Më 27 shtator 2024, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
![Mehmedi-Lidhja-Prizren3](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2025/02/Mehmedi-Lidhja-Prizren3.jpg)
Referat, shkruan Neshat Mehmedi
Jungjatjeta vëllezër e motra të pranishëm këtu në Sheshin historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Prizren të Republikës së Kosovës. Më lejoni, që në emër të anëtarëve të shoqatës Kulturore “Karnavalet Ilire” nga katundi Bozovcë, komuna e Tetovës, këshillit organizativ dhe në emrin tim personal të përshëndes Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkëlqesinë e tij z. Hajrulla Çeku, Kryetarin e komunës së Prizrenit shkëlqesinë e tij z. Shaqir Tota, Përshëndes Humanistin e përmasave kombëtare dhe biznesmenin e përmasave ndërkombëtare z. Lazim Destanin (edhe pse s’është i pranishëm). Përshëndes, drejtor institucionesh, drejtor të shkollave, profesor e profesoresha, mësues e mësuese, mjek e mjeke, inxhinier e inxhiniere, punëtorë e punëtore, miq e mikesha, student e nxënës, qytetarë e qytetare të Prizrenit, të katundeve përreth e më gjerë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë së Veriut, shoqatat kulturore që janë përkrahëse të manifestimit, gjithashtu përshëndes mediumet që po bëjnë punë të shkëlqyer, po i bëjnë publicitet të jashtëzakonshëm kulturës në përgjithësi e në veçanti Manifestimit Kulturor shumë të lashtë Karnavalet Ilire. Gjithashtu përshëndes kryetarët e shoqatave me të cilat kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi, Përparim Laçin dhe Klajdi Lulollarin nga Shqipëria, z. Frrok Kristaj dhe Remzije Berisha nga Republika e Kosovës. Ju kërkoj ndjesë të gjithë miqve e mikeshave që janë të shumtë këtu në Republikën e Kosovës, për shkak të kohës, s’kam mundësi me i përmendur të gjithë me emra e mbiemra.
Sot këtu, në Sheshin Historik të Lidhjes së Prizrenit, Ne, na bëjnë bashkë, për tu bashkuar për gjithmonë: gjuha shqipe, flamuri i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, i Adem Jasharit, pra 28 Nëntori, 10 qershori, 22 nëntori, Kongresi i Manastirit, 7 Marsi, 17 Shkurti dhe ky manifestim madhështor kulturore “Karnavalet Ilire”.
Të dashur të pranishëm, kultura është armë shumë e fuqishme e bashkimit shpirtëror, dhe identitetit kombëtar dhe pasuri shumë me vlerë të madhe kombëtare, sepse sot këtu jemi të bashkuar si çdoherë në vlerë kombëtare, kështu si e donë populli dhe kështu s’i nuk na duan armiqtë të na shohin grusht të fortë e kështu të bashkuar.
Ne e kemi për detyrë të takohemi si sot, bile edhe sa më shumë nëpër manifestime të ndryshme kulturore e sportive, arsimore e shkencore, ku do qofshin ato, në trojet tona, të mbushen sheshet, sallat, sallat sportive plotë e përplot, kështu më të fortë do të bëhemi, më shumë do ta duam njëri tjetrin “si thoi mishin”, më mirë do të njohim vlerat tona të përbashkëta e të lashta, atëherë do t’i duam më shumë dhe nuk do t’i mohojmë për të huaja, pra, lidhjet tona shpirtërore do i ngjallim duke shkuar te njëri tjetri, kështu sa më shumë do ta forcojmë kujtesën e do ta duam të kaluarën tonë dhe do të luftojmë harresën. Të dashur të pranishëm, harresa është armiku më i madhi i jonë kombëtar, i ndarjeve, përçarjeve, konflikteve të panevojshme, çfarë do qofshin ato, në baza partiake apo fetare, që janë shumë të dëmshme e shumë të turpshme për kombin tonë shqiptarë.
Harresa është prodhim i mos shkollimit dhe leximit, që ka një qëllim shumë të rrezikshëm, shpëlarjen e trurit, mohimin e origjinës, të gjuhës, flamurit, datave historike, historisë tonë të lashtë, heronjve tonë kombëtarë, kulturës, të trashëgimisë, traditave, zakoneve, adeteve, përshëndetjeve, të pagëzimit të fëmijëve, veshmbathjeve dhe e keqja më e madhe të identitetit kombëtar, siç po ndodh me vëllezërit tanë të fesë ortodokse të Rekës së Epërme, e me vëllezërit tanë të fesë islame të Sanxhakut, të parët e quajnë veten sllavë e të dytët veten boshnjak.
Qëllimi i armiqve botërisht dihet, për këtë Milan Kundera thotë: “Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe!”
Sot duhet të na bëhet zemra mal, vetëm në Maqedoninë e Veriut kemi tre Universitete, po sa të tjerë në trojet tona etnike, ku vërshojnë me mijëra studentë e studente, si rezultat i tyre janë: mësues e mësuese, profesorë e profesoresha, mjek e mjeke, inxhinier e inxhiniere, artist, aktorë, piktorë e të tjerë. Pra, femra shqiptare sot i ngjanë pranverës, na bënë të ndjehemi krenar me të arriturat dhe sukseset e tyre nëpër institucione në vend e në arenën ndërkombëtare e më të suksesshmet në Botë: Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqi, Rita Orën e Dua Lipën e sa e sa të tjera janë, por, për shkak të kohës s’mund t`i përmendim të gjitha me emra. E mos të flasim për të arriturat e gjinisë mashkullore.
Të dashur të pranishëm të gjitha këta arritje s’janë të kollajshme ku do qofshin ato, duan mund, tolerancë, durim, guxim, vendosmëri, sakrificë dhe luftë të pakompromis për mes shkollimit e jo inatit e injorancës. Profesor doktor Fadil Sulejmani, themeluesi i Universitetit të Tetovës, ka thënë: “Shkollimi është si drita, ajri dhe uji”!. Kurse humanisti dhe biznesmeni Lazim Destani thotë: “Ta doni shkollimin, ta doni punë dhe të krijoni besim në veten tuaj për të ecur përpara”!
Të dashur të pranishëm, edhe ky manifestim është pasuri kulturore e shpirtërore e jona kombëtare, se kemi marr u ha, por na e sollën të parët tanë: stërgjyshërit, gjyshërit, prindërit, vëllezërit tanë nga lashtësia mijëravjeçare e të parëve tanë, deri në ditët tona, ndërsa sot e prezantojnë rinia jonë nga Tetova, Prizreni dhe Tirana, këtu në Sheshin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Për Ne sot, është një ngjarje jashtëzakonisht e madhe dhe historike, sepse për herë të parë Karnavalet Ilire të Malësisë së Sharrit të Tetovës, zbresin nga Bozovca, në qytetin historik të lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për këtë manifestim kulturor shumë të veçantë, falënderojmë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës, që e financoi këtë manifestim shumë të lashtë mijëravjeçar, që i mbijetoi kohës atje lartë në thellësi të Malësisë së Sharrit, dhe z. Lazim Destani, që e ndihmon këtë manifestim përherë kur e lyp nevoja.
Po ashtu falënderojmë edhe Institucionet e komunës së Prizrenit dhe të gjithë atyre miqve që ndihmuan në forma të ndryshme.
Do mundohem në pika të shkurta të ju sqarojmë aktivitetin dhe brendinë e këtyre karnavaleve: manifestim kulturor Karnavalet Ilire është shumë i moçëm, është festë pagane ashtu si ishin edhe paraardhësit tanë ilirët, as kush nuk e din se kur e kanë fillimin në këto vendbanime. Rregullisht është festuar në katundet e Malësisë së Sharrit të Tetovës: në Bozovcë, Veshallë, Brodec, Vicë, Sellcë, Shipkovicë, Lisec, Gajre, katundeve rrëzë malit Sharr, andej nga Korabi e Krahina e Lumës, këndej nga katundet e Krahinës së Opojës, katundet e Vrinit e të Prizrenit e rreth e përqark e më gjerë, por, me emra të ndryshëm: “Vasalicat” në Malësinë e Sharrit, në Opojë “Gogolët” në Vrin “Plakzat”, dhe në Jug të Shqipërisë “Llazore”. Më së voni ky manifestim ka gjallëruar vetëm në katundin Bozovcë, për të fundit herë është mbajtur më 03 janar 1980.
Me fillimin e demonstratave në Kosovë, çdo aktivitet kulturor, sportiv të trashëgimisë tonë u ndërprenë me ligj nga regjimet e atëhershme sllave dhe i etiketuan me lloj-lloj emërtimesh, si: “Nacionaliste, irredentiste”.
Në vitin 2009 i riorganizuam përherë të parë në katundin Bozovcë, pra pas 28 vitesh ndërprerjesh, Nga viti në vit filloi të rritet e të marrë përmasa më të gjera. Në mars të vitit 2016 krahas manifestimit organizohet edhe tryeza shkencore për Karnavalet Ilire në katundin Bozovcë. Më 10 mars 2018 në Tetovë organizuam tryezën e dytë shkencore për Karnavalet Ilire, sepse ishte viti jubilar i këtij manifestimi, pra dhjetëvjetori i Krnavaleve.
Këto karnavale se kanë një ditë të caktuar të organizimit, por kanë një periudhë ku mund të organizohen. Pra, mund të organizohen nga 25 dhjetori, pra kur fillon të zgjatet dita e deri më 14 mars, e më së voni deri më 21 mars.
Të rinjtë dy a tre ditë përpara janë grumbulluar për të caktuar datën dhe vendin e nisjes dhe ndarjen e roleve, sepse këta janë institucion në vete; Cili do të bëhet plaku e plaka, cilët ndihmësit e plakut, vëzhguesit e grupit, cilët do të luajnë rolin e nuseve, vajzave e cilët do të ngjyrosin fytyrën me pluhurin e gacave e cilët do të maskohen me maska nga lëkura e bagëtive e cilët do të vishen me gëzofa, ferexhe, lurka e cilët do të jenë kombëtarët dhe si duhet të sillen me fëmijët, pleqtë e plakat dhe mysafirët e rastit. Numri më i vogël i karnavalistëve mund të jetë deri në pesëmbëdhjetë anëtarë, e numri më i madh mund të kalojë numrin e tridhjetë anëtarëve, që simbolizojnë familjet tona patriarkale. Si zakon ka qenë anëtarët e karnavalistëve patjetër të jenë të përfshirë nga të gjitha lagjet e katundit. Nëse ka ndodhur që në një lagjen s’kanë ftuar ndonjë anëtarë, atëherë karnavalistët janë penguar të futen në këtë lagje.
Karnavalistët me vete kanë strajcën të mbushur me hi dhe shkopin, pra dy armë të lashta luftarake, po ashtu kanë edhe një kalë të bardhë të cilin e kanë zëvendësuar me gomar. Kali ka shërbyer si ndihmë për grabitjen e vajzës për nuse dhe për bartjen e dhuratave të ndryshme që ju dhurojnë zonjat e shtëpive, kurse hiri dhe shkopi kanë shërbyer për vetëmbrojtje të grupit. Më parë kundërshtarëve, atyre të cilët kanë tentuar me e grabitur vajzën për nuse, ju kanë hedhur hirin syve, pastaj e kanë sulmuar me anë të shkopinjve. Pra grabitja e vajzës për nuse është traditë e jona shumë e moçme, pra e lashtë qysh nga koha e paraardhësve tanë Ilirët. Ai djalë që është martuar me të grabitme të vajzës, është llogaritur djalë shumë i zot trim dhe i dinjitetshëm.
Manifestimi gjithmonë ka nisur herët në mëngjes, sa fillon të zbardh dita. Karnavalistët kanë rregullat e ecjes. Të parat me defa në duar ecin vajzat, pas tyre, plaka, pas plakës nuset e pas nuseve plaku e kështu me radhë, pra një traditë tipike shqiptare. Gjatë rrugës karnavalistët sa më shumë lëvizin për me u dëgjuar sa më fuqishëm kumbonat për të lajmëruar se e përcollëm, pra e dëbojmë dimrin stinën e kaosit dhe lajmërimin se erdh pranvera. Pra Pranvera është stinë e përtëritjes, stinë e pjellorisë, stinë e gjallërisë. Pra dëbimin e të keqes, dëbimin e shpirtrave të këqij, dhe hapje rrugë për të mirën, të një jete të re, ku gjallëron populli e natyra, bilbilat kudo këndojnë, buqit lërojnë e mbjellin të lashtat, shpezët shtegtare kthehen në folet e të parëve, që është një mesazh i fuqishëm edhe për diasporën tonë, e të tjera.
Karnavalistët janë futur në çdo shtëpi apo lëmë të çdo shtëpie dhe aty kanë kënduar djalin e fejuar, që e kanë në kurbet, ushtar dhe këngë beqarie e të tjera. Kurse zonjat e shtëpisë për këtë ditë kanë treguar një solidaritet të jashtëzakonshëm, kanë ndarë kafshatën e fëmijëve që të mos dalin duar bosh karnavalistët nga pragu i shtëpisë, ato ju dhurojnë: mish, pastërma, fasule, miell, vezë, tëlyen, sheqer e shumë rrallë para. Pra një traditë e moçme e jona. Me këto produkte ushqimore për në mbrëmje kanë përgatitur në një shtëpi ushqim, ku kanë hëngër bukë, kanë kënduar dhe ushqimin që ka tepruar, jua kanë ndarë atyre anëtarëve që kanë pasur nevojë më shumë, ose ju kanë dhuruar te disa familje më në nevojë. Pikërisht, nëpërmjet këtij manifestimi të Karnavaleve Ilire gjejmë të gjitha këto elemente të lartpërmendura: Bashkëpunimin, tolerancën, solidarizimin, dinjitetin dhe sakrificën, virtyt të popullit tonë shqiptarë.
Frutë i këtij karnavali jeni Ju sot këtu, janë ata që do na ndjekin nëpërmjet mediumeve, janë këta të rinjtë e këta të reja që prezantojnë e na sjellin copëza jete nga rrënjët tona Iliro-Pellazge dhe se jemi autokton në këto troje.
Të dashur vëllezër e motra, këto maska të ndryshme, të cilat i shihni sot në fytyrat e këtyre djemve të rinj, e vajzave të reja s’ janë importim, apo huazuar nga popujt e tjerë, s’janë as të rrezikshme e të dëmshme për askënd, as nuk i bëjnë keq askujt, as popujve të tjerë e aq më pak fesë, pra nuk nxitin urrejtje ndër fetare, e as ndërnacionale, sepse janë maska e veshmbathje nga e kaluara jonë dhe veshmbathjet tona kombëtare dhe, nëpërmjet tyre, shpalosim kulturën tonë, lashtësinë tonë, humorin dhe ritet tona, që sot e kësaj dite i gjen gjithandej trojeve tona, pikërisht nëpër dasma e ahengje e në veçanti natën e kënasë – vajzat që përgatiten për nusëri: Pra, ca vajza vishen dhe maskohen për të imituar vjehrrin, vjehrrën, kunetërit, hallat apo tezet e vajzës që shkon nuse.
Këta nuse e këta vajza të gjinisë femërore që i shihni në këtë karnaval, kurrë s’kanë qenë traditë e këtij manifestimi, por ne këto i kemi futur qëllimisht si pjesë e këtij manifestimi nga viti 2016, me këtë arsyetim: telehisja e nuseve si një traditë dhe pasuri e jona e trashëgimisë shpirtërore e kulturore edhe pse është praktikuar deri në fund të shekullit XX dhe më s’praktikohet, për mos me u zhdukur e me i kaluar harresës, qëllimisht e kemi futur si pjesë e këtij manifestimi.
Këta festa rezistuan me shumë vështirësi pa u mposhtur plotësisht nga pushtuesit e pamëshirshëm dhe propagandës së tyre për t’ju dhënë karakter fetar e përçarës, që edhe sot e kësaj dite s’pushojnë.
Të duam traditat kulturore si ajrin, ta duam gjuhën si dritën e syve, ta duam shkollimin si dritën e diellit, ta duam kombin dhe atdheun si zemra gjakun!
Nga ky Shesh i lidhjes së Prizrenit, ju bëjmë thirrje Qeverisë të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe Shqiptarëve në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut këtë manifestim ta shpallin festë kombëtare. Një vit të mbahet në Shqipëri, një vit në Kosovë dhe një vit në Maqedoninë Veriore.
Ju faleminderit që më dëgjuat!
Momente të këndshme ju dëshirojmë!
27 shtator 2024