MAQEDONIA, HISTORIKISHT DHE ETNIKISHT, NGA ANTIKITETI DERI TË KOHA JONË – PJESË E BOTËS SHQIPTARE
-Reagim ndaj teksteve shkollore në Maqedoninë e Veriut ku shtrembërohet historia e shqiptarëve, duke u paraqitur si ardhacakë dhe “pushtues” të Maqedonisë gjatë Perandorisë Osmane! Ky diskurs nuk është i rastësishëm e as i sotëm, por pjesë e fushatës së organizaur nga akademikët maqedonë si dhe klasa politike maqedone, që shqiptarëve t’u imponohet statusi i pakicës. Për këtë faj të madh kanë edhe politikanët shqiptarë, të cilët, nga viti 1991, kur Maqedonia u shpall shtet i pavarur, nuk ndoqën vendimet e Referendumit të vitit 1992 si dhe jetësimin e tyre, por, për arsyena të pushtetit, pranuan rolin e vasalit. Kjo u pasqyrua edhe me Marrëveshjen e Ohrit të vitit 1991 kur u zhvlerësua edhe lufta e armatosur e UÇK-së për brazi kushtetuese, dhe në atë të Prespës, kur u hoq dorë nga përcaktimi i popullit shtetformues siç po vazhdon edhe sot me sjelljen inferiore në përpëlitjete identitare midis Sofjes dhe Shkupit. Ndërkohë që vazhdon avazi i manipulimit të barazisë kushtetuese të shqiptarëve në preambulën e Kushtetutës së shtetit me atë të barazisë ligjore, që nuk paraqet tjetër pos atë të pakicës së diskriminuar në përputhje me numrat!
Nga Jusuf BUXHOVI
Maqedoninë antike, si mbretëri ndër më të njohurat e kohës dhe Maqedoninë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet, pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonëve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire. Në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire.
Ky qëndrim, megjithatë thyen stereotipet e deritanishme rreth asaj se Maqedonia antike dhe maqedonët ishin pjesë e Greqisë antike, pra grekë. Ndërsa përkatësia botës pellazge-ilire dhe mbretërive që kishte ajo, thyen edhe atë të çështjes së helenizmit si ekskluzivitet grek për faktin e pamohueshëm se e gjithë ajo që shfaqet si kulturë dhe qytetërim antik, nga miti e deri te filozofia, e ka shtratin te një qytetërim paraprak i njohur si pellazg, mbi të cilin u ngrit ai i mëvonshmi që iu atribuua atij grek. Kjo pranohet me të madhe dhe dëshmohet edhe nga autorët antikë dhe të mëvonshëm.
“Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë”, jo rastësisht merret me thyerjen e këtyre tabuve. Pretendimi se Maqedonia është pjesë e botës pellazge-ilire dhe si i tillë kundërshton stereotipin e gabuar të përkatësisë së helenizmit grek të krijuar nga filohelenizmi politik i shekullit XIX i ngritur asokohe nga intelektualë dhe shkencëtarë të njohur evropianë, të shumtën gjermanë dhe austriakë mbi konceptin e rikthimit të tij në sfondin e iluminizmit evropian, është shumë më afër të vërtetës historike, se mohimi ose përjashtimi i saj nga historiografia e manipuluar dhe e shtrembëruar ruse, greke, serbe, bullgare dhe të tjera për qëllime politike, që për pikënisje, jo rastësisht kanë Maqedoninë dhe Maqedonët jashtë çdo lidhjeje me shqiptarët po edhe të përjashtimit të tyre nga historia.
Me këtë pretendim, po ashtu, shikohet edhe ngritja e çështjes së Maqedonisë, nga ajo gjeografike, që e kishte nga mesjeta e këndej, te ajo politike, siç ndodhi me insistimin e Rusisë nga Kriza Lindore e këndej, e cila kishte për qëllim që etnisë shqiptare të shpërndarë në katër vilajete (Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe të Janinës) ku ajo projektohej artificialisht me argumente fetare (krishterimi ortodoks), t’i rrënohej koncepti i vilajetit të përbashkët shqiptar në Perandorinë Osmane (një formë e Shqipërisë Osmane që do të kthehej në Shqipëri europiane në përputhje me rrethanat). E ashtuquajtura Republikë e Krushevës, që doli pas kryengritjes së “Ilindenit” në vitin 1903 dhe zhvillimet tjera të ndërmarra nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria në vilajetet shqiptare, nga një çështje gjeografike të shkëputur dhunshëm nga konteksti historik, krijuan çështje politike në përputhje me projektet e tyre hegjemoniste ndaj një pike kyçe, ku ajo kishte epiqendrën historike dhe etnike. Si e tillë, në fillim të shekullit XX, Maqedonia u kthye në një poligon politik të interesave serbe, greke dhe bullgare, që ushqeu krizat rajonale dhe ato botërore (luftërat ballkanike dhe atë të madhen botërore), nga të cila më së shumi përfitoi Jugosllavia e Titos dhe koncepti i ngritjes së saj në republikë të federatës jugosllave, me çka përfundimisht u nxor nga interesi bullgar e grek dhe interesat ruse, për ta kthyer në çështje jugosllave, së cilës i duhej edhe krijimi i kombit politik maqedonas si dhe gjuha maqedone me alfabet cirilik (nga Vuk Karaxhiqi), ndonëse nga pikëpamja filologjike – ruan karakteristikat e një dialekti të bullgarishtes.
Reinkarnimi i Maqedonisë antike në shtet politik të kombit maqedonas jashtë kritereve historike, siç ndodhi në vitin 1991 pas shpërbërjes së Jugosllavisë, nga aspekti i pragmatizmit politik evropian, sigurisht se me një marrëveshje politike midis Shkupit dhe Athinës rreth emërtimit çfarëdo qoftë, mund të marrë epilogun “pajtues” midis gjeografisë (në anën e Shkupit) dhe “trashëgimisë së përvetësuar historike” (në anën e Athinës). Kjo, megjithatë, nuk ndryshon faktin se as kombet politike, siç është ai maqedonas, i mbështetur mbi një amallgam bullgar-sllav, i krijuar së voni, as përvetësimi i emërtimeve të shteteve nga ai i një mbretërie botërore siç ishte i Maqedonisë antik në një Maqedoni koniunkturale, nuk mund të ndryshojnë të vërtetat historike, siç janë ato se popullata sllavo-maqedonase e shkapërderdhur në pjesën e saj dhe atë të mbretërisë dardane nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e këtyre mbretërive antike, siç nuk mund të mohojë as faktet historike dhe realitetet jetësore deri te ato bashkëkohore, që kanë të bëjnë me shqiptarët – trashëgimtarë legjitim të Maqedonisë antike dhe të qytetërimit të saj, gjurmët e së cilës shfaqen dhe ruhen në kulturën e tyre. Kjo e drejtë konfirmohet edhe deri në kohën tonë qoftë kur flitet për Maqedoninë jugosllave, atë që doli pas shërbrëjes së saj si dhe atë që pas marrëveshjes së Prespës, hoq dorë nga trashëgimia e përvetësuar helene për t’iu kthyer amallgamit bullgaro-sllav.
Në këtë aspekt, libri “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë”, përqendrohet te argumentet historike, te argumentet politike dhe te argumentet demografike të para në kuadër të çështjes shqiptare, pa përjashtuar edhe faktorët tjerë në tërësinë e saj (sllavo-maqedonët dhe të tjerët në përputhje me rolin dhe vendin e tyre në të) dhe pa u përfshi në polemika me faktet e sajuara ose të shtrembëruara nga shumë historianë serbë, bullgarë, rusë, grek, maqedonas dhe të tjerë, të cilët, faktet historike i trajtojnë të shkëputura nga tërësia dhe të shumtën në përputhje me realitetet politike paçka se ata janë në kundërshtim pikërisht me të vërtetën historike.
Me argumentet historike – Maqedonia antike paraqitet pjesë e etnisë dardane-ilire. Shfaqja e saj në shekullin V para erës së re si dhe ngritja e saj në perandori botërore në shekullin IV nga Aleksandri i Madh, ruajnë karakterin e saj. E tillë pasqyrohet edhe gjatë kohës së Perandorisë së Romës dhe në atë të Bizantit. Në të nuk ka kurrfarë gjurmësh sllave nga shkaku i njohur botërisht se në Ilirik ata shfaqen diku pas shekullit VII të erës sonë, në kohën e perandorit të Bizantit, Heraklit, pra nëntë shekuj më vonë, prej nga, në shekujt IX dhe X, pasi ta kenë pranuar krishterimin, me formacionet e tyre fisnore, gjithnjë me tretmanin e “barbarëve” të cilëve ju lejohet organizimi autentik fisnor (fillimisht zhupanitë e më vonë despotatet), marrin pjesë në jetën shoqërore dhe politike të perandorisë. Në këtë zhvillim, gjithsesi se mbretëria e Bullgarisë dhe ngritja e saj në një faktor të rëndësishëm në shekujt IX-X luan një rol të veçantë, që mund të thuhet se ka ndikuar rrethanat politike dhe shoqërore, po jo edhe ato etnike, në Ilirikun Qendror. Ky fakt nuk qe e mundur të përmbysej as nga referencat e Maqedonisë gjeografike që u shfaqen në shekullin XIX si dhe përpjekjet, që ajo të lidhej me Bullgarinë e Borisit dhe të Samuilit për krijimin e Bullgarisë së Madhe siç vendosi Paqja e Shën Stefanit të marsit 1878 si dhe, nuk qe në gjendje ta ndryshojë as propaganda e njohur Beogradit për identifikimin e saj me “Serbinë mesjetare, paçka se me këto “argumente”, në vitin 1912 gjatë Luftërave Ballkanike, në emër “të çlirimit”, u pushtua nga ushtria serbe.
Argumenteve historike të parashtruara më sipër, ku vazhdimësia e mbretërisë maqedone dhe asaj dardane edhe gjeografikisht kishin shtratin e tyre të përbashkët etnik në hapësirat e shtetit të sotëm maqedon, mund t’u shtohen edhe ato politike, që kanë të bëjnë me periudhën e Perandorisë Osmane dhe fundin e saj, kur edhe do të shfaqen interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha në këto pjesë prej nga e ka edhe origjinën ngritja e saj në krizë të sajuar politike me synimin që të kthehet në pre të pretendimeve ruso-sllave në përputhje me programet hegjemoniste bullgare, serbe dhe greke, me ç’rast, edhe shqiptarët, të përfshirë në katër vilajete (të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës),do të shfaqen me kërkesën e tyre për një vilajet të përbashkët autonom në kuadër të Perandorisë Osmane,një si Shqipëri Osmane, në rrugë për t’u kthyer në Shqipëri Europiane çastin që Perandoria Osmane do të merrte fund.
Në këtë aspekt, vilajeti i Kosovës,si më i madhi, kazatë e të cilit përfshinin pjesën më të madhe të asaj që shfaqej si hapësirë gjeografike e Maqedonisë, paraqitet qendër e shqiptarizmit politik, që doli nga programi i Lidhja Shqiptare të Prizrenit, i qershorit të vitit 1878, me Shkupin qendër të vilajetit, prej nga do të drejtohet e gjithë lëviza kombëtare e viteve 1908-1912, që sollën edhe deri te shpallja e shtetit shqiptar, më 28 nëntor 1912. Ngjashëm mund të thuhet edhe për vilajetin e Manastirit si dhe qendrën e saj Manastirin, ku nacionalizmi shqiptar kishte qendrën kulturore ku edhe u themelua alfabeti i gjuhës shqipe me shkronja latine.
Krahas argumenteve etnike dhe atyre politike, janë edhe ato demografike, që të drejtës historike ia krijojnë edhe legjitimitetin e të drejtës jetësore, me të cilat dëshmohet prania e pandërprerë e shqiptarëve në këto troje nga antikiteti, realitet ky që nuk mund të anashkalohet, e aq më pak të rrënohej dhunshëm, siç u veprua me gjenocide gjatë viteve 1912 dhe 1944-45 dhe me etnocide të vazhdueshme, qoftë edhe me shpërngulje me marrëveshje shtetërore me Turqinë, të viteve 1936 dhe 1953, të cilat, infrastrukturën e administratës ekzekutive e kishin në Shkup në kryeqytetin historik të shqiptarëve.
(Shkëputje nga libri “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, botuar në vitin 2019 nga “Faik Konica” & “Jalifat Publishing” së voni i përkthyer në anglisht).