15/11/2024

ME SYTË E FËMIJËS (2)

0

Resmi Osmani

Fragment nga romani

Vazhdim

*    *    *

Vlorë, prill 1945.

Ua hiqte udhën njeri nga djemtë e tezes së babait.Idrisi dhe familja i shkonin pas si  dele të trembura pas bariut. Ishin si ca hije  që ecnin kuturu. Se dinin ku po shkonin, as kush i priste as si i priste. Ai i hidhte hapat shpejt e shpenguar, ata pas tij ngëc-ngëc, mezi e ndiqnin. Sokaku i ngushtë i shtruar, me kalldrëm dredhonte mes shtëpive të bardha dhe ngjitej në një pjerrësirë të lehtë. Në muret e bardhë të avllive, kishte ca shkronja të mëdha të kuqe që përsëriteshin shpesh. Ishin VFLP (Vdekje fashizmit, liri popullit!) I shihte po nuk kish si t’i dinte, pa mësuar shkronjat. Lagjia quhej Topana. Iu afruan një shtëpie të madhe me dy kate. Kushëriri qëndroi dhe hapi portën e drunjtë. Oborri ishte i bollshëm e me pemë portokalle e bajame të lulëzuara. I priti tezja e babait. Nga sa e mbante mend, ngjante me të motrën, gjyshen e tyre. Dukej grua e fortë dhe e rreptë nga pamja, por se mbajti dot veten: psherëtiu e rënkoi thellë, nga sytë i rrodhën lot: qante për të motrën,që ishte gjyshja e tyre, vdekur një vit më parë në Kllogjer, të nipin, babain e tyre që nuk jetonin më dhe, për mjerimin dhe fatkeqësinë e të   gjithë asaj familjeje të vuajtur e masakruar.Qante për gjithë të dashurit e ikur nga jeta parakohe. Të parën përqafoi nusen e të nipit nënën e fëmijëve, diç i tha, ca fjalë ngushëlluese, pastaj i përqafoi të gjithë me radhë……duke ofsharë:-të mjerët ju, të mjerët ne!

Shtëpia ishte e bollshme, me dy kate. E kishin marrë me qira që vitin e shkuar.U kishte pëlqyer vendi, ishin ngulur në Vlorë dhe kishin nisur të mëkëmbeshin e të bënin ekonomi. Familja e madhe, pesë djem e dy nuse. Ligjin e bënte tezja. S’guxonte kush t’ia bënte fjalën dy. I shoqi, burrë i hijshëm, i paqm me feste të bardhë dhe i veshur mirë, me xhamadan dhe sahat me qostek argjendi, nuk hynte në punët e saj. Të sapo ardhurve u dhanë një odë në katin e dytë. Ata, as në dhe as në qiell. Të huaj midis të tyreve. Pa truall nën këmbë e pa çati të tyren mbi kokë. Gojë për t’u ushqyer! Dhe kur pa?Thoshin që kokrra e grurit dhe maja e miellit s’gjëndeshin as me flori! Idrisi s’kishte moshatar që të luante. Dy të vëllezërit më të mëdhenj, dilnin në qytet. Fëmijët e asaj shtëpie ishin të pa mëkëmbur. Vinte rrotull i vetëm nëpër oborr, pa ditur ç’të bënte. Sa për brenda shtëpisë,  gratë  i thanë të rrinte urt se nuk e donin nëpër këmbë. E kuptoi që e  kishin bezdi.

Një natë prej netëve, pa mbushur javën që kishin ardhur, ranë në shtresa  për gjumë. Idrisit gjumi nuk po i vinte .Rrinte shtrirë me sy mbyllur. Dëgjoi që e ëma fliste duke pëshpëeritur me Fatimenë. E kuptoi që qanin hallet. I zuri veshi që Fatimeja i tha nënës: “Dëgjova njerin nga kushërinjtë që i tha të vëllait: miku është si peshku, dy dit e nis e qelbet. Si ta merr mendja, e tha për ne? Heshtje. Pastaj Fatimeja- Unë them që po. Na kanë barrë. Në këtë kohë njerëzve u rëndet vetja e jo më të tjerët.Duhet ikur, po ku të shkojmë? Ku të shkojmë…. ku të shkooojmë, ku të mbytemi?- Atij i mbeti në vesh si jehonë kumbimi i fjalës. Atë punën e peshkut që qelbej ai e kuptonte, po ata ishin njerëz! Hele – hele, ajo barra ç’të ishte? Barrë i thoshin atyre dengjeve që ngarkonim në shpinë apo samar të kalit. Por ata mbaheshin mbi këmbët e tyre  dhe askujt nuk i kishim hipur kalixerka!Po edhe sikur, ai ishte pëndë i lehtë! Duke dëgjuar murmurimat, qe I dukej se vinin nga një botë  largët dhe,  veguar me sytë e mëndjes ca pamje të çuditshme, të pezullta,të mjegullta e të shformuara që i shtynte një erë e padukshme, as fjetur as zgjuar, e kaploi gjumi.

Të nesërmen, pati miq.Erdhën njeri pas tjetrit. Ishin burra të fisit, gjakut dhe miqësisë së tyre. Të thirrur në kuvëndim për fatin e familjes të Tahir Manit:  të shoqes e mbetur e ve, ende e re dhe, të pesë fëmijëve  jetim e në rrugë të madhe, si ato gjethet e rëna të pemëve që i ve përpara me tërsëllimë era e vjeshtës. Zot, mos na jep sa ke! Ata ishin ulur në shilte, të heshtur, hijerëndë, pranë oxhakut, këmbenin kutitë e duhanit, dridhnin dhe tymosnin cigaret. Ishin aty  i zoti i shtëpisë, një dajo i Ervehesë, i ardhur nga Fieri, burri i hallës, ardhur nga Lushnja e ca kushërinj që ishin në Vlorë. Erveheja me fëmijët, qëndruan më këmbë në mes të odës, si një ishull mjerimi. Fëmijët rreth nënës dhe Fatimesë, si zogjtë nën krahët e klloçkës, në pritje të së panjohurës. Idrisi nuk e kuptoi pse ndjeu frikë nga shikimi i tyre zhbirues por edhe mëshirues dhe u fsheh pas së ëmës. Burrat heshtnin dhe tymosnin të menduar cigaret, si të donin të fshihnin shqetsimin  pas perdes së tymit. Dukej se i kishin dhënë karar se ç’do të bënin. Burri i tezes së babait, i zoti i shtëpisë, pasi kroi zërin, iu drejtua Ervehesë:

-Mba vesh moj nuse- e quajti nuse!Idrisi u çudit, ç’ne nuse? Çudi për t’u çuditur,nëna ngjante si plakë! Mbase kështu e kishte thirrur edhe në Çamëri kur ishte vërtet nuse. – E pleqëruam gjer e gjatë hallin që u ka gjetur.E rëndë, shumë e rëndë. Gruaja pa burrë,si shtëpia pa çati dhe fëmijët pa baba, si tufa pa bari, në vend të huaj e njerëz të huaj. Keq e mos më keq. Po si i thonë llafit, mos mbetë njeri pa njeri! Do t’i gjëndemi njeri-tjetërit. I dham karar: djalin e madh, që ësht dymbëdhjet vjeç, dhe tjetrin,pas tij, do t’i mbaj unë. Le të shkojnë në stan të ruajnë dhentë me djemtë e mi , janë të rritur dhe mund ta nxjerin vetë bukën e jetesës.  Vajza le të rrijë me hallën në Lushnje sa t’i dalij fati, se tani është në moshë. Për të tjerët, vunë dorën në zemër dajua i nanës dhe burri i hallës. Kështu e pleqëruam ne. Nuk e di se si e mejton ti. Nuse, duhet të na e thuash se si  e prêt  shtiliksjen e këtij halli që na ka zënë. Se ky është kasavet i të gjithëve e jo vetëm juaji.

Erveheja u ndje si të ishte në një tjetër  botë, që fjalët i vinin nga një hon i thellë e i largët,si një jehonë pa kuptim. Jetonte në ca dit-netë të trubullta,të mjegullta, si të  shkuara që, i kishin vrarë mendje e shpirt, por  pa të nesërme.Ishte hije e vetvetes. Prej saj prisnin një përgjigje, por ajo s’kishte kuptuar gjë. E çfar mund t’u thoshte?

-Nuk  e di pse rroj- tha ajo- duke ia ngulur sytë zbrazëtirës- e kujt i duhem? Më mirë të kisha vdekur edhe unë atë ditë bashkë me tim shoq atje në Filat se sa të rroja për të vuajtur këtë mynxyrë. E ç’prisni nga mua? Jam e gjallë po mua më ka vrarë Zoti: as në dhe as në qiell, si e vdekur e pa kallur e pa zonja për ti dalë zot familjes. Ju dini, jeni burra. Vini dorën në zemër.

Heshtje e rëndë

Fatimeja, që kishte dëgjuar ato që tha xhaxhesha, e që ishte tërë sy e veshë për sa thuhej, brofi dhe doli para burrave.

-Dëgjoni, -tha ajo e tronditur dhe me zemërim,- ç’janë këto që thoni? Si ja u nxe goja! Sa të jem unë gjall familja e xhaxhait tim nuk ndahet kasht e koqe. Jo, mos t’u shkojë as në mëndje. Po u desh do të dal të lyp rrugëve dhe do shërbej në dyer të botës që t’i ushqej jetimët. Turpi le tu mbetet juve që i thoni vetes burra!

Burrat u stepën. Panë njeri-tjetrin.Të rënda fjalët e mbesës. Mbase edhe kishte të drejtë, por ata ç’mund të bënin më shumë? Vërtet që s’ishin në atë hall, por edhe ata ishin të shpërngulur dhe njerëz në nevojë.

 

I pari foli burri i hallës: u ngrit më këmbë, përqafoj Fatimenë dhe i tha:

-Ah moj vajzë kapedane, që s’të bëri zoti djalë! Familja e Tahir Manit nuk do mbetet rrugëve, pa strehë e pa ushqim. Ai ishte vëllai im! Do vini me mua.Ta ndajmë bashkë kafshatën e bukës, pikën e ujit dhe zjarrin e vatrës.  Të rrojmë, e po qe e thënë, të vdesim bashkë!

Pas tij , u ngrit edhe  dajua i Ervehesë, dhe i tha burrit të hallës:                 – Shefki vëllai,  sa të bjerë drapri në grurë, mbesën time dhe fëmijët e saj mbaji ti. Pastaj do të jenë të mitë.Fjalë burri e besa besë. Janë gjaku im e gjaku nuk bëhet ujë!

Kështu u bë.

Të gjithë bashkë,te halla.

*   *  *

Përsëri në rrugë.Ku shkoni o të mjerë?Ngado deti është I kripur!

Këtë herë,tromopili(kështu dëgjoi që i thoshin në Vlorë) ishte më i vogël e me më pak njerëz, por do t’i çonte deri në Fier.Kaq.Jo më tej. Për më tutje, shohim e bëjmë tha xhaxha Shefkiu. Nga Fieri, Lushnja s’është as një vrap pele!Dita qëlloi e kthiellët, qielli qelq, dielli ndrinte. Idrisi i mbështjellë me velenxë, u struk pas të vëllezërve dhe nisi të shihte  nga të katër anët. Xhadeja kalonte mes një pylli me ullinj.Çudi, ai pyll me ullinj në fushë! E më tej u qepej kodrave të buta.Tromopili bënte përpara duke rrapëllirë e troshitur në gropat e rrugës. U shfaq një fushëtirë, livadhe, bagëti që kullosnin, pastaj një lumë, i gjerë e ujëshumë që e kaluan mbi urë.

-Këtu mbaron sinori i Vlorës dhe Labërisë- tha xhaxha Shefkiu, hym në fushë të Myzeqesë. Kështu i thonë këtij vendi.

Idrisit i dukej se fusha s’kish mbarim. Në Qafë Botë kishte menduar sesa e madhe duhet të ishte bota dhe po e shihte që s’i dukej fundi. Fusha si një shtroje e gjerë dhe e gjatë, e mbi të të ulura si për tu prehur kodrat e buta të gjelbëruara dhe ca fshatra me kasolle të ulta. Në juglindje dukej një mal i lartë, çukën mbuluar me borë. Ai pyeti pse ishte e bardhë çuka e malit.I thanë se ajo ishte bora që s’ishte tretur akoma.Po ç’të ishte bora? Ai s’kishte pare bore me sy, por nuk pyeti se s’donte t’i mërziste të mëdhenjtë me pyetje koti.

Atij iu duk vetja e vogël, si një grimcë rërë që humbiste në madhështinë e asaj hapsire dhe e zuri gjumi.

Në Fier morën me qera një karrocë. U ngarkuan dhe u nisën.

Idrisi pa që karrocieri ishte pa rruar, me një kapele lëkure të zgjyrosur e që si mbyllej goja së pyetyri e fjalosuri me xhaxha Shefikun. Kur ishin në mesrruge atij ju shkrep të këndonte, me zë të ulët si për vete. Këndonte një këngë sevdaje: për një farë  vajze, bijë të berberit,që e kishte shtëpinë në fund të Fierit. “Ma kishe shtëpinë,/ mu në fund të Fierit, / Moj goc e berberit /Seç të zbardhte gusha /Si top i sheqerit. …..

Atij iu kujtuan ato petat e bardha të sheqerit, që nanëmadhja i mbante në sepet dhe ua jepte në raste ditësh të mira. -Ah, mendoj Idrisi, – kush e di sa e bukur do të ketë qënë ajo çupë gushëbardhë topsheqere që i këndojnë këngë. Mbase ishte si ato zanat e prrallave që i rrëfente gjyshja dikur. Se kot nuk thonë që zanat janë të vërteta, rrojnë e hedhin valle krojeve e pyjeve, por ne nuk na shfaqen.

Kur xhaxha Shefiku i tha se kishte qëlluar qefli këngësh, karrocieri u shfajësua:

– Eh more zotni, mërzia është si ndryshku, ndryshku grryen hekurin, mërzia grryen shpirtin. S’fitohet gjë po të ofshash e rënkosh përherë për hallet e jetës e gjërat t’i shohësh zi e më zi. Se si i thonë: halle halle kjo dynja, po halli hallit nuk i ngjan. Se si I themi ne këtej: ka gjemb po ka edhe murriz! Më thuaj, fiton zotrote gjë nga mërzia? Ndaj njeri ziu kërkon edhe një çikë gëzim, sikush zgjedh të tijin, mua më pëlqen të këndoj. – kështu tha dhe ja nisi një avazi tjetër.

Rrotat e karros gërvinin si të ankoheshin, troku i patkonjve rrihte gurët, troshitja e gropave ishte si ninulla gjumëndjellëse, por ai nuk donte të flinte. Majtas e djathtas fushëtirë, kanale të mbushura me kallamishte dhe larg e larg ca fshatra të vegjël me kasolle mbuluar me kashtë.

-Janë çifligje të bejlerëve- tha karrocieri, -kasollet të bujqërve që janë çifçinj. Nuk i kanë lënë të venë çati me qeramidhe e të bëjnë oxhak. Thonë që pushteti i Nacional – Çlirimtares  do t’i ndajë tokat , do t’ua japë fukarenjve, po s’ma ha buza kulaçin!

Dita ishte në të thyer. Kishin dalë ca re si pupla të bardha që shtyheshin drejt veriut dhe mbi lartësi fluturonte një tufë zogjsh të zinj. Atij i mbetën sytë te retë dhe tufa e zogjve. Mirë zogjtë që kanë krahë dhe fluturojnë, po retë, me se bëjnë përpara me shpejtësi atje lart në qiell? Për ku nxitojnë? Me siguri edhe ato kanë krahë, se asgjë s’fluturon pa krahë, as fluturat as zogjtë!

Në të majtë të rrugës ishte këneta që shtrihej gjer në det, në të djathtë niste vargu i kodrave dhe fshatrave. Kur arritën te një rrugë që kthehej në luginë, xhaxha Shefkiu i tha karrocierit të kthehej. Kaluan nëpër një rrugë fshati që shkonte mes pyllit me drurë të lartë dhe pas tij u panë dy kasolle.

Kishin arritur.

Shkurt 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok