë. Gjaku pushoi, por jo të qarët e mi. Atëhere tezja se ku gjeti një flutur të ngordhur, me krahë të mëdhenj me pika të bardha e të zeza, e një push sit ë argjendtë, që ishte me të vërtet e bukur.

-Na, merre fluturën, gropose në kopsht dhe hajde nesër. Kur ta zbulosh, ke për të parë se do ta gjesh të mbushur me rruaza qelqi me lloj e lloj ngjyra!

E mora fluturën dhe bëra si më tha tezja.Vura dhe një shenjë që ta gjeja kollaj kur të kthehesha. Unë u besoj të rriturve.

Kur u ktheva, po pinin kafet.Mua më dhanë një rriskë bukë të lyer me gjalpë. E llupa si I babëzitur.Më kishte marrë uria.  Isha qetësuar, po gjuri më dhimbte ende.

-Sa vjeç është djali_-Pyeti mësuesja.

– I mbushi gjashtë, ka hyrë për shtatë.

– Trup ka hedhur mirë për moshën që ka. Si thua, ta marrim në shkollë, në klasë time?

– Është i vogël akoma.- I tha nëna.- Pastaj s’jemi gati, i duhen veshje të tjera. S’kemi as para për libra.

-Pa merak, librat, fletoret, lapsat dhe penën, do t’ia jap unë pa lek.Sa për i vogël, s’ka gjë  është mosha më e mirë për të filluar që të mësojë dhe fiton edhe një vit.

Më pa me dashuri dhe sytë i qeshën me ngrohtësi prapa xhamave të syzeve.Aty për aty ndërrova mëndje: zonjushe Hedija mu duk e dashur dhe e bukur!

– Si thua, do vish  në shkollë të mësojmë bashkë?

Ngrita supet pa ditur ç’ti përgjigjem.Sido që një vit parakohe, qejfi ma kishte.

***

Gushtit po i mblidhej lëmshi.Po ikte bashkë me vapën, për t’i lënë vendin shtatorit. Dhe shtatori në ditën e parë të tij, i hapte derën diturisë. Dit’  e parë e shkollave.

Shkolla me dy klasë, ishte në konakët e kishës së Shënmarisë, në katin e dytë, ku të ngjitnin shkallët e drunjta me parmakë. Kisha shkuar shumë herë atje me Hajdarin. Pas një rrokullime, Ishte një portik me qemer e mbi të një kryq. Pasi hyje, rruga ishte e shtruar me kalldrëm. Ngjitur me oborrin ishte varreza, ku varroseshin kristianët e dy fshatrave. Thoshin se aty natën dëgjoheshin rënkime dhe fjalë fëshfritëse dhe murmurima që shpirtërat i flisnin njëri-tjetrit por që nga të gjallët s’merreshin vesh, dhe se herë – herë dilnin ca flakë të kaltëreme që ndizeshin e shuheshin deri ndaj të gdhirë kur shpirtërat ktheheshin në varret e tyre. Kështu thoshin, disa që i kishin dëgjuar e parë! E frikshme, por ne shkonim vetëm ditën, e kujt ja mbante të shkonte natën? Të shumtët  varre të vjetër, të rrënuar e shembur, me kryqe që ishin pjerrësuar e gati në të rënë. Kishte edhe disa varre me qivur e kryqe mermeri, ndër ta i Ndoni Mandros. Për të kujdesej, e veja Gjena, e veshur e gjitha me të zeza, që vinte kaluar me kale shale dhe ndizte qirinjtë, sillte vezë të kuqe për pashkë, apo grurë të zier për ditën e të vdekurve, që mbeteshin aty.Të vdekurit nuk i hanin ose mbase nuk i pëlqenin. Një rast na gjeti kur ne kishim mbledhur bishtat e qirinjve dhe i kishim ndezur. Na shau nga nënat, ashtu siç shajnë meshkujt. Ne i tham :”Me se do na i bësh nënat moj Gjenë? –“Me kallam” na tha. Ne qeshnim e gaxhiteshim pastaj frynim tatëpjetë.

Kisha ishte majë kodrës, mes pyllit, e rrethuar me dafina, thana, lojfata , lisa e drurë e shkurre të tjera. Hajati ishte i gjatë dhe me shtylla që mbanin strehën. Në të dy anët e derës së ronitur të hyrjes ishin vizatuar në mur,një kalorës  me shtizën ngulur në gojën e shqyer të dragoit, Ishte Shëngjergj luftëtari.Në anën tjetër, Shënmaria, me ca sy të pikëlluar që mbante në pëqi të birin. Në kambanaren që lartësohej në qëndër, ishin dy kambana që binin kumbueshëm për ditët e mira dhe thërrisnin besimtarët për tu falur. Për kishën  dhe kambanat kujdesej kishari, Kroni, një plak i sosur. Prifti vinte  vetëm për të kremtet. Atij vendi të shurdhër e të frikshëm, mes pyllit,me shënjtorë të vdekur dhe fantazma, i jepte gjallëri vetëm shkolla.

Dita e parë e shkollës.

Nëna më vuri mes këmbëve dhe ma qethi kokën tasall me një gërshërë nga ato që qethin delet. Sido që u përpoq, dukeshin gështallat.Pastaj më lau trupin dhe kokën me baltë kreri, se për sapun nuk bëhej fjalë dhe më fërkoi me shparcëtë leshtë. Rrobat sido të vjetra ishin të pastra dhe binin era finjë.Hodha në sup një trastë leshi për librat dhe tok me Hajdarin u nisëm dhe mbrritëm në shkollë. Me ne erdhi edhe Zani, vëllai I madh I Hajdarit. Oborri gëlonte nga fëmijët. Na rreshtuan sipas klasave. Fëmijët e tjerë i shoqëronin prindërit, të kapur për dore. Unë isha vetëm. E ndjeva sa shumë më mungonte babai. Të tjerët të veshur mirë e bukur, unë me të vjetra, ata me sandale e këpucë të reja, unë zere se zbathur. Ata të gëzuar, unë imërzitur. Sa më hidhnin sytë sepse u vinte për të qeshur dhe kthenin kokën mënjanë. Mu duk vetja si dordolec, u mërzita aq sa desha t’ja therja vrapit e të ikja, po shkolla më pëlqente.Duhet të duroja.

Dy mësuesit dhe zonjushe Hedije qëndruan te nisja e shkallëve.Njeri nga mësuesit, që ishte më i vjetër në moshë na uroi mirseardhjen dhe vit të mbarë shkollor. Klasat ishin dyshe.Në bangat e njerës anë ishim ne të klasës së parë, në anën tjetër ata të klasës tretë.në dhomën tjetër, klasa e dytë dhe e katërt.

Zonjushe Hedija na uli  dy e nga dy, një djalë e një vajzë. Mua më uli me Sofien, që ishte pak më e madhe se mua. Ishte nisur e pispillosur dhe flokët I kishte lidhur me një kordele të kaltër. Ende pa na u ndarë librat, Sofia u ngrit dhe tha:

-Me leje mësuese.

-Po.  Çfarë ke?

– Unë nuk rri me Idrizin në një bango, se do më ngjitet qerja!

Ajo pa që në kokë unë kisha ca dregëza të një plage që ishte duke u përtharë dhe më quajti qeros! Mu duk se dyshemeja mu hap nën këmbë dhe më iku mëndja nga kjo prozvali poshtëruese.Gjithë vështrimet ishin drejtuar mbi mua, si të isha një kafshë e rrallë. Se desha veten.Gulçi më zuri frymën. Më hipi një pezm i mbrapshtë e hakmarrës. U ngrita, i thashë ndyrësirë e qelbësirë, dhe e pështyva. Hapa derën me vrull, u rrokullisa  shkallëve duke qarë dhe zura vrapin pa ditur përseku. Mësuese Hedija doli te shkallët dhe ndjeva që po më thërriste me emër, por as u ndala as e ktheva kokën pas.Ikë të ikim!

Kur mbrita në shtëpi, nëna u çudit:

-Kaq shpejt mbaruat?

-Shkolla ime mbaroi për sot e gjithë vitin. Ja plasa të qarit dhe i tregova duke gulçuar gjithë ç’më kishte ndodhur.

Më tha të mos mërzitesha, se nesër do të shkonim të dy. E kishte kot. I thashë se në atë shkollë nuk do të shkelja më.

-Si e quajnë atë çupën- më pyeti nëna.

-Sofije.

-Është këtu nga fshati?

-Po, e bija e Llazi çalamanit.

-I ka parë Perëndia.Babai sakat nga këmba, e bija nga mënmdja.

Pastaj nëna gjithë maraz shfreu mllefin, sikur Sofien ta kishte para vetes:

-Ah moj vajzë, u rritsh, por mos u gjendtë burrë për ty!

I rëndë mallkimi i nënës, por e dija, që Sofia do të rritej, martohej e trashëgohej, por mua më humbi një vit shkollë!

Vijon….

28 mars 2022

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok