Me krenari e nostalgji i kujtoj mësuesit e mi
Nga Gjekë Gjonaj
Brezi im dhe brezat e mëparshëm në fshatin tim të lindjes në Triesh janë rritur me figurën e shenjtë të mësuesit, të cilën ne e kishim gati si perëndi, ngase vetë mësuesit ishin jo vetëm mësues, por frymëzim dhe shembull ideal për ne, misionarë .
Gjithkush në botë ka mësuesit e tij. Edhe unë i kam regjistruar dhe i mbaj në kujtesën time mësuesit e mi trieshjanë në SH.F. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh të cilët i kujtoj me krenari e nostalgji dhe s’do t’i harroj kurrë , meqë ata janë mirënjohja e nderimi im.
Megjithëse këta misionarë të arsimit, fisnikë e atdhetarë, komisarë të dritës, edhe pse punonin në kushte të vështira ata vazhdimisht ishin njerëz të zotë, të përkushtuar që synonin të përçojnë dijen tek nxënësit. Ata me gjithë qenien e tyre janë angazhuar që nxënësit e tyre të jenë të suksesshëm. Vështirësitë e nxënësve bëheshin vështirësitë e tyre, qeshnim dhe hidhëroheshim së bashku. Klasa ishte një familje e madhe e mësuesi herë ishte në rolin e kryefamiljarit, herë të psikologut, herë të nënës, herë të shokut e herë të shoqes. Mësuesit nuk ai falnin vetes asnjëherë nëse një nxënës nuk arrinte të jetë i suksesshëm në jetë! Jam me fat që kam pasur mësues të tillë, që çdokush do të dëshironte t’i kishte.
Jam i bindur se mësuesit e mi, edhe pas shumë dekadash në arsim, ndjeheshin sikur ditën e parë të shkollës. Ka qenë ky një brez mësuesish që kanë punuar me pasion, sepse mësimdhënia është me të vërtetë jo thjesht profesion, por është pasion, dëshirë, është shpirti që kanë dhënë për vite të tëra për edukimin e brezit të ri. Ata kishin shkumësin në dorë, buzëqeshjen, kishin dëshirën për të dhënë maksimumin e tyre.
Unë sot kujtoj me mall kohën kur kam qenë nxënësi i tyre, kohë që për mua dhe mësuesit e mi, ka qenë një ëndërr, ndër pjesët më të bukura në jetë. Mësuesit e mi edhe sot e gjithmonë do t’i kujtoj me shumë nostalgji, gjithnjë ashtu të qeshur, me fjalë të ëmbla. Ata na kanë mësuar gjithnjë me atë mënyrën e tyre të them aktoriale. Kanë qenë shumë të dhënë për arsimin. Dashurinë e bukur të mësuesit e shprehnin te ne nxënësit. Jemi të bekuar që kaluam nëpër duart e tyre. Mësimdhënia për ta ishte gjëja më e jashtëzakonshme që mund t’i ndodhë njeriut në jetë. Ata na thoshin ta duam mësimdhënien, jo për të marrë një rrogë , por thjesht për të kuptuar se aty është zemra e tyre, pasioni i jetës së tyre. Disa nga mësuesit e mi janë gjallë, ca të tjerë nuk jetojnë më me ne, por dëshira e tyre për mësimdhënien ka mbetur e përjetshme. Roli i tyre në procesin edukativo-arsimor ishte shumë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë, andaj ata janë heronjtë tanë!