Me guxim dhe besim në fitore!
Shkruan: Florim Zeqa
Shkurti i vitit 2025 është afati kushtetues i zgjedhjeve parlamentare në vend, ndërsa Nëntori i të njejtit vit është afati i zgjedhjeve të rregullta lokale. Përkthyer në gjuhën politike, viti 2025 është vit i fushatave zgjedhore. Kërkesa e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare këtë vit, jo vetëm se e palogjikshme, është edhe absurditet i llojit të vet.
Loja më fjalë e opozitës
Ky model i shprehjes së kërkesës publike të opozitës për zgjedhje të parakohshme dhe pamundësia e shkarkimit të qeverisë me mocion të mosbesimit, e ndihmon akoma më shumë kryeministrin Kurti që t’i shkojë deri në fund të mandatit qeverisës, gjë e cila do ta thente rekordin e këtij çerekshekulli me qeverisje të plotë, të një Qeverie me besueshmërinë më të lartë nga përfundimi i luftës e deri më sot.
Opozita e cila nuk i ka numrat për ta shkarkuar qeverinë përmes një mocioni mosbesimi, më mirë është të përgatitet seriozisht për zgjedhjet e rregullta sesa të bëjë fushatë elektorale në Kuvend.
Nëse realisht opozita mendon që e kalon mocionin e mosbesimit ndaj ‘Qeverisë Kurti’, pa e humbur asnjë ditë, asnjë orë dhe as një minutë duhet të thërrasë seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit me një pike të rendit të ditës: Mocioni i mosbesimit ndaj ‘Qeverisë Kurti’, e jo të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit dhe shpërndarjen e Kuvendit pa asnjë justifikim!
Opozita po vepron në këtë mënyrë, pasi është e sigurtë që nuk e kalaon mocionin e mosbesimit dhe me automatizëm ia vazhdon Albin Kurtit qeverisjen deri në fund të mandatit kushtetues.
Tërheqja nga mocioni, fatale për opozitën
Nëse opozita nuk e ndërmerrë hapin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, ajo e humbë rastin e fundit dhe ndjellë ndjenjën disfatiste tek elektorati i saj dhe i shuan shpresat edhe të militantëve më të mëdhenj opozitar, duke e fuqizuar kështu bazën elektorale të subjekteve në pushtet.
Rifreskimi i skenës politike arrihet vetëm përmes zgjedhjeve të rregullta, e jo përmes krijimit të krizave artificiale apo të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme (jashtëzakonshme).
Ata që e kanë guximin dhe besimin në fitore nuk iu frikësohen proceseve zgjedhore, përkundrazi, forcohen akoma më tepër në pozicionin e tyre, si subjekte serioze dhe të përgjegjshme në qeverisjen e vendit.
Zgjedhjet e rregullta, të lira dhe demokratike janë themeli i demokracisë dhe vlerë e civilizimit njerëzorë. Kosova duhet të dëshmohet edhe para bashkësisë ndërkombëtare që e ka këtë themel demokratik të ndërtuar nga vitet e ’90-ta, dhe se është e gatshme të dali çdo herë faqebardhë.
Alternativa e guximit politik është forca e ecjes para e jo e kthimit prapa. Guximi politik është në ADN-n e atdhetarëve të vërtetë që s’kursejnë asgjë nga vetja e tyre për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.