18/03/2025

Maratonomaku Rinush Idrizi

0
Edison-Ypi1

Nga Edison Ypi

Mësuesi i Letërsisë, Rinush Idrizi, hynte në klasë furishëm, me frymëmarrje të shpejtuar, si dikush që vjen nga larg për të sjellë një haber të mirë, si marotonomak, që haberin e mirë do ta sjelli gjallë a vdekur, dhe dilte nga klasa si Sizif, i palumtur që shkëmbin e rëndë sa herë e ngrinte lart aq herë i rrokullisej posht.

Rinush Idrizin klasa e dëgjonte e nemitur.

Arratisjet letrare të Rinush Idrizit përmes kërcimesh pindarike nga detajet më të imta të prozës e poezisë së zgjedhur shqiptare dhe botërore, te bëmat e perëndive të Olimpit ishin mahnitëse.

Rinushi e niste me Nolin, e përfundonte me Danten. Fliste për Ndre Mjedën, dilte te Shekspiri. I bënte me aq shkathtësi, aq natyrshëm, aq butë e bukur këto kërcime, sa duke udhëtuar nëpër Letërsi na dukej sikur udhëtonim nëpër botë, madje edhe nëpër kohë.

Rinush Idrizi ishte një lloj magjistari që klasën e bënte të binte në jerm, në delir, në ekstazë.

Rinush Idrizi nuk zbatonte program mësimor nga Drejtoria, Ministria, Akademia, etj.

Leksionet e Rinushit ishin një çakërrdisje e këndëshme e pangjajshme me asgjë pedagogjike zyrtare, konvencionale.

Komitetet, mbledhjet, hovin proletar, klasën puntore, punën vullnetare, Rinush Idrizi nuk i përfillte.

Rinushi na e çorrodiste mendjen me herezira.

Sipas Rinushit, ata që thonë se Poeti i shkruan vargjet në momente frymëzimi, gënjejnë.

Sipas Rinushit, vargjet që lexohen ose recitohen me një frymë gjatë pak minutave, janë dashur vite të shkruhen. Poeti dhe shkrimtari janë njerëz me ndjeshmëri të lartë që nuk frymëzohen në çastet e të shkruarit, por gjatë një kohe të gjatë, Poeti është supernjeri që lodhet shumë.

Rinushi theksonte efektin që të shkruarit artistik ushtron mbi jetën e lexuesit. Sipas tij, brenda këtij efekti, misteri i të cilit kurrë nuk do të zbulohet, ndryhet sekreti i të shkruarit bukur.

Është gjëja më absurde, thoshte Rinushi me nervozizëm, ta komentosh një tekst duke e paragjykuar si analog, pra duke thënë se “me këtë ka dashur të thotë këtë, me këtë tjetrën atë tjetrën, e kështu me rradhë”.

Një ditë Rinushi na rrëfeu se si në një universitet diku në Europë, pritej të vinte një Profesor i famshëm që do komentonte një fragment nga Komedia Hyjnore. Studentat mbushën Aulën. U bënë gati të merrnin shënime. Mprehën lapsat. Përgatitën blloqet. Ra një heshtje sa dëgjoheshin frymëmarrjet. Profesori erdhi. Me vete kishte Komedinë Hyjnore. Hodhi një sy rretheqark. Priti pak çaste. E përplasi Komedinë Hyjnore mbi tavolinë. Tha me zë të lartë; Nuk mund të komentohet ! Dhe iku.

I kam të gjalla hyrjet e daljet e Rinush Idrizit nëpër vargjet e De Radës, Mjedës, Serembes, si minatori brenda labirinteve nëntokësore të minierave të floririt.

Rinushi thoshte se autorët e vërtetë pasi e mbarojnë një vepër, i thonë turmës; U lodha sa e mbarova. Deri tani ishte e imja. Prej tash është e juaja. Merreni. Lexojeni. Griseni. Bëni ç’të doni.

Tregonte pafund për madhështinë e Heminguejt. Veçanërisht për “Plaku dhe Deti” përkthyer nga Ismail Kadare. Aq të mahnitëshme i bënte komentet, sa e gjithë klasa, “Plaku dhe Deti” e mësuan pothuajse përmendësh.

Rinushi thoshte se Poet të vërtetë kemi vetëm 1, Lasgush Poradecin. Të tjerët janë profetë të rremë.

Kur fliste për Prometeun dridhej sikur ta kishin lidhur atë vetë pas një shtylle dhe i kishin vënë zjarrin.

Një ditë Maratonomaku u fut vrullshëm në klasë me dëngun e fletoreve të hartimeve të korigjuara. E përplasi dëngun mbi tavolinë pakashumë si profesori me mjekërr Komedinë Hyjnore. Ngriti përpjetë duke e tundur njërën nga fletoret. Tha; Ky di të shkruaj ! dhe shqiptoi emrin dhe mbiemrin e të nënëshkruarit.

Kaluan vite. Unë që për gazetën Drita, revistën Nëntori, Zërin e Popullit, gazetën Puna, dija vetëm se ekzistonin, nuk e mora vesh kurrë ku e internuan dhe si i vajti filli. Më thanë se nga kjo jetë iku para kohe. S’mund të ndodhte ndryshe me një Maratonomak si Rinush Idrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok