08/10/2024

ME SYTË E FËMIJËS (3)

0

Tre

Nga Resmi Osmani

Halla, që ne e quanim Tete,  babanë tonë e kishte vëlla të vetëm e  duheshin shumë. E kishte marrë vesh mynxyrën, por mbase edhe se kishte besuar. E mbante shpresa se ai mund të ishte gjallë. Kur na pa  që ishim  vetëm, u lebetit dhe u lemeris. Hoqi shaminë, shkuli flokët, çorri faqet, rrahu gjoksin, bërtiti në kupë të qiellit sa jehoi tërë lugina: -Tahir vëlla, i vetmi i motrës, ku më le mua të zezën, mjer u e mjera- dhe u këput e ra nga goditja e rrufesë së hidhërimit, si kalliri kur e prêt drapri. Se edhe flaka e hidhërimit djeg e vret shpirt e trup. E kunata dhe nusja e nipit iu derdhën sipër, e stërpikën me ujë të ftohtë, e përmëndën dhe e  ngritën. -Lermëni- u tha me zë të shuar, si një murmurimë- këtu të më dalë shpirti. Ato duke e hequr osh e shpunë brenda. Pas tyre, shkuan gjithë duke qarë, Fatimeja dhe Nëna. Ne të pestë mbetëm në oborr si ca shpirtra të harruar, si të mos ishim.   Pas lodhjes së rrugës dhe vajit të grave, nuk duruam dot më. Na zuri të qarët.Të qarët është si sëmundje ngjitëse. Sa lot! Besoj që burimi i tyre është zemra dhe shpirti, rrëkeja e rrjedhjes sytë, që mbush detin e mjerimit, mbase lotët e kanë bërë detin të kripur! Bashkë me ‘ta del vreri i vuajtjes. Pa u zbrazur  nga ‘ta zemra do të kishte plasur. Ashtu të shtangur, na dukej se dëgjonim: psherëtimat e dhimbshme të ajrit, duhmën e gjakut që sillte era dhe ca zëra të mbytur e të thellë, rënkime e psherëtima, të qara me oji, rrënqethëse e të dhimbshme të shpirtërave të pafajshëm e të masakruar, si të dala nga nëndheu, që i dëgjonim veç ne. Na qanin edhe rrobat e trupit, edhe gurët e drurët, muret e nxira të kasolleve,  lot pikonin dhe  strehët e kashtës së çatisë.

Era vajtonte: me det, me det, o të mjerë për këtë zezonë që u gjeti!

***

Ishte mesdita e së premtes. Teteja e drobitur, që ende se kishte marrë veten, zgjodhi këtë ditë të mirë të myslymanëve që e quanin e xhuma, për të hapur ksodhin për lutje dhe përshpirtje drejtuar Zotit të gjithfuqishëm e mëshirmadh, për Babanë dhe të tjerët e  familjes që kishin ikur nga kjo jetë. Që t’u falte prehje dhe ti pranonte në xhenet. Erdhën edhe gra nga familje çame që kishin zënë vend në atë fshat. Dhoma u mbush cit. Idrisi , pa e kuptuar se ç’po ndodhte, hyri brenda dhe iu ul së ëmës në prehër.Teteja ja nisi vajtimit. Qante me ligje, me fjalë shpirti. Ajo përsëriste shpesh fjalët”Sha kriet tat Tahir, vëllathi i vetëm i motrës…ku më le mua… ku e le fëmilën, ….kush tu gjend pranë….kush ta lidhi buzën, kush ti mbylli sytë e bukur….kush të hodhi një grusht dhe mbi varr, apo të lanë ushqim për korbat, o vëlla i motrës, o vëlla i pa varr…Vajtimit të Tetesë iu bashkua edhe ai i nënës dhe Fatimesë,me rënkime dhe me gulçe që përziheshin dhe përcillnin fjalët e dashurisë dhe pikëllimit .

Idrisit iu mblodh një gulsh në grykë që po i mirrte frymën dhe i riguan faqeve rrëkeja e lotëve. Qante pa zë. Me sytë e veshur nga lotët, shihte turbull të ëmën me përgjërim si të donte t’i lutej të mos qante më, se ai nuk e duronte dot.

Dikur Teteja e pushoi vajtimin.

Nga një zaf kadifeje ngjyrë allë nxori Kuranin, e shfletoi dhe nisi të shqiptonte një syre. Zëulët, i dukeshin vetëm lëvizjet e buzëve. Të gjitha u shtangën , në fytyrë u ra një hije pikëllimi, sytë mbërthyer në boshësi, nderën duart e hapura përpara, në kërkim të mëshirës hyjnore dhe  më pas, kur mbaroi syreja, i kaluan në fytyrë duke mërmërirë “Amin”. Lutja që Zoti ti pranonte në qiell shpirtërat e të ikurve dhe tu jepte strehë në Xhenet, përfundoi.Nga gjokset doli një psherëtimë shprese dhe  lehtësimi.

Ne dolëm përjashta. U dëgjua shkrofëtima dhe rrahja e patkonjve të kalit. Erdhi hoxha kaluar, papritur si ta kishte pjellë dheu. Më mbetën sytë në të. Plak i hijshëm, me fytyrë të paqtë që ia lezetonte mjekra e thinjur e prerë shkurt. Çallma e bardhë rreth festes së zezë, sido që e bënte të dukej më hijerëndë , nuk ia fshihte dritësimin e butë  dhe mirësinë e shikimit të syve dhe atë buzëqeshjen e trishtuar të mezidukshme që i ravijëzohej në cepat e buzëve. E ndoqëm pas dhe hym në dhomën e burrave. Ne të tre djemtë, na nxorën në krye të vendit, të prisnim ngushëllimet. Hoxha, që xhaxha Shefkiu e quajti Hafëz effendi, ndënji krah nesh. Nisi të fliste  me zë të butë e të shtruar, paqtues, që vinte si një puhizë,i këndshëm për t’u dëgjuar, ato fjalë që janë balsam për shpirtin dhe qetësim për mendjen, që kanë urtësi mistike dhe shenjtëri:”Zoti na ka dhënë dhe të zotit jemi.Kjo botë është e rreme, ahireti është i përjetshëm. Zoti u dhëntë durim që tu zbutet dhimbja. Të ketë rahmën e Zotit e u prehtë në Xhenet. T’i rroni ju dhe gjithë të dashurit” Tha këto dhe pastaj me zë filloi lutjet, që shpirti i robit të Zotit, Tahirit, të prehej në paqe dhe bukuritë e xhenetit. Fjalët ishin arabisht e pak kush i kuptonte, disa syresh i dinin dhe i bënin shoqëri Hafëz efendiut. Ranë në gjunjë, mbështetën ballin mbi truall, pastaj nderën duart përpara, fshinë fytyrën, dhe në fund të gjithë njëhershe shqiptuan “Amin”.

Idrisi nuk bëri si të mëdhenjtë. Nuk dinte, sido që i vogël, midis të mëdhenjve, iu duk vetja më i rritur. Kuptonte se diçka po ndodhte. I shtangur, i kapluar nga mërmërimat, fjalët që i drejtoheshin Zotit, në atë gjuhë të huaj, ai i ndjente por si kuptonte. Ishte  një  diçka e pritshme, drithëruese që pluskonte në ajrin e dhomës, si të ishin shpirtra të vuajtur të të vdekurve, të thirrur nga të gjallët. Flatronin, midis njerëzve të dashur, që luteshin për ta , në kërkim të paqes dhe prehjes së përjetshme. Dëgjonte fëshfërimën e krahëve, frymëmarrjen e tyre por ishin të tejpashëm e  nuk shiheshin.Befas pati një vegim, u shfaq hija e babajt, si e pezullt, me vështrim të përmalluar, duart të shtrira përpara si të donte ta përqafonte, bënte të ecte, lëvizte këmbët, por ato si të ishin pa eshtra  nuk bënin përpara. Idrisi i tronditur thirri, me zë të brendshëm”Baba”, por hija u tret në mjegvull dhe iu shlye  nga sytë.

U përmend kur Hafëz efendiu tha”Allahu ekber” dhe burrat thanë njëzëri Amin! Atij i dridhej shtati dhe sytë i ishin rrëmbushur me lot që i mjegullonin pamjen.

***

Sido fillim maji, netët ishin ende të freskëta,ajri i notitur, bari mbulohej nga piklat e vesës. Kishin ndezur zjarrin në oborrin e kasolles. Kur tymi u davarit dhe gjuhët e  flakëve u platitën,mbetën prushet e zjarrtë që përhapnin dritë të zbehtë dhe ufmë e ngrohtësi prehëse e këndellëse. U ulën rreth zjarrit fëmijët dhe gratë: Teteja,Erveheja, Fatimeja të tre djemtë dhe Xhevrija. Idrisi uli kokën në prehrin e së ëmës. Nga ngrohtësia po i vinte gjumi. Por ashtu, siç ishte behot, po dëgjonte bisedën e Tetesë me të ëmën dhe Fatimenë:

“Thuama, nuse,se dua ta gjegj meta edhe një herë,nga gola jote, pa harruar gjë, gjithë sa bëri vaki atë ditë të zezë marsi në Vanar të Filatit.E pe me sitë e tu kur e vranë Tahirin?”

Heshtje. Një psherëtimë e gjatë, pastaj:

Nuk mbaj mënd.Më iku mëndja edhe kujtesa.E humba veten. Se dija as ku isha as kush isha. Fatimeja më lidhi dorën me një çember pas brezit dhe më xarrisi udhës. I shkoja pas si kafsha me kapistrë. Nga mëndja ime u fshinë të gjitha, s’më kujtoheshin as emri im dhe emrat e tim shoqi, të fatimesë dhe fëmijëve. Ja kështu, deri sa zbritëm në Sarandë dhe mu kthjellua mëndja”

-Po ti Fatime?

Ah moj Tete, e mbaj mënd sita kem edhe tani para syve atë ditë të gjaktë të dymbëdhjetë marsit . Kur u nisëm nga Filati për t’u kthyer në fshatrat tona, bëheshim treqind a katërqind frymë. Të gjitha moshave. Kur arritëm në një vënd që i thoshin Vanar, u gjëndëm të rrethuar si në vathë nga zervistë të armatosur gjer në dhëmbë. Njerëzit e kuptuan që u ishte ngritur kurth dhe u dëgjuan britma: -ikni, do të na vrasin,- dhe u turrën të çanin rrethimin.Ishte e pamundur. Mbi ne u shkrehën armët. Ranë të vrarët e parë: burra, gra e fëmijë. S’dinim çtë bënim, vinim vërdallë si të marrë. Pastaj zervistët nxorën kamat e hanxharët e bënë hatanë. Pas vrasjeve të para, zervistët filluan të zgjedhin burrat bojallinj e të rinj në moshë. E futëm mes nesh Xhaxhanë, por ai ishte kurmlartë e binte në sy.Drejt nesh u turrën tre zervistë dhe e mbërthyen fort nga krahët.-Çfarë kërkoni prej meje? U tha ai.-Tani ke për ta marrë vesh,- i thanë ata. -Prisni pak- u tha, dhe u kthye nga ne.-Ikni nga ky vend, kthehuni prapa, nisuni për në Shqipëri. Unë u arrij udhës. Nuk do mënoj. Këta do na marrin në pyetje. Unë s’kam faj, s’kam bërë asnjë të ligë dhe do më lenë të lirë. –Ne nuk ikim pa ty.Po duhet vdekur do vdesim bashkë- i tha Erveheja. Atëhere me një zë lutës ai mu drejtua mua:-Fato, të kam rixha, merri të gjithë dhe ikni! Amanet Djemtë. Kështu më tha. E kam në sy si tani: djersa I pikonte pikë-pikë, sytë e tij më lusnin  si të ishte e fundmja herë që më fliste dhe po më besonte familjen. Zervistët e morën dhunshëm dhe u drejtuan për te gropa e mbushur me kufoma që ishte varri i përbashkët.E humbëm nga sytë e më se pam.

Teteja pyeti: “E pe me sytë e tu kur e vranë?”-Jo. Por pashë gjithë ata të tjerë, atë ditë thonë që u vranë shtatëdhjet e dy vetë.

Idrisi që po dëgjonte rrëfimin, përjetoj edhe një herë atë tmerr e llahtarë, që e kishte parë me sytë e tij prej fëmije. Iu kujtua i ati që thoshin se e kishin vrarë dhe filloi të qante pa zë por me gulçe.

– Mos qaj, i vogli im- i tha Teteja. I fshiu lotët dhe e puthi në faqe. -Një ëngjëll më thotë që tim vëlla nuk e kanë vrarë. Ai është i gjallë dhe priteni kur ndonjë ditë të vijë e të na gjejë!

Babai i gjallë! Ah sikur të ishte e vërtetë. Po ku ta dish, edhe mbase, për deri sa e thoshte Teteja dhe Teteja ishte grua e mençur dhe nuk fliste kot.

Zjarri po shuhej. Ata u ngritën. Ishte koha për gjumë, nëse gjumi do t’i zinte.

Në mugëtirë hallakateshin xixëllonjat si ca shpirtra të paprehje që vinin nga  tjetër botë. Nga qielli pikonin yjet që shuheshin dhe  linin pas vazhdën e ndritur.

Tiranë, shkurt 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok