04/08/2026

”Luftëtari i lirisë” një vëllim i ri poetik nga Emine S. HOTI

0
Emine-Hoti-Luftetari

Nga Viron Kona

Poetesha Emine S. Hoti e ka bërë të njohur prej kohësh mesazhin më të rëndësishëm të librave të saj poetikë, ai mesazh ka të bëj në radhë të parë me atdhedashurinë, me mallin e autores si mërgimtare për vendlindjen e saj të shtrenjtë, por dhe me dashurinë e saj për kombin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Përmes vargjeve ajo i këndon heroizmit të popullit shqiptar në shekuj, i thur vargje mbresëlënëse heronjve dhe dëshmorëve, lashtësisë së popullit shqiptar, vuajtjeve dhe mundimeve shekullore të këtij populli  heroik. Poetesha i drejtohet lashtësisë ilire, luftërave dhe betejave të lavdishme të Skënderbeut, përpjekjeve të mëdha të rilindësve tanë për ardhmërinë e kombit, rrëfen përpjekjet dhe betejat për çlirimin nga okupatori i huaj turk 500 – vjeçar, por dhe demaskon luftërat e padrejta dhe lakmitë e fqinjëve grabitqarë. Vend të rëndësishëm në këtë vëllim zë epopeja e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, heroizmi popullor, figura legjendare e Adem Jasharit, si dhe heroizmi i qindra e mijëra dëshmorëve të këtij populli. Vëllim ndahet në disa pjesë.

Në pjesën e parë, që autorja e titullon “Poezi atdhetare”, spikat poezia “Luftëtari i lirisë”, ku tërheqin vëmendjen vargjet kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ditës së Flamurit, apo poezitë “E dua kombin tim”, “Ju heronj e ju dëshmorë”, “Rroftë 28 nëntori!”, “Një flamur kam qëndis”, “Shqiptarisht”, ”Rrënjët”, ”Gjuha hyjnore”, etj. Te poezia “Luftëtari i lirisë”, që është një himn për luftëtarët e atdheut, ndër të tjera ajo përcjellë te lexuesi vargjet: “Sypatrembur e vizionar,/u prinë kohëve me flamur,/ndeshet fort në fushëbeteja,/pa fitore s`kthehet kurrë!” Kurse te poezia “Skënderbeu”, poetesha portretizon figurën legjendare të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Aty spikatin edhe vargjet: “Kur flasim për Skënderbeun,/kujtojmë dëshmorët dhe heronjtë,/sakrificat e popullit në shekuj,/veprat e tyre me jetë i mbrojmë”.  Poezia “Dita e flamurit” shpreh mendimin e frymëzuar të zonjës Hoti, për flamurin kombëtar, i cili është jo vetëm simbol i kombit shqiptar i ngritur në Krujë, më 28 nëntor 1443, por ky simbol është edhe një lajtmotiv i shqiptarëve. Flamuri përfaqëson atdheun, të cilin, Evropa, duke dashur të kënaq lakmitë e fqinjëve  tanë grabitqarë, e ndau me thikën e kasapit e ua dha fqinjëve grekë, serb, maqedonas e  malazezë. Në këtë poezi autorja shkruan: “Pas errësirës shekullore,/historia me dritë shkëlqeu,/nga gëzimi dhe brohoritjet,/sikur u ngjall Skënderbeu!” Kurse te poezia 17 shkurt 2008, poetesha nëpërmjet vargjeve, shprehet me gëzim në shpirt e në zemër për pavarësinë e Kosovës. Ishte kjo pavarësi, një fitore tjetër e jashtëzakonshme e popullit shqiptar të Kosovës, që rezistonte nën thundrat e pushtuesit mizor serb, i cili, kreu mizoritë më të mëdha ndaj një populli krejtësisht paqësor, duke filluar me persekutimet, burgosjet, vrasjet, dhe sidomos me gjenocidin e skajshëm, duke synuar zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët dhe zëvendësimin e tyre me serbë. Autorja në këtë  poezi ndër të tjera shkruan: “Dardania do të jetoj përjetë,/vend i dashur për çdo shqiptar,/themelet e saj janë të patundura,/mbrohen nga mijëra Adem Jasharë”.

Në pjesën e dytë të këtij vëllimi spikatin poezi që shprehin mallin dhe dashurinë  e poetes Hoti për vendlindjen, Drenicën dhe për çdo pjesë të kombit shqiptar. Tërheqin vëmendjen e lexuesit sidomos poezitë: ”Jetoj në Norvegji në zemër kam Drenicën!”, “Rrënojat e shtëpisë sime”, “Ëndrrat e mia janë për ty, Dardani”, “Shukria”, “36 vjet në mërgim”, “Unë dhe im bir”, “Dallëndyshja s`e harron kurrë folenë!” etj. Te poezia “Jetoj në Norvegji, në zemër kam Drenicën”, autorja shprehet me ndjenjë dhe tregon sesa vlerë ka atdheu për çdo shqiptar, e sidomos për ata që kanë qenë të detyruar ta braktisin atë, pasi u përndoqën nga regjimi fashist serb. Ndërkohë poetesha me një gjuhë të thjeshtë dhe pa zbukurime, shkruan si lajtmotiv vargjet: ”Jam atdhetare, në zemër kam Drenicën,/është vendlindja ime, ku lindëm dhe u rritëm./Atje kam kujtime dhe shpirtin kam atje,/Norvegjia më tha: Mirë se erdhe, Emine!/Jetoj sot këtu, me vajza, djem, mbesa e nipër,/jetoj në Norvegji, në zemër kam Drenicën!” Te poezia “Rrënojat e shtëpisë sime” janë emocionuese, veçanërisht vargjet që mbyllin poezinë: “Te kjo dritare ëndërroja dhe shkruaja,/shikoja të ardhmen që unë përfytyroja,/por jeta e solli që të shkoja në mërgim,/ëndrrat e mia mbetën nën këto rrënoja”. Në këtë pjesë autorja kujton aktin çnjerëzor të pushtuesve serb që vranë shoqen e saj të ngushtë Shukrien, së cilës ajo i kushton vargjet: Takimi i fundit me Shukrien më 1997,/kur serbët masakruan shoqen time të rrallë,/ne motrat në Drenicë më s`u pamë,/ e mira Shukrie jetën e dha për vatan/ Bashkë me lulëkuqet e lulëbardhat,/ Shukria më thotë motër “jam këtu”,/e ndiej si jehonë nga larg zërin e saj,/unë mërgimtarja e malluar në Norvegji”. Kurse te poezia “36 vjet në mërgim”, spikatin sidomos vargjet: Atje e kam vendlindjen dhe kujtimet,/ atje kam historinë e të parëve të mi,/atje pushojnë breza të tërë shqiptarësh,/atje mësova fjalët nënë, atdhe e liri”. Po aq emocionuese është edhe poezia: Dallëndyshja s`e harron kurrë folenë!” ku nëpërmjet një paralelizmi figurativ me zakonin e njohur të  dallëndysheve, që ngado shtegtojnë, kthehen përsëri në vendlindje, autorja ndër të tjera shkruan: I drejtohem me vargje Drenicës sime,/vallë ndonjë rrahje zemre ma dëgjon,/ as s`e harroj dhe ajo s`më harron,/për gjithçka të saj malli më përvëlon./Zemra më thotë të kthehem atje,/ te rrënojat e shtëpisë sime,/të njomë duart, buzët e sytë te burimi,/të rri ngrohtë në vatrën time”. Te pjesa e dytë, nuk mund të rri pa përmendur edhe disa vargje nga poezia:” Unë dhe im bir”, ku autorja, duke qëndruar në kopshtin përpara shtëpisë së saj në Norvegji, bashkëbisedon me djalin e  madh për jetën në mërgim. Ja se si shkruan autorja: Bisedoj me tim bir,/për jetën tonë në mërgim,/flasim e gjithçka rrëfejmë,/mendjen e kemi tek atdheu ynë./Im bir më kërkon hollësi,/për gjithçka të bukur në atdhe,/edhe për pemët, gurët e burimin,/për historitë e trimit Skënderbe./…Flasim me tim bir për atdheun,/flasim dhe nuk pushojmë,/ si qindra mijëra shqiptarë të mërguar,/atdheun kurrë s`e harrojmë”.

Po aq interesante dhe tërheqëse për lexuesin është edhe pjesa e tretë e vëllimit që autorja e titullon “Apel poetik” e ku bien në sy tema poezish të tilla: Populli e kupton ujkun e vërtetë”, “Ujqërit te pragu”, “Jeta vazhdon”, “T’i ndalim!”, “Të mos i lejojmë! ”Egërsi”, “T`u besojmë veprave!”, “Bashkë etj. Do të doja të sillja këtu disa vargje nga poezia “Populli e kupton ujkun e vërtetë”, ku poetesha Hoti, qorton ashpër disa sjellje të padenja të disa pushtetarëve të etur për pushtet, të cilët qeverisin në kurriz të njerëzve të thjeshtë dhe abuzojnë me besimin e popullit dhe të shtetit të tyre. Autorja shkruan: “Ne kemi besim te vetja, jemi të pamposhtur,/Kosova ecën në rrugën e drejtë e me guxim,/ju duhet të ndryshoni zakonet e mbrapshta,/mos u ngjani egërsirave që kishim mbi shpinë!/Mos e lini popullin në mëshirën e  fatit,/se “ujku” përgjon e dobësitë tuaja pret,/vesh petkun e qengjit dhe hiqet si i mirë,/populli e kupton ujkun e vërtetë”. Në përgjithësi kjo pjesë e vëllimit u bën apel dhe u tërheq vëmendjen pushtetarëve dhe të tjerëve që të jenë vigjilentë se, duke drejtuar dhe e udhëhequr popullin, kanë një përgjegjësi të madhe përpara atdheut dhe flamurit, përpara dëshmorëve dhe heronjve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe përpara popullit që i zgjedh dhe ka besim te drejtimi dhe udhëheqja e drejtë e tyre.

Pjesën e katërt të vëllimit autorja e titullon: “Peizazhe letrare”. Aty ajo shkruan poezi të frymëzuara kushtuar “Bukurisë”, “Dashurisë”, “Të mirës” dhe “Të keqes”; poezi kushtuar “Koleges sime poete”, apo dhe poezi që shprehin dashurinë për të kaluarën historike të popullit shqiptar: “Moj e bukura Arbëri”, sikurse dhe poezi kushtuar “Pajtimtarëve”, për të cilët ka shumë nevojë populli ynë, poezi kushtuar Nënës së Madhe të popujve të botës Nënës Terezë, poezi mbresëlënëse për natyrën, sepse ajo është “shtëpia jonë e njerëzimit”. Te poezia “Koleges sime poete” ajo shkruan edhe vargjet: ”Ti motër je luftëtare,/përhapëse e mendimit të lirë,/me veprat e tua të vyera,/ndez drita në errësirë… Te poezia “Pajtimtarët” poetesha Hoti shkruan: “Kemi nevojë për pajtimtarët,/i duam se ata janë mes nesh,/janë në fis, familje e shoqëri,/janë prindër, bijë, nip e mbesë./Ata jetojnë pranë e pranë,/janë si palët e flamurit në shtizë,/ata janë ëmbëlsia e legjendave,/janë të urtët që i mbajmë në shpirt”. Kurse te poezia kushtuar Nënës Terezë, autorja shkruan vargje plot emocion e dashuri: “Në një botë të “vrarë” nga dhembja,/u ngrit një zë i butë, si lutje në erë,/nuk mbante armë, por duar të hapura,/Nënë Tereza — dritë që s’fiket asnjëherë./Nga gjaku ishte shqiptare, por zemër e botës,/ajo mësoi njerëzimin të besoj në paqe dhe miqësi,/me buzëqeshjen e saj shëroi plagë shekujsh,/një hap i vogël, por me peshë në gjithësi./Tha ta mbrojmë natyrën, jetën dhe njeriun,/se pa to paqja mbetet veç gjest edhe fjalë./Si Nënë Tereza të mbjellim dashuri e mirësi,/dashuria është gjuha që kupton globi mbarë”. Tërheqëse dhe me interes për lexuesin janë edhe poezitë që i kushtohet natyrës, e ku autorja vë theksin në dashurinë për natyrën si ekzistenca jonë, atë ta duam, ta mbrojmë dhe të mos e  zemërojmë, sepse ajo bën pa ne, por ne s`bëjmë dot pa atë. Prandaj dhe poetesha Hoti shkruan: “Ajo është mbrojtësja nëpër shekuj,/na jep gjithçka: ujë, bukë dhe dritë,/është e dashur dhe shkrihet me ne,/e kemi detyrë ta mbrojmë çdo ditë./Natyra bën edhe pa ne,/ne na takon që të bashkëjetojmë,/të kemi marrëdhënie të mira me të,/dhe asnjëherë të mos e zemërojmë”.

Pjesa e pestë e librit titullohet: “Bota po tronditet”, ku autorja, si dhe në vëllime të tjera shpreh shqetësimin që sjellin luftërat… Kësaj padrejtësie të madhe njerëzore, autorja i kushton poezitë: “Bota po tronditet”, “Turbullirë”, “Flakë”, “Vajtim”, “Quo Vadis” (Ku po shkojmë?), “Mos u mashtroni!” etj. Në poezinë ”Bota po tronditet” autorja shigjeton artistikisht sulmet ogurzeza të pushtuesve, demaskon dhe nxjerr në shesh qëllimet e tyre agresive për të mbajtur nën thundra popujt. Ajo shkruan: “Botën s`po e tronditin jashtëtokësorët,/botën s`po e tronditin meteorët,/botën  s`po e tronditin dinozaurët,/botën po e tronditin uzurpatorët!/Botën po e tronditin kriminelët,/botën po e tronditin lakmitarët,/botën po e tronditin grykësit,/botën po e tronditin barbarët!”

Në pjesën  e gjashtë të këtij vëllimi, autorja i ofron lexuesit një intervistë dhe një numër fjalësh të urta, që janë përvojë e jetës së saj. Gjatë leximit, më entuziazmuan përgjigjet që jep zonja Emine Hoti në intervistën e  realizuar nga z. Fatmir Terziu, poet, shkrimtar, studiues dhe drejtues i portalit “Fjala e lirë”, Londër. Sikurse pyetjet me plot origjinalitet nga z. Terziu, edhe përgjigjet e zonjës Hoti vijnë te lexuesi me kulturë, të sinqerta e të vërteta, me mendim, thjeshtësi dhe bukuri shkrimore. Në ato përgjigje shprehen mendimet e një gruaje të  mbushur me përkushtim rreth vlerave njerëzore e intelektuale, aty përcillen mendimet e  njeriut që e jeton jetën me thjeshtësi, por dhe në harmoni të plotë e të lidhur ngushtësisht me shoqërinë, me arritjet, sukseset, brengat, mundimet, vuajtjet e gjithçka ndodh në jetën e njerëzve. Në mënyrë figurative, zonja Emine Hoti shfaqet aty  si një rreze drite, që bën “detyrën” e vet duke ndriçuar, teksa jeta dhe vepra e saj, është një kontribut i çmuar për shoqërinë. Them se përgjigjet e asaj interviste  mund të shërbejnë edhe si një model sesi mund të përgjigjet një intelektual në një intervistë, shkurt, saktë, qartë, bukur, si dhe me ide dhe mesazhe që mbahen mend dhe nuk harrohen.

Po aq interesante dhe origjinale janë mbresat e poeteshës Hoti për shtëpinë e saj në Drenicë, e cila tashmë e pabanuar është rrënuar krejt. Ajo e sheh në ëndrra atë shtëpi, sepse atje ka kujtimet, atje u rrit e jetoi me familjen e saj të dashur, atje dëgjoi histori e rrëfime mbresëlënëse dhe të paharrueshme, atje dëgjoi për vuajtjet, por dhe për heroizmin e popullit shqiptar në shekuj për të mbrojtur trojet e tij. Prandaj ajo shkon në atë rrënojë, e cila i duket më e bukur se një shtëpi floriri, atje ajo kujton se si dikur aty u torturua stërgjyshi i saj Sheqë Hoti, të cilin mizorët serbë e lidhën tek trau i shtëpisë dhe, duke e torturuar dhunshëm i kërkonin të tregonte se ku fshihej i biri, Istrefi, i cili kishte dalë malit për të luftuar për çlirimin e atdheut.

Duke qenë redaktor i disa librave poetikë të zonjës Emine S. Hoti  dëshiroj të them se ky vëllim shënon një rritje të dukshme poetike, veçanërisht nga tematika dhe mesazhet që përcjellë; poezitë këtu e shprehin drejtpërdrejtë mendimin poetik, teksa figurat letrare si, metaforat, krahasimet, simbolet, epitetet etj. i japin vlerë dhe bukuri. Mund të them se zonja Hoti i thur vargjet e saj me bukuri artistike dhe ngjyrime, ashtu siç krijon dhe qëndis me art, pasion dhe dashuri veshjet kombëtare shqiptare. Jo më kot ajo është konsideruar nga vlerësuesit e saj, por edhe nga media e shkruar dhe ajo televizive me emrin tashmë të njohur:”Marigoja shqiptare në Norvegji”.

E urojmë nga zemra poeten Hoti për këtë vëllim mbresëlënës poetik, dhe i urojmë suksese në vëllime të tjera!

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok