17/11/2024

MASHTRIMET E NJË REZOLUTE

0

Nga Timo Mërkuri

Në datën 07 prill 2023 në Gazetën Telegraf u publikua Rezoluta  e “miratuar” nga Simpoziumi i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Nderi i Kombit” Labëria i zhvilluar në datën 25 mars 2023 shoqëruar më shënimin: “Miratuar nga intelektualë të shquar, kryesuar nga Kadare dhe Qose, kundër “Isopolifonisë“ që është regjistruar në UNESCO, se gjoja vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe buron nga muzika kishtare Bizantine”. Kjo Rezolutë i është drejtuar znj Elva Margariti, Ministre e Kulturës dhe për dijeni personaliteteve më të lartë ta shtetit.

Fatkeqësisht të gjitha pikat e rezolutës janë mbështetur mbi jo të vërteta, keq informime dhe keq interpretime duke përhapur një mjegullnajë informative me synim baltosjen e një arritjeje të artit gojor shqiptar në kuotën e “Kryevepër shpirtërore e njerëzimit”

a-Autorët e rezolutës shprehen kundër me: “prezantimin e polifonisë në faqen zyrtare elektronike (me emërtimin “iso-polifoni”) pasi bie ndesh me të vërtetat shkencore dhe ato historike, duke goditur kështu identitetin kombëtar shqiptar” por nuk sqarojnë se me cilat të vërteta shkëncore(sic) bie ndesh dhe ku e godet identitetin kombëtar shqiptar.

UNESCO njohu dhe regjistroi këngën tonë vençe, polifonike me iso,  shumëzërrëshe, iso-polifonike si “Kryevepër shpirtërore të njerëzimit” dhe tekstualisht regjistrimi është: [“Albanian folk iso-poliphony” a Masterpiece of dhe Oral and Intagible Heritage of Humanitu] që e përkthyer në shqip do të thotë: “Polifonia popullore shqiptare me iso: një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit”.

Rezolutistët pretendojnë se termi “iso”, si një term grek dëmton identitetin kombëtar shqiptar të këngës sonë, por  sqarojmë se: edhe po të ishte termi “iso” një term grek nuk i prishte asnjë punë këngës sonë, ashtu siç nuk i prishi as termi dyfish grek “polifoni”, por për fatin tonë termi “iso” është një term shqiptar, arbëror, ilir dhe ka kuptimin një-soj, i një llojtë, i një trajtshëm. Edhe njëherë sqarojmë se në Fjalorin e Gjuhës Shqipe termi “iso” përkufizohet: “Zë i njëtrajtshëm, që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbështet zërat kryesorë në një këngë me shumë zëra a një melodi. Iso e fortë (e gjatë, e ngadalshme). Isoja labe (myzeqare). Isoja e burrave (e grave, e të rinjve). Këngë me iso. Iso, more djema, iso! Këndojmë (ia marrim) me iso. Mbaj (bëj) iso me zë (me fyell)” dhe asgjëkundi nuk shënohet origjina greke e saj.

Për ata që nuk e dinë themi se “iso” është zëri më i hershëm i këngës sonë vençe, shumëzërrëshe, polifonike me iso, iso-polifonike i ardhur nga ritet mortore të vajtimit me ligje dhe përfaqson rrënkimin mortor të grave që shoqëronin vajtoren kryesore. Besoj se e dini që gratë dhe nënat shqiptare asnjëherë nuk kanë vajtuar vetëm, por gjithmon kanë vajtuar të shoqëruara nga një grup grashë, të cilat me rrënkimet e tyre kanë qënë nisëse të ligjërimit. Theksoj fazën e vajtimit me ligjërime të ritit mortor dhe jo fazën e të qarit “me bot”, që është faza fillestare, momenti i ardhjes së papritur të lajmit të vdekjes a vrasjes dhe ku veprimet dhe gjestet janë impulsive.

Fakti që “iso” është zëri më i hershëm i këngës dëshmohet nga logatja e cila nis me një iso rrënkuese, më pas interpretohet marrësi, hedhësi dhe kthyesi duke vijuar përsëri me iso. Këto janë të përjetuara në familjet tona ku vajtohet me ligjërime dhe grate, disa kohë pas mortit “logatin” për të ndjerin, madje në krahinën tonë të Himarës ndodhte shpesh që gratë, të cilave u kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi ta linin punën në mes, të uleshin diku e nisnin logatjen. Askush nuk guxonte ti ndërpriste.

E vërteta shkencore e këngës sonë vençe është origjina e saj nga vajtimi, ku rënkimi vajtimor i shndruar muzikalisht në “iso” është pjesë e rëndësishme e zërrave të këngës. Iso është kromozoni identifikues i këngës sonë, jo marrësi, kthyesi apo hedhësi të cilët janë zërra solo. Iso përfaqson kolektivitetin dhe  anonimatin e këngës sonë, tiparet më kryesorë të arteve orale jo marrësi, hedhësi apo kthyesi sepse ata janë të identifikueshëm si persona. Të gjithë ne e dimë emrin e Dhimitër Varfit të madh, por pa më thoni pak emrat e mbajtësve të iso-s, ato i dinë vetëm himariotët e vjetër dhe njohësit e thelle të këngës himariote.

Në fjalën e hapjes të simpoziumit lexova: “Barinjtë (lebër), duke qenë të veçuar me bagëti në stane, pa njerëz për rreth, ju ka lindur nevoja të shprehin gëzimet dhe hidhërimet..”. Nuk besoj se ka njeri që i merr seriozisht këto fjalë, të cilat në vetvete mbajnë një mohim të origjinës e lashtësisë së këngës dhe ngushtojnë e hapësirën gjeografike të saj, madje e trajtojnë këngën tonë si një “art të kultivuar” dhe jo si pjesë e artit gojor, duke e ulur kështu moshën e këngës.

b- Rezolucionistët kërkojnë të bëhet: “ndarja, në faqen zyrtare të UNESCO-s, e iso-s nga polifonia dhe interpretimi sikur gjoja iso-polifonia vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe tezat e shkruara po në atë faqe se “Iso-Polifonia shqiptare buron nga muzika kishtare bizantine” dhe se ajo shoqëron, midis të tjerash edhe funeralet e kremtimet fetare etj”.

Jo e vërteta, mashtrimi është qysh në krye në këtë kapitull të rezolutës: Askush nuk ka thënë se kënga polifonike me iso, iso-polifonia e ka origjinën nga “sirenat” greke apo nga “muzika kishtare bizantine”, e ca më pak që kjo këngë shoqëron “ceremonitë mortore”. Në një sqarim të vetin Akademiku Vasil S. Tole ka sqaruar se: “ Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje “që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine” dhe të arrish konkluzion të tillë duke u nisur nga kjo është qartazi abuzive dhe keqdashëse. Dosja dhe formulari i aplikimit kanë në fokus kryesor dokumentimin, shtrirjen, llojet, stilet, vlerat e dukurisë dhe rëndësinë e saj për komunitetin. Pra dokumentimin e gjendjes faktike. Për këtë mjafton të shihni sitin zyrtar të UNESCOS: Albanian folk iso-polyphony – intangible heritage – Culture Sector – UNESCO”.

Ju them që: para se të hidhni akuza të tilla kini detyrim barrën e provës, na tregoni se ku është shkruar në dokumentat zyrtare të dosjes që shteti shqiptar ja përcolli UNESCO këto formulime, fotografoni ose fotokopjoni dhe publikoni. Ndërsa për akuzën makabre që: “kjo këngë shoqëron “ceremonitë mortore”, nuk po gjej fjalë që t’ja lejoj vetes e t’jua them, veçse ju kujtoj se ritet dhe ceremonitë mortore shqiptare janë të shenjta dhe nuk mund ti përdhosni me përçartje.

c-“Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, i kërkon Ministrisë të Kulturës, të ushtrojë përgjegjësitë e saj kombëtare e shtetërore, për të ndërhyrë zyrtarisht pranë UNESCO-s, për të fshirë prezantimin aktual të ashtuquajturës “Iso-Polifoni” ..dhe për ta zëvendësuar  me prezantim shkencërisht dhe historikisht të mbështetur, si dhe të nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdo qofshin ata” shkruajnë rezolucionistët. Pra as më pak e as më shumë të fshihet termi “iso-polifoni” dhe të zvëndësohet  me termin ”polifoni” (apo polifoni labe) në çertifikatën e UNESCO, sepse termi “polifoni” është shqiptar, shkencor dhe historikisht i mbështetur. Veçse asnjeri nga ju nuk ka shpjeguar pse termi “polifoni” është  shqiptar, shkencor e historikisht  i mbështetur ndërsa “polifonia me iso” është antishqiptare. Argumentuam origjinën e “iso-s” dhe ju    themi se “iso” është vetëm shqiptare, ndërkohë që polifoni kanë të gjithë popujt e botës. Është “iso” tipari i vjetër, karakteristik dhe i vetëm shqiptar, ajo është si shqiponja e zezë me dy krerë në flamurin tonë të kuq. Flamur të kuq ka edhe Kina edhe Turqia (p.sh.) por njeri e ka me yje e tjetri e ka me gjysëmhënë, vetëm ne e kemi me shqiponjë të zezë me dy krerë. Dhe ata kërkojnë të hiqet shqiponjën nga flamuri-këngë? Është shumë von që të bëlbëlzojnë thirrjet dumbabiste.

Përsa i përket shprehjes: “të nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdo qofshin ata”, hamendësimit tuaj i është dhënë përgjigje: dosja që ju dërgua UNESCO nuk është produkt  i një pune individuale por  punë institucionale në grup: ” Dosja u përgatit nga një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Institutit të Folklorit, Universitetit të Arteve dhe ekspertë të pavarur. Para dërgimit zyrtarisht të dosjes në emër të qeverisë shqiptare, në qytetin e Vlorës u organizua një seminar për prezantimin e dosjes dhe rëndësinë e kandidimit të saj në UNESCO” citon Akademiku në fjalë. Këmbnguljen tuaj për punë individuale duhet ta provoni me fakte e dokumenta jo me fjalë.

Veç këtyre lind edhe një pyetje tjetër, mos vallë duhet të ndalojmë të kënduarit me iso, sepse qënka e huaj sipas jush?

ç- Rezolucionistët kërcënojnë Ministren e Kulturës: “Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, ..nuk do të pranojë zhvillimin e asnjë aktiviteti nën termin “Iso-Polifoni”, por vetëm nën termin “Polifonia Shqiptare”. Ore këndoni, sit ë doni e ju këndoftë zemra pa nuk grindemi për emrin. Por mos haroni të këndoni me iso dhe sidomos kujdesuni që në grupin e iso-s të vini ca djem të rinj e të fortë që të tundin mallet me iso-n e tyre, jo ca pleq që skanë fuqi për asgjë.

d-Përsa thoni se:”Këtë Rezolutë e kanë miratuar të giithë personat e poshtë shënuar duke komunikuar nominalisht me Kryetarin e Shoqatës “Labëria” profesor Ago Nezha” këtu ndaloni pak të bisedojmë shtruar. Unë nuk e di në se një shoqatë ka të drejtë të nxjerrë një Rezolutë dhe t’ja adresojë  në formë ultimative institucioneve shtetërore, por di që çdo dokument që del nga një forum firmoset nga të pranishmit më kompetentë që kanë të drejtë vote.

Ju kini përmendur aty personalitete si Ismail Kadare si firmosës i rezolutës, unë nuk e di në se ka qënë i pranishëm apo jo, por di që te libri i tij “Autobiografia e popullit në vargje” ai  ka ngritur një hymn për iso-n, madje dhe romanin “Dimri i madh” e ka quajtur “një roman me iso”, tani na del që Ai paska firmosur që të hiqet iso nga emërtimi i këngës sonë? Mua nuk më besohet. A mund ta publikoni firmosjen e Rezolutës nga personalitetet që citoni ju lutem? E them këtë se duke lexuar emrat e firmëtarëve, gjeta emrin e një mikut tim, i cili nuk ka qënë fare në simpozium, por ja që figuron nënshkrues, madje ai nuk e di fare që është hedhur një firmë e tij (jo prej tij) diku.

Miqësisht po ju them që emrin e bukur si një lule të Ismail Kadaresë mos e shkelni me “patkonjtë” e synimeve tuaja, emrin e ndritur të Rexhep Qoses mos e përbaltni me baltovinën tuaj, emrat e nderuar të Profesorëve dhe deputetëve  mos i zhvlerësoni me mesazhe të tipit: “..kemi kënaqësinë të na bashkohesh në listën e Deputetëve për problemin e denoncimit të “Iso-polifonisë ” që është tjetërsuar në UNESCO si polifoni bizantine greke.  Për çdo informacion të mëtejshëm lexo Rezolutën e Shoqatës Labëria botuar ditën e Shtunë te gazetat Panorama, Sot, Dita, Telegraf dhe Nacional. Respekte x, y.” dhe siddomos mos i vini në rresht gatitu para një “kulturjari masovik”. A vlen tu them se edhe vetë formulimi i mesazhit ka një shpifje në vetvete kur shpreheni se: “është tjetërsuar në UNESCO si polifoni bizantine greke”. Mos e bëni si ai bariu mistrec i fshatit që sokëllinte: “Ujku ndër dhen”vetëm që të ndjehej i “rëndësishëm”se ai “ngrinte fshatin në këmbë”.

Këto mesazhe-ftesë për firmosje që u bëhen njerëzve të cilët nuk kanë qënë të pranishëm në simpozium dhe ssidomos kur nuk janë kompetentë të fushës tregojnë një zhvlerësim të gjithë simpoziumit. Lista mund të zgjatet pafundësisht por vlera e rezolutës do bjerë në zero. Dhe mbi ‘të mashtrimi juaj qëndron si një kapele republike.

Sarandë, më 10.04.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok