Me “Çehovkën” e Përparim Hysit
Nga Kujtim Mateli
Libri me tregime “ÇEHOVKA”, i shkrimtarit të mirënjohur Përparim Hysi, i sapo dalë për lexuesit e tij të shumtë, shenjon një tjetër vlerë artistike që ky autor e ka gdhendur me krijimtarinë e tij cilësore dhe që ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare.
Përparim Hysi ka lindur në fshatin Petovë të Fierit, më 21 janar të vitit 1943, por nuk e harron kurrë origjinën e vet nga Skrapari që është vatra shekullore ku kanë jetuar prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tij. Deri tani ka botuar 11 vëllime poetike dhe 5 libra në prozë. Disa libra të rinj në poezi dhe prozë, tashmë të përfunduara, presin të dalin në vitet në vijim. Po dora e tij asnjëherë nuk ka pushuar së shkruari, madje në këto vitet e fundit, në shtypin e shkruar dhe atë oneline, do të gjesh vazhdimisht emrin e tij dhe lexuesit e shumtë që e komentojnë me shumë dashuri dhe e vlerësojnë për arritjet që janë gjithnjë e në ngjitje.
Vëllimi i fundit “Çehovka”, sjell realitetin shqiptar me figura që kanë zenë vend në shoqërinë shqiptare për përkushtimin e tyre në fushat ku kanë studiuar dhe punuar. Tregimi “Sahiti që ‘mësoi’ toskërisht” i kushtohet mikut të tij Sahit Sahitaj, i cili arratiset me disa shokë nga Kosova, e cili ndodhej nën pushtimin serb, bëhet shok dhe mik me autorin në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Njohja e tyre vazhdoi edhe në vitet e ardhshme, derisa Sahiti rikthehet në Kosovën e çliruar, por miqësia e tyre vazhdon edhe në ditët e sotme.
Tregimi “Kjo ndodhi në vitin 1993” përsëri i merr ngjarjet nga jeta reale. Personazhi kryesor Neshat Maksut Hysi, nga Vërzhezha e Skraparit, luftëtar i vendosur për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Autori tregon edhe ngjarje që kapin periudhën e para Luftës së Dytë Botërore, përpjekjet e shqiptarëve për demokratizimin e vendit dhe sakrificat e tyre përballë njerëzve që përfaqësonin pushtetin e kohës.
Një tjetër tregim me personazhe realë është dhe tregimi “Pse fshat është Vërzhezha?!!!” Ky tegim i kushtohet kardiologut të njohur Pandeli Çina. Tregim na kumton atë që një qytet apo fshat e ka rëndësinë tek figurat që nxjerr për kombin e vet. Vërzhesha që është dhe vendlindja e prindërve të tij, ka nxjerrë njerëz të shquar si klerikun Dervish Iliazi, shkrimtarin Shkëlqim Çela, që ka marrë çmimin “Kadare”, sopranoja me emër në botë Ermonela Jaho etj., tregon se Vërzhezha e ka kapërcyer statusin e një fshati. Një qendër e banuar (qytet apo fshat qoftë) e ka vlerën tek figurat që nxjerr të cilat më vonë përfaqësojnë vendlindjen, krahinën, atdheun dhe, pse jo, bëhen figura që përfaqësojnë vlera botërore si Ermonela Jaho.
Tregimet e Përparim Hysit janë ndërtuar mbi copëza dashurie që jetojnë gjatë bashkë me njeriun. Tregimi “Bodina” na jep jetën studentore, kur një njohje e shkurtër, në një mbrëmje në parkun e qytetit, pakëz momente dashurie, mbetën gjatë në jetën e Petref Zolasë, gjersa një mbrëmje mëson nga emisioni i lajmeve humbjen tragjike të vajzës që nuk e harroi asnjëherë. Tek tregimi “Kuskuta e fundit” tregohen vështirësitë me të cilat përballeshin kuadrot që shkonin të punonin jashtë vendbanimit të tyre. Në të tilla vështirësi, u gjend dhe agronomi Aleksandër Pali. Jeta jepet në të gjithë dimensionin e saj: njerëz të përkshtuar për punën, por edhe qejfllinj siç ishte ndonjë zyrtar i rrethit që, mbas gjahut, u hidhte një sy arave të kooperativës dhe dërgonte urdhra e porosi për vartësit e tij. Njohje të shkurtra, që nuk e morën dot kohën të kthehen në dashuri, i shoqëron personazhet e këtij tregimi gjatë gjithë jetës dhe në një takim të rastësishëm, i rikthehet përsëri malli që kishin ruajtur për njëri-tjetrin.
Te tregimi “Tregimi i Bacë Hysenit” jepet jeta në një qendër të re banimi me banorë të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare. Në qendrën e banuar: Petova e re, do të gjeje banorë të ardhur nga Çamëria, Bosnja dhe Mali i Zi, nga Skrapari dhe trevat e tjera të vendit tonë. Harmonia dhe miqësia midis këtyre banorëve ishte për t`u marrë shembull. Po jeta në rrjedhë të saj të përplas me sfida të vështira. Bacë Hyseni, i ardhur nga Mali i Zi, e rriti shpejt ekonominë dhe krijonte çdo vit të ardhura jo vetëm për 3 veta sa ishte familja e tij, por sa për 10 veta. Njerëzit që përbëjnë një komunitet i ngjajnë një karvani udhëtimi. Ata që përbëjnë pjesën e mesit dhe të fundit përpiqen të arrijnë pararojën. Dy ndjenja i shoqërojnë këta njerëz: guximi për t`u bërë pjesë e pararojës dhe zilia për arritjet e tyre. Shpesh zilia bëhet ndjenjë e keqe. Kështu i ka ndodhur dhe Bacë Hysenit. Edhe ai e kishte ziliqarin e tij. Një ditë i kishte vdekur fizikisht “hasmi” i tij. Dhe Baca Hysen kishte marrë fyellin dhe po e qante ikjen e tij. Në vend të ndjenjës së gëzimit, kur të vdes hasmi apo kundërshtari, Baca Hysen ndjente dhimbje. Jeta e kishte bërë filozof personazhin kryesor të tregimit. I kishte humbur e kundërta e tij dhe ai pa të ishte gjysma e vetes.
Tregimi “Çehovka” e merr temën nga jeta në Universitete. Studentja Sherjar konsultohej vazhdimisht me Profesorin R…. , sepse po bënte një përkthim të veprave të Çehovit. Nga kjo e quajtën edhe Çehovka dhe ky emër nuk iu hoq, sepse ajo me veprat e Çehovit mbrojti dhe Doktoraturën. Ndërsa profesori R…, kishte dalë në pension dhe kishte shkuar për pushime në stinën e vjeshtës, rastësisht takon Çehovkën, që edhe ajo kishte shkuar atje për të qenë sa më e qetë për të punua për temën e saj
Ku takim i ri, zgjon atë forcë misterioze të dashurisë që tërheq drejt njëri-tjetrit në çift dy njerëz, edhe pse u përkasin moshave të ndryshme. Cilat janë shkaqet që mban të lidhur në çift dy njerëz që nuk tërhiqen drejt njëri-tjetrit për nga bukuria apo energjia fizike? Përgjigjia gjendet te dashuria, e cila i kapërcen barrierat e moshës dhe lidh si një hark ylberi dy njerëz të lindur për njëri-tjetrin, edhe pse në kohë të ndryshme. Profesori R…. dhe Çehovka gjenden bashkë, i kanë shkrirë kufijtë e moshës duke i dhënë jetës modele të ekzistencës së saj.
Në tregimet e Përparim Hysit do ta gjesh jetën njerëzore në të gjithë dinamikën e saj. Nëse tek tregimi “E gjeta, Vangjel”, që ka për titull një batutë nga komedia e ÇAJUPIT “14 vjeç dhëndër” personazhi i tregimit gjendet në vështirësi për të punuar në kohën e diktaturës për shkak të biografisë së tij të “keqe”; te tregimi “Karakter” që e merr temën nga jeta në ushtri, gjejmë njerëz shpirtvegjël e tinzar që qëndronin në ushtri jo nga aftësia profesionale, por nga gatishmëria për të spinuar shokët. Tregimi “Lulëkuqet në arën time” jep jetën e doktor Aleks Dodës, vitet kur doli në pension. Krahas mos heqjes dorë nga profesioni, në këtë moshë buisin kujtimet si blerimi pas shirave pranverorë. Ja dhe një histori e shkurtër dhe e bukur nga koha e rinisë, me Zogën, vajzën e vendlindjes së tij me të cilën, duke mbledhur lulëkuqet në arat e mbjella me grurë, ka përjetuar edhe atë ndjenjën hyjnore të dashurisë që të japin çaste që qëndrojnë me ty gjithë jetën. Te tregimi “Profesor si e ke ‘plakën’ ?!” jepet jeta në arsim, përpjekjet e mësuesve për të rritur nivelin e mësimdhënies. Krahas vështirësive do të gjesh dhe episode lirike, ndjenja dashurie që vijnë si fllade për të relaksuar momentet e vështira.
Tregimet e Përparim Hysit janë janë copëza nga jeta e përditshme, të treguara shkurt dhe bukur. Gjuha është e pasur me fjalë dhe shprehje që autori i ka gjetur nëpër krahinat e vendit tonë ku ka shkuar dhe punuar, të cilat i kthehen si pasuri fjalorit të gjuhës shqipe. Kuptimet e shumta që mbart fjala, emocionet që ajo përcjell te lexuesi, i bëjnë tregimet të ngrohta dhe ngjyraplotë.