MASHTRIMI I “KONFLIKTI TË NGRIRË” ME SERBINË DHE MODELI I DOMBASIT?…
*Aspekti historik, diplomatik dhe politik i një prapaskene kundër shtetit të Kosovës, që siç u pa këto ditë me aksionin terrorist në Veri mbetet veprim aktiv i politikës së Beogradit në përputhje edhe me interesat e Rusisë për ruajtjen e sferave të interesit në rajon…
Nga Jusuf BUXHOVI
1.Aspekti historik:
Nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” me Serbinë. Ky është vetëm një konstrukt mashtrues, që si metaforë (“krushqit e ngrirë” në vend të “krushqve të masakruar”), sa nga konceptet ideologjike, sa nga mosnjohja e historisë, së fundi, ka depërtuar edhe në politikën shqiptare.
Por, nga aspekti historik, e vërteta është ndryshe, ngaqë pikëpjekjet midis shqiptarëve dhe sllavëve, që si serbë shfaqen vetëm në shekullin nëntëmbëdhjetë kur identiteti fetar ortodoks do të kthehet në atë nacional, janë lufta pushtuese të tyre për hapësirë, me pasoja të rënda për qenien shoqërore, kulturore dhe politike të shqiptarëve, të përcjella me etnocide, kulturocide dhe gjenocide të vazhdueshme dhe tragjedi, që siç ua pa edhe këto ditë me sulmin terrorist serb në Veri, mbesin veprime aktive të politikës hegjemoniste të Beogradit në përputhje edhe me interesat e Rusisë për ruajtjen e sferave të interesit në rajon.
Mbi këtë platformë që u mbështet në “Naçertanjen” e Garashaninit të vitit 1844, janë të njohura veprimet pushtuese të Serbisë ndaj etnisë shqiptare edhe pasi që shqiptarët ia dolën të shpallin shtetin e tyre të pavarur, që Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, në vitin 1913 e njohu si të përgjysmuar. Krahas rrezikimit të vazhdueshëm të shtetit shqiptar, Beogradi, bëri çmos, që me anën e dhunës shtetërore dhe programeve të vazhdueshme (kolonizimit, shpërnguljeve dhe terrorit policor-ushtarak), ta rrënojë qenien etnike dhe atë fizike të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Roli i kishës ortodokse serbe në këtë strategji ishte përherë i madh: frymëzues në planin shpirtëror, dhe mobilizues në planin ushtarak. Në luftërat pushtuese (ato të vitit 1878, 1912, 1919 dhe 1999), të përcjella me gjenocide, Klerikët ortodoksë jo vetëm që i bekuan armët dhe njësitë paramilitare, por njëherësh, shumë nga objektet e kultit i kthyen në depo armësh si dhe qendra logjistike të armatës serbe. Gjatë shpërthimit të luftës pushtuese serbe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në vitet 1991-1999, shërbimet informative perëndimore siguruan shumë dëshmi për këto veprime. Çështje e diskutueshme mbetet pse në Gjykatën e Hagës, krahas Millosheviqit dhe shpurës së tij politike-ushtarake, nuk u gjenden edhe klerikët ortodoksë serbë që frymëzuan dhe ndihmuan drejtpërdrejtë gjenocidet serbe në hapësirat e ish Jugosllavisë? Natyrisht, po të ishte përfshirë në Gjykatën e Hagës edhe ky aspekt, me siguri se nuk do ta kishim Pakon e Ahtisarit në formën që u aprovua me ç’rast Kishës Ortodokse Serbe iu njoh e drejta e trashëgimisë së krishterimit ortodoks në Kosovë bashkë me objektet e kultit (manastiri i Graçanicës, i Deçanit, Pejës, Deviqit, Prizrenit dhe të tjera), trashëgimi kjo që ia pranon “tapitë shpirtërore” Serbisë në Kosovë, të cilat shtetin e Kosovës e zhveshin nga trashëgimia shpirtërore dhe historike. Ndërsa, siç u pa edhe në rastin e Banjës, atë e kthejnë në një qendre të logjistikës terroriste!
2.Aspekti diplomatik:
Edhe nga aspekti diplomatik, nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, pos një luftë të përhershme të diplomacisë serbe, të përkrahur nga ajo ruse po edhe disa vendeve evropiane (pa përjashtuar edhe atë austro-hungareze e fokusuar te interesat e saj që sllavët e jugut të ruanin përkatësinë perëndimore), që ashtuquajturës “të drejtë historike”, të falsifikuar shumanshëm gjoja me shtetin mesjetar serb, që nuk ka ekzistuar kurrë, t’i krijohet “alibia” diplomatike si mjet për realizimin e këtyre qëllimeve. Kjo është parë qysh nga Kriza Lindore e vitit 1867, kur Rusia cariste pasi që në Paqen e Parisit të vitit 1856, fitoi të drejtën për mbikëqyrje ndaj ortodoksëve të Ballkanit, vuri në lëvizje diplomacinë e saj në shërbim të këtyre qëllimeve. Të tilla ishin nismat për dërgimin e konsujve rusë në viset shqiptare (Shkodër, Prizren, Shkup, Prishtinë, Janinë, Manastir dhe gjetiu), të cilët, krahas veprimtarisë subversive kundër shqiptarëve, do të fillojnë edhe ato të “misionarizmit” kulturor (hapjen e shkollave në gjuhën serbe) si dhe rindërtimin e kishave “ortodokse serbe” nga trashëgimia e përbashkët e krishterimit të zyrtarizuar në Dardani në shekullin IV nga perandori dardan Kostandini i Madh. Krahas këtyre punëve, konsujt rusë organizojnë edhe lëvizjet politike nacionaliste në përputhje me interesat hegjemoniste sllave, ku infiltroheshin edhe grupe të armatosura (komitë) nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria për arritjen e qëllimeve politike, siç ishin ato që nxorën në pah krizën e Maqedonisë (1889-1903) dhe të tjera me të cilat iu krijua platforma diplomatike luftërave pushtuese ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë), që shpërthyen në vjeshtën e vitit 1912 kundër Perandorisë Osmane dhe për pasojë patën pushtimin e trojeve shqiptare me pasoja tragjike.
Platforma diplomatike rusomadhe mbrojti interesat e vendeve sllavo-ortodokse në Ballkan në dëm të trojeve shqiptare në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912 dhe kudo që iu dha rasti. Nën petkun e këtij hegjemonizmi, interesimi i Moskës për Serbinë vazhdoi edhe gjatë kohës së komunizmit. Tragjedia shqiptare e viteve 19944/45 si dhe kalvari i vuajtjeve shqiptare vazhdoi edhe në rrethanat e “bashkim-vëllazërimit”, nga që aleanca ideologjike Tiranë-Beograd u ndërtua mbi tragjedinë e Kosovës dhe luftën e vazhdueshme për bashkim kombëtar qoftë edhe në rrethanat e vetëvendosjes ideologjike, siç u pasqyrua në Konferencën e Bujanit. Kjo politikë vazhdoi edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe deri në ditët e sotme, me ç’rast Rusia shfrytëzon edhe KS të OKB-së për këto qëllime.
Shpërbërja e ish Jugosllavisë si dhe realitetet e reja që u krijuan në hapësirat e saj, me ç’rast, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të 7 shtatorit të vitit 1990, Referendumit për Pavarësi të 26 shtatorit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidencial e të vitit 1992, iu krijua legjitimiteti demokratik procesit shtetformues, i cili u përmbyllur më 17 shkurt 2008, nuk do t’ia ndalë turrin diplomacisë së Beogradit kundër shtetit të Kosovës. Por, këtë herë, për ndryshim, nga destruksioni që ia bëri dialogut politik nga viti 2013-2018 edhe në saje të strategjisë së gabuar të politikës së Kosovës ndaj kësaj qasjeje, kur aspektet teknike të integrimit të komunitetit serb në Kosovë u zëvendësuan me implikimin e politikë së Beogradit në Kosovë, u pa se me veprimet e fundit në Veri, për ta luftuar shtetin e Kosovës, diplomacia serbe, iu kthye modelit të Dobasit, pra të përdorimit të agresionit shtetëror për qëllime politike!
3.Aspekti politik:
Meqë nga aspekti historik dhe diplomatik nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, pos hegjemonizëm në vazhdimësi të shtetit serb ndaj shqiptarëve, shfaqja e sulmit terrorist këto ditë në Veri, pretendon, që shteti i Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i justifikuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës në vitin 2010, të rrezikohet me anën e modelit të Dombasit!
Ky skenar serb, vjen pas dështimit të përpjekjeve të dy-tre viteve të fundit që Kosova të hajë karremin e “pajtimit historik” me Serbinë me anën e shkëmbimit të territoreve në veri, me çka shteti i Kosovës do të futej në pazare të paparashikueshme politike me Serbinë, që për epilog do të kishin shpërbërjen e tij!
Kjo, pra tregon, që Serbia, tashmë është në rrugë e sipër që luftën e deritanishme politike kundër shtetit të Kosovës ta kthejë në politikë lufte.
Ky kurs, gjithsesi kërkon që politika e Kosovës të mbështetet te aleatët (SHB-a dhe vendet perëndimore), që i kanë ndihmuar të çlirohet nga pushtimi serb. Kjo nënkupton edhe përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për integrimin e plotë të pakicave në jetën institucionale, ekonomike dhe kulturore të vendit, ku formimi i asociacionit të komunave në veri, pa kompetenca ekzekutive, duhet të përmbushet sa më parë.
Tek e fundit, kjo është kërkesë e vazhdueshme edhe e ndërkombëtarëve, të cilët mund të jenë të vetmit garant të parandalimit të modelit të Dombasit, që siç u pa këto ditë, politika e Beogradit tashmë e ka futë në lojë…
Do të jetë mashtrim i madh, nëse mendohet se atmosfera e “triumfalizmit” të shfaqur këto ditë te ne, mund ta parandalojë këtë skenarë…