26/12/2024
u6_Resmi-Osmani

Resmi Osmani

Fragment nga romani

Isha fëmijë. Pa i mbushur pesë vjeç.

Këto që do tu rrëfej, sido turbull nga kalimi i viteve, më kujtohen si  të kishin ndodhur dje.

*   *   *

Ngjiteshim në të përpjetën. Nuk ishte ecje, por zvarritje. Sipër ishte maja.Mbi të qielli i përflakur nga dielli në të perënduar. Ne ishim në hijen e muzgut që po afrohej. Ec, ec dhe zvarrisu.Çdo hap një rënkim, çdo hap një dhimbje. Edhe pak, edhe pak, durim, me forca të shterrura, dhëmbë të shtrënguar, vështrim të mjegulluar, gjithë tejzat të tendosura, për të shtyrë peshën e trupit të pafuqi. Po i afrohemi majës. Thonë se atje është shpëtimi. Kështu thonë. Shoh para dhe mbrapa. Nuk jemi vetëm.Nga u poftisën gjithë ata njerëz? I polli dheu, riguan nga qielli ashtu siç rigon shiu? As e kuptoja as dija ta thoja. Njerëz të gjithë moshave, burra, pleq e plaka,gra dhe fëmijë, më pak burra. Ata i kishin vrarë. Të gjithë me nga një deng në shpinë. Ngjanim me një vargan milingonash,që mbartnin nga një farë për në folenë e tyre, por ne nuk kishim fole, vinim nga lemerija dhe shkonim në askund. Gjithçka e kisha parë. Ah, sytë e mi, më mirë të isha verbuar, se ato pamje mbetën të pashlyera si makth në kujtesën dhe zemrën time të njomë dhe më pas më shfaqeshin në gjumë për vite të tërë. Pashë: se si u nisëm për tu kthyer në shtëpitë tona. Oficeri zervist, tha:-Nisuni, pa frikë, asnjë pikë gjak ska për tu rënë nga hunda!- Dhe ne u nisëm. Në një vend që i thoshin Vanar, u gjendëm të rrethuar si delet në vathë nga gardhi i syngjive: as para as prapa, rrotulloheshim rreth vetes, si ytë verbër në lëmin e vdekjes.Nisi ploja: pashë se si morën nga duart tona dhe vranë babanë . Pashë tmerrin, gjakun e derdhur lumë, kokat e prera me hanxhar, që rrokulliseshin në pluhur, barqet e çara të shtatzënave,dëgjova britmat, klithmat dhe ulërimat që trandnin ajrin, vajtimin e grave, të qarat e fëmijëve. Pashë fytyrat e egra e të ngërdheshura të vrasësve, me thika në dhëmbë, llërë përveshur si kasapët në thertore. I kapur pas tumaneve të nënës, në tollovinë egërshane, nuk kuptoja se ç’po ndodhte. I kapluar nga llahtaria dhe frika, pyesja veten: pse, pse? Por përgjigje nuk kisha. Ky ishte ferri,si ai që na rrëfenin në prralla dhe, ne ishim të dënuar ta vuanim. Mbi ne ishte turrur stihia me shtatë kokë, që villte zjarr e flakë dhe shuante jetët!

Dinakëri greke.Pabesi greke.Egërsi greke.

Për të shpëtuar nga thonjtë e vdekjes, morëm arratinë drejt veriut, por pas  na ndiqnin plumbat, lemerija dhe tmerri. Ikë të ikim! Orë e orë të tëra, pa ngrënë, pa pirë. Hanim dëshpërimin tonë dhe pinim lotët e hidhur. Zvarriteshim e zvarriteshim. Dëgjoja një oshtimë të shurdhër, mbase nga rënkimet dhe ofshamat, ose ku t’a dish buronte nga dheu, që na mbështillte si një qefin, neve të vdekurit e gjallë! Ja dhe maja. Thoshin që atje ishte shpëtimi. Njerëzit para nesh, u bënë fir. I piu dheu, i përpiu qielli? E nga ta dija? Pas tyre edhe ne.  Me shpirt në dhëmbë, si ca kufoma apo hije lëvizëse, hodhëm edhe hapat e fundit. U plandosëm mbëdhe  fuqi shterrur, si të vdekur. Pas nesh dhe të tjerë. Hapu dhe të hyjmë!Por ja që dheu nuk dëgjon, nuk shikon, nuk  hapet. Në shtrojen e tij të ftohtë e të ashpër, pa dashur të dijë për ne,  na le të heqim të zezën tonë.

Dëgjova të thoshin se ky vend është Qafë Bota!Jemi në dheun e Shqipërisë. Çudi për t’u çuditur. Qafa e Botës! Po koka ku ishte?Hodha sytë nga perëndimi, male të përhinjtë, mbase ata ishin koka, që humbiste midis reve,po gjymtyrët,  duart, këmbët? Nuk shiheshin, por edhe ato diku duhet  të ishin. Kjo ishte ajo që shihja, nuk e dija sesa e vogël apo e madhe ishte bota, por ne dhe shumë të tjerë, ishim shtrirë për tu dergjur këtu, në qafën e saj! Ishim shtatë vetë.Pesë vëlleër e motra, nëna dhe vajza jetime e xhaxhait,Fatimeja, pesëmbëdhjetë vjeçe, që na kishte dalë për zot. Më i madhi i vëllezërve dymbëdhjetë vjeç.U afruam rreth nënës si zogjtë në krahët e klloçkës. Sido që i vogël, e kuptova që nëna ishte në tjetër botë.Nuk fliste.Nuk mi ledhatoi flokët. E shtangur. Sytë e saj ishin si të qelqtë, të ngrirë, shikonin në boshësi,mbase asgjënë, mbase llahtarën, teksa fytyra ishte ngurtësuar si të ishte e drunjtë. Kishte humbur mëndjen! I ka ikur mendja-tha kushërira.O çudi, po si ikën mendja, ku shkon, përsa kohë ikën, kur do të kthehet dhe nga do të kthehet sërish? Nëna jonë, një trup pa mendje, si në jerm e në tym, që i kishte ikur goja, kishte humbur fjalët. Që s’mendonte s’ndjente as për vete as për ne.

Ah, mos!

Nisi të frynte era e veriut. Trupit tim që kishte nisur ti ftohej djersa   i hipën të dridhurat. Më kërcisnin dhëmbët. Rrobat e ronitura si bënin dot ballë të ftohtit. Fatimeja më mbështolli me një velenxë. Këmbët më ishin përgjakur, nga gjembat dhe të çarat e gurëve. Ajo nisi të mi pastronte gjembat, dhe të hiqte pluhurin e ngurtësuar nga të  çarat e gurëve në shputa, kisha dhimbje dhe nga plasat nisi të kullojë gjak. Fatimeja ktheu kokën mënjanë dhe pashë që i tundeshin supet. Nuk mund të duronte më. Qante pa zë. Trupi im i vogël dhembte, donte prehje e shërim. Po ku? Ndjeva turbull se unë e doja atë trupth ,  sido që ishte, ishte imi. Por edhe ai më donte, këtë e rrëfente me dhimbjen, që më kujtonte se isha gjallë dhe duhet të jetoja. Ja që u dashka edhe me dhembje!

Në mugëtirën e asaj mbrëmjeje të kobshme, kur s’e prisnim,ndriti një rreze drite. Mbi ne hapi krahët ëngjëlli mbrojtës. Ishte dajua i fatimes, Xhemua. “Ah-tha ai- më në fund u gjeta, nga s’u kam kërkuar! U ul midis nesh, duke na parë një për njaë nga fytyra. E pashë që u trondit. Ne na kishin shterrur lotët, po gjithë ai lumë që kishte burur nga sytë tanë, përzier me pluhurin, kishte lënë gjurmë me vazhdat e murrëtyera . “Mos më thoni asgjë, i kam marrë vesh të gjitha, se haberet i sjell era para se të vinë njerëzit. Bëni durim- i tha nënës dhe së mbesës-mblidheni veten dhe kujdesuni për fëmijët. Do zoti këto hatara të jenë të fundit. Nëna as e pa e as i foli. Zëri i tij vinte i dobët , i dridhur , me gulçe e si më të qarë. Hoqi nga supi një trastë dhe nxori një bukë rrumbullake. E ndau në rriska me thikën e xhepit, edhe djathë të bardhë mbështjellë me gjethe pjergulle dhe ullinj të zinj. Pa shih: o çudi, bukë! Ja kishim harruar emrin.Vërtet të lodhur e të dërrmuar, po urija mizore grryente së brendshmi trupin dhe rrënonte gjithë fuqinë. Hëngra si i babëzitur, pa i përtypur mirë kafshatat. Doja më, por aq ishte. Buka u nda në shtatë pjesë. Mbaroi. Dajo Xhemua, hoqi nga supi një bucelë të fllashkët me ujë dhe na dha për të pirë të gjithëve me radhë. Pastaj nga trasta nxori një gjë të rrumbullakët të verdhë ,me majë stërgjatshe. Na tha se ishte qitro, dhe se do të na bënte mirë për të shuar etjen dhe kthyer fuqinë.  Hëngra një rriskë. Lëngu vinte i tharët dhe lëkura e trashë kishte shije të athët e pak të pikërt. Si shuam urinë dhe etjen, na u duk se u ngjallëm. Jeta gjeti një dritarez prej nga ku mund  të kthehej.

Po errej. Dajo Xhemua, para se të ikte në Konispol, për t’u kthyer të nesërmen dhe Fatimeja, hapën dengun e shtresave që kishim me vete. Drejt e mbi  truallin me guriçka. U shtrim ngjitur njeri-tjetrit, mbuluar me velenxa e qilim.Shtroje kishim tokën, mbulesë qiellin. Para se gjumi të më mbyllte sytë, pashë që qielli ishte i kthjellët, mbushur me yje dhe hëna e plotë. Sa shumë yje! Ashtu  përgjumshëm rrija e i vështroja. I kisha zili. Besoja se ata ishin të lumtur aty në qiellin e tyre, ku askush nuk i ndiqte dhe nuk u vriste babanë. Po a kishin baballarë yjet? Pyeta veten. Ma merrte mëndja që po. Sepse çdo gjë që lind, ka edhe nënë edhe baba. Nëna duhej të ishte hëna dhe babai dielli. Sytë po më mbylleshin, yjet nuk po i shihja më, teksa ata rrinin e na vështronin gjat gjithë natës. Ata ishin sytë e qiellit……

*   *   *

Saranda, deti. Hera e parë që e shihja. Më mbetën sytë në të: fushëtirë e ujshme, e kaltër, gjer larg sa të hanin sytë. I paqetë, suvalat, si të shtyra nga një fuqi e padukshme që vinte së thelli turreshin drejt bregut, aty linin shkumën e bardhë që tretej sakaq dhe shuheshin me  psherëtimë. Pas tyre të tjera e të tjera, pa pushim. Afër bregut, mbi të silleshin pulëbardhat që ciasnin dhe hera herës zhyteshin në ujë. U afrova dhe futa këmbët në ujë. Uji ishte i ftohtë dhe lavomat e këmbëve më cuksën. U përkula, kupëzova duart dhe i mbusha me ujë. Desha ta pija, por o çudi, uji ishte i kripur! Shija e pështirë. E pështyva. Dajo Xhemua, që e pa si u prisha nga fytyra buzëqeshi. Unë ngrita supet: e nga ta dija? Më ledhatoi flokët- Deti është i kripur- tha ai- kudo.

Qyteti ishte i vogël, me shtëpi të ulëta, çatitë me qeramidhe të kuqe. Bashkë me të tjerë, që vinin si ne nga Çamëria , u grumbulluam në një shesh të vogël në të dalë, aty ku niste rruga e shtruar.

Fatimeja tha që nënës i ishte kthyer mëndja. Desha t’a pyes:nga ishte kthyer, ku kishte shkuar, si ishjte kthyer? E pashë nënën me përgjërim.E heshtur,por pa atë ngurtësinë e fytyrës, sytë ishin të trishtuar, por jo me atë ngurtësinë e qelqtë.Iu afrova dhe u mbështeta në trupin e saj.Më ledhatoi flokët dhe mërmëriti diçka që s’arrita ta kuptoj.

Prisnim të vinte ndonjë makinë për në Vlorë. Makinë, e ç’ishte makina? As parë as dëgjuar.Një lloj karroje pa kuaj. Nuk vonoi. Bu-bu- bu-bu,ç’më panë sytë! Një përbindësh i shëmtuar: kaba, turigjatë, me ca sy të qelqtë,në vend të këmbëve ca rrota të mëdhaja e të zeza, mbi to një karro e drunjtë, e zbuluar, me anë të larta. Bubullonte frikshëm, shkrofëtinte shtëllunga tymi të zi dhe dridhej i tëri si në jerm. Kur qëndroi, si një kalë i azdisur, lëshoi një rënkim dhe posht rrotave u ngrit një fiskajë pluhuri. Papritur u duk sikur u koll dhe me grahmat e fundit pushoi. Nga ajo pjesa e parë e ngritur, me dritare qelqi, zbritën dy burra, me ca veshje të lerosura dhe kappela lëkure, që e komandonin dhe e vinin në lëvizje atë përbindësh. Dëgjova që njerin syresh e quanin shofer dhe tjetrin ndihmës.Emra të çuditshëm që si kasha dëgjuar ndonjë herë. Ky ishte kamjoni. Me të do të shkonim në Vlorë.

Karroceria ishte e lartë. Hapën spondin e pasëm dhe ndihmësi vuri një shkallë. Kur na erdhi radha për të hipur, nuk na lejoi.

– Pagesën – tha ai – duke fërkuar gishtin e madh me tjetrin, siç numërohen paratë.- Vetëm flori! Një napoleon për kokë të rrituri dhe gjysmë për të vegjëlit.Na numëroi siç numërohet bagëtia dhe hapi dorën e djathtë- Hidhi zonjë, katër napolon e gjysmë, pranohen edhe lira turke, apo lira angleze! Asnjë asprë më pak!

Nëna ia qepi sytë Fatimesë. Pashë që ajo nxori nga gjiri një shami të palosur e çpështolli dhe që aty, ca lira flori.

– Nuk mjaftojnë – tha ndihmësi,

– Kaqë na ndodhen.

– Jo moj çupë, ne s’kemi dalë për sadaka. Pa kruhuni se do keni edhe të tjera. Ju që vini nga Çamëria jeni si kokoshi përrallës”Vërr flori” ha, ha!

Fatimeja hoqi vathët e saj të florinjtë, unazën me gur të kuq nga gishti i nënës dhe ja hodhi në pëllëmbë.

-Tani po, -tha dinaku që i ndritën sytë lakmiqarë, dhe na hapi udhën.

U qepëm nëpër shkallë dhe zum vënd në krye, nga e djathta te cepi. U ulëm mbi dengun e shtresave. Kamioni u mbush cit, aq sa njerëzit rrinin shtrënguar.

Përbindshi u kollit, shkrofëtiu dy a tri herë pastaj bubulloi sa u tund vendi e nga pas u ngritën shtëllungat e tymit të zi. U drodh dhe befas u hodh përpara, duke lënë pas një shtëllungë pluhuri. U nisëm për në Vlorë.

– Sa sahat mba udha për në Vlorë?

– Me këtë rrangallë që ikën si kalë i plakur, them se nja katër orë të mira.

Kisha ftohtë.Më mundonte etja dhe uria. Troshitja nga gropat e rrugës mi sillte zorrët në grykë. Më mbështollën me velenxë dhe më dhanë një krodhe bukë. Ec dhe ec. Shihja si në tym, se si linim prapa fshatra të vegjël majë kodrave, me shtëpi mes ullinjve, pastaj zbritëm në një fushëtirë anës detit, me fshatrat e bardha në rrëzë të kodrave. Më tej në lartgësi u shfaqën malet me maja zbardhur nga bora.

Ata që ishin pranë nesh deshën të dinin për ç’na kish ndodhur, por nuk morën përgjigje.S’kishte njeri as dëshirë as fuqi tyë rrëfente e  të sillte ndër mënd kobin e ndodhur. Pashë se faqja e malit ishte e tëra një rrugë gjarpërushe tërë kthesa që ngjitej nga buzëdeti në majë të malit. Kamjoni ngjitej si duke rënkuar nga zori i të përpjetës.

Heshtjen dhe shurdhërinë e prishte zëri I bukur I kulluar fëminor I një vashëze që këndonte paprerë si një laureshë.Mbaj mend që këndonte një këngë për një djalë që quhej Sofo,  “Lule Sofo Lule djalë”, këndoi dhe këngë të tjera partizane por atë të  Sofos e kishte më për zemër. U desh kohë që kamioni duke bërlykur e ungëruar të dilte në majë të rrugës. Atje kishte re dhe mjegull dhe pylli me pisha. I thoshin mali i vetëtimave. E qëndruan kamionin te një çesmë. Shpim trupin dhe shuam etjen. Udha për në Vlorë ishte e tatëpjetë. Në një kthesë, mbi rrëpirë, u hap spondi. Udhëtarët e atij krahu u rrokullisën mbi greminë. Të bërtitura, rënkime, të qara.Kush mundi të zbriste zbriti dhe ndihmoi të rrëzuarit shumë syresh të plagosur e të përgjakur. Pashë një burrë që mbante para duarve vashëzën këngëtare të pajetë. E hipën në kamjon dhe e shtrinë. Nga balli i çarë i rridhte  gjak përzier me një lëndë të bardhë që përzihej me flokët.I kishin dalë trutë. Oh sa mu dhimbs, nuk duhej të ishte më shumë se dhjetë vjeçe, dhe ishte kaq e mirë, kaq e brishtë dhe e qeshur!Zëri i saj më ka mbetur në kujtesë për tërë jetën. Por vdekja është mizore, ajo di se ç’zgjedh. Heshtje mortore, pastaj mallkime dhe kërcënime për shoferin. Ai nuk fliste, ishte bërë baltë nga fytyra.

Kamioni u nis tatëpjetë, me ngarkesën e rëndë mortore që kishte peshën e një mali. Heshtjen e përzishme e prishte vajtimi i nënës së vajzës që më ngjethte mishtë. “Na është qepur vdekja këmba- këmbës si qen i tërbuar e s’na ndahet- tha Fatimeja- Zot na ruaj nga ndonjë hata tjetër!

Rruga zbriti në fushë, u shfaq deti dhe në largësi shtëpitë e Vlorës.

Vijon…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok