30/12/2024

MARIUPOLI I UKRAINËS SIMBOL I REZISTENCËS, QË NA PËRKUJTON AGRESIONIN SERB

0
Mariupol-Ukraine

Nga Ryzhdi Baloku

Ndonëse kanë kaluar njëzetetre vite nga lufta në Kosovë, kujtimet për të janë ende shumë të freskëta. Për ta shpërfaqur në mënyrë sa më praktike përmbajtjen e këtij shkrimi, po e nisi me një anekdotë popullore, që përkon me tematikën e këtij shkrimi, si një uverturë për përshkrimin e mizorive ruse ndaj popullatës së Ukrainës.

Një burrë ishte rrëzuar nga dardha dhe kishte pësuar shumë lëndime, por i dukej se nuk po kuptonin se ai kishte shumë dhembje. I dërmuar, siç ishte, u tha anëtarëve të familjes: Le të më vizitojnë vetëm ata që janë rrëzuar nga dardha, se askush tjetër s’ma di hallin! Në këtë kontekst mund të themi se shqetësimet e ukrainasve më së miri i bashkë-ndjejnë përjetuesit e agresionit serb, të cilët kanë kaluar nëpër fatkeqësitë e njëjta, si këta tash në luftë me Rusinë. Pra, shqiptarët e Republikës së Kosovës, kroatët e Republikës së Kroacisë dhe boshnjakët e kroatët e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, ndjejnë dhembshuri ndaj përjetuesve të këtyre tmerreve të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse.

Kur bëhet fjalë për shkatërrimet dhe viktimat e shkaktuara nga agresioni serb, mund të themi se pos SHBA-së, të rralla ishin ato shtete që e ndjenin dhembshurinë për një gjendje të tillë, madje pushtetarëve të Ukrainës as që u bëhej dert asokohe se çfarë po ngjante në hapësirën e ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Përkundër kësaj, pushteti i Kosovës dhe gjithë popullata e saj u solidarizua me popullin e Ukrainës, që në ditët e para të agresionit rus ndaj këtij shteti, ndërsa para pak kohësh, Kroacia i pranoi më shumë se dymbëdhjetëmijë refugjatë ukrainas, për çfarë, autoritetet e këtij vendi deklaruan se janë të gatshëm t’i pranojnë edhe po aq të tjerë. Mirëpo, e tërë kjo e dhënë nuk është objekt i këtij shkrimi, andaj i kthehemi temës së sipërshënuar.

Për të pasur një pasqyrë sa më të qartë për gjendjen në Ukrainë, e sidomos për qytetin Mariupol, do ta bëjmë një krahasim me agresionin serb ndaj Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë, e sidomos duke i vënë në një paralele Mariupolin e Ukrainës me Vukovarin e Kroacisë.

Qëllimi i luftërave, në hapësirën e ish Jugosllavisë, të nisura nga liderët dhe pushtetarët serbë në krye me Sllobodan Millosheviqin, përfshirë Kishën serbe dhe Akademinë serbe të Shkencës e Arteve, ishte krijimi i “Serbisë së madhe”, me moton “ku ka serbë është tokë serbe”, ndërsa si pretekst kishin, kinse, mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetonin si pakica nacionale jashtë Republikës së Serbisë.

Po me këtë qellim dhe pretekst, e me pak nuanca ndryshimi nga ai i Serbisë, Federata Ruse në krye me Vlladimir Putinin, i nisi luftërat pushtuese.

Kur është fjala për Serbinë, nuk duhet harruar faktin se me shthurjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, serbët e përvetësuan gati tërë arsenalin e armëve, ngase Armata Jugosllave dominohej nga oficerët serbë, andaj kjo Republikë kishte epërsi në sasinë dhe kualitetin e armatimit në luftë kundër të tjerëve, njëjtë si Federata Ruse sot kundruall shteteve që dikur kishin qenë pjesë konstitutive e shtetit të përbashkët të quajtur Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike.

Pos motivit të sipërpërmendur për nisjen e këtyre luftërave, Serbia e kishte mbështetjen inkurajuese edhe nga aleati i vjetër-Rusia, gjë që e bënte atë edhe më të egër dhe më të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve.

Në këto luftëra, Serbia s’kishte mëshirë jo vetëm ndaj popullatës civile, por as ndaj objekteve historike që ishin nën mbrojtjen e UNESKO-s, siç ishte rasti me qytetin e vjetër të Dubrovnikut, mbi të cilin u hodhën granata të panumërta.

Shikuar nga ky këndvështrim, shohim se edhe Federata Ruse në luftë kundër Ukrainës po i vë në shënjestër të bombardimeve sidomos spitalet dhe objektet e banimit kolektiv, për çfarë po rezulton pastaj një numër i madh me viktima civilësh.

Ndër qytetet e Kroacisë që u bombarduan më së shumti asokohe nga ushtria dhe paramilitarët serbë, mund të veçohet Vukovari. Rrethimi i këtij qyteti ka zgjatur 87 ditë. Gjatë kësaj kohe, pothuajse të gjitha ndërtesat e banimit të këtij qyteti u shkatërruan nga granatat dhe mjetet tjera shpërthyese.

Gjatë luftës në Vukovar humbën jetën rreth 3.000 njerëz, nga ta pësuan 900 luftëtarë brenda qytetit dhe afër 1.600 të tjerë në zonën e gjerë përreth, e cila ishte gjithashtu pjesë e betejës.

Përkundër luftës heroike të ushtarëve të Gardës Kombëtare, Vukovari bie nën pushtimin e serbëve me 18.11.1991. Me pushtimit e këtij qyteti u bë pastrimi etnik i zonës. Nga qyteti dhe zonat përreth u dëbuan rreth 31.000 qytetarë civilë, ndërsa po në ato ditë 700 luftëtarë kroatë u likuiduan dhe u zhduken, pastaj rreth 2.000 civilë e 5.000 luftëtarë të tjerë përfunduan si robër lufte nëpër kampet e përqendrimit të Serbisë, të cilët u keqtrajtuan dhe shumica nga ata janë zhdukur.

Ky qytet u kthye nën sundimin e Kroacisë tek në vitin 1998.

Njëri nga qytetet e ish RSFJ që i ka rezistuar më së gjati rrethimit të ushtrisë serbe, konsiderohet kryeqyteti i Bosnje e Hercegovinës, Sarajeva. Rrethimi i saj ka zgjatur 1.456 ditë, respektivisht që nga dt. 5.04.1992 e deri me 29.02.1996. Po ashtu vlen për të cekur se mbi këtë qytet janë zbrazur mesatarisht 329 predha në ditë, ndërsa rekordi i hedhjes prej 3.777 predhave brenda ditës është shënuar me dt. 22.07.1993. Caku i goditjeve ishin, kryesisht, objektet civile të banimit, ato kulturore dhe fetare.

Gjatë kohës së zhvillimeve luftarake në territoret e ish RSFJ, zhvillohej njëkohësisht edhe luftë mediesh. Serbia mundohej ta paraqiste agresionin e saj si luftë çlirimtare. Propaganda serbe kultivohej nën përkujdesjen e Aleksandar Vuçiqit (sot president i Serbisë), i njohur në atë kohë me thënien e tij naziste: “Nëse e vrisni një serb, ne do t’i vrasim njëqind myslimanë (lexo: boshnjakë)”.

Në kohën e agresionit serb, Kosova nuk kishte ushtri të rregullt. Formacionet e saja luftarake linden si domosdoshmëri e mbrojtjes për jetë a vdekje të shqiptarëve. Ato u formuan nga vullnetarët. Mbrojtja e “pragut të shtëpisë” që e nënkuptonte mbrojtjen e familjes, ishte motivi kryesor i luftës së saj për çlirimin e atdheut.

Nga betejat më karakteristike që u zhvilluan në Kosovë, mund t’i veçojmë atë të Loxhës dhe të Koshares, pa i harruar edhe të tjerat që kanë lënë nam me heroizmat e luftëtarëve shqiptarë.

Në fshatin Loxhë që graviton në periferi të Pejës, u zhvilluan tri beteja. Të parën dhe të dytën e përballuan me sukses luftëtarët shqiptarë, duke i lënë të vrarë një numër të konsiderueshëm të policëve e paramilitarëve serbë. Mirëpo, pas sulmit të tretë, në mungesë të armatimit kundërajror adekuat, luftëtarët shqiptarë u detyruan të tërhiqen nga fronti i luftës, për shkak se forcat serbe e futen në veprim aviacionin luftarak.

Pas këtyre betejave, serbët e bënë rrafsh me tokë këtë vendbanim, pa e lënë asnjë objekt mbi sipërfaqen e tokës, kurse në luftën e Koshares, ushtria serbe pati humbje të mëdha në njerëz dhe në teknikën luftarake.

Forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, pos që e bombarduan dhe masakruan popullatën shqiptare, ua plaçkitën edhe gjërat me vlerë. Gjatë kësaj kohe, Serbia përdori krematoriume provizore. Pati pushkatime në masë dhe fshehje e djegie të kufomave. Nga forcat serbe u vranë rreth 14.600 shqiptarë, prej tyre 1.432 fëmijë.   U burgosën një numër i madh njerëzish. Në furrat e Trepçës u dogjën më shumë se 1.500 kufoma, u dhunuan seksualisht 20.000 femra, u shkatërruan mbi 188.000 objekte banimi.

Në fillim të luftës pati rreth 1.500.000 të zhvendosur. Mirëpo, pas përshkallëzimit të situatës, në marsin e vitit 1999 forcat serbe dëbuan nga Kosova rreth 1.000.000 shqiptarë. Për një vend prej dy milionë banorësh sa kishte Kosova në kohën e paraluftës, këto shifra të prezantuara më lart tregojnë një përqindje shumë të madhe në raport me numrin e popullatës.

Pas marrëveshjes së Kumanovës, e cila u nënshkrua në qershor të vitit 1999 në mes të RFJ dhe NATO-s, respektivisht në mes ish shefit të Shtabit të Armatës së Serbisë, gjeneralit Nebojsha Pavkoviq (më vonë, i akuzuar në Hagë për krime lufte dhe gjenocid) dhe komandantit të parë të KFOR-it në Kosovë, Michael Jackson, Serbia u detyrua t’i tërheqë forcat e armatosura nga territori i Kosovës.

Pas çlirimit të Kosovës u gjeten një mori varrezash masive në Serbi e Kosovë. Deri në vitin 2008 nëpër varrezat masive të Serbisë u gjetën rreth 800 mbetje mortore, pastaj në varrezën masive të Batajnicës së Beogradit u gjeten 980 trupa të shqiptarëve të vrarë, ndërsa në ato të Rudnicës dhe Rashkës u gjeten edhe 250 të tjera. Megjithëkëtë pati edhe aso të pagjetura. Sot pas njëzetetre vitesh nga koha e çlirimit të Kosovës, janë në evidencë edhe 1.610 persona të pagjetur.

Sipas Gazetës Express, gazetari amerikan R Jeffrey Smith në profilin e tij në “facebook” shkruan: “23 vite më parë kur forcat serbe u tërhoqën, unë isha në Kosovë për të raportuar për WP. Ndër gjërat më të pakuptueshme që u panë ato ditë janë kufomat e hedhura nga serbët në bunarë. Historia po përsëritet në Ukrainë, me trupat e gjetur në bunarë ku u tërhoqën rusët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok