27/12/2024

Mbrëmje e bukur letrare në Vjenë

0
Anton-Marku-Vjene5

Foto me Elona Beqirajn (Vjene, 19.05.2023)

Nga Anton Marku

Vjenë, 19 maj 2023: Në sallën e mbushur përplot të qendrës kulturore ‘‘Brunnenpassage” u mbajt një orë letrare në kuadër të projektit ‘‘Diaspora Blues”. Para publikut shqiptar dhe austriak me poezitë e tyre në gjuhën gjermane u prezantuan dy autorë të rinj, të lindur në Gjermani nga prindër shqiptarë nga Kosova, Elonë Beqiraj dhe Fatbardh Kqiku. Ky eveniment u organizua nga grupi ‘‘” nga Vjena në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Austriako-Kosovare ‘‘Alexander Moissi” nga Salzburgu dhe ‘‘Rosa Luxemburg Stiftung” , si dhe u mbështet nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Austri.

Në këtë lexim multimedial, këta dy autorë tejet interesant dhe kreativë folën për sfidat me të cilat përballen çdo ditë si të rinjtë shqiptarë të rritur në diasporë: për dashurinë dhe pikëllimin, identitetin e migrantit, feminizmin, identitetin seksual, racizmin dhe diskriminimin.

Elonë Beqiraj lexoi tekste nga libri i saj ,,Und wir kamen jeden Sommer” (“Dhe ne erdhëm çdo verë”) ndërsa Fatbardh Kqiku nga përmbledhja e tij me poezi ,,Zwischen den rissen‘‘ (‘‘Mes të çarave”), që të dy publikuar nga shtëpia botues re:sonar Verlag.

Nga tekstet e deklamuara u la të kuptohej se ata shkruajnë jo vetëm për vetën por edhe për vendet dhe njerëzit që duan. Me këtë ata krijojnë diçka të re, një kulturë të tretë. Që të dy studiojnë dhe janë aktivë në disa projekte dhe shoqata në Gjermani, që është atdheu i tyre i parë, por jo dhe e vetëm. Kosova është i dyti. Ata jetojnë mes dy identiteteve, atij shqiptar dhe gjerman të cilët, në shikim të parë, duket se e plotësojnë njëra-tjetrin, por në brendi të poezive të tyre e vërteta del të jetë pak më ndryshe. Ajo çfarë i tërheqë ata të shkruajnë për Kosovën janë tregimet e prindërve, historia, trashëgimia kulturore, doket dhe zakonet por edhe romantizmi për vendlindjen e të parëve të tyre, e herë-herë dhe iluzioni për të.

Në anën tjetër, të mos qenurit të pranuar plotësisht në shoqërinë gjermane shkakton trauma të cilat nuk tejkalohen lehtë. Duke qenë ‘‘jo-gjerman’’ ata janë konfrontuar me diskriminim që nga fëmijëria. Në këtë kontekst ata shkruajnë sidomos për stigmatizimin ndaj tyre në vendin ku janë lindur dhe rritur. Për ta problemet nisin që nga emrat që nuk janë tipikë gjerman.

Më pas lidhur me poezitë e lexuar foli Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, i cili, ndër të tjera tha; ‘‘Pasi lexuesi të njihet me biografitë dhe tekstet e këtyre dy autorëve, ai ballafaqohet doemos me pyetjen se si duhet dhe si mund të definohet diaspora – si hapësirë apo si komunitet. Një çështje tjetër, po aq e rëndësishme, që i  vjen në mendje është edhe ajo se çfarë është në të vërtetë letërsia. Ajo mund të jetë dialog me vetveten, pastaj komunikim dhe bashkëbisedim me të tjerët, me botën e jashtme. Por, ajo është më shumë se sa vetëm emocion, se sa vetëm ndjenjë, është dhe mesazh, revoltë, e në disa raste mund të jetë edhe mjet politik. Pothuajse të gjitha këto elemente janë të pranishme në tekstet e Elonës dhe të Fatbardhit”. Më tej ai shtoi se: ‘‘Në poezitë e këtyre autorëve kemi të bëjmë me një përpjekje të suksesshme për një krijuar një baraspeshë mes “këtu” – Gjermanisë, vendin ku ata kanë lindur  dhe “atje” – Kosovës, vendin e prindërve të tyre. Poezitë e tyre gjithashtu janë protestë shoqërore të cilat fuqizojnë migrantët në rezistencën e tyre ndaj paragjykimeve dhe padrejtësive”.

Mbrëmja u përmbyll me pyetje nga publiku dhe një koktej rasti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok