06/10/2024

Martaneshi nën hijen e maleve dhe të Ballem Sulltanit

0

“Martaneshi vend i mirë/s’duron krajl/s’duron vezirë”

Nga Kadri Gjoni

Martaneshi është një ftesë e hapur për çlodhje e dëfrim, një ofertë turistike e refuzuar, e cila në kushtet e një rruge të mirë e në parametra normalë, do të bënte që në Martanesh të vërshonin mijëra turistë, vendas e të huaj, që kanë pse shkojnë në Maratnesh dhe duhet të shkojnë për pushime aktive, mjaft çlodhëse dhe antistres.

Në Maratnesh, ende rri ndezur zjarri mallit për shokun e mikun, për të afërmin e dashamirin, duke mbajtur të ndezur kështu zjarrin e traditës më të mirë shqiptare, bujarinë dhe mikpritjen.Fisnikëria e bujaria thuajse e kanë humbur rrugën në këtë kohë trazimesh dhe dilemash të mëdha, por jo  në Martanesh.

Në Maratnesh do ta gjeshë gjithmonë një derë të hapur, një sofër të shtruar dhe një zemër ngazëllyese, mikpritëse…

I gjendur në kryqëzim të disa krahinanve, rrethuar me male të lartë dhe bukuri të egra dhe çlodhëse, Martaneshi është një ftesë e përhershme për çdo visitor, që kërkon të ecë në gjurmët e një historie mbresëlënëse.

Në Martanesh shkoj gjithmonë me dëshirë e mallë, me etjen e pashuar për të parë ato vende ku kam kaluar fëmijërinë dhe rininë, ku kam qarë e kam qeshur, ku kam ëndërruar dhe që andej kam nisur projeksionet e mia në stinë të tjera moshe dhe cikle të tjera jete.

Këtu më presin shokë e miq të dashur, të afërmit e mi që ende jetojnë në këtë hise të tokës, duke u përpjekur me passion e përkushtim ta lulëzojnë atë, ta bëjnë jetën sa më të begatë dhe kuptimplote në këtë trevë historike, me resurse të shumta historike, kulturore e etnopsikike.

Vendosur në një terren malor, që duket si i fortifiluar nga dora e njeriut, këtu buron lumi Mat, mbi të cilin ekzistojnë projekte për ngritje hidrocentralesh nga nisma private të banorëve të zonës.

Martaneshi, si një njësi fiziko-gjeografike, ndodhet në zonën e mesme të Krahinës Malore-Qëndrore të Shqipërisë, në një pozicion gjeostrategjik, i rrethuar nga male dhe në kryqëzimin e disa krahinave të Shqipërisë së Mesme me ato të Veriut.

Sipërfaqja e ish komunës është 169.2 km2, nga e cila rreth 90 km2 janë pyje, 70 km2 përbëjnë kullotat, livadhet, fushat e pllajat malore, kurse pjesa tjetër është tokë e punueshme.

Martaneshi ka qenë një teatër lufte në histori, ku janë bërë shumë beteja dhe janë arritur fitore të vendsave ndaj ushtrive të huaja pushtuese, që vinin e iknin në këtë rrugëkalim strategjik. Ushtritë pushtuese vinin e iknin me zulmë e urdi, shkelnin të mbjellat, digjnin misrat e pakorrur në ara, iu vinin flakën shtëpive në fshatara, varnin në majë të lisave e çanin me bajoneta shumë dibranë, matjanë e maratneshas, maskaronin pleq e fëmijë, shkonin në bajoneta gra shtatzëna, digjnin deri edhe barin e livadheve e rudinave, për të shkretuar lëngun dhe gjallërinë e jetës në male, por nuk ia dolën të thyenin maratneshasit, çfarë reflektohet dhe në kënëgën e mirënjohur: “Martaneshi vend i mirë/ s’duron mbret, s’duron vezirë”.

Pas fillimit të proceseve të pakthyeshme demokratike, që pasuan krijimin e një psikolgjie të re të mënyrës së jetesës edhe të maraneshasve, nisi një ndryshim demografik i  madh i popullsisë, ku shumica e saj u largua drejt qyteteve më të mëdha, si dhe drejt emigrimit jashtë vendit, si në Itali; Gjermani; Francë, Angli, dhe Greqi.

Ata që mbetën në këtë krahinë iu qepën me duar e thonj tokës dhe e kthyen atë në një hambar prodhimi, gruri, misri, fasulje, mbollën pemëtore e  vreshta, nga të cilat prodhojnë rakinë dhe verën më të mirë të këtyre anëve, që konkuron denjësisht në tregun e pijeve alkolike, duke qenë bijo dhe të shëndetshme.

Besimi fetar më i përhapur është Bektashismi, një sekt i myslimanizmit, rreth të cilit janë bashkuar në unitet e përgjegjshmëri shoqërore martaneshasit, ku pelegrinazhet që bëjnë banorët e kësaj zone dhe jo vetëm (peligrinazhe nga e gjithë Shqipëria) në vendin e shenjtë të quajtur Ballem Sulltani, janë një mundësi e mirë, përveç të tjerave, edhe për t’i dhënë Martaneshit një dimension të munguar, dimensionin turistik.

Baba Hysniu të pret në teqenë e Ballem Sulltanit me atë buzëgazin e tij të veçantë, që shpreh aq mirësi e thjeshtësi, duke iu përgjigjur shpirtit kolektiv të martaneshasve, që e duan dhe e vlerësojnë thjeshtësinë e mençurinë dhe teqenë e kanë jo vetëm si vend ku mblidhen besimtarët, por dhe si njësi të unitetit mbarëmartaneshas, për të mënjanuar çdo sherr e konflikt të mundshëm. Ai tregon për rruëgtimin e këtij sekti mysliman në kohë dhe gjurmët e tij në Martanesh.

Krahina e Martaneshit në kohën e Zogut administrativisht ishte me Elbasanin. Edhe lidhjet ekonomike shoqërore, kulturore, fetare, përveç Tiranës, bazë kryesore kishte qytetin Elbasan. Këto dy qytete ekonomikisht më të zhvilluara për kohën, Martaneshi i kishte në distancë të barabartë në largësi. Ndaj lidhjet tregtare ishin pothuaj të njëllojta mes tyre.

Në Teqen e Elbasanit, kryesisht në atë ku drejtonte Baba Mustafa Hakiu i Elbasanit, ishte rast i rrallë që ndonjë natë të mos kishte martaneshas, kryesisht dorësa, myhybër bektashi. Burrave të shquar martaneshas të kohës u kishte rërë në sy për mirë një dervish i ri në moshë, aktiv, besnik, shumë i ndërgjegjshëm në punë dhe në jetën e përditshme, njohës dhe zbatues i shkëlqyer i normës dhe dokës në Tarikatin Bektashian, tepër popullor, i respektuar nga të gjithë njohësit, në veçanti nga vetë drejtuesi i Teqesë Baba Mustafa Hakiu si dhe nga personaliteti shumë i njohur i kohës, mjeshtri i këngës popullore të Shqipërisë së mesme Isuf Myzyri dhe të tjerë figura bektashiane, politike, atdhetare  të lidhura ngushtë me Teqenë e Elbasanit.Ky dervish me një të ardhme të ndritur ishte Dervish Faja (Mustafa Xhani).Paria e krahinës dhe Këshilli i Teqesë Martanesh, një numër i konsideruar burrash të shquar si patriotë, luftëtarë trima të provuar në sa e sa beteja dhe përpjekje me pushtues të huaj, besimtarë të devotshëm të Bektashizmit si sekt apo tarikat i myslimanizmit e kishin njohur nga afër Dërvish Fajen, bile ishin miqësuar shumë. Në bisedat e ndërsjellta ngjasonin shumë mes tyre në mendime, në gjykime për realitetin e kohës, ndaj pas konsultimeve serioze të shumta e të gjata me popullin e krahinës, Këshillit të Teqesë Martanesh si dhe me njëri tjetrin, vendosën, që t’i kërkojnë Baba Mustafa Hakiut të besojë drejtimin e Teqesë Martanesh Dervish Fajës.

Martaneshi njihet për rakinë e tij, dhe “për pirjen e saj”,për të cilën ka dhe një thënje: ”ta pishë rakinë si në Martanesh:, që do të thotë të pishë deri në atë pikë që të kënaqesh, por mos të bëhesh i dëmshëm për të tjerët”.

Miniera e kromit ka qenë dhe mbetet e vetmja mundësi punësimi e martaneshasve, e cila edhe sot mbetet burimi kryesor i ekonomisë, pasi me shfrytëzimin e mineralit të kromit është e lidhur pazgjidshmërisht jeta dhe begatia e martaneshasve.

Martaneshi është një trevë e banuar që në lashtësi. Në fshatin Gjon është gjetur një çekiç guri, origjinali i të cilit ndodhet në Muzeun Historik të Rrethit të Matit, i cili sipas përcaktimeve të arkeologëve i përket lashtësisë.

Rreth prejardhjes së emrit Martanesh ekzistojnë varainte të ndryshme, që enden nga legjenda rurale në gjurmët e një realittei historic. Njëra prej tyre thotë, se në kohën e pushtuesve turq, një vajzë me emrin Marta, për të mos rënë në duar të turqve u hodh nga shkëmbi, duke iu prirë me aktin e saj vetëflijues dhe vajzave të tjera. Për të marrë këtë vendim vajzat ishin mbledhur në një shesh te vogël mbi një shkëmb që ndodhet afër fshatit Gjon, i cili quhet “Kuvendi i gocave”. Gojdhënë tjetër thotë se ishin dhjete vajza, që kanë luftuar bashkë me të afërmit e tyre kundër forcave të ushtrisë turke në Qafen e Qarrit, atje është vrarë një vajzë me emrin Martë. Kështu që nga fjalët “Marta u nda prej nesh” ose “Marta u ndesh”, thuhet se ka ardhur emri Martanesh.

Një tjetër të dhënë për emrin na sjell prifti katolik D. Farlati, studiues I njohur, i cili, pasi përshkruan gjendjen e disa kishave katolike në krahina të tjera thotë: “… Ndër to ma e përmenduar është famullia e Shën Martini (nga kjo famulli e ka marrë emrin e vet katundi Martanesh) kisha bashkë me kumbanoren gjinden në kambë, ka ara e vreshta, prej fruteve të tyne nxirren vjet për vjet njizet numa argjendi…” Gjithashtu edhe ne relacionin e Mark Skurës, prift katolik thuhet se: “… Ka Shën Martinin në token e quajtur Shmertin. Motit qe abaci me rente të madhe, asht e plotë në gurë, e cila ka dy kumbonë, disa vreshta e ara për t’u mbjellë, që qesin nja 25 reale…”

Nga të dhënat arkivale që u cituan rezulton se Kisha e Shën Martinit ndodhej në tokën e quajtur Shmërtin, aty ku banorët kremtonin si festë fetare Martindën. Ky vendbanim është quajtur Martinash-Martinesh-Martanesh janë reduktim fonetik, ndryshime të bëra në rrymë të kohës.

Martaneshi, përveç bukurive natyrore, që ende mbahen në këmbë, falë përkujdesjes së dorës punëtore martaneshase, është mbi të gjitha, vend i njerëzve të mirë, bujarë, të mençur dhe të zgjuar e krenarë.

Udhëtimi drejt Martaneshit është një udhëtim drejt një vendi të mirë, siç thotë kënga, në shpirt të besimit bekatshian dhe të etjes së banorëve të këtyre anëve për asrim e dituri.

Është një fakt domethënës që Abetarja e vitit 1886, e hartuar nga Sami Frasheri, është përdorur nga nxënësit martaneshas, në shkollën e parë shqipe, në vitin 1889.

Pas çlirimit, në Martanesh si kudo në vendin tonë, u rihapën shkollat, në fshatin Peshk shkolla 7 vjeçare, në fshatrat Gjon, Lena, Val dhe Stoveç shkollat fillore.Gjate vitit 1952, u ndërtua shkolla e re unike në Peshk dhe u rikonstruktuan ndërtesat e shkollave fillore ekzistuese në të katër fshatrat. Duhet thënë se shkollat e Martaneshit ishin verore, system ky që vazhdoi të funksiononte që nga viti 1889, kur u hap shkolla e parë shqipe dhe vazhdoi deri në vitin 1975, kur dhe shkollat verore të fshatrave malore, kaluan në sistemin e unifikuar si shkollat e tjera, qe i fillonin mësimet me 1 shtator.

Rrugëtimi i arsimit dhe shkollave të Martaneshit kanë histori shekullore, por mjerisht, deri në vitin 1955, të gjithë mësuesit e pesë shkollave ishin të ardhur, pra nuk kishte asnjë vendas. I pari mësues martaneshas njihet Emin BALA, I cili ishte Ndrecë Ndue Gjok i Martaneshit, që ka një kontribut të jashtëzakonshëm për çuarjen e dijes në brezin e ri martaneshas të atyre viteve të vështira.

Shkolla e mesme në Martanesh është hapur që në shtator të vitit 1968, në Batërr, ku fillimisht nisi teknikumi i minierës, dega shfrytëzim miniera, pa shkëputje nga puna. Drejtor shkolle në fillim ishte Skënder Hoxha nga Korça. Më pas drejtimi i kësaj shkolle ka vijuar me Hajdar Cenametin nga Rremulli, Ibrahim Konjarin nga Tirana, Niko Stratin nga Gjirokastra, Aqif Ymeri nga Klosi etj. Vërtet ishin vite të vështira dhe në rangun e kërkesave të atëhershme ajo shkollë luajti një rol të rëndësishëm jo vetëm për trevën e Martaneshit, por qe një gjenerator aq i nevojshëm për minierën e kromit dhe, për më tepër duhet pohuar se, në vazhdimësi ndikoi edhe në arsimimin e të rinjve nga gjithë rrethi i Matit e më gjërë.

Në qershor të vitit 1976, kur po ngrihej kampi i të burgorsve në Batërr, teknikumi i minierës, pa shkëputje nga puna, zbriti në Krastë. Atë vit provimet e maturës (pjekurisë) janë bërë në Krastë, ndonëse mësimi ishte zhvilluar në Batërr. Shkolla pa shkëputje nga puna ka vazhduar deri në vitin mësimor 1992-1993. Në vitin mësimor 1993-1994 shkolla e mesme profesionale, dega shfrytëzim miniera pa shkëputje nga puna, u vetëmbyll. Duhet të theksojmë se në maturën e parë të kësaj shkolle, në vitin mësimor 1971-1972 janë diplomuar nxënës në dy degë: shfrytëzim miniera dhe gjeologji. Pas asaj mature, ka vazhduar vetëm dega shfrytëzim miniera.

Kjo pasuri e madhe vlerash historike, arsimore, religjioze, që vetëm sa u cek në këtë shkrim, është një vlerë solide e Martaneshit, kësaj krahine strategjike, në kufij të pikëlidhjeve trevore, që përbën një kuriozitet dhe mundësi të hapur për turistët vendas e të huaj, që mund të gjejnë në këtë krahinë jo vetëm një peizazh unik clodhës e argëtues, por dhe një guidë të gjërë historike, me mesazhe për sot dhe për nesër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok