26/12/2024

Me njerëz si Ulmar Kvik, bota bëhet më e bukur

0
Viron Kona

Me njerëz si Ulmar Kvik, bota bëhet më e bukur

 

              Kushtuar “Mikut të Madh të Shqiptarëve”

                  suedezit Ullmar Qvick (Ulmar Kvik)

 

“Fatet shqiptare në ditët tona të paqes,

Le të bëhen si dielli që ndriçon mbi fushat tona të lumtura!

Le të bëhen si shiu i butë, që po presin bimët,

Le t`i japin forcë dhe nam emrit shqiptar nëpër botë!

Le të rriten lule bjeshke e pyje të dendura që mbulojnë plagët,

Le të çrrënjosin fjalët e kobshme nga shpirtrat dhe zemrat e lënduara!”

                                                                  Ulmar Kvik

                                                         (Vargje nga poezia  “Fatet shqiptare”)

 

Njerëzit  e pasionuar dallojnë nga të tjerët. Suedezi Ulmar Kvik  është i pasionuar pas gjuhës, ashtu sikurse një shkrimtar pas letërsisë, një piktorë pas pikturës, një kompozitor pas muzikë. Por, Ulmari, është më shumë se i pasionuar, ai është talent i rrallë. Që në moshën 11 vjeç (1940), duke dëgjuar muzikë në radio dhe gjuhë të ndryshme ndërkombëtare, atij  i tërhoqi vëmendjen gjuha shqipe, u përqendrua tek ajo dhe, dalëngadalë u dashurua pas saj. Dhe, nuk iu nda. “Ka një tingëllim të bukur shqipja”, – thotë Ulmari dhe dëgjonte në mënyrë të pandërprerë Radio “Tiranën”, Radio “Shkodrën”, Radio “Kukësin”. Në vitet ’70, ’78, ’79, ’94, ’95, ’2011, vizitoi Shqipërinë. Në vitet 1970 dhe 2004 merr pjesë në Seminarin për albanologët e huaj që u organizua në Prishtinë.  Gjatë viteve të ’70 vendosi  kontakte të dendura me arbëreshët e Italisë, ka vizituar edhe Maqedoninë Perëndimore. Afro gjysmë shekulli lidhje me shqiptarët, ku ka njohur me themel gjuhën dhe historinë e popullit shqiptar, gjendjen e tij ekonomike e sociale, vlerat dhe kulturën, folklorin, mitet, legjendat, letërsinë dhe artet, njohu njerëz të ndryshëm, tipa dhe karaktere. Pothuajse të gjitha përkthimet letrare nga shqipja në suedisht kanë kaluar nëpër duart e Ulmar Kvikut….Një veprimtari e gjerë dhe e shumanshme në dobi të gjuhës shqipe, por dhe duke mbrojtur gjithnjë dhe trimërisht të vërtetën për kombin shqiptar…

 

Ullmar Qvick(Ulmar Kvik) dhe vogëlushja shqiptare Tergita         Ullmar Qvick(Ulmar Kvik)

       Foto nga Shkëlzen Behrami-Xeni

“Unë, nëse do të jetoja edhe një herë,

                  do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”

 

Mendoj se Ulmari kishte arsye të forta ta donte aq shumë gjuhën shqipe. Jo vetëm se është një gjuhë e veçantë e familjes indoevropiane, por siç shprehet albanologu francez Eduard Shnajder në vitin 1894, “Gjuha shqipe paraqitet si “tingëllimi më i pastër e më besnik i gjuhës pellazge”. Ulmari kishte edhe një shembull të madh se përse duhej ta donte dhe ta respektonte aq shumë gjuhën shqipe: atë të bashkëkombësit të vetë: Hans  Erik Tunman (1746 – 1778), ndër albanologët e parë që studioi shkencërisht origjinën e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Në veprën e tij “Hulumtime për historinë e popujve të Europës Lindore (1774) Tunman arriti në përfundimin se shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, të cilët as u romanizuan e as u asimiluan nga dyndjet e mëvonshme.” Ndërkohë që, edhe shumë albanologë të tjerë ishin të bindur se shqipja është gjuhë e ilirëve të lashtë: gjermanët Lajbnic (1646 -1717) dhe Franc Bopp (1791-1867); anglezi William Martin Leake (1777-1860), austriakët: Johan Georg Fon Han (1811-1869), Gustav Majer (1850-1900), Maksimilian Lambers (1882-1963); Danezët: Holger Pedersen(1867-1953), Kristian Sandfeld – Jensen (1873-1942); austriaku me origjinë izraelite Norbert Jokli (1877-1942), polaku Waclav Cimochowski (1912-1982)…Ka edhe shumë e shumë të tjerë albanologë të huaj, të dashuruar pas shqipes, dhe, jo thjesht për çështje afektive apo kureshtje ekzotike, por shkencore. Kroati Milan Shuflay, (l879-1931), poliglot i rrallë, nuk pushoi së shkruari dhe kërkuari dokumente historiko-shkencore për të dëshmuar se populli shqiptar është njëri ndër popujt më të vjetër në Ballkan dhe në Evropë. Hungarezët Nopça (1877-1933) dhe Ishtvan Shyc(1923-2010), të dy e flisnin gjuhën shqipe në mënyrë të mrekullueshme, aq sa nuk i dalloje nëse ishin të huaj apo shqiptar. Studentët shqiptarë që kishin shkuar për studime në Hungari, nën vitet 50-të të shekullit të kaluar, thoshin se “ende pa filluar ata mësimet e  hungarishtes, Ishtvani e mësoi shqipen”. Gjermani Muller thoshte se:  “Do të vijë dita kur gjuha shqipe do të bëhet çelësi i shpjegimeve të sekreteve të mëdha.” Anglezja Edith Durham (1863-1944), e konsideruar nga shqiptarët e veriut “Mbretëreshë e pakurorëzuar”, thoshte se: “Kudo në Rumeli njerëzit përgjigjen:  jam ortodoks apo katolik, ndërsa në Shqipëri edhe bariu më i thjesht me krenari thotë: unë jam shqiptar…”  “Dua të prehem në Shqipëri”, ka lënë amanet albanologu kanadez dhe përkthyesi Robert Elsie (1950 – 2017). Kurse te Lord Bajroni (1788-1824), shqiptarët ndezën zjarr imagjinatën e tij poetike, veçanërisht për tema të karakterit ekzotik. Ndër pikturat më të bukura dhe më tërheqëse që i janë bërë Bajronit, është ajo me kostum tradicional shqiptar, realizuar nga piktori Tomas Filips.

Kështu, talent i rrallë dhe njeri i veçantë është edhe suedezi Ulmar Kvik, cili, ndër të tjera, ka motiv thënien brilante: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.

 

                                “Nëse themeli është i shëndosh,

      mund të ndërtohet shtëpia e njohurive për shkollën dhe për jetën”

 

Me këto ndjenja dhe motive pro shqiptare, Ulmari i ka ndihmuar bashkëkombësit tanë  në Suedi për t`u integruar, por ka qenë edhe aktiv në tubime, në mbledhje, takime, konferenca të shoqatave të tyre, u ka qëndruar pranë si këshilltar dhe dijetar, si albanolog i shquar. Ai ka nxitur dhe mbështetur mësimin e gjuhës shqipe në shkollat suedeze. Në vitin 2006, në Landskrona, në “Konferencën për arsimtarët e gjuhës amtare shqipe”, mes të tjerave ai shprehet: “Shkencëtarët kanë dëshmuar se njohuria e mirë e gjuhës së prindërve, është kyçi i mësimit të gjuhës së dytë, të tretë etj. Me fjale të tjera: Nëse themeli është i shëndosh, mund të ndërtohet shtëpia e njohurive për shkollën dhe për jetën”. Mërgimtarët shqiptarët në Suedi, të ndihmuar dhe të mbështetur nga ligjet e  shtetit demokratik suedez, por edhe nga Ulmari, e hapën së pari  shkollën shqipe, fillimisht në Malmo në vitin 1966 dhe më pas në Nybro në vitin 1975. Atëherë vepronte motivi: “Ku ka familje shqiptare, organizohet shkolla shqipe” dhe, “Lufta për gjuhën amtare-detyrë e shenjtë e çdo mërgimtari.” Sot janë rreth 10 mijë fëmijë shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe në shkollat suedeze. Z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë  “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, shkruan: “Përderisa në vendet e banuara me shqiptarë (Kosovë) mbylleshin shkollat nga pushtuesi serb: me rrahje, helmime, vrasje, burgosje e kërcënime, deri në likuidim fizik, në Suedi lejohej mësimi në gjuhën amtare, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha pakicat kombëtare, duke iu ofruar kushte të shkëlqyera për mbarëvajtjen e mësimit në gjuhët e tyre amtare”.

S`ka shqiptarë në Suedi që s`ka dëgjuar për Ulmarin. Ai i pret dhe i përcjellë, i ndihmon dhe  i mbështet se si të integrohen, por dhe bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht me njerëzit  e letrave, sidomos nëpërmjet shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Suedi që kryeson, por edhe nëpërmjet portalit të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Suedi dhe Kosovë-Suedi, ku marrin pjesë qindra e qindra shqiptarë, jo vetëm ata që kanë emigruar në Suedi, por  edhe nga Shqipëria, Kosova dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Madje në atë portal aktivizohen edhe shumë suedezë dhe nga kombësi të tjera, të cilët shprehin mendimin  tyre të lirë. Ulmari ka mbështetur gjerësisht Shoqatën e  Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, ku ai është edhe Anëtar Nderi i saj. Por ai është angazhuar drejtpërdrejtë edhe për hapjen e një katedre të albanologjisë në Suedi, gjë që është bërë realitet pranë Universitetit të njohur të Uppsallës. I ka qëndruar vazhdimisht pranë Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni” të qytetit të Borasit, si dhe shumë shoqatave të tjera në qytete të ndryshme të Suedisë, sikurse dhe radiove, televizioneve dhe gazetave në gjuhën shqipe. Duke qenë aktiv, ai orienton dhe ndihmon si një këshilltar i urtë dhe i ditur, si mik i afërt; i mbështet në çështje të gjuhës, të kulturës, të lirive dhe të të drejtave të tyre. Është e njohur pjesëmarrja e tij në tubime dhe, deri dhe pjesëmarrës në demonstrata të mëdha të shqiptarëve në Stokholm në vitet 90-të por dhe  në qytete të tjera të Suedisë për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë për liri e pavarësi. Siç shprehet prof. Fetah Bahtiri në librin e tij   “Miku i Madh i Shqiptarëve Ullmar Qvick” (Monografi): “Ulmar Kviku shpesh herë nëpër mjetet e informimit në Suedi e më gjerë ka zhvilluar debate e dyluftime politike me nacionalistë e shovinistë serbë dhe kundërshtarë të shqiptarisë e të Kosovës, duke i mohuar pretendimet e tyre dhe duke nxjerrë në shesh të vërtetën me argumente bindëse, të cilat nuk ka mundur t`i mohojë askush.” Në fund të viteve ’90, Ulmar ka qenë shumë aktiv në emisionin javor në gjuhën shqipe të radios “Zëri i Arbërisë”, në qytetin e tij në Norrköping. Nga 3 vitet që punoi në atë radio, ai ruan kujtime të bukura nga bashkëpunimi i shkëlqyer me një ekip rinor shqiptar. Ai kujdesej që të rinjtë folës në atë radio shqip, të shpreheshin sa më bukur dhe rrjedhshëm në gjuhën shqipe. Edhe sot përmenden shumë nga artikujt e Ulmar Kvikut për “Albanien och vi”(“Shqipëria dhe ne”), organ i Shoqatës Suedeze-Shqiptare.

      Në foto, Ulmar Kvik me miq të tij shqiptarë,

                     Boras,Suedi, prill 2012                                 

Krahas librit “Më shumë heroizma se sa grurë”, që do të flasim në vazhdim, po përmend edhe këto vepra të Ulmarit: “Në qendër të vëmendjes Kosova”,  “Kosova -një vështrim politiko-historik”, “Kultura folklorike shqiptare.”,  “Komente nga një folklorist suedez”…Apo, punimet kërkimore: “Suedia dhe suedezët në veprat e shkrimtarëve shqiptarë”, “Duke kujtuar At Anton Arapin O. F. M (1888-1946)”,  “Pikëpamje për gjuhën e njësuar shqipe”, “Për kulturën në Shqipëri nën diktaturë”,  “Kënga e Gjergj Elez Alisë”. Te kjo kumtesë, s`po më rrihet pa cituar një fragment nga analiza që i bën Ulmari   “Gjergj Elez Alisë”:  “Dhe qyqja mbaron këngën e vet me rreshtat më të bukur që kam gjetur në poezinë popullore botërore. Ky mbarim i mahnitshëm është një monument për rapsodin e panjohur shqiptar, me siguri analfabet, i cili diku në Malësi të Veriut krijoi vjersha me një bukuri të paparë:

“Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m`bjeshkë,

kah verova gjithkund vrri e n`vrri,

kah mjerova gjithkund shpi e n`shpi,

kurrkund s`ndesha m`Gjergj Elez Ali!”

 

Dhe në vazhdim ai del në përfundimin se “Populli i përvuajtur shqiptar është një popull shumë i pasur. Thesaret që kanë shqiptarët nuk shihen nga të gjithë. Prapë jam i bindur se kënga e Gjergj Elez Alisë, po të ishte e shkruar anglisht ose frëngjisht, do të numërohej ndër xhevahiret e poezisë botërore.

 

 

                            Përkthyes i shquar i shqipes në Suedi

 

Ne veprimtarinë e tij si albanolog, Ulmari është dalluar jo vetëm për botime me karakter gjuhësor dhe leksikografik (fjalorë, gramatika, artikuj, biseda, intervista, ligjërata, në radio, televizione, auditorë shkollash e universitetesh), por ai është edhe poet, ai  shkruan poezi të bukura, me përmbajtje të thellë dhe ndjenjë, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete. Cilido shqiptar do të entuziazmohej nëse do të lexonte, qoftë edhe disa nga krijimet poetike të shkruara në shqip nga Ulmari, midis të cilave po përmend poezitë:   “Nuk do të harrohen kurrë!”, “Ngushëllimi”, “Fatet Shqiptare”, “Burrë dhe grua”, “Është dashuri, po si!”,“Duke mohuar vdekjen”, “Ngujimi”, “Lulet e Kosovës”…Ndërkaq ai vijon të përkthejë pareshtur poezi, tregime, novela, romane, vijon të përgatis me përkthimet e  tij vëllime poetike dhe në prozë për lexuesit suedezë. Sigurisht kulm në përkthimet e  Ulmar Kvikut  është poezia. Kështu, është e njohur “Antologjia  e poezisë shqipe” e titulluar Shqiponjat dhe malet” viti  1979 e përkthyer nga Ulmari. Aty  lexuesi gjen autorë nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga të gjitha trojet shqiptare, madje edhe nga arbëreshët e  Italisë, duke filluar me periudhën e Rilindjes, të Pavarësinë, atë të Shqipërisë socialiste, duke u ndalur në secilën periudhë kohore dhe duke i dhënë lexuesit suedez një material të bollshëm dhe të ndjeshëm, në mënyrë që ai t`i përjetojë dhe t`i kuptojë  ato kohë, si dhe zhvillimet e  historisë dhe të letërsisë shqipe. Lexuesit suedez gjejnë në atë “Antologji poetike” poezi nga Zef Serembe, Pashko Vasa,  Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Migjeni, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Llazar Siliqi, Spiro Comora, Iliriana Sulkuqi… Atje  zë vend të veçantë edhe poezia moderne italiane-shqiptare me poetët Karmell Kadreva, Voreo Ujko, Jan Palak, sikurse ajo e Kosovës që përfaqësohet me poetët: Din Mehmeti, Ali Podrimja, Murat Isaku, Kosovë Rexha-Bala… Ulmari shprehet me konsideratë të lartë për De Radën, për të cilin thotë:“Ky poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues, themelues i letërsisë dhe  i kulturës arbëreshe, ka një vend të veçantë në historinë e Rilindjes shqiptare si një nga nismëtarët e kësaj lëvizjeje”.  Ulmar vlerëson shumë Migjenin, i cili kuptohet mirë nga suedezët, veçanërisht indinjata dhe satira e tij shoqërore dhe e veçantë. (Përkthimin e parë të një krijimi të mirëfilltë letrar Ulmari e ka bërë në vitin 1970, kur në Buletinin e Shoqatës Suedeze-Shqiptare kishte botuar tregimin e Migjenit  “Luli i vocër”).

Ulmar vlerëson shumë Mitrush Kutelin dhe krijimtarinë e tij dhe, gati sa nuk thërret: “Mos harroni Mitrush Kutelin!” Ai  e vlerëson shumë Lasgush Poradecin, si mjeshtër të formës dhe një talent të madh. Vlerëson shumë Fatos Arapin, veçanërisht për stilin e tij dhe temperamentin, për përshtypjen e fortë që krijon poezia e tij. Madje, ai e quan Fatos Arapin poetin më të madh. Ndërkaq, vlerëson Konicën, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Sterio Spassen, Petro Markon, përkthyesin Vedat Kokona, studiuesin Riza Brahimi, shkrimtaren Englantina Mandia me “Sonata e Hënës” kur ajo shkruan për Musine Kokalarin; Ulmar vlerëson poetët Frederik Reshpja, Natasha Lako, Meto Muhameti, shkrimtarin Sabri Godo, Anton Pashku; ka shkruar shumë për At Anton Arapin…Ulmar ka të përkthyera nga shqipja në suedisht edhe një dramë, një libër dokumentar për shqiptarët dhe një numër veprash gjuhësore. Ndërkohë ka plane të tjera përkthimesh…Por ai ka përkthyer edhe autorë shqiptarë në Suedi si: Shefki Oseku, Ibrahim Abedini, Riza Sheqiri…I ka bërë përshtypje të thellë edhe një ditar me përmbajtje të thellë realiste dhe prekëse, “Ditari i zemrës sime” shkruar nga e reja kosovare Ardita Beqiri. Ai përmend me respekt disa nga krijuesit shqiptarë në Suedi: Sadulla Zendeli-Daja, Ramadan Tahiri, Ymri Demishaj, Sokol Demaku, Bahtir Latifi, Remzi Basha… Kur flet për letërsinë e Kosovës, ai përmend emrat e shkrimtarëve: Esad Mekuli, Hivzi Sulejmani, Adem Demaci, Anton Pashku, Rexhep Qosja, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Sabri Hamiti. Ulmar ka përkthyer në suedisht edhe disa poet nga Kosova: Yrjet Berisha, Kadrush Radogoshi, Liri Loshi…Përkthimet e Ulmar sigurisht janë edhe nga suedishtja në shqip. Për shembull ai ka përkthime të shumë poetëve suedezë, ndër të cilët do të veçoja Stagneliusin (1793-1823), poet me forcë të rrallë emocionuese, ndër më të njohurit në Suedi, veçanërisht me poezinë: “Mik në Çastin e Shkatërrimit”. Ndërkaq, Ulmari  ka plane për të përkthyer në gjuhën shqipe poetë modern suedezë…

Të gjithë punën dhe veprimtarinë intelektuale, Ulmari  e pasuron me vizitat që bënë në Shqipëri dhe Kosovë, por ndërkaq mban edhe lidhje të ngushta me shqiptarët e të gjitha trojeve, edhe ata të Maqedonisë e Malit të Zi, ata të Suedisë që i ka pranë, por edhe me ata të mërgatës shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Nga të gjithë pritet mirë, miqësisht dhe me dashamirësi. Madje, në një intervistë, botuar në gazetën “Mapo”, më 13. 04. 2011, ai ndër të tjera thotë se edhe “Regjimi socialist është treguar korrekt me mua”. Ulmar niset kurdoherë nga parimi që  “Nëse do të kuptosh literaturën shqipe, është më se e nevojshme që së pari të kesh njohuri të bollshme për kulturën dhe historinë e popullit shqiptar”. Lexues, por edhe studiues që njohin mirë veprimtarinë e tij albanologjike, shprehen: Prof. Bedri Paci: “Emri i Ulmar Kvik nuk është vetëm një emër i njohur për opinionin shqiptar këtu në Suedi, por ai është një mik i denjë, një simbol që ka kaluar kufijtë e vendit të tij, Suedisë, për t`u njohur me gjuhën, jetën, traditat e popullit shqiptar. Gjatë gjithë jetës të themi se ka dedikuar çdo gjë për gjuhën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.”, Shkrimtari i njohur shqiptar në Suedi Hamit Gurguri: “Ulmarin e dëgjova dhe e takova shumë herë. Më mahniti angazhimi i tij me plot zemër, pa hezitime dhe me bindje të plotë për shqiptarët, për letërsinë, për gjuhën, për kulturën tonë, në veçanti angazhimi i tij për çështjen madhore të Kosovës”. Poeti dhe shkrimtari Riza Sheqiri: “Dhe kështu përditë e më shumë miku Ulmar Kvik u lidh fort e më fort emocionalisht e shpirtërisht me shqiptarët për t`u bërë aq i dashur, aq i nderuar dhe aq i respektuar nga të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm nga ata të Suedisë e të Kosovës, por nga shqiptarët kudo në trojet e tyre etnike, po edhe në diasporë.” Poeti, përkthyesi dhe atdhetari Sokol Demaku:  “Unë pata rastin të bëj një intervistë me mikun tonë Ulmar në shkurt të vitit 2010 dhe atëherë ai më tha një fjali të madhe për ne shqiptarët, të cilën nuk do ta harroj sa të jem në jetë: “Bota demokratike duhet të kujdeset më shumë për Kosovën, kosovarët e bashkuar të kujdesen për të mirën e kombit!” Prof. Murat Gecaj: “Megjithëse ai jeton dhe punon mijëra kilometra larg Shqipërisë, mendja e zemra e tij punojnë e rrahin për vendin tonë. Prandaj, me të drejtë, shprehim, nderim e respekt të veçantë për Prof. Ulmar Kvik, për tërë punën e përkushtimin e  tij të pakursyer në shërbim të gjuhës e letërsisë shqipe dhe, në përgjithësi, të çështjes mbarëkombëtare shqiptare. “Poeti dhe leksikografi i njohur Sadulla Zendeli-Daja: “Shtrojmë sofrën e mikpritjes kombëtare për ta nderuar mikun e madh të shqiptarëve. Këtu jemi pranë Jush o mik, Mirë se vjen në gjirin tonë O i madhi Ulmar Kvik!”

                        

                        “Ambasador” i kulturës shqiptare në Suedi

 

Shpesh herë kur vlerësohen njerëzit që përhapin dije dhe kulturë, që përhapin vlera të humanizmit, të letërsisë, arteve etj, ata u quajnë “ambasadorë”. Por, ne pak i njohim ambasadorët, kurse Ulmarin po, e njohim, si personalitet të kulturës, letërsisë dhe artit, si albanolog të përkushtuar pas kombit shqiptar, si përkthyes të shquar. Madje, do të thosha se: unë  nuk di ndonjë ambasador të shkruaj aq bukur e rrjedhshëm gjuhën shqipe si Ulmari, të flasë e të mbaj ligjërata aq të shkëlqyera në konferenca dhe takime, me fjalor të pasur dhe frazeologji pikante shqipe, si Ulmari, të ketë kulturë aq të gjerë dhe të njohë me themel historinë, origjinën dhe veçori të gjuhës shqipe si Ulmari. Ai e njeh këtë gjuhë jo thjesht si një shqiptar, por si një studiues dhe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, njeh historinë e Shqipërisë si një historian dhe mësues historie, njeh marrëdhëniet shoqërore dhe zakonore njëlloj si një pedagog i psikologjisë dhe sociologjisë, njeh kulturën shpirtërore të popullit shqiptar, traditat, mitet, legjendat, si një folklorist dhe etnograf i shquar, dhe, të gjitha këto njohje, i shpreh me vepra të përkryera në dobi të popullit dhe  Kombit tonë të lashtë…Rrallë njerëz në Shqipëri, që mund të kenë një bibliotekë  aq të pasur në  libra në gjuhën shqipe, sa ka Ulmari në shtëpinë e tij në Suedi; rrallë mund të gjesh intelektualë që japin intervista aq të thella dhe mbresëlënëse  sa ai; rrallë gjen njerëz që të mbajnë aq shumë korrespondenca të gjalla dhe aktive me shqiptarë sa Ulmari…Ndërkaq, mund të themi se, janë të shumtë shqiptarët nëpër botë, që kanë mësuar për rrënjët e tyre nga librat e Ulmar Kvikut.

Po. Ulmar Kviku, është “Ambasador” i Kulturës Shqiptare në Suedi dhe kjo ne shqiptarëve na nderon dhe na bën krenar. Me njerëz si Ulmar Kviku, bota bëhet edhe më e bukur.

 

                         “Më shumë heroizma se sa grurë”

                  vepër brilante e albanologut Ulmar Kvik

 

Në krijimtarinë e Ulmarit, ndër veprat më të rëndësishme është libri “Më shumë heroizma se sa grurë”(“Mera hjältemod än vete”). Edhe ai vet e konsideron atë veprën e tij më kryesore; dokumentar i përkthyer edhe shqip nga Hajdin Abazi. Këshilltar editorial Sadulla Zendeli-Daja, redaktor Alban Voka, recensent Sokol Demaku, lektor Fetah Bahtiri, kopertina dhe realizimi kompjuterik Lulëzim Lajci. Parathënien e librit e ka shkruar Baki Ymeri. Botim i revistës “Dituria” në Boras, Suedi. Shtypshkronja “Grafobeni”, Prishtinë 2013.

Libri ka zënë vend nderi në letërsinë e shkruar. Ai përbënë një analizë dokumentare të historisë dhe jetës shoqërore të shqiptarëve të shekullit të XX. Duke ndjerë se kishte materiale shumë të pasura nga vizitat dhe kontaktet me Shqipërinë, Ulmari në vitet 2000-2001 mori vendimin për ta shkruar këtë libër. Titullin e mori nga poema e Ismail Kadaresë “Përse mendohen këto male.” duke nënvizuar se “gjatë shekujve kjo tokë ka prodhuar më shumë heroizma se sa grurë”. Pas botimit në Suedi në vitin 2004, arriti ta botonte këtë libër edhe në Kosovë në vitin 2013. Një sasi kopjesh erdhi edhe në Shqipëri. Mbaj mend që atëherë shkrova një recensë të plotë, e cila u botua në dy numra të gazetës “Republika” (24 dhe 26 shkurt 2012). Për këtë vepër dokumentare e historike, por edhe letrare e sociale, janë shkruar edhe dhjetëra artikuj në organe shtypi, por dhe në revista deri dhe me karakter shkencor siç është revista “Universi” në Shqipëri, por është shkruar edhe në revista të tjera si “Mësuesi” në Shqipëri, “Dituria”, në Suedi, ndërkohë që janë të shumtë ata që kanë folur në radio apo televizione. Për një kuadër më të gjerë, po citoj këtu disa pjesë apo fragmente nga disa prej artikujve të botuar në Shqipëri, kushtuar librit të Ulmar Kvikut “Më shumë heroizma se sa grurë.”: Doktor i Shkencave, Bajram Mejdiaj: “Shqiptarët kanë qenë  përherë një popull, që ka menduar gjithnjë për mbijetesën dhe  s`ka pasur komoditetin të mendoj për begatinë. Por mendoj se është  koha që  të dalim nga kjo e keqe. Ju, miku ynë  Ulmar Kvik, me veprën tuaj, po na ndihmoni sinqerisht”. Gazetari Kadri Tarelli: “E thënë më shqip: vepra e tij mbështetet jo vetëm mbi faktet historike të grumbulluara me kujdes nga literatura e vjetër dhe e re, por edhe mbi njohjen direkt të jetës shoqërore, politike, ekonomike, letrare dhe artistike në trojet shqiptare brenda në Shqipëri dhe  jashtë kufijve, në Kosovë, Maqedoni dhe te arbëreshët e Italisë, duke i qëndruar besnik Herodotit të lashtësisë: “Veshëve u duhet besuar më pak se syve”. Mësuesi Agim Qoku: “Aftësitë vëzhguese analitike, ndërgjegjja e pastër intelektuale dhe ndjenja e fuqishme për t`i qëndruar afër të vërtetës e kthejnë veprën e Ulmar Kvikut  “Më shumë heroizma se sa grurë”,  në një produkt intelektual brilant, që nuk mund të mohohet e të mposhtet nga asnjë lloj kancelarie antishqiptare sado e sponsorizuar qoftë”. Gazetari Fran Gjoka: “E falënderoj përzemërsisht zotërinë Ulmar Kvik, për cilësinë e punës së tij të sinqertë dhe dashamirëse për vendin, kombin dhe paraardhësit tanë, për gjuhën, zakonet dhe traditat tona”.  Adriatik Zeneli, ish ushtarak: “E vlerësoj këtë albanolog të shquar, si një zë i paanshëm dhe realist e objektiv për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, si një zë që sjellë ndjenja të thella vëllazërore dhe miqësore ndërmjet popujve dhe njohjen e historisë së tyre. Tolin Kona, historian: “Të gjithë sa përmendëm dhe të tjera, dokumentojnë dhe argumentojnë bindshëm origjinën ilire të shqiptarëve, ndryshe nga tezat shoviniste që kanë kërkuar në shekuj dhe vazhdojnë të kërkojnë të tjetërsojnë këtë origjinë të lashtë të popullit tonë, i cili nuk është ndalur së luftuari për të mbrojtur identitetin, vlerat, historinë dhe kulturën e tij.  Gjithashtu, Ju, i bëni një analizë periudhës së ndritur të shekullit të XV, kur shqiptarët me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në krye, u përballën denjësisht, duke i bërë një shërbim të çmuar jo vetëm Shqipërisë dhe trojeve të saj, por edhe Evropës. Më tej, paraqitni bindshëm dhe bukur përpjekjet e rilindësve shqiptarë për pavarësi, ndaleni në luftërat ballkanike, Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, analizoni me realizëm e paanësi periudhën e Diktaturës komuniste dhe fillimet e demokracisë shqiptare. Është në nderin dhe detyrën e çdo intelektuali shqiptar dhe, veçanërisht historiani, që të përfshihet në mbështetjen e problemeve që Ju ngrini në veprën tuaj.”..Ndue Dragusha, poet dhe gazetar:  “Me shumë respekt e konsideratë, do t’i drejtohesha zotit Ulmar Kvik  dhe do ta falënderoja për ndihmesën e  çmuar ndaj nesh, por më shumë për të vërtetën, si një ndër ata luftëtarë që bëni heroizmin e së drejtës në paanësi, sepse shpirti Juaj z. Kvik,  duket se është i pushtuar nga ajo. Nderim e mirënjohje të përjetshme për Ju, zotit Ulmar Kvik, Ju njeri i mirë dhe përfaqësues i  së vërtetës”. Publicisti Mehmet Deliu, ish ushtarak i aviacionit: “Nuk ka se si të mos ndjesh respekt e nderim për këtë shërbim të çmuar që i bëhet Shqipërisë nga një studiues dhe albanolog si Ulmar Kviku. Si shqiptar dhe dashamirës i historisë dhe letrave shqipe, do të doja të shprehja mirënjohjen e thellë ndaj këtij burri të Lartë suedez, të emancipuar, që,  me civilizimin e respektin ndaj qytetërimit të kombeve të tjerë, shpalos një dëshmi të vlerës reale njerëzore”. Gazetari dhe shkrimtari Veledin Durmishi: “Ulmari e njeh shumë mirë gjuhën shqipe; kontaktet e para me të i ka marrë nëpërmjet radios, e ka vizituar Shqipërinë disa herë në monizëm e në demokraci dhe kjo i ka dhënë dorën që ta njohë atë… Ai shprehet qartë se Shqipëria nëpër kohë i ka dhënë botës jo pak mesazhe… Arsyet për t’u ndier krenarë  janë aq të dallueshme për studiuesin suedez.  Ka mjaftë elementë humanizmi në historinë e saj. Studiuesi Ulmar  ka ditur t’i qëmtojë ato. “Se turku mësonte proverbat e Samiut e, gjermani, duartrokiste “Hamletin” e Moisiut.” Publicisti dhe analisti Sejdo Harka: “Ulmar Kvik shkruan për shqiptarët dhe e ndjen veten si ata, flet për dhimbjet dhe vuajtjet e  tyre dhe trishtohet, përshkruan luftërat dhe heroizmin e këtij populli dhe entuziazmohet, zbulon kulturën e lashtë e bukurinë e rrallë të gjuhës dhe elektrizohet, si të jetë bir i këtij trualli”. Poeti dhe gazetari Petrit Malushi: “Kontaktet e shumta me mjedisin shqiptar për  gjatë disa dhjetëvjeçarëve, brenda kufirit shtetëror dhe jashtë tij, e  kanë  nxitur mikun suedez, natyrisht  i  prirë nga dëshira e kureshtja,  të futet edhe në  botën zakonore e shpirtërore të këtij populli të vogël, që brenda bart vlera të arta, të rralla e të mëdha. Mësuesi dhe gazetari Bashkim Saliasi: “Vlerësimet që u bënë prof. Ulmar Kvik historisë, origjinës ilire të shqiptarëve, mbrojtjes së të drejtave të tyre në Kosovë e vise të tjera shqiptare, tregojnë se ky studiues, është jo vetëm një njohës i mirë dhe me kulturë të gjerë, por edhe mik i vërtetë i popullit tonë”.  Mësuesi Adnan Laha: “Unë jam me origjinë nga Gjakova dhe ndihem krenar që ju keni argumentuar, mbështetur, arsyetuar shkencërisht e në mënyrë dokumentare të drejtën e ligjshme të shqiptarëve në Kosovë për pavarësi.”. Hasan Frangu, matematikan: “Ulmar Kvik, nëpërmjet librit të tij të mrekullueshëm, ka ditur të bëj të njohura  vlerat tona, të një vendi të vogël, por që i ka dhënë shumë historisë, artit e qytetërimit modern evropian. Si mësues e  intelektual shqiptar, duke u njohur me vlerat e këtij libri, nuk mund të mos krenohem se jam shqiptar, nuk mund të mos ushqej mirënjohjen më të thellë e vlerësimin më të lartë për  Ulmar Kvikun dhe Shoqatën e Miqësisë Suedi-Shqipëri, që  me veprimtarinë e saj të pasur dhe aktive i shërben atdheut e popullit shqiptar në mënyrën më të mirë”. Ibrahim Hajdarmataj,arsimtar dhe publicist:Ju profesor jetoni në pjesën veriore të Europës, në Suedi, në Veriun e largët. Kam kënaqësinë me këtë rast, t`ju përshëndes nga Zogaj i Tropojës, (Malësia  e Gjakovës), që ndodhet në Veri të Shqipërisë.  Jemi të dy veriorë. I motivuar dhe i frymëzuar për  çfarë lexova rreth veprës suaj, ju shpreh mirënjohjen  dhe respektin e pakufishëm për përkushtimin tuaj”. Gazetarja Vjollca Spaho: “Më shumë heroizma se sa grurë”,  nuk duhet të mbeten vetëm në faqe gazetash të përditshme. Ato duhet të jenë pjesë e simpoziumeve të rëndësishëm shkencorë, historikë e më gjerë, që ato t`i mësojnë brezat, por dhe për t’i falënderuar të gjithë ata që shkruajnë kaq bukur dhe me vërtetësi për ne. Faleminderit miku ynë Ulmar Kvik!”

Vlerësim i shqiptarëve për Ulmar Kvikun, është mjaft i gjerë dhe shprehet në shumë zhanre botimi, duke filluar nga artikuj, reportazhe, intervista, ese, skica letrare, poezi; shprehet në biseda dhe emisione në radio e televizione, në korrespondenca dhe opinione… Nga shqiptarët e  Suedisë, Ulmarit i është kushtuar libri monografi “Miku i Madh i Shqiptarëve” Ulmar Kvik”, i shkruar nga Fetah Bahtiri. Edhe këtu në Shqipëri, libri “Për Ju miqtë e mi”, ku, në qendër është Ulmari dhe veprimtaria e tij si albanolog dhe mik i kombit shqiptar. Po përgatitet edhe një dokumentar për nder të tij.

Ulmari ndihet krenar për vlerësimin  “Shqiptar Nderi”, për vlerësimet e marra nga Zyra e Kosovës në Suedi, nga Shoqata bamirëse “Nënë Terezë”, dega në Suedi, apo dhe nga vlerësimet e herëpashershme, Mirënjohjet dhe Çmimet Letrare, dhënë nga  shoqatat shqiptare në Suedi me të cilat ai mban lidhje të vazhdueshme..

Do t`i jemi vazhdimisht mirënjohës suedezit Ulmar Kvik. Emri dhe vepra e tij janë dhe do të kenë kurdoherë në vendin e  nderit në zemrat e shqiptarëve, ato do t`u përcillen brezave me respekt dhe nderim të veçantë ndaj këtij njeriu, që me veprën, mirësinë dhe fisnikërinë  e tij, ka fituar emrin e ndritur “Mik i madh i shqiptarëve.” Zjarri i dashurisë dhe mirënjohja që ndizet  në zemrën e një populli, nuk shuhet kurrë.

Falënderime dhe mirënjohje Ulmarit, Mikut tonë të Madh. Falënderime dhe mirënjohje popullit dhe Shtetit Suedez!

 

———————

Shënime plotësuese:

1).Ulmar Qvick(Ulmar Kvik) jeton në qytetin Norrköping me familjen e vet, me bashkëshorten e tij shqiptare, Samka Nimani Qvick e lindur në  Pejë dhe e rritur në  Prishtinë, me të cilën është bashkë nga viti 1995. Ajo është e diplomuar në Fakultetin Filozofik për Histori në  Prishtinë dhe në vitin 1992 ka ardhur në Suedi. Në  bashkëshortësi kanë një fëmijë, vajzën me emrin e  bukur Arlinda, e lindur në vitin 1996.

2).Në një shënim në internet, lexova një sqarim shtesë nga Ulmar. Ai shkruan: “Lexova për herë të parë për shqiptarët që në vitin 1943, në moshën 9-vjeçare. Revista e përjavshme “Folket i bild” kishte një forum për filatelinë, dhe atje u botua një shkrim për Skënderbeun, me një rrëfim për jetën e tij dhe për pullën postare nga viti 1913 me portretin e tij. Dhe menjëherë mu lind një kureshtje për këtë vend… Por, përshtypjet e para kanë luajtur rol më vonë, sepse mora kontakt me Radio-Tiranën në fund të vitit 1948 dhe pak më vonë me Radio Shkodrën….

Dëshiroj të shtoj në këtë shënim edhe faktin se Ulmar Kvik është dhe koleksionist i mijëra pullave postare, ndërkohë që pasion tjetër i tij është edhe radioamatorizmi. Nga ai  mund të marrësh informacion të plotë edhe për Radiot Shqiptare, ndërkohë që ka shfaqur prej kohësh një interesim edhe për insektet, ku shënohet si zbulues i mbi 20 insekteve të reja…

 

Referenca për artikullin:

-Ullmar Qvick(Kvik): “Më shumë heroizma se sa grurë”. Botim i revistës “Dituria”,Boras, Suedi. “Grafobeni”, Prishtinë 2013.

-Ullmar Qvick(Kvik).Portali i Miqësisë Shqipëri-Suedi,Kosovë-Suedi.

-Fetah Bahtiri: “Miku i Madh i Shqiptarëve Ullmar Qvick(Monografi)”. Botues: Shoqata e shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë”Papa Klementi XI Albani, Suedi. Prishtinë 2012

-Ullmar Qvick(Kvik).Suedia dhe suedezët në veprat e shkrimtarëve shqiptarë”-Kumtesë në seminarin e XXIII Ndërkombëtar për Gjuhën,Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare më 15-27 gusht 2004.

-Ullmar Qvick(Kvik). Ligjëratë e mbajtur në Konferencën e tretë për mësuesit e gjuhës amtare shqipe që punojnë në shtetet skandinave,Landskorona më 11 -12 Maj 2006.

-Ilire Zajmi: Intervistë me Ullmar Qvick(Kvik).Prishtinë më 13 shtator 2011 dhënë InfoGLOBI.

-Sokol Demaku: Intervistë dhënë YLLIPRES dhe revistës “Dituria”, Boras, Suedi, më 13.02.2010

-Hysen Ibrahimi:Vepra 2,arsimi Shqip në Suedi. Prishtinë 2017

-Viron Kona: Korrespondencë me Ulmar Kvik(2010-2018).Libri  “Për Ju, miqtë e mi!”, Botim: West Print, Tiranë, 2011, 2012

-Viron Kona. Artikull “Më shumë heroizma se sa grurë, libër brilant i albanologut Ulmar Kvik”. Revista “Univers” 2016, Nr.17.

-Gazeta “Republika” . Tiranë, më 24 dhe 26 shkurt 2012.

-Revista “Dituria”, Boras, Suedi 2010-2018.

-Vepra “Thesari Kombëtar” 1-9. Botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klement i XI Albani”,Suedi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok