22/12/2024

“Lulja e Vlorës”: Kujtimet e një gruaje hebreje në Shqipërinë e mikpritjes dhe solidaritetit

0
Kohen-Lulja-Vlores

“Nuk ka asnjë gjurmë të diskriminimit kundër hebrenjve në Shqipëri, pasi Shqipëria është një nga vendet e rralla në Evropë sot ku paragjykimi dhe urrejtja racore nuk ekzistojnë, edhe nëse shqiptarët janë ndarë në tri besime.” – Ambasadori amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein, 1930-1933

Nga Dorian Koçi

Libri ‘Lulja e Vlorës’, i shkruar nga doktoresha Anna Kohen, është një rrëfim i rrallë dhe prekës për jetën e një gruaje hebreje të lindur në Vlorë, Shqipëri. Kohen na ofron një pasqyrë intime të jetës së saj në Shqipërinë komuniste dhe historinë e komunitetit hebre, duke sjellë një dritare për një kohë dhe vend të vështirë, që mbetet kryesisht i panjohur për lexuesit ndërkombëtarë. Ky libër, më shumë se një përmbledhje kujtimesh, është një testament për solidaritetin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve ndaj hebrenjve, një marrëdhënie që ka kaluar përmes shekujve me histori të mbushura me sfida, por edhe me momente të jashtëzakonshme humanizmi

Anna Kohen kujton përjetimet e saj në një Shqipëri të izoluar nga pjesa tjetër e botës, por gjithashtu të ngrohtë dhe mikpritëse ndaj komunitetit të saj. Historia e familjes së Anna Kohen fillon në vitin 1938, kur prindërit e saj, së bashku me gjyshin dhe gjyshen, u vendosën në Shqipëri. Në atë kohë, ata u bashkuan me një komunitet të vogël hebrenjsh Romaniotë që kishin ardhur nga Janina dhe ishin vendosur në Vlorë. Ky komunitet, edhe pse i vogël në numër, kishte një kohezion të jashtëzakonshëm. Pas Luftës së Dytë Botërore,kur në Shqipëri u instalua regjimi komunist, familja Kohen, edhe pse shtetas grekë, nuk arriti të largohej nga Shqipëria, duke mbetur e bllokuar në këtë vend ku lindi dhe u rrit Anna së bashku me tre motrat e saj.

Ajo përshkruan jo vetëm sfidat e përditshme të jetës gjatë periudhës komuniste, por edhe aktet e vogla dhe të mëdha të dashamirësisë që karakterizuan marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve. Një ndër episodet më prekëse në libër lidhet me ruajtjen e identitetit hebre nga fqinjët shqiptarë, të cilët shpesh ndihmonin familjet hebreje të ruanin traditat dhe vlerat e tyre fetare, edhe kur rrezikonin vetë. Kohen sjell në kujtesë momente të vogla, si festime të fshehta të Pashkës hebraike, apo mbështetjen e fqinjëve për të fshehur simbolet hebraike gjatë kohës kur feja ishte ndaluar nga regjimi. Qyteti i Vlorës mbetet një monument i mikpritjes në kujtesën kolektive të shqiptarëve për hebrenjve në territoret shqiptare në shekullin e XV. Në shekullin e XV, 528 familje hebreje u vendosën në këtë qytet pas përndjekjes së inkuizicionit në Spanjë. Në shekullin e XVI, Vlora u shndërrua në një qendër shqiptaro-hebre, ku komunitetet bashkëjetuan në harmoni, duke ndarë jo vetëm hapësirat e banimit, por edhe ekonominë dhe kulturën. Në këtë periudhë, hebrenjtë sefarditë zhvilluan tregtinë me qytetet e bregut perëndimor të Adriatikut, duke përdorur portin strategjik të Vlorës. Kohen thekson se bashkësia hebreje e Vlorës ishte një nga më të mëdhatë në rajonin e Rumelisë, pas Selanikut, dhe kjo pasuri kulturore dhe ekonomike ndikoi pozitivisht në zhvillimin e qytetit. Libri është një dëshmi e rëndësishme e pranisë së komunitetit romaniot hebre në Shqipëri. Hebrenjtë Romaniotë, ndryshe nga herbenjtë Ashkenazi të Europës Qendrore dhe Lindore apo Sefarditët me origjinë nga Spanja dhe Portugalia, kishin një kulturë dhe histori unike, që shpesh është lënë në hije nga ngjarjet më të mëdha historike. Përmes kujtimeve të saj, Kohen shpjegon se ky grup hebrenjsh, përfshirë ata nga Janina, Vollosi dhe Kavalla, kishte ruajtur traditat e veta për shekuj me radhë. Në librin e saj, ajo ndan momentin kur, pas leximit të një libri në vitet ’80, kuptoi për herë të parë që ishte Romaniote, një fakt që e lidhte atë me një prej komuniteteve më të vjetër hebreje në rajon. Kjo reflektim ndihmon lexuesin të kuptojë më thellë ndërlikimet e identitetit hebraik dhe diversitetin brenda vetë kulturës hebreje.

Një pjesë thelbësore e librit i dedikohet periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u bë një strehë për hebrenjtë që i shpëtuan Holokaustit. Anna Kohen përshkruan përpjekjet heroike të shqiptarëve për të mbrojtur hebrenjtë nga ndjekja naziste, duke i fshehur në shtëpitë e tyre dhe duke rrezikuar jetët për të siguruar mbijetesën e këtyre familjeve. Një shembull i prekshëm është strehimi i hebrenjve në fshatin Trevllazër të Vlorës. Familja e Kohen gjeti strehim në fshatin Trevllazër, në familjen Lazaj, ku u mbrojtën nga banorët myslimanë, të cilët ndanë gjithçka me ta. Familjet shqiptare aty jo vetëm që i strehuan hebrenjtë, por ndanë gjithçka që kishin me ta, duke treguar një solidaritet të jashtëzakonshëm. Këto akte të humanizmit janë dokumentuar edhe në arkivat ndërkombëtare, si në Muzeun Yad Vashem në Izrael, ku shqiptarët janë njohur si “Të Drejtët midis Kombeve.” Dokumentet e ruajtura në Muzeun e Holokaustit në Uashington dëshmojnë për këto përpjekje, me emrat e 2,264 hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë ndihmë dhe solidaritet të shqiptarëve me hebrenjtë e ka njohur edhe vetë komuniteti hebraik i Shqipërisë që në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ku mes të tjerash spikat shkrimi i Inxhinierit hebre Samuel Mandili më 20 shkurt 1945 në Gazetën “Bashkimi”: “Të gjithë hebrenjtë që erdhën nga Shqipëria u shpëtuan falë mirësisë bujare të popullit shqiptar që e konsideronte detyrën morale për të mbrojtur të gjithë emigrantët e persekutuar në shtëpitë e tyre […] Qëndrimi i mrekullueshëm dhe fisnik i popullit shqiptar duhet të njihet sepse ata meritojnë të gjithë mirënjohjen e botës dhe të çdo njeriu të arsimuar […]

Libri ‘Lulja e Vlorës’ nuk është vetëm një rrëfim personal, por edhe një dokument historik që ndriçon një aspekt të rrallë të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe hebrenjve. Ai na jep një pasqyrë unike të solidaritetit dhe bashkëjetesës që u përballën me sfida të mëdha, duke përfshirë pushtimin nazist dhe diktaturën komuniste Për shqiptarët, ky libër është një kujtesë e virtyteve që kanë karakterizuar historinë e tyre: mikpritja, solidariteti dhe humanizmi. Ndërkohë, për komunitetin hebre, ai është një dëshmi e rëndësishme për një kapitull të ndritshëm në historinë e mbijetesës së tyre. Rëndësia e këtij libri pasqyrohet edhe në përpjekjet e sotme për të dokumentuar dhe përjetësuar këtë histori. Në Vlorë, po përfundon ndërtimi i Muzeut Hebraik, një projekt që synon të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë hebreje në Shqipëri. Ky muze do të shërbejë jo vetëm si një qendër kujtese, por edhe si një urë midis brezave, duke ndriçuar vlerat universale të bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë. Në këtë kontekst libri i Dr Anna Kohen merr një rëndësi të veçantë pasi shërben si një dëshmi kryesore e jetës social hebraike në Vlorë deri në vitin 1966, vit në të cilin ajo largohet nga Shqipëria.

Dr Anna Kohen, përmes kujtimeve të saj, tregon jo vetëm për sfidat e së kaluarës, por edhe për fuqinë e shpirtit njerëzor për të kapërcyer vështirësitë. Pas largimit nga Shqipëria në vitin 1966, ajo vazhdoi studimet për stomatologji në Greqi dhe më pas u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1991, me ndihmën e organizatave hebraike, ajo arriti të transferonte 37 anëtarë të familjes së saj në SHBA, një akt që pasqyron përkushtimin e saj ndaj familjes dhe komunitetit. Angazhimi i saj ndaj shqiptarëve nuk u ndal këtu. Si kryetare e organizatës së grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” për më shumë se 25 vjet, ajo ka organizuar aktivitete edukative dhe humanitare për shqiptarët në të gjithë botën. Gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, Kohen luajti një rol aktiv në ndihmën humanitare për refugjatët shqiptarë, duke demonstruar lidhjet e saj të thella me popullin shqiptar. Për këtë kontribut, në vitin 2004, ajo u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me medaljen “Për Merita të Veçanta Civile.”

Libri ‘Lulja e Vlorës’ është një thirrje për të mos harruar të kaluarën dhe për të mësuar nga vlerat e solidaritetit dhe humanizmit që e karakterizojnë atë. Përmes një stili të thjeshtë dhe të ndjerë, Dr Anna Kohen i fton lexuesit në një udhëtim në kujtimet e saj, duke ndarë gëzimet, dhimbjet dhe shpresat e një kohe që ka kaluar, por që mbetet e gjallë në kujtesën e saj. Ky libër nuk është vetëm një testament për jetën e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe një monument për virtytet e një kombi që, pavarësisht sfidave, ka treguar gjithmonë anën më të mirë të njerëzimit. Për shqiptarët dhe hebrenjtë njëkohësisht, ai mbart një trashëgimi të çmuar, që frymëzon brezat për të ndërtuar ura të reja mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok