22/12/2024
Boletini-Flamuri

Nga Frank Shkreli

Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në botën ku jetoj unë dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare, gjatë gjithë vitit shënohen ditë në kujtim ose kushtuar personave të dalluar të historisë amerikane, çështjeve dhe subjekteve të ndryshme, llloj, lloj.   Një prej tyre është edhe Dita e Lutjeve, një ditë kjo që shënohet çdo vit të ënjtën e parë të muajit Maj.   Në këtë ditë, e cila e ka origjinën në vitin 1775, amerikanët inkurajohen të falënderojnë dhe t’i luten Zotit.   Kongresi Kontinental Amerikan kishte caktuar një lutje të përditshme, ndërsa themeluesit e këtij kombi po përpiqeshin të themelonin një shtet të ri.   Ç’prej asaj kohe, presidentët e ndryshëm gjatë historisë amerikane, u kanë kërkuar amerikanëve që t’i luten Zotit, sidomos në raste emergjente ose tregjedi kombëtare.   Por ishte viti 1952, atëherë kur Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi ligjin për Ditën Kombëtare të Lutjeve, nënshkruar nga Presidenti i atëhershëm demokrat, Harry Truman.   Ndërsa në vitin 1988 ka qenë presidenti republikan, Ronald Reagan, ai që ka nënshkruar një shtojcë ligjore, për të caktuar zyrtarisht të Ënjtën e parë të muajit Maj, si Ditën Kombëtare të Lutjeve.

Historikisht, çdo vit, presidentët e ndryshëm amerikanë kanë vazhduar këtë traditë duke shënuar Ditën Kombëtare të Lutjeve me një fjalim ose me ndonjë deklaratë të posaçme, ndërkohë që shumë amerikanë të feve të ndryshme, zakonisht, marrin pjesë në ceremoni fetare, në qendrat e tyre fetare të preferuara.

Në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtare të Lutjeve, Majin që kaloi në deklaratën e tij kushtuar kësaj dite, Presidenti  Donald Trump u shpreh se, “Sot në këtë Ditë Kombëtare të Lutjeve, të bashkuar, falënderojmë të Madhin Zot për bekimet e mëdha që Ai i ka dhënë Kombit tonë, ndërkohë që kërkojmë edhe ndihmën e Tij të përherëshme.   Ne gjithashtu pranojmë varësinë tonë në ndihmën dhe dashurinë e Zotit për të ndihmuar familjet, komunitetet dhe vendin tonë, për të na ruajtur nga e keqja dhe të fali begatinë dhe paqën…Sot lutemi gjithashtu që Perëndia të mbajë të fortë Atdheun tonë, të ruaj Forcat tona të Armatosura, ndërkohë që përballemi me sfida mbrenda dhe jashtë vendit.   Kjo traditë Kombëtare e lutjeve ka ruajtur dhe ka fuqizuar besimin tonë në Zotin dhe do të vazhdojë të na ndihmojë edhe në kohërat më të mira si dhe në momentet më të vështira.   Si Amerikanë që jemi, të mos harrojmë kurrë fquinë e lutjeve dhe madhështinë e Krijuesit tonë, ka thënë Presidenti amerikan, në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtare të Lutjeve, të ënjtën e parë të Majit që kaloi.

Përballë kësaj historie dhe kulture fetare amerikane është e vështirë të marrim me mend politikanët e sotëm shqiptarë anë e mbanë trojeve –që përballë sfidave të mëdha me të cilët përballen sot shqiptarët — që në ditë të mira e të vështira — t’i drejtohen Zotit me lutjet e tyre për ndihmë dhe për bekim, për veten, për familjet e tyre e mbi të gjitha për Kombin e vet.   Që të pakën njëherë në vit të tregojnë përvujtërinë e tyre duke iu drejtuar Krijuesit për ndihmë dhe për bekim, siç ndodhë këtu në Amerikë me politikanët amerikanë, duke filluar nga presidenti.   Por duke shfletuar disa gazeta të vjetra të diasporës shqiptare të pas luftës, zbulova se — në një kohë kur Enver Hoxha ndonëse mohonte ekzistencën e Zotit, ai njëkohësisht i kishte deklaruar luftë Perendisë duke shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë – diaspora anti-komuniste shqiptare në Romë kishte Lutjen e saj për Ditën e Pavarësisë Kombëtare të të gjithë Shqiptarëve, pa dallim, “Lutja e Shqiptarit për Ditën e Flamurit”.   Nuk dihet autori i kësaj lutjeje që është botuar në gazetën e imigracionit politik shqiptar, “L’Albanie Libre” që botohej në Romë.   Është botuar në gazetën, ”L’Albanie Libre” me 28 Nëntor, 1961. Është një lutje, që nuk i përket asnjë feje në veçanti, por është gjithëpërfshirse, pan-shqiptare, pa dallim feje, krahine e ideolgjie, drejtuar “Perendisë që është “Një për të Gjithë Shqiptarët e mbarë njerëzimin”, sipas lutjes.   Është një lutje drejtuar Zotit të Gjithëpushtetshëm, në atë periudhë historike, në kulmin e luftës së ftohtë.

E përzgjodha këtë lutje për lexuesin për dy arsye.   Një, sepse është një lutje gjithnjë aktuale edhe për gjëndjen e sotëme aktuale të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta, megjithëse është shkruar pothuaj 60-vjetë më parë.   Arsyeja tjetër është për të treguar dallimet në pikëpamjet dhe në botëkuptimet e këtyre burrave emigrantë antikomunistë shqiptarë në krahasim me regjimin e Enver Hoxhës që i kishte dëbuar nga Atdheu i tyre dhe i cili kishte filluar procesin e të ashtuquajturit “revolucion kulturor” alla kinezçe në Shqipëri, duke zhdukur nga faqja e dheut çdo ndikim dhe paraqitje fetare , pasi kishte eliminuar ose burgosur një numër të madh të klerikëve shqiptarë.   Një çmenduri vërtetë e një udhëheqsi të krisur dhe një tragjedi kombëtare!    Pason teksti i plotë i “Lutjes së Shqiptarit në Ditën e Flamurit”, drejtuar Perendisë nga përfaqsues të emigracionit antikomunist shqiptar pas luftës së dytë Botërore.

Është një lutje që i kërkon falje por edhe ndihmën e Perëndisë për “fajet e merituara” pasi duke “mohuar urdhërat Tua, u armiqësuam ndërmjet veti na shqiptarët”, ndërkohë që na “mungojnë ndjenjat vëllazërore”, ndërsa “zemrat tona po kalben në urrejte, o Perendi”, duke i kërkuar Zotit të “përtërij zjarrin e dashurisë që vëllazëron, po deshte me na shpëtuar” dhe kërkon Afshin shelbues të vllaznisë Kombëtare”   Vijon teksti i plotë i “Lutja e Shqiptarit në Ditën e Flamurit”:

O Perendi, që je Një për të gjithë Shqiptarë e mbarë njerërzimin,

Prire syrin Tëndë të mëshirshëm kah vuajtjet tona.

Lehtëso peshën e mjerimeve që rëndon tash qindra vjetësh mbi kurrizin

e shpinës së kombit.

Ndoshta jemi fajtorë para Teje e Ti kërkon pastrimin tone nepër pendesën e merituar të fajeve.

Pra O Zot, mjaft jemi dërmuar e flijuar në rrokullim të motive,

Por megjithëkëtë jemi gati t’i shlyejmë mëktatet me dënesë e lotë,

Mjaft që përdëllesa e Jote ta ndrisë si rreze këndellëse fatin tonë të terratisur.

Çdo Arbnorit, Ti i falë dy gisht nderë në shteg të ballit.  Na u përpoqëm që dhuratën Tënde ta ruajmë nepër ndjekjen e gojdhanave stërgjyshore.

Por tepër gjat errësira na ka mbuluar errërsira.  Tepër shumë rrufe zharritëse shkrepën mbi ne, tepër armiq prap na ndrydhin jetën anë e kand.

E jemi vetëm në këtë shekull, ku nuk punon e drejta dhe ku i shlyen gjurmët burrënisë.   Duke mohuar urdhërimet Tua, u armiqësuam ndërmjet veti na Shqiptarët, kështuqë na mungon, në çaste ngushtice, ngushullimi i ndiesisë vëllëzërore.   Ajli, zemërat tona u kalbën në resë e në urrejtje, o Perendi.

Përtërije Ti zjarrin e dashurisë që vëllazëron, po deshte me na shpëtuar.   Na jep në këtë ditë në të cilën kremtohen lidhjet e gjakut të përbashkët, afshin shëlbues të vëllazërisë kombëtare.   Bën që loti e vuajtja të ringjallin ndiesinë vëllazërore. Ban që ndiesija vëllazërore të jetë krypa e bukës tonë të përditëshme, drita e fjalëve që na burojnë në buzën e rreshkur  për krojet e humbura të atdheut, paalci I çdo veprimtarisë tone, flatra e deshirave flakruese kah  ka ato agime të bardha që Ti o Drejtësi e pambarueme, sigurisht na ke ruajtur në fund të stinave të mjerimit.

Na liro nga vneri i mënisë e i smirës dhe atëherë do të ngrehemi në dritën e kohërave të reja  për tu nisur me bekimin Tëndë kah vallja e agimeve fatbardha  që ngjallin pranverën mbi murana të Dëshmorëve të Lirisë, sjellin  hare lumnuese në prak të kasollave sot të mbytura në vaj dhe zgjojmë hymne galdimi në gojë të breznive të njoma për më të madhin lavd të Flamurit, tekembramja ngallënjyes  mbi çdo hije përdhunuese”.

Në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtre të Lutjeve në vitin 2015 këtu në Shtetet e Bashkuara, ish-Presidenti Barack Obama, është shprehur se, “Kur lutemi, kujtohemi se nuk jemi vetëm – dhe se shpresa jonë është një shpresë e përbashkët.   Lutja na kujton të ndajmë të mirën e të keqen me njëri tjetrin, na kujton gjithashtu se të gjithë jemi bij dhe bija të Perendisë….dhe se në periudha të vështira dhe përballë sfidave që shpesh duken të pa përballueshme, lutjet janë një forcë e fuqishme për paqë, drejtësi dhe për një të ardhme më të mire dhe më të ndritur….”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok