23/07/2024

NJË POEZI E SHKRUAR ME LOTË

0

Nga Timo Mërkuri

Qysh në titull poezia “Nuk ma mësove këtë ikje”e poetes të shkakton një ankth e mehje fryme, pse për diçka të dhimbëshme të paralajmëron,  një “ikje” për të cilën poetja nuk ishte e pregatitur. Më duhej të lexoja një shkrim të Iliriana Sulkuqit që të mësoja se kjo “ikje” paskësh qënë gjëmë më vete, nga ato për të cilat populli vajton: “Më zu mali ndënë vete”, paskësh qënë një ngricë dimri në prag të pranverës që ngrin këngët e zogjve dhe than petalet e luleve. Ishte “ikja e vajzës së vetme në prag të nusërimit” lexova te shkrimi i Iliriana Sulkuqit dhe mua befas mu duk sikur dikush më goditi me tokmak në kokë dhe vargjet e poezisë mu shndruan në një tekst ligjërimi dhe zanoret e fundvargjeve mu shndruan në një oi oi.

Ju them se në ligjërimet mortore për fëmijën që “ikën” nëna qëndis në tekst metaforat më fantastike për portretizimin e të mirit të saj, ikur pa radhë, por kur “ikja” bëhet nga vajza dhe ca më tepër kur ajo është në prag martese teksti është ngjethës dhe i bashkuar me vijën vajtimore të krijon  një ambient që ska burrë nëne që e duron, ndaj ata largohen sypërlotur e me ngulçe në grykë. Sa për vajzat dhe djemtë bashkëmoshatarë, ata  i detyrojnë të largohen që të mos jetojnë dhe përjetojnë situatën dramatike. Vetëm nënat janë të zonjat të mbajnë mbi shpirt këtë “mal” dhimbjeje, madje dhe ta “gdhëndin” atë në art. Sigurisht që në këtë “mbajtje” dhe “gdhëndje” nënat nuk janë vetëm, pasi nënat shqiptare nuk vajtojnë asnjëherë vetëm qofshin ato të krahinës së toskërisë apo të gegërisë.

Te kjo poezi e Miradie Maliqit kemi disa specifika: së pari nuk është “art gojor”, por është një art i kultivuar, është një poezi, madje poezi moderne pavarësisht nga pesha e dhimbjes që ajo mbart, madje e parë në këtë këndvështrim ajo përmban “substancën” e një teksti ligjërues. Zanoret janë lotë, fjalët janë dhimbje dhe vargjet janë klithma. Së dyti kjo poezi nuk është me tekst të traditës mortore por është “art modern” i “mbjellur” në truallin e traditës, dhe së treti poetja nuk portretizon bijën e ikur por skicon “anatominë” e jetës së saj pas ikjes së bijës. Shikojeni mënyrën tronditëse të shprehjes së poetes: “Unë frymoj me buzëqeshjet e tua/Kur vjen koridoreve të kujtesës“, pra ajo jeton vetëm kur i kujtohet e bija, buzëqeshja e së cilës është e vetma rrugëfrymarjeje e saj.

Këndell mendimin me dritën e syve të tu./E shoh veten me vështrimin tënd”shkruan poetja duke paraqitur një ndjenjë përqendrimit dhe lidhjes së thellë emocionale midis saj dhe bijës të shprehur në imazhe të thella. Duke përdorur një lloj qasjeje “shoh veten me vështrimin tënd“, poetja jo vetëm bën që poezia të jetë thellësisht e ndjeshme dhe tërheqëse për lexuesin, por shfaq një gjëndje të përherëshshme sikur, kudo që shkon e bija e ndjek me shikimin e saj, madje poetja “etjen e mungesës e ndez me praninë tënde”, duke mos pranuar”ikjen” e saj. Më kujtohet një varg vajtimi i tim eti për tim vëlla kur i thoshte: “Dal e të kërkoj pazarit”, ja që poetja paskësh qënë më “me fat”, e shikonte çdo gjë nëpërmjet syve të së bijës. Duhet ta keshë provuar një dhimbje të tillë që ta ndjesh peshën e lemerishme të saj.

Cila nënë pranon ikjen e bijës së saj?  Poetja po të kishte Zotin pranë dhe atij do ti kërkonte llogari, ndaj vargun  “E i godas malet kur më thonë ke ikur“mos e mirni mirëfilli si një figurë artistike, ndonëse është një metaforë, por lexojeni si një shfrim shpirti, si një të vërtetë. Për këtë ju siguroj unë.

E vërteta është se si çdo nënë, poetja nuk e ka pas mësuar si realitet jete ikjen e bijës, dhe ca më tepër në prag martese, madje as ndër ëndrrat e saj  më të erëta nuk e ka parë, por ja që i duhet të mësohet si të jetojë:”Mësoj për ditë se si ta kuptoj jetën/me sy të lagur humnerave të netëve“ku metafora e syve të lagur humnerave të netëve shpreh me një forcë artistike mënyurën e re të jetës që do bëjë.

Metafora “arratisem me krahët e dashurisë tënde” tregon se dashuria është fuqia që poetja nënë përdor për të shpëtuar nga vuajtjet dhe ankthet e saj, pse vetëm kjo dashuri: “Mi hap portat e botës, më bën nënë më të mirë, nënë, më të fortë” është në gjendje të bëjë të ndjehet më e fuqishme dhe më e sigurtë në botë. Nuk është varg artistik, është varg real, konstatim real i forcës trasformuese të dhimbjes në jetën e atyre që e provuan atë,

Vargu i fundit “Me emrin tënd, bijë, fitoj, gjithçka pata humbur” tingëllon si një simfoni,  jo vetëm që tregon se bija është qendra e universit, por dhe shpresa se gjithçka që ka humbur në jetën e saj si nënë, ajo do arrijë ta fitojë përsëri.

Gjuha e poezisë është tepër emocionale dhe ngjall stuhi ndjenjash te lexuesi,  madje përmban shumë ndryshime në regjistrin gjuhësor.

Fjalet dhe shprehjet që përdoren në poezi janë të thjeshta por të zgjedhura me kujdes dhe me një qëllim të caktuar si “mungesë”, “vuajtje”, “ikje”, “dashuri” dhe “kujtim”për të “folur” emocionalisht dhe vendosja e tyre në varg të krijon idenë e një përzgjedhjeje të mundimëshme.

Sigurisht që do kisha preferuar të mos e kisha lexuar (më qartë të mos kishte ndodhur “ikja” që autorja të mos e shkruante) këtë poezi, por nuk mund të ri pa shprehur admirimin tim për forcën e saj shpirtërore, që si ari i shkrirë është derdhur në vargjet e kësaj poezie që të imoponon respect edhe për nivelin artistic me të cilin është realizuar.

Sarandë, më 09 maj 2023

NUK MA MËSOVE KËTË IKJE

Nga Miradie Maliqi

Unë frymoj me buzëqeshjet e tua

Kur vjen koridoreve të kujtesës.

Këndell mendimin me dritën e syve të tu.

E shoh veten me vështrimin tënd

Etjen e mungesës e ndez me praninë tënde

E i godas malet kur më thonë ke ikur.

Mësoj për ditë se si ta kuptoj jetën

me sy të lagur humnerave të netëve

Eh, kur vuajtja rrëmon, për toke më zvarrit,

arratisem me krahët e dashurisë tënde.

Sa herë në ëndrra më vjen plot gaz dhe e lumtur

Mi hap portat e botës, më bën nënë më të mirë, nënë,më të fortë.

Me emrin tënd,bijë,fitoj, gjithçka pata humbur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok