Fatmire Duraku

Lulja dhe rrufeja

Me dy grushte dhe nga kopshti

Ngjitja shkallët e jashtme të kullës

Dy gushte dhe për lulen time

Që priste të bënte jetë të re në mua

Mes muresh të kullës

në dritaren e vogël

dy pëllëmbë larg frëngjive

ku koha rrodhi përmes pushkës

ngjitja shkallët me dy grushte dhe

rrufeja shkrepi papritur qëlloi arrën

dhe diku thellë zemrën time

zot dridhesha kurse dheu

nisi të më ikte nga duart

më ikte dheu e unë qaja lulen

çfarë do të bënte ajo pa dheun

pa ujin pa ajrin pa syin tim

ndërsa arra digjej mes oborri

ndërsa unë digjesha në zemër

atëherë e tash unë ngjes shkallët

E kurrë nuk arrij me atë dhe te lulja

tashmë e bërë dyllë në kullë

Te varri i gjyshit

Bri plepi, buzë lumi

Varri i gjyshit me një lule

te koka

përkulem ndër lot

më tutje guri i mezhdës

Një gur i zi nën drizë

Vij këtu e vogël

Bëhem më e madhe

Vij këtu e madhe

Bëhem më e vogël

Përkulem ndër lot

më tutje guri i mezhdës

Gur i zi nën degëza drize

Ç`sëmundje, vallë,

e mori gjyshin?!

Kujtimi për nënën

rrugë të zbrazëta

qyteti i fjetur

mua mendja nënë më ikën te ti

e vetmuar e hap dritaren

shikoj pa cak në largësi

jashtë qetë – qetë bie borë

si një ledhatim i largët

si një kujtim i ngrohtë për ty

si një valëz e lehtë liqeni

zgjuar nga ujë pi aty dreni

si një lule

nga e prek lehtë

valsi pranveror

borë bie qetë – qetë

asgjë nuk lëviz, fare

vetëm një zog vjen në dritare

nga syri im në lot pi ujë

nga zemra ime ha thërrime

mua mendja më ikën te ti

Vorbulla e egër

E harruar mes dritës e kujtimit

Vizatoja në pluhur diçka të verdhë

Që s` shpjegohet kurrsesi

E zemrën ta djeg gjithnjë

Diçka ndërmjet dritës e kujtimit

Nga i rikthen sendet që s`janë më

Sendet që i ke harruar përfundimisht

Në vorbullën e egër të jetës

Kurse qeni të zonë s`e njeh

Dhe e leh dhe e leh dhe e leh

Vizatoja diçka që s` shpjegohet dot

Me veten flisja, flisja me ty

Kurse qeni të zonë s`e njeh

Dhe e leh dhe e leh dhe e leh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok