22/12/2024

Më pikon shpirti trishtim

0
Marigona-Osmani-Vrasesi

Sonila Meço:

Mu desh të reflektoj ca për të shmangur ujrat patetikë në një “urë” që do duhet të mbijetojë edhe në rrebeshe, përmbytje e nën tonazh të rëndë.

Sapo sheh fytyrën e freskët, thuajse fëminore të Marigona Osmanit, 18 vjeçares nga Ferizaj, që sipas çertifikatës së autopsisë (në pritje të dokumentit përfundimtar) dëshmon për poli-traumë të përjetuar mbi atë trup të brishtë të nxihen sytë. Nuk logjikon dot. Dhe për të të pompuar me forcë gjakun gjer në tru të vijnë “në ndihmë” edhe informacione të detajuara.

Një këshilltare e Ministrisë së Drejtësisë do të deklaronte: ““Është një rast shumë i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat janë përdorë për vdekje, ndërsa analizat laboratorike i dhanë të dhënat tjera të cilat janë të domosdoshme kur kryhet një autopsi dhe raport i cili i dërgohet prokurorisë për hetime të mëtutjeshme”.

Autorët janë arrestuar, njëri është bashkëshorti i Marigonës, që tentoi arratisjen, por mobilizimi i shoqërisë, presioni i fortë dhe sensibilizimi në kohë rekord pas njohjes së pamjes së autorëve nga kamerat e sigurisë së spitalit ku dorëzuan trupin e dergjur të Marigonës bëri të mundur kapjen e tij pas dy ditësh.

Si mama, si grua, motër e bashkëshorte s’kam fjalë t’ja vendos ndjenjave, indinjatës e dhimbjes që ndjej. Më pikon shpirti trishtim e maraz. Dhe i jam pranë familjarëve në gjëmën që u ra përmbi krye e lus Zotin t’u lehtësojë dhimbjen e padurueshme.

Por pas ftohjes së parë të emocionove të forta, kur nuk mund t’ja faturosh vetëm një mendjeje patologjike e diabolike krimin makabër, veprimi i logjikës për t’i dhënë një shpjegim, një arsye dështimit për të lejuar Marigonën të jetonte të ndihmon të kuptosh se me gjasë nuk ndalet me një dënim kjo kasaphanë.

Lexoj me kujdes informacionet zyrtare, dëshmitë e familjarëve dhe sytë përpos brutalitetit që i shkaktoi vdekjen më mbeten tek disa të dhëna që ndezin menjëherë neuronet.

  • Autori i dyshuar i krimit, bashkëshorti i saj prej dy muajsh, ka patur precedentë penalë, me aktakuzë qysh prej vitit 2013.
  • Babai i viktimës 18 vjeçare nga Ferizaj, Muhabi Osmani, ka thënë se vonë e ka kuptuar se vajza e tij ka qenë me një person që ka pasur vepra kriminale. Muhabi Osmani shprehet i mllefosur me organet e drejtësisë se si e kanë lënë në liri një person të dyshuar për disa vepra penale.
  • Marigona është martuar në moshën 18 vjeçare. Ende shumë e re, e sapo mbërritur në botën e të rriturve. Pa përvoja, pa plotësuar veten.
  • Dardani, i shoqi, ka vepruar nën efektin e një xhelozie të fortë, paranojës së një tradhëtie. E paprovuar, e pafaktuar.

Dhe pavarësisht përfundimeve të një hetimi, faktet ulërasin, poli-trauma ndaj trupit të njomë të Marigonës (imagjinoni dhunën fizike e psiqike nga duart e mendja kriminale prej bashkëshortit, atij që nesër do të qe babai i fëmijëve të saj), martuar me një djalë, që edhe familja e saj deri vonë nuk i ka ditur precedentët penalë (martesa e shpejtë, me ngutin e pakuptueshëm për moshën e Marigonës, vajzë që mund të ish një mjeke, arkitekte, avokate a inxhiniere e ardhshme), dashuruar me një njeri të dhunshëm, që drejtësia e kish lënë të lirë megjithëse me akuzë të ngritur (si shumë raste të drejtësisë së korruptuar, që i lë barrë shoqërisë kriminelë dhe viktima), në një shtet, që nuk të garanton dot mbrojtjen (me kaq shumë viktima të dhunës, sidomos gra e vajza, dështimi i shtetit me institucionet e veta është flagrant), në një shoqëri traumatike, ku vlerat janë përmbysur në një pseudo-hierarki (se ç’do të thotë zotësi, dinjitet, përgjegjësi, pavarësi dhe çfarë promovohet përkundër) dhe në edukim të çartur (që nga familja e çoroditur, nënat, që janë shembulli më i parë për llojin e të rriturit nesër, shkollat e sakatuara misioni më keq se nga tërmetet natyrore).

Do nisur nga vetja një katarsis i plotë për çfarë si nënë i jap shembull fëmijës sim, sa mëson prej pavarësisë e dinjitetit tim në familje e punë. Çfarë sheh në familje, dy prindër të formuar, edukuar, që respektojnë njëri-tjetrin? Çfarë lexon, çfarë i intereson, sa e do natyrën, a e kupton të drejtën nga e gabuara?

A e dallon tek une rebelimin ndaj padrejtësive? Protestën ndaj së keqes?

A pranoj në sy të fëmijës denigrimin, fyerjen dhe poshtërimin?

A ia frymëzoj kureshtinë për dije që nesër do ta bëjnë zot të fatit të vet?

A e kupton rëndësinë e punës, se leku nuk vjen për një ditë e nuk shpenzohet pa kriter?

Se shpërblimi vjen pas përkushtimit?

A ia kultivoj rëndësinë e zgjedhjes?

A kupton prej meje se familjen e mban dashuria, se një jetë e bukur të përmbush shpirtërisht? Dhe se një jetë luksoze jo domosdoshmërisht është e bukur?

Se dhuna nuk është kurrë përgjigja e problemeve në familje? Se e shton dhimbjen dhe largon qetësinë?

Se debatet fitohen me arsye?

Se nuk ndërtohet bota duke shkatërruar veten?

A rritem edhe vetë me të?

Mandej katarsisin mund ta vijojë i ati, si i pari model mashkullor në jetën e vet…dhe secili për të mos mashtruar veten se Marigona është viktimë e fatit të vet të keq dhe një djali të dëmtuar që po fati ia solli në jetën e vet të shkurtër. Dhe as vetëm e drejtësisë së munguar. Ndëshkimi asnjëherë nuk mjafton.

Ka gjasa Marigona e radhës të jetë sekonda larg, ndaj tek vetja pasqyrën se me gjasë jemi ne vetë dora potenciale e krimit me paaftësinë për të rritur NJERËZ.

https://www.facebook.com/sonilamecoA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok