21/12/2024

Logjika e konsensusit në vendimmarrje si element i munguar në qeverisjen e Shqipërisë!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

John Rawls në veprën e tij “Liberalizmi politik” trajton në mënyrë të përmbledhur kushtëzimet e sistemit të demokracisë nga konsensusi dhe logjika publike. Sipas tij arsyetimi i politikës liberale realizohet përmes principeve të së drejtës, lirisë dhe barazisë. Dhe me qëllim që këto principe të zbatohen në praktikë, atëherë do të duhet konsensus politik në vendimmarrje dhe arsyetim logjik të kësaj vendimmarrjeje për publikun.

Mungesa e konsensusit politik në vendimmarrjen juridike të legjislativit konsiderohet si shkaku kryesor i mungesës së lirisë, fenomeneve të padrejtësisë dhe trajtimit të pabarabartë të qytetarëve, rajoneve dhe politikave. Më tej vjen gjithashtu pushtimi i institucioneve të shtetit nga korrupsioni, nepotizmi dhe gjithçka tjetër që e bën shtetin të jetë autoritar. Konsensusi është kusht themelor për trajtimin e barabartë të gjithsecilit. Konsensus do të thotë dialog, marrëveshje, fjale mbajtje, sinqeritet dhe transparencë në shfaqjen e mendimit e në marrëdhëniet politike e sociale në një vend të caktuar.

Por duke u ndalur pikërisht në këto koncepte dhe vlera të demokracisë dhe asaj që Rawls e quan liberalizëm politik, rezulton se shoqëria shqiptare vuan shumë pikërisht nga mungesa e konsensusit. Për pasojë vendimmarrja është e njëanshme dhe nuk pasqyron interesat e qytetarëve. Arroganca e pushtetit e sundon shtetin e së drejtës. Madje edhe atëherë kur “e padrejta” bëhet ligj përmes kësaj arrogance. Arsyetimi në këtë rast për opinionin publik bazohet te propaganda dhe retorika e konfliktit, në vend të arsyes së logjikshme të interpretimit të ligjit ose vendimit.

Imponimi i shumicës ndaj pakicës është tipari kryesor i qeverisjes në Shqipëri, por në raste të caktuara edhe në Kosovë. Një mendësi kjo tipike autoritare dhe totalitare e të bërit politikë. Në Shqipëri thuajse të gjitha ligjet miratohen me kartonët e shumicës parlamentare, ndërkohë që për ligjet me votim të cilësuar ose kushtetuese përdoret intriga e trafikimit të votave. Ligje të tilla mund të quhen norma juridike. Në këtë rast mund të flitet për shtet ligjor dhe shtete ligjore konsiderohen dhe diktaturat. Shteti demokratik duhet të jetë edhe shtet i së drejtës. Miratimi i njëanshëm i ligjeve, qofshin ato të zakonshme ose të rëndësishme, nuk garanton themelet e politikave liberale ose të asaj që quhet liberalizmit politik. Përkundrazi, një praktikë e tillë rrit konfliktin politik e social në shoqëri dhe e bën të pamundur realizimin e shtetit të së drejtës.

Mungesa e konsensusit është karakteristika themelore ushtrimit të veprimtarisë së qeverisë shqiptare. Madje, si kurrë më parë pas rënies së sistemit totalitar komunist, ka raste, si në ligjin zgjedhor më 2020-ën, kur u shkel mbi marrëveshjen konsensuale të palëve, mazhorancës dhe minorancës parlamentare. Ndodhi kjo për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar. Mungesa e konsensusit politik ka çuar në kontestimin e shumë ligjeve dhe ndryshimeve ligjore përmes Gjykatës Kushtetuese, si nga ana e ish-presidentit, Ilir Meta dhe nga ana e opozitës parlamentare. Mungesa e konsensusit në vendimmarrje, pra dhe në ligj bërjen, ka thelluar konfliktin politik e social për shumë çështje e problematika në vend, si dhe retorikën e konfliktit në parlamentin shqiptar. Mund të përmenden pa fund shembuj të tillë. Por mjafton të kujtohet ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar, ligji për dhënien me koncension të Butrintit, ligji për ndërtimin e Durrës-Marina, ligji i ashtuquajtur “Fusha”, përmes të cilit falej pasuria publike te një person i nominuar, ligji për investimet dhe investitorët strategjikë, ligji për shpronësimet dhe sa e sa ligje të tjera. Përmes këtyre ligjeve sot qeveria shqiptare operon me arrogancë kundër interesave të qytetarëve.

E njëjta histori përsëritet edhe në marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare. Prej katër vitesh kryeministri i vendit flet dhe propagandon iniciativën serbe të Open Ballkan. Por asnjë rast nuk u konsultua për këtë iniciativë me aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë. Madje as me institucionet e tjera të shtetit, si atë të presidentit të republikës ose parlamentin shqiptar. Nuk mori mundimin të fliste për këtë temë me qeverinë, presidentin ose parlamentin e Kosovës. Gjithçka u vendos në kulisa, pas shpinës së shqiptarëve dhe në kundërshtim me interesat e tyre. Për pasojë nisi konflikti i brendshëm çoi në përçarjen e faktorit shqiptar në Ballkan.

Historia e shtetit shqiptar të dekadës së fundit është histori e provës së pakundërshtueshme se si nuk duhet ndërtuar dhe realizuar vendimmarrja e institucioneve shtetërore pa konsensus, dialog, diskutime dhe debat. Historia e shtetit shqiptar të dekadës së fundit është shembulli tipik që na tregon se deri ku shkon dekadenca e shtetit të së drejtës, nëse nuk realizohen rekomandimet e teorisë politike të konsensusit dhe logjikës në vendimmarrje. Kjo histori na jep gjithashtu mësimin se kur mungon logjika e konsensusit politik, atëherë shteti rrëshqet në korrupsion dhe humb çdo tipar të ushtrimit të demokracisë në liri e barazi, si dhe me drejtësi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok