MARTIN CAMAJ
100-vjetori i lindjes
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Martin Camaj lindi në Temalit të Dukagjinit, në Alpet e veriut më 13 ose 21 korrik të vitit 1925. Vdiq në Munih, më 12 mars 1992. Është shkrimtar, gjuhëtar dhe filolog. Ka qenë i treti prej shtatë fëmijëve të Kolë Camës dhe Terezës. Prindërit ishin nga Shllaku. Më 1935 u vendos në Shkodër ku ndoqi shkollimin në Kolegjin Saverian. Pesë vitet në vijim ndoqi gjimnazin. Studimet i vijoi në liceun klasik të kolegjit. Në vitin 1946 shteti komunist i mbyll institucionet fetare në Shkodër. Camaj e ndërpret shkollimin. Deri në vitin 1948 punoi si mësues në Prekal. Me çetën e Gjon Destanishës*, mori pjesë në qëndresën kundër partizanëve komunistë. Në vitin 1948 u arratis nga Shqipëria. U vendos në Jugosllavi. Që atëherë, nuk kontaktoi me familjen. Në vitin 1949 kryen në Pejë një kurs tremujor për mësues. Në vitet 1949-1950 punon si mësues në Tuz. Në vitin 1950 regjistrohet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit, në degën e romanistikës dhe të ballkanologjisë. Më 1955 diplomon për gjuhë dhe letërsi italiane. Më 1951 martohet me mësuesen Nina Bogdanoviq.
Shënim: Gjon Destanisha lindi në vitin 1900 në Gimaj të Shalës së Dukagjinit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si ushtarak, veproi edhe në Kosovë. I arrestuar nga partizanët serbë, përfundoi në burgun e Prishtinës. Në vitin 1951, në moshën 51-vjeçare u ekzekutua nga serbët.
* * *
Camaj shkon në Sarajevë për të ndjekur studimet pasuniversitare në lëmin e albanologjisë pranë Fakultetit Filozofik, që udhëhiqej prej gjuhëtarit dhe albanologut kroat Henrik Bariq (Dubrovnik, 21 janar 1888 – Beograd, 3 prill 1957). Për doktoratë Camaj zgjedh temë “Gjuha e Gjon Buzukut”. Prej këtu Camaj shkon në Romë. I ndihmojnë Ernest Koliqi (Shkodër, 1903 – Romë, 1975) dhe profesorët e kolegjit jezuit, peshkopi Luigji Rosa (Luigi Rosa, 1883-1971) dhe prifti, albanologu e bizantologu italian Zef Valentini (Giuseppe Valentini, 1900-1979) i cili ishte drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe shef i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë Universitetit të Romës. Studimet e kryera në Universitetin e Beogradit i njihen Camajt. Regjistrohet në vitin e tretë në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti. Studion letërsi latine, italiane, filologji romane dhe sllave si dhe gjuhë e letërsi shqipe. U njoh edhe me poezinë poetit italian Xhuzepe Ungaretit*.
Në vitet 1956-1960 Camaj kreu Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të Universitetit të Romës, ku u caktua lektor i gjuhës shqipe. Në vitin 1960, punimi i tij për “Mesharin” e Gjon Buzukut (shek.. XV) u botua po atë vit në revistën “Shêjzat”*. Camaj disa vjet ka qenë kryeredaktor i kësaj reviste. Punimi u botua me titullin “Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi”.
Më 9 dhjetor 1964 Camaj mbron doktoratën në Universitetin e Munihut. Doktorata e tij në albanologji dhe emërimi i tij si docent i albanologjisë në Universitetin e Munihut kishte një rëndësi të veçantë për arsye se në atë kohë në Gjermani nuk kishte një qendër për studime shqiptare.
Camaj e mbrojti doktoratën në albanologji në Universitetin e Munihut para një komisioni ku bënin pjesë drejtues të Fakultetit Filozofik të Munihut nën udhëheqjen e dekanit Hans Myler (Hans Müller). Të pranishëm kanë qenë edhe Prof. Visman (Wissmann) dhe ballkanologu, folkloristi dhe sllavisti gjerman Alojz Shmaus (Alois Schmaus, 1901-1970), historiani dhe albanologu gjerman Georg Shtadmyler (Georg Stadtmüller, 1909-1985) etj.
Shënim:
Xhuzepe Ungareti (Giuseppe Ungaretti; Aleksandri, Egjipt, 1888 – Milano, 1970) u shkollua në Egjipt ku i vdiq babai gjatë ndërtimit të kanalit të Suezit. U shkollua edhe në Paris. Mori pjesë në Luftën I Botërore në frontin italian dhe francez.
“Shêjzat” (Le Pleiadi, 1956-1975) ka qenë revistë e përmuajshme kulturore, historike, shoqërore dhe letrare artistike që botohej në Romë nga Ernest Koliqi (1903-1975) dhe bashkëpunëtorët e tij. Në numrin e parë, revista mbështeti arbëreshët për të ringjallur në mesin e tyre dashurinë për gjuhën dhe për atdheun e të parëve. “Shêjzat” trajtuan gjerësisht problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në kontekstin e zhvillimeve historike dhe politiko-shoqërore të periudhave të ndryshme. Duhet shtuar se Koliqi është atdhetari që hapi për herë të parë qindra shkolla në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, duke dërguar nga Shqipëria edhe mësues.
* * *
Gjatë studimeve, Camaj iu përkushtua kërkimeve gjuhësore në ngulimet arbëreshe. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe në dialektet e saj, sidomos në gjuhën e arbëreshëve të Italisë. Në dhjetor 1960 Camaj vendoset në Munih të Gjermanisë.
* * *
Camaj erdhi e u bë profesor ordinar në albanologji në LMU. Karriera e tij shkencore dokumentohet në hollësi në dosjet e tij të punës në arkivin e LMU.
Aty dëshmohet se:
– në janar 1961-dhjetor 1961 ka qenë bursist i Fondacionit Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD); për të ka hyrë dorëzanë sllavisti dhe etnologu i njohur i Ballkanit Alojz Shmaus* (Alois Schmaus);
– në mars 1962 – korrik 1964, me mbështetjen e fondacionit shtetëror gjerman DFG, ka qenë habilitand në Seminarin e Gjuhësisë, Sektori i gjuhëve indoevropiane; Për t’i përvetësuar metodat e studimit gjuhësor historik dhe krahasues (komparativ), si vend studimi Camaj e zgjedh Seminarin e Gjuhësisë. Disa vjet me radhë u mbështet nga Fondacioni i DFG-së (Shoqata Gjermane për Kërkime Shkencore); për të mbrojtur gradën e habilitacionit, iu akordua një bursë kërkimore;
– në janar 1965 – qershor 1971 ka qenë docent privat me leje mësimdhënieje në albanologji; këtë gradë e fitoi më 1965 me vënia legendi (leje për të ligjëruar në universitet) në albanologji; fitoi të drejtën për të qenë Privatdozent;
– në korrik 1971 – gusht 1978 ka qenë profesor jashtë plani për albanologji;
– në shtator 1978 – prill 1990 ka qenë profesor ordinar për albanologji.
Shënim: Alojz Shmaus (Alois Shmaus, 28 tetor 1901 – 27 korrik 1970) ka qenë ballkanolog, folklorist dhe sllavist gjerman. Me hulumtimet folklorike që i ka bërë në Drenicë jep të dhëna për këngët epike, për instrumentet muzikore dhe për këngëtarët popullorë.
* * *
Në vitin akademik 1961-1962 e shoqja Nina Bogdanoviq jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos. Më 1962 ajo shkon në Munih te Camaj. Punon si mësuese dhe si bibliotekiste në “München American Elementary School” (Shkolla Fillore Amerikane e Munihut). Në vitin 1968 Camaj dhe Nina ndahen përfundimisht. Ajo kthehet në Milano ku jeton deri në nëntor të vitit 1987.
Më 1969 Camaj martohet me mjeken gjermane Erikën (Erica). Fëmijë nuk patën. Më 1965 emërohet docent i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin e Munihut. Në vitet 1971-1990 ishte shef katedre. Më 1971 merr emërimin profesor inordinar në albanologji. Më 1978 bëhet profesor ordinar me marrëdhënie pune të përhershme. Më 1990 lirohet nga detyra si profesor emeritus (i shquar, me përvojë të madhe, i merituar). Jetoi në Lenggries. Përmes diasporës shqiptare, mbajti lidhje të afërta me bashkëkombësit. Vdiq në Munih më 01 ose 12 mars 1992.
* * *
Krijimtaria letrare e Camajt gjatë një periudhe dyzetepesëvjeçare kalon nëpër disa faza zhvillimi. Ajo fillon me poezi. Këtij zhanri i mbeti besnik gjithë jetën. Në vitet ë fundit u përqendrua në prozë. Camaj është përfshirë pothuajse në të gjitha antologjitë dhe në tekstet ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Veprimtarinë poetike e nisi me dy përmbledhjet e para që i botoi në Kosovë: vëllimi i parë me vargje klasike “Një fyell ndër male”, Prishtinë 1953 dhe “Kanga e vërrinit”, Prishtinë 1954. Poeti u frymëzuan nga malësorët e veriut dhe nga malet e vendlindjes për të cilat, përkundër kohës së gjatë në mërgim dhe pamundësisë për t’u kthyer, dashuria nuk i rreshti kurrë.
Këto përmbledhje u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, roman i gërshetuar me vargje, mbi dashurinë e një mësuesi ndaj një vajze nga fusha. Përmbledhjet poetike “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munih 1967 përmbanin variante të rishikuara të disa poezive nga “Kânga e vërrinit” që u ribotuan në vëllimin “Poezi” 1953-1967, Munih 1981.
Në vargun e Camajt vërehet edhe ndikimi i lëvizjes hermetike të Xhuzepe Ungaretit. Me kalimin e kohës u shtua karakteri metaforik dhe simbolik i gjuhës si dhe gama tematike e poezisë.
Një përmbledhje poezish të zgjedhura iu përkthye italisht nga gjuhëtari dhe shkrimtari arbëresh Françesko Solano (Francesco Solano, i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, 1914-1999) në një botim dygjuhësh “Martin Camaj – Poesie, Palermo1958 (Poezi), anglisht nga shkrimtari australian Leonard Foks (Leonard Fox, 1905-2004) në vëllimet “Selected Poetry”, (Poezi të zgjedhura, Nju-Jork 1990) dhe gjermanisht nga përkthyesi i letërsisë shqipe në Gjermani Hans-Joakim Lanksh (Hans-Joachim Lanksch; 1943- ), “Gedichte” (Poezi), Munih 1991.
Camaj ka qenë aktiv edhe në fushën e folklorit. Është shkrimtari më i spikatur në letërsinë e mërgatës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, albanolog që u dëshmua në disa lëmenj të gjuhësisë dhe që i vuri bazat e dialektologjisë moderne arbëreshe.
* * *
Në fillim të krijimtarisë poetike Camaj mbështetet në mjetet artistike tradicionale dhe folklorike. Vëllimet e para frymëzohen nga motive të vendlindjes. Në vëllimin “Legjenda”, Romë 1954, autori i pasuron mjetet shprehëse me struktura gjuhësore më të ndërlikuara. Në strukturën dhe në mjetet stilistikore vërehet ndikimi nga hermetizmi i Ungaretit. Më vonë, përkatësisht në fazën e tretë të krijimtarisë së tij, arti i tij bëhet më formal, larg strukturave tradicionale dhe temave të ditës. Këtu bëjnë pjesë vëllimet “Lirika mes dy moteve”, Munih 1967, “Njeriu më vete e me tjerë”, Munih 1978, ”Poezi 1953-1967”, Munih 1981. Ndër botimet letrare të Camajt janë edhe “Dranja” Munih 1981, përmbledhje madrigalesh, siç i quan autori. Vepra “Dranja” përshkohet nga mendimi alegorik i shprehur përmes një gjuhe metaforike.
Me kalimin e kohës, tema e kuptimit të jetës dhe vdekjes, depërtimi në problemet ekzistenciale të njeriut në botën moderne, trajtohen nëpërmjet një simbolike tradicionale, madje mitologjike. Kundërthëniet njerëzore, kontrastet e jetës, mposhtja e tragjikes, i japin poezisë së tij një tingëllim dramatik. Camaj parapëlqen kryesisht vargun e lirë. Përdor variantin gjuhësor të gegërishtes. Nëpërmjet përpunimit të strukturave metrike dhe kërkimeve stilistikore, Camaj shpreh një individualitet të rrallë në poezinë shqipe.
Si individualitet artistik, Camaj shfaqet edhe në prozë. Vepra e parë e tij në prozë është “Djella”, tregim në prozë e vjershë, Romë 1958. Pason romani “Rrathë”, Munih 1978, që është cilësuar si i pari roman psikologjik në letërsinë shqipe. Është vepra më e gjatë e autorit në prozë. Për ta shkruar, autorit iu deshën pesëmbëdhjetë vjet. Agroni, shkrimtar dhe agronom në ‘Arbërinë’ pasrevolucionare, dërgohet në fshatin Ripë e Mesme për të njoftuar për mbërritjen e disa traktorëve të rinj. Këtu e magjeps malësia e veriut pas shpëtimit të bareshës së bukur Sose, personifikim i zanave të malit. “Rrathët” e ujit, zjarrit dhe gjakut me të cilët ndahet romani, simbolizojnë jo vetëm shtrëngesat metafizike dhe sociale, por edhe rrugën e shkrimtarit nëpër trashëgiminë mitike të së kaluarës së Shqipërisë drejt një të ardhmeje të re. Në pasqyrimin e mjediseve të malësisë, të zakoneve dhe të psikologjisë shqiptare vërehet elementi lirik dhe folklorik. Romanin e sipërthënë autori e shkruan në gegërishten letrare përplot frazeologji të pasura.
“Shkundullima”, Munih 1981, përmbledhje me pesë tregime dhe një pjesë teatrale dhe romani “Karpa” Romë 1987, me subjekt të vendosur në brigjet e lumit Drin në vitin 2338, prozë e gjatë që Camaj parapëlqente ta quajë parabolë. Romani “Karpa” dhe vëllimi me proza “Shkundullima” kanë të bëjë me kërkimin e rrënjëve të identitetit.
Tema më të shpeshta në veprën e Camajt janë humbja e traditës, vetmia në një botë në ndryshim e sipër dhe kërkimi i prejardhjes. Gjuha që përdor autori është e ngjeshur me mendim dhe e kursyer. Termin hermetik autori e ka quajtur të rastit.
Për të përcjellë tablonë poetike të vendlindjes malore baritore buzë Drinit, me ujëvarat vezulluese dhe pyjet plot rreze, ai mbështetet në burimin gjuhësor tradicional dhe të gjallë të dialektit gegë të vendlindjes.
Camaj është autor i dramave “Loja mbasdrekës”, Munih 1981, si dhe “Kandili argjendit”, Kozencë 1993.
* * *
Krijimtaria letrare e Camajt synon t’i japë një dimension më universal kauzës shqiptare. Mendësia e shqiptarit, elementet mitologjike dhe karakteristikat e peizazhit paraqiten përmes formave moderne të krijimit artistik.
Si albanolog që ishte, Camaj la vepra të rëndësishme në lëmin e gjuhësisë, si: “Il Mesale di Gjon Buzuku” (Meshari i Gjon Buzukut, 1961), “Albanische Wortbildung” (Fjalëformimi në gjuhën shqipe, 1966), “Lehrbuch der albanischen Sprache” (Doracak për gjuhën shqipe, Visbaden, 1969), “La parlata Albanese di Greci in provincia di Avellino” (E folmja arbëreshe e Greçit në provincën e Avelinos, 1971), “Die albanische Mundart von Falkonara Albanese in der Provinz Cosenca” (E folmja arbëreshe e Falkunarës në krahinën e Kozencës, 1977), “Albanian Grammar with exercises, chrestomathy and glossary” (Gramatikë e gjuhës shqipe, me ushtrime, krestomaci dhe fjalorth, Visbaden, 1984), “La parlata arbereche si San Costandino Albanese in provincia di Potenza” (E folmja arbëreshe e Shën Kostandinit në provincën e Potencës, 1993).
* * *
Camaj ka botuar disa studime edhe për historinë e gjuhës shqipe, për etimologjinë, për dialektologjinë, për gramatikën, për tekstet e vjetra, për letërsinë, për folklorin. Në vitin 1977 e ribotoi “Çetën e profetëve” të shkrimtarit më të shquar të letërsisë shqiptare të mesjetës, klerikut të lartë katolik dhe veprimtarit të lëvizjes çlirimtare kundërosmane Pjetër Bogdanit (rreth 1625-1689).
* * *
Veprat: Nji fyell ndër male, Prishtinë 1953, Kanga e vërrinit, Prishtinë 1954, Djella (novelë), Romë 1958, Legjenda, Romë 1964, Lirika mes dy moteve, Munih 1967, Poezi 1953-1967, Munih 1967, Njeriu më vete e me tjerë, 1978, Dranja (prozë poetike, Munih 1981, Rrathë (novelë), 1981, Shkundullima, 1985, Karpa (novelë), 1987.
Vepra në dy gjuhë: Poezi (shqip-italisht), 1985, Me pendlat e korbit të bardhë (shqip-gjermanisht);
Botime të tjera: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960, Doracak për gjuhën shqipe, Visbaden 1969, E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971, Antologjia: Këngë shqiptare, Dyseldorf 1974, Gramatika shqipe me ushtrime, krestomaci, dhe fjalorth, Visbaden 1984.
Doracaku i fundit u mundëson studentëve anglishtfolës të depërtojnë në gjuhën letrare shqipe si dhe në dialektin gegë të autorit.
