22/12/2024

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit të Holokaustit

0
Blerim-Latifi

Nga Prof. Blerim Latifi

Kur në Prill të Vitit 1945 trupat amerikane e çliruan kampin e shfarosjes së hebrenjve në Buchenwald, në mesin e pak të mbijetuarve e gjetën edhe një djalë 17 vjeçar. Ai kishte mbijetuar, por jo edhe familja e tij. Quhej Elie Wiesel.

Pasi e mori veten, Wiesel shkroi librin “Nata”, një ndër tre-katër librat më tronditës në krejt literaturën dokumentare mbi Holokaustin.

Në vitin 1986 Wiesel u nderua me Çmimin Nobel për Paqe dhe kur Millosheviqi e nisi fushatën gjenocidale në Kosovë, Wiesel u ngrit në mbrojtje të Kosovës.

Në Uashington u takua me presidentin Klinton, të cilit i kërkoi të vazhdonte bombardimet e NATO’s deri në gjunjëzimin e plotë të Millosheviqit. Bashkë me Klintonin vizitoi kampet e refugjatëve shqiptarë në Maqedoni dhe prej andej i tha botës se Tragjedia kosovare mund të krahasohet me Holokaustin. Me këtë qëndrim, i mbijetuari më i famshëm i Aushvicit, e vulosi debatin politik e moral mbi legjitimitetin e intervenimit të NATO’s. Sepse ai ishte intelektuali që mishëronte ndërgjegjën e njerëzimit.

Wiesel vdiq në vitin 2016 në New York. Kosova u bë e lirë dhe e pavarur, por deri me sot askush nuk u kujtua t’ia vë emrin e tij qoftë edhe një rruge të vetme diku. Sepse ne kemi kohë që kemi rënë në batakun e kulturës së harresës e të mosmirënjohjes.

_________

Kokutosi i Homerit dhe kukama e shqipes

Po e shfletoja Librin e Tretë të “Shtetit” të Platonit dhe derisa po e lexoja paragrafin 387 më ra në sy emri i njërit prej lumenjëve që sipas mitologjisë homerike e rrethojnë botën e nëndheshme të të vdekurve, Hadin.

Emri i këtij lumi është Kokuti (Kokutos ). Kokutos në greqishten e vjetër do të thotë vajtim, prandaj edhe quhet Lumi i Vajtimit. Të vdekurit duhet të kalojnë nëpër të për të arritur në vendin e tyre të prehjes së përjetshme. Në shqipen gegnishte për vajtimin ekziston edhe një fjalë tjetër : kukama. “Me kukatë” do të thotë me vajtu me za të naltë për një të vdekur.

Duket se kemi të bëjmë me një ngjashmëri të madhe linguistike midis “kokutos” të mitologjisë homeriane dhe “kukatjes” të gjuhës shqipe.

Këtë ngjashmëri përforcon edhe tradita shqiptare e gjamës së burrave dhe e kukamës së grave. Kukama e ka të njëjtin funksion si lumi mitik i Homerit : para se të shkojë në botën e nëndheshme, i vdekuri duhet të kalojë nëpër gjamën e burrave dhe vajin (kukamën) e grave.

Ata që e mbrojnë pikëpamjen helenocentriste do të thoshin se “kukama” e gegnishtes rrjedh nga “kokutos” e greqishtes së vjetër. Ndërkaq, ata që pëlqejnë pikëpamjen pellazgjike do të thoshin të kundërtën.

Unë nuk dua të futem në mjergullën e dendur të kësaj polemike. Më mjafton të kënaqem me ngjashmërinë e madhe midis fjalëve të vjetëra të shqipes dhe atyre të Homerit famëlartë.

_________

Dr. Xhevdet Latifi, mjeku me numrin më të madh të operacioneve në ORL

Nga statistikat e QKUK-së:

Në Klinikën e Otorinolaringologjisë vitin e kaluar janë operuar 1,872 pacientë brenda 12 muajve. Me këto shifra ORL shënon performancën më të mirë në krahasim me klinikat tjera të kirurgjisë në QKUK, duke pas parasyshë edhe numrin e specialistëve, shkruan Gazeta Shneta.

Sipas raportit të punës, drejtori i kësaj klinike Arsim Behramaj ka kryer 154 operacione nga janari deri në dhjetor. Ndërsa ish-drejtori Hajdin Thaqi i cili e ka lënë punën më 1 tetor, deri në këtë muaj ka kryer 204 intervenime.

Një tjetër kirurg i cili e ka lëshuar punën më 1 shtator, Afrim Heta, ka kryer 73 operacione, ndërsa XHEVDET LATIFI është mjeku me shifrat më të larta me 343 intervenime.

Të lumtë vllaçko!

Në luftë mbi 12 mijë njerëz morën ndihmën tande. Edhe tash në paqe, ma i miri.

Krenar me ty!

_________

Nuk e di në e kanë bërë qeveritë komunale apo qeveria qëndrore, por rritja e tatimit në pronë, në këtë kohë të krizës së madhe ekonomike, po më kujton mendimin e ekonomistit amerikan Murray Rothbard se taksimi nuk është gjë tjetër veçse vjedhje e organizuar nga shteti, dhe koncepti i ‘taksës së drejtë’ është po aq absurd sa ai i ‘vjedhjes së drejtë’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok