21/11/2024

(apo rrëfime satirike në dymbëdhjetë pjesë )

Nga Brahim AVDYLI

Alltan Mjekrra ia kishte formuar vetes bindjen se do të bëhej një nga pendat më të mëdha të vendit, edhe më gjërë.

Duke ia përsëritur një mendim të tillë vetes ai ngurronte të shqiptonte fjalën “gjenial”. Konsiderata e tij ishte se ai nuk bënte pjesë në grupin e njerëzve mendjemëdhenj, përtonte të ngrehë aureolat e glorifikimit të vet në kupë të qiellit. Fliste kundër këtyre “mediokriteteve”, të cilët i cilësonte si “karaktere të ulta”.

E sa u përket aftësive të tij për çdo gjë, ato i kishte rezultat të punës, të cilën, pothuajse asnjeri nuk kishte dalur t`ia shante. Përkundrazi. Të gjithë ia kishin ngritur në qiell, dorën në zemër, me plot meritë!…

2.

Qysh në bankat e shkollës së mesme, atëherë kur kishte filluar të shkruante, i pat rënë në sy se zotëronte përparësi të mëdha në krahasim me moshatarët e vet.

Kur fillohej ndonjë bisedë në shoqëri, vendoste këmbën mbi këmbë, duart i lëvarte në njëren anë, dhe me shuplaka të lidhura, i peshuar në bërrylin e djathtë mbi gju, përcillte me kujdes të folurit, duke përqëndruar një shiqim cinik mbi bashkëbiseduesit.

Atyre çasteve, vetëkuptohej nga të tjerët se qe e pamundur të mateshe me te. Andaj, doemos, duhej t`ia besonin zgjidhjen e problemit. Alltani mërrolej e fillonte të flasë ngadalë, duke mos dashur t`ua linte përshtypjen të tjerëve se po i bëhej qejfi për të dhënë personalisht përfundimet e bisedave të tilla.

– Njeriu i mençur, duhet të jetë i thjeshtë dhe i përmbajtur! – shtonte ndonjëherë.

Apo, në tjetrën herë, theksonte:

– E madhërishmja buron pikërisht nga thjeshtësia!..

Nuk dihej se prej ku i kishte ndëgjuar këto fjalë; ose prej cilës vepër i pat lexuar; nuk e dinte konkretisht ku i kishte parë; apo prej cilit person i kishte ndëgjuar, etj., por i përsëriste vazhdimisht, sikur të qenë fjalë të tij. Mjaftonte që të mos harrojë e të thoshte këto fraza, gjatë bisedave.

Kjo gjë ishte shumë me rëndësi!…

3.

Në studime, në një orë mësimi, profesori kishte folur për poezinë bashkëkohore të asaj kohe, dhe, duke dashur të bëjë një krahasim, pat kërkuar vargjet e tij. Derisa komentonte njërën nga strofat, Alltani qe ngritur dhe e kishte ndërprerë profesorin, duke ia shpjeguar domethënien e saj. Ishte fjala për mungesën e konkretes dhe abstrakten në artin e kohës, për pseudomodernen dhe shundin, për degradimin estetik të poezisë, etj.

– Pa shiko djalosh, ti vërtetë më befason!– i pat thënë profesori.

– Po përse, na thuani, shoku profesor ?!– e pat pyetur Alltani.

– Sepse, je i vetmi autor i gjeneratës sate që ka ditur të më thotë se çka ka dashur të thotë me vargjet e veta!?– i ishte përgjegjur ai.

Kjo gjë pat bërë bujë të madhe në rreth. Secili e merrte si mundej. Edhe Alltani e muar ashtu si më së miri i përshtatej. Më vonë kuptoj edhe faqe të tjera të aftësisë artistike apo të prirjes artistike. Kryesore, ndër to ishte aftësia e gjeturisë në jetë.

– Jeta është arti më i rëndë! -thoshte vetë. -Ate e luajnë të gjithë! Por, pak kush di ta bëjë jetën që të luaj artin e mësheftë të njeriut.

Kështu pra, Alltan Mjekrra nuk rreshtej së përpjekuri, që kjo jallane[1] të luante sipas ndjenjave të zhvilluara artistike të tij. Në këtë përpjekje, ai, pothuajse asnjëherë nuk u nda “i humbur”. Ende pa e kryer fakultetin u gjend në njëren nga redaksitë më të mëdha të ndërtesës, e cila na ishte ndërtesa më e lartë e kryeqytetit.

– Është i aftë dhe i ditur, prandaj po i ec! -thuhej në rreth.

– I ka ngjarë të atit – thoshin të tjerët. -Ende nuk është pjekur sa duhet, se do ta merrni vesh sa i zoti që do të bëhet!

Njëherë, u kap për fjalët, që të gjëjë pikërisht domethënien e tyre. Na u lidhë edhe për emrin e tij. Do të merrej në radhë të parë me konceptin e emrit, edhe pse do ta quanin disa “shpjegim etimologjik”.

Kur e merr që ta shpjegosh emrin “All-tan”, “All” është “Yll”, ndërsa “tan” është “i tanë”, pra e tëra, e përgjithshmja. E tëra, do të thoshte se ai ishte i artë, mbi të gjithë, pra “e veçanta” vendosej mbi “të përgjithshmen”.

Nuk ka dyshim, se kështu kishte kuptim “Ylli i artë”.

Ai qe Ylli më i Artë i Zonës!…

4.

Atij, kur i flisnin për të atin, sikur i vlonin ca gjëra të papëlqyera ndër mendime. Sado që nuk artikulloheshin, ato mendime i katarriseshin në “lojën artistike të jetës”, dhe ia ç`rendisnin rregullësinë krijuese. Babai i tij kishte qenë kohë të gjatë në “pupa”, apo të themi pak më letrarisht, kishte qenë i lartësive politike, i atyre lartësive ku shqyrtoheshin, jo fjalët e një shkrimi, por kokat e njerëzve. E ata shejtanët[2] e kabineteve të rrethit, si për “inat” të të atit, ia merrnin aq shumë kohën, me aq përkushtime artistike, sa kur ndahej prej tyre, meqë po i rëndohej shumë stomaku kafeneve të qytetit, nuk i mbetej tjetër pos që të shtrihej e ta merrte veten. I rëndë dukej, por do të fluturonte lartësive të mëdha!…

Kështu pra, me orë të tëra e izolonin nga arti, e detyronin që të merrej me sa “kështu”-të e sa “ashtu”-të e tyre. Ata “shejtanët” e lartë ia bënin këtë lojë me muaj të tërë, sepse ai, fatkeqësisht, ishte i vetmi prej tyre që vërtetë zotëronte shije artistike. Ata të lartit, nuk mateshin me njohuritë e tij ! Pastaj, tjetër gjë është që të jesh vetëm i zoti, e tjetër gjë të jesh vetë i zoti por bir i një babai edhe më i zoti.

– Po të ndodheshe atje lartë, në Komitet, -thoshte shpesh ndër ndeja -do të mësoje se si jetohet! Arti i shkrimit i prinë artit të jetës!…

Po si! Qëkur kishte filluar të shoqërohej me ta, vetëm një fjalë ia kishin shtuar në fjalorin e përditshmërisë. E atyre, mos pyet se sa!

Kjo fjalë qe fjala më e “padashur” për te. Ishte fjala “berber”. Shkaku i kësaj fjale të urryer, ai detyrohej të qëndronte orë të tëra mbi tryezën e punës, mbi letra. Mos mendoni se ai qethte koka njerëzish! Jo, jo, nuk i takonte atij kjo punë. Ai qethte vetëm ato që dilnin nga koka. I duhej të qethte mendime artikujsh, vargje, romane, faqe të tëra shkrimesh, mu sipas shijes së “këtij” apo “atij”. “Jo kjo nuk bën”, ose “kjo bën vetëm pa këte”, e të tjera gjëra të mundimshme…

Ky ishte një hall shumë i madh, të cilin jo shumë vetë, për të mos thënë fare pak njerëz në tërë atë rrethinë, mund ta bartnin mbi supe!

– Të kisha ndonjë zogëz për të qethur, do t`ia ndukja pedlat një nga një, – shprehej në bisedat intime. -Po çe do, qethë vetëm letra! I urrej letrat, për shpirt të nënës, i urrej! Po të kisha mundësi, zjarrin do t`ua fusnja!…

5.

I shkreti! Puna që po e kryente ishte “tragjikomedia” e tij. Nga erërat e rralla të lulëkuqeve të kreacionit, ai jetonte me kutërbimin frymënxënës të kozmetikës së ditës. Kishte vendosur që sa më parë që t`i ipej rasti të fluturonte përpara zigzakeve të jetës. Njohja e themeltë e fushës së vet do t`ia mundësonte një gjë të tillë…

– Çka mendoni për gjeneratat e reja, shoku Alltan? – e pyesnin në biseda intelektualësh të rangut të lartë.

– Këta poetët e rinj, më falni, mendoj se janë cipëplasur. Ngrihet burri i botës dhe boton një libër gjysmak. Bile, nevojitet kryetari i Komitetit të më telefonojë, të lutem (dhe të lutem shumë, se ndryshe nuk i ec !) lejo botimin e tij… Pastaj, burri i botës vrapon nga kafeneja në kafene, duke përgëdhelur krijesën e vet. Nëse guxon t`ia bësh një vërejtje, t`i nxjerrë sytë si laraska bre vëlla! Ne po lëmë në pluhur dhjetra dorëshkrime, pa i shfletuar fare, e këtyre tipave ua botojmë! Nuk guxuake as t`ua citosh vargjet?!… Shikoni, poezia ka kërkesa të mëdha. Akti i krijimit është një proces i koklavitur. Kultura, së cilës i shërben arti, është një medium ku të paktë e vrasin shenjën… Këta karkalecë të rinj, kam vërejtur se edhe poezitë i shkruajnë në tym, pa ndonjë strategji të posaçme. Brezi ynë ndodhet padyshim në piedestal të artit. Ky brez e ka zënë vendin në majat e kulturës sonë. Ai e barazon veten me simotrat e veta në Evropë, e më gjërë…! – vlerësonte ai, me stilin e tij të njohur dhe sinçeritetin prej personi kompetent.

Dihet, kompetenca është e qartë, ajo shkrihet mbi gjenerata e kohën e tij. Alltan Mjekrra notonte nëpër njerëz, sikur në det!

Pushteti peshon mbi ta!…

6.

Ky kolos i artit, pretendonte majat ndërkombëtare të dijes. Ndonjëherë shihte në ëndërr se po merrte çmimin Nobel. Si njeri modest që ishte, e ndrydhte thellë këtë ndjenjë, duke iu arsyetuar vetes se një gjë të tillë mund të ëndërronte vetëm pasi të ketë përfunduar epopenë e vet romaneske. Ky ishte një projekt gjenial, një seri e tërë romanesh, të cilat ai po i skiconte në mendje, ndër vite të tëra.

Nga dita në ditë, paraftyrimeve të veta për këtë vepër epokale, po ia shtonte edhe vërejtjet plotësuese si dhe ndryshimet eventuale të kapitujve. Në kokën e tij gradualisht, lëmshi i një vepre të tillë u bë më i gjërë se romanet e Tolstojit. Natyrisht thellësia psikologjike e personazheve, mund të krahasohej me vet thellësinë e Dostojevskit, si autor i tejkaluar. Merreni me mend, asnjë autor në botë, nuk e kishte detalizuar në kokë tërë veprën e vet para se ta shkruante. Prandaj askujt nuk i kishte kushtuar kaq shumë mund, kaq shkrirje të fantazisë, siç po i kushtonte shokut Alltan.

Paraftyronte që të realizojë 12 volume me të njëjtin titull. Në të vërtetë, aty përfshiheshin 12 fushat e veprimtarisë njerëzore dhe 12 gjenerata jetërash. Autorët e veprave më të mëdha gjer më tani kishin ndërtuar jo më shumë se 30 personazhe. Ndërsa Alltan Mjekrrës i nevojiteshin kaq personazhe sa kishte Nju-Jorku banorë.

Natyrisht, kapaciteti i tij mental kishte vend për të gjitha këto!…

7.

Sa herë e gjënin në zyrë duke menduar, i mbështetur për fotele, me duart e lidhura pas koke dhe këmbët mbi tavolinën e punës, askush nuk guxonte t`i flasë. Ishte e ditur se ç`bluante në kokë, se ç`halle kishte në ato çasteve. Ndonjëherë nuk ngurronte, për shembull, të thoshte vetë:

-Mos më shqetësoni ju lutem, jam në faqen treqind e pesëdhjetë e katër të volumit të katërt! – (para dy vitesh). Ose:

-Jam në faqen treqind e tridhjetë e dy të volumit të dhjetë! – (këtë vit).

Gjë shumë gjeniale, apo jo?!…

I vetmi përjashtim në këtë projekt mbetej se faqet e epopesë nuk viheshin akoma në letër. Ato nuk shkruheshin askund, pos në mikroprocesorin e mendjes së tij madhore.

-Mikroprocesor…?! – ai e urrente këtë fjalë.

-Kompjuteri është një vogëlsirë ore vëllezër! -thoshte ai.

-Vetë fjala “mikro” do të thotë “i vogël”. Nuk mund të matet me fuqinë e mendjes njerëzore, mikroprocesori i një makine! Jo, jo! Gabojnë shkencëtarët, më besoni !

Pa dyshim, të gjithë i besonin. Sepse, tek e fundit, po të mos kishte qenë i besueshëm, nuk do të ndodhej në një pozitë të tillë…

8.

Aq të mëdha sa i kishte problemet e veta me projektin madhështor, Alltan Mjekrra, u dual problem i madh “të mëdhenjëve”, atyre të Komitetit Qendror. Sa herë e gjënin me këmbët mbi tavolinë, detyroheshin t`ia gjenin një vend të ri pune. Për inat, zyret e reja i ndodheshin secilën herë e më lartë, një kat më sipër në pallatin e shtypit. Edhe pse një ditë arriti në majat e pallatit, ndihej ende i pa kënaqur. Sa për raportet që duhej të shkruante, redakturat, e të tjera, kjo i qe bërë një punë shumë e lehtë. Ai, edhe ashtu, e njihte thelbësisht artin. Pastaj, këshillat e sygjerimet e shumta nga “lart” e nga “poshtë” nuk i mungonin kurrë. Fundi i fundit, nuk priste karierë më të lartë në atë ndërtesë. Jo pse katet e ndërtesës kishin përfunduar, po sepse, natyrisht, nuk ishte karierist. Këshillat e tija, edhe ashtu, ndëgjoheshin në të gjitha redaksitë.

De fakto, ai ishte i vetmi person që mund të ndërronte tërë kuadrin redaksioral dhe gazetaresk në shtëpinë e lartë. Ndikimi i gjenialitetit të tij mbërrinte gjer në majat e pushtetit. E njihnin dhe e nderonin të gjithë për diturinë dhe aftësinë e pashteruar.

Pastaj, të flasim hapur: a nuk ishte Alltan Mjekrra ai, që të shumtën, ua shkruante referatet e konferencave; që ua shtjellonte shkresat e simpoziumeve partiake, atyre të Komitetit; e sa të tjera?!…

Kësisojit, e donin dhe e nderonin të gjithë! Nuk e kishin të lehtë t`ia prishnin fjalën, as kur flitej për instancat më të larta…

9.

Ajo që po e shqetësonte kohët e fundit, ishte diçka tjetër. Ne, këtë po e shohim. Në provincë po eskalonin ca turbullira të mëdha, ca lëvizje të një pjese të mashtruar të rinisë, e cila po manipulohej nga disa grupacione irredentiste, nacionaliste e separatiste, të cilat pushteti i quante “grupe të organizuara armiqësore”. Këto grupe po shtoheshin si fara e hithrave dhe po i nxirrnin atij mjaft telashe.

Krimbi i veprimeve të tilla armiqësore e të indoktrinuara ishte futur aq thellë ndër punëtorët e arësimit e të kulturës, sa që puna ditore, atij, po i rëndohej. Këto mikrobe të ndyera po e kërcënonin godinën madhore të socializmit vetqeverisës e të vëllazërim-bashkimit të popujve. Pikërisht, shoku Alltan, me disa kolegë të tjerë, duhej që të stimulonin frymën e mirëfilltë të punës politike. Duhet që të ndikonin në radhë të parë gazetat, që të kishin komente të thukta kundër armiqëve të brendshëm, e pastaj të tjerat punë vinin varg e vi. Më konkretisht të themi, duhej që të organizohej puna, që shtypi zyrtar dhe organet e tjera të pushtetit t`i dërmonin publikisht këta pizivengë, që kishin guxuar të ngrisnin kokën.

Ndër të tjera, një punë qe kryesore të kryhej: duhej eliminuar disa të ashtuquajtur “krijues” të mërguar përkohësisht jashta vendit, posaçërisht ata nga Zvicra, ku thuhej se vepronte shtabi i nacionalizmit. Jo, shtabi i nacionalizmit ishte ilegal, i mbrendshëm, dhe bile nga Shqipëria, por një pjesë gjysmë-legale të këtij shtabi po e infektonte nga Zvicra, sidomos rrymat e caktuara të rinisë patriotike socialiste-vetqeverisëse.

Këtë infektim po e sillnin pikërisht të infektuarit e përkohshëm! Ndaj, duhej bërë çmos për ta parandaluar indoktrinimin e mëtutjeshëm!

Në fakt, detyra e tij qe një detyrë mjaft delikate. Nga dora e tij varej shumë. Në radhë të parë varej se çfarë gjellë shpirtërore do të hanin dhjetra gjenerata të vendit të tij. Mos e bëj o Zot të përsëriteshin e të eskalonin edhe më tepër këto farë demostratash, se do të fundosej çdo gjë, madje të gjitha të arriturat, e të gjitha përpjekjet e tij!

Ai kishte frigë se nuk do të përfundonte as epopenë romaneske! Për një vepër të tillë kolosale duhej kohë e mjaftuar dhe rrethana më të qeta, madje shumë më të qeta!! Atij i duhej një atmosferë e përshtatshme dhe një egzistencë e palëkundur, që të përfundonte këtë epope romaneske.

Këto turbullira studentore të kryeqytetit, po ia ngatërronin atij të gjitha planet. Ndonëse i donte shumë studentët, (edhe pse vetë kishte mbetur një student i përjetshëm !) i dukej se gjeneratat e reja studentore ishin lazdruar tepër; shkelnin pakujdesisht e padrejtësisht mbi të arriturat e mëdha të socializmit; shkelnin mbi rezultatet e përgjakshme të luftës nacional-çlirimtare dhe të revolucionit popullor; e kthenin kohën, syrin, veshin, e gjuhën e masave të indoktrinuara, në anën e kundërt me interesat e popullit. Me një fjalë, i dukej se rinia ishte çmendur!

Nga kjo çmenduri më së keqi e pësonte epopeja e tij. Tash, në vend se të paraftyronte përditë nga një fletë të re, atij i duhej të bënte çdo ditë nga një revidim, të ndryshonte planin shtjellues të veprës. Kështu që vepra arriti dikund në 10546 faqe. E një vepër kaq voluminoze, kush mund t`a shkruante, ore vëlla!?…

Kush e di, ndoshta një ditë, Alltan Mjekrra do ta shkruante edhe këtë epope romaneske! Sigurisht, në një ditë më të qetë!…

10.

U bë si u bë, erdhën kohëra të reja dhe Alltani filloi të ndryshojë. Shikoni, ata që kanë lindur me fat, fati u ec edhe në disa rrethana të jashtëzakonshme! Paj, të jashtëzakonshmit kanë fat të jashtëzakonshëm, prandaj edhe në rrethana të pazakonshme u ec puna atyre. Nëse nuk u shkon aq mirë, ata mund të ndërrojnë kursin e tyre. Mund të bëjnë aso adaptimesh, sa nuk ta merr mendja. Adaptimet e përsoshmërisë i vërteton edhe teoria e Darvinit. E nuk ka këtu asgjë të keqe! Nëse ujku e ndërron qimen, po le ta ndërrojë ore! Kryesorja është që ujku të mbetet ujk. Ujk e shkuar ujkut, a kuptoni?!…

Kjo teori vlenë edhe për pushtetin, për pushtetarët. Kur pllakosin rreziqe të pazakonshme, më së miri u ndihmon evolucioni. Populli thotë, frigohu vetë sa nuk të kanë friguar të tjerët. Pushteti i popullit, natyrisht, duhet të shfrytëzojë edhe filozofinë e popullit.

Në këto evoluime të mëdha, ku duhej investuar koka më e sigurtë e vendit, shoku Alltan hasi në mirëkuptim të plotë të të gjithë kolosëve, dhe kaloi nga pallati i shtypit në shtëpinë më të rëndësishme të ditës, në Radiotelevion. Të udhëheqësh këtë pallat edhe më “të lartë” të pushtetit popullor, atë shtëpi në qendër të vemendjes së popullit (e cila, si pikë topografike, ishte në qendër të qytetit!), qe një kohë mjaft e rëndësishme, kur kjo shtëpi duhej të përcillte paralelisht ndryshimet e mëdha evolucionare të pushtetit socialist-vetqeverisës dhe vlimet e përgjakshme të ca bijve të çoroditur të poullit. E-vo-lu-ci-o-net, ishin të parat!

Natyrisht! Kjo qe detyra e tij më e rëndësishme!

Para ekranit shkruheshin faqet më të rëndësishme të vitit, muajve, javës, ditës, orës, minutës. Populli kishte ngulitur sytë thellë e kërkonte pjellën e vet, përcillte fatin e vet, pafatin e vet, dhe çdo gjë që lidhej me to.

Këtu që gjasat më të mira ishin për Alltan Mjekrrën! U vendos në mes të dy brigjeve. Pikërisht, te ngushtica! Nëpër këtë unazë duhej të kalonte peshku më i madh! Edhe ngjala, e edhe peshku! Po deshën që të kalojnë, mund ta bënin këte gjë, por jo pa u konsulltuar mirë e mirë me Alltanin, mjekrra e të cilit i ngjante tashmë vetë mjekrrës së Posejdonit.

Më falni! Gabova! Desha që të them “Darvinit”!

Në këtë ngushticë përplaseshin të gjitha valët, investimet, kontributet, etj. Po përplaseshin ato të pushtetit, por edhe ato të miletit[3]. Prandaj shoku Alltan kishte filluar të mos quhet më “shok”. Çka i duhej atij ore vëlla fjala “shok”? Me kë të ishte “shok”? Me kënd, pashë Zotin? Ai kishte lindur zotëri, madje zotëri i vërtetë. Shkurt ZOT! Zoti Mjekrra!…

11.

Zoti Mjekrra një ditë dual vetë në fushëbetejë. Ky ishte kulminacioni i epopesë së tij artistike! Pëveç këshillimeve profesionale të tij, të cilave duhej që t`i bindeshin sa ish-funskionarët më të mëdhenj, edhe disa gjysmë-ish funksionarë, që tani po angazhoheshin në kryerole, ai, kllap-kllup e hapi edhe Arenën. Arenën më të guximshme televizive!

Në arenën e tij gjeniale, detyra kryesore ishte të hiqej rroli dominant i dominueses dhe të shpërpjestohej dominuesja në tridhjetë komponenta, por të mbetej përsësi dhe kudo dominante.

Kjo gjë ishte gjenialiteti i veçantë i tij. Këtë strukturalizëm të përsosur askush nuk mund t`a zhvillonte, si në prapavijë, aq në vijën e zjarrit, më mirë se zoti Mjekrra. Dihet, përvoja e gjatë, talenti i rrallë, gjenealogjia e përkryer, dhe mjaft komponenta tjera të pazbuluara, e bënin ate të pazëvendësueshëm. Kryeylli ishte i pari i rrotullimeve! Kur shtrohet në tryezë projekti i tij romanesk, me tërë at strukturë të komplikuar, kuptohet se kjo detyrë mund t`i takonte vetëm atij.

Ishte ai që shkruante aq shumë, por që të gjitha mbesnin sekrete të ëmbëla e të pazbuluara, mrekulli të mbuluara me kujdes, të cilat vetëm Zoti mund t`a dijë se kur do t`i dalin botës përpara syve.

Në shenjë të kësaj, zoti Mjekrra duhej përgaditur për udhëtime të largëta, të rëndësishme, tejet të rëndësishme, për të ardhmen e brezit të tij, brez ky që po merrte tani pothuaj të gjithë frenat e fatit e të fatkeqësisë nëpër duar. Jo rastësisht, një ditë pllakosi në selinë e OKB-së, me gjithë stomakun e tij tejet të rënduar nga ish-hallet dhe hallet e reja të provincës. Princi ynë, nëse nuk është ofendim ta quajmë vetëm princ, takoj aty princër, mbretër të fatit e të pafatit të tërë botës, me mjekrra edhe më të mëdha se të tij, u besatua se do të zbatonte kurdoherë e me përpikëri platformën e integrimit të botës lindore dhe asaj perëndimore, të botës me provinca të coptuara dhe të shteteve të bashkuara, të botës së restauruar dhe të asaj që po restaurohej. U besatua se do të bënte çmos për të realizuar idealet e tij të shenjta. Ato ishin të atilla, si bota ore!…

Pastaj, dual i regjeneruar para mërgimtarëve të tij nëpër botë, u tregoi atyre hallet e mëdha të privatizimit, edhe të shtëpisë më të rëndësishme- Radiotelevizionit. Pa një e pa dy, i mblodhi nja dy-tre milion Marka të Gjermanit, dhe u kthye drejtë e në Jugobankë.

Aty përfundoi e tërë krajata e këtij gjysmë-shekulli. Një ditë thanë se u zhdukën të gjitha fijet e Mjekrrës së tij dhe bullushtrat e Gjermanit. Por, besoni, pak kush e zë në besë. Të gjithë thonë, nuk ka si Alltani! Në kohën e vjetër dhe në kohën e re. Si të duani!…

A i kishte dhënë të hollat apo nuk i kishte dhënë populli i tij, kjo nuk ka rëndësi për këtë punë! Populli i tij nuk kishte mjekërr, sepse e kishin rruar e rregulluar me kohë! Fije e për fije ia kishin rregulluar fytyrën.

Do të paraqiten edhe në partitë e reja, pa ç`e do ti? Kështu e ka puna!

Meduza paraqitej kohë të gjatë nëpër shekuj! Gjapërinjtë e vegjël të flokëve të saj do të rriteshin, sa të pickonin kokat e njerëzve të tjerë!…

12.

Post skriptum! Lajme të reja!

Zoti Alltan paska shëtitur ca muaj nëpër Amerikë, ku thonë se i ka mbajtur ligjëratat më të sukseshme mbi demokracinë në Universitetin Haward. Thonë gjithashtu se ka biseduar gju më gju me Gjorgj Bushin. Nuk bëhet e njohur se a ka patur kontakte të reja me CIA-n apo FBI-në, porse bëhet e ditur se ka mbërritur shëndosh e mirë në Alpet Zvicrane. Këtu paska vendosur të vizitojë vendin e shenjtë ku Tomas Mani i ka shkruar romanet e tij, pa harruar vendin ku Andre Zhidi ka shkruar faqet e romanit gjenial, “Prerësit e parave të rreme”.

Të dhënat më të sigurta bëjnë të ditur se nuk është fjala për “para të rreme”, por për “para të zhdukura”.

Sidoqoftë, shteti më demokratik e më humanitar në botë, Zvicra, ka vendosur të tregojë mirëkuptim të plotë ndaj këtij kolosi. Përkundër 20.000 azilantëve të përjashtuar nga ky shtet, dhe më tepër se 3000 vizave vjetore të cilat ua kanë prishur vendasve të tjerë, zotit Mjekrra ka vendosur që t`ia njohë të drejtën e strehimit të plotë politik.

Kjo është me vend! Gjithë jetën ai është ushqyer me politikë!…

Sigurisht, atij ia njohën edhe të drejtën e parevokueshme për t`a lëshuar mjekrrën. Madje, edhe në rast se i bëhet pak më gjatë se mjekrra e Darvinit!…

-Filluar në Morinë, më 1985, e plotësuar, në Kronbühl, me 1994.

-Botohet, për herë të parë!

Shpjegimet në fund të tregimit, që e plotësojnë ate:

– Ky tregim është filluar në Morinë me “Panasonic-Writer”(Vraiter, anglisht), më i vogël se sa të gjithë PC-të, por më të përshtatshëm për vepra e për ta dërguar në atdhe. Ai e kishte të bashkuara ekranin dhe bazën. Nuk lidhej fare me internet. Ishte blerë në Zvicër dhe ishte i dërguar në Morinë, e të lënë atje, më 1983.

Tregimin e filluar dhe të përfunduar këtu, e kisha marrë me vete. Ai, më vonë është rishkruar e ridaktilografuar, madje disa herë i korigjuar.

Në vendlindje më ishte zhdukur “Panasonic-Writer” nga shtëpia, me të gjitha disketat e vogla të disa veprave. Asnjëri nga familjarët nuk e thonin të vërtetën për “zhdukjen” e tyre. Unë e kisha shënuar në bllokun e xhepit numrin e regjistrimit, që më parë. Përpiqesha më vonë a mos po e shoh ndokund, por Jugosllavinë nuk e asistoja mirë, d.m.th. se nuk guxoja mirë. Dokumentet origjinale ishin “zhdukur” bashkë me te. Pa dokumente origjinale të blerjes së tij nuk kishte mundësi që ta kalojë doganën jugosllave. E mbaja mirë në mendje, sepse kisha paguar më shumë se sa duhet në doganë.

Çuditërisht, duke dashur të blejë një biletë udhëtimi nga Zvicra, shkova në një zyre udhëtimesh, në Schlieren/ZH. Në atë agjensi, jo vetën se e pashë prototipin e Alltan Mjekrrës, që ishte bërë “bos” në atë agjensi, por shkruante në “Panasonic-Writer”. Ky ishte senzacioni më i madh, që e kam parë!

Jo vetëm se ishte ngritur me gazetat e revistat që i mbanëte, por edhe me agjensi udhëtimesh. Kur e pashë atë “Panasonic-Writer” para tij, e nxora bllokun nga xhepi dhe ia shikova numrat e regjistrimit. Ishte i imi!…

Nuk kisha çka të bëj tjetër, as për veprat e filluara apo të shkruara, të cilat, i kisha lënë në Morinë, në një sirtar të vitrinës sime (Shikone fotografinë time, këtu! Ajo është vitrina!) por u detyrova t`i them Alltan Mjekrrës se nga Prishtina e kishte marrur në kufi të Shqipërisë. Me sa veta kishte shkuar atje, madje edhe me njërin nga lagjja e dajëve të mi, nuk luante rol. Por, derisa të mi kthejë Panasonic-Writer dhe disketat e vogla, me njëmijë kërkimfalje, borgjet do të mbeteshin të palara, as kurrë nuk do të mund të laheshin prej tij!

Alltan Mjekra deklaroi në sy të të gjithëve, se Panasonic-Writerin e kishte blerë në treg të Gjakovës dhe mjaft lirë. Sa për disketa, asnjë nuk i kishte marrë! Kjo ishte një gënjeshtër e kulluar, sepse më kishte thënë një prej dajëve të mi, se N.N.H. kishte shkuar bashkë me disa “shokë”, prej Prishtine. Por, nuk e dija se kush kishte shkuar me te! Mirëpo, kur e tha se nuk kishte “marrë disketa”, unë e kuptova se ai nuk e kishte “blerë në Gjakovë”, por e kishte marrë në shtëpi…

Më vonë, më tregoi se si kishte shpëtuar me një plumb në bark, si duket nëpër Cyrih (Zürich) dhe nuk e dinte se çfarë “kusuresh” i kishte larë para Zotit.

E unë i thashë, para Zotit e miqve të tij, me dorë në zemër, se deri tani nuk kam pasë asnjë informim për të ndodhurat e tij. Panasonic-Writer, disketat e vogla, e shkrimet e “humbura” (kush e di se ku i kanë dërguar ata!), nuk do t`ia falë asnjëherë, as atij e as pushtetit antipopullor ish-jugosllavist!…

Ke qenë lart në Kosovë, por as në Zvicër nuk je poshtë! Dije, më tepër ka vlerë njeriu i mirë, se sa lartësia!…

(P.S.: Këto shënime janë nxjerrë edhe nga vepra, me titullin e punës, “Autobiografia ime”…)

@ B.A.M

[1] Fjalë e gjuhëve të huaja të Lindjes, që patën ardhur me pushtim, p.sh. Irani, e cila përdoret ironkisht, e cila është koha e të jetuarit, me valët e saja.

[2] Turqisht, djajtë.

[3] Mileti, turqisht, do të thotë popull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok