22/12/2024

Llesh Ndoi: Të isha një “Edi Ramë”!

0
Llesh-Ndoj

NGA LLESH NDOI

Parantezë.

Ndjehem më shumë se komod kështu siç jam dhe s’kam lakmi pozitën e askujt. As pozitën ekonomike, as atë politike… bile as pozitën shoqërore, jo e jo! Si t’i kem lakmi të pasurit, kur ata përherë i shoh më të shqetësuar se veten në kohën kur merrja vetëm bukën e gojës për familjen! Si mund t’i kem lakmi politikanët, kur shoh parlamentin e sharjet me libër shtëpie mes tyre si në një spital psikiatrik?! As pozitën e tyre shoqërore s’e lakmoj kurrë! Njihen prej të gjithëve e s’njohin askënd, përveçse parasë, karrigës që u “pompon” pushtetin e vetëknaqësisë dhe llogjet e tyre në monologjet publike që u ka dal boja.

Ndoshta shtatgjatësinë ia lakmoj Edit, se na sheh nga lart…!

Po çfarë do bëja sikur të isha një “Edi Ramë”?!

Numri i gjërave që duhen bërë edhe në një shtëpi të vogël, është kurdoherë i madh dhe besoj i pambarimtë. Zotësia e atij që rëndom i ka ra “belaja” me qenë zot shtëpie, qëndron pikërisht këtu: Të zgjedhë më të rëndësishmen mes detyrave të shumta që ka, të planifikojë e racionalizojë forcat për t’i realizuar ato me sa më pak dhimbje. E, në se shteti konsiderohet si një familje e madhe për nga përgjegjshmëria e dashuria, nuk ka gjë më të madhe për “të zotin e shtëpisë” se sa të sigurojë harmoninë mes anëtarëve të familjes, respektin reciprok mes tyre, në mos edhe dashurinë! Këto janë premisat për një familje të shëndetshme, e kjo është baza për të pretenduar për më shumë, më lart e më larg…

A është e shëndetshme familja jonë? Aspak!

Sikur të mos mjaftonte emigracioni që e ka kthyer këtë familje në një azil pleqsh pa shërbime, ekonominë pa perspektivë rritjeje mbi baza reale, arsimin në pikë kritike e shumë alarme të tjera që bien nga të gjitha anët, konfliktualiteti politik i atyre që duhet të ishin garancia për të ecur përpara “me mendje të ftohtë”, është gangrena e mbi tridhjetë viteve tranzicion. Ajo përkthehet në gjithshka: ekonomi e munguar, e djeshme e dhimbshme, e sotme pa sy dhe e nesërme pa mend! Pra, po të isha “Edi Ramë”, për më tepër i tejngopur nga pushteti i plotë dhe i tejzgjatur, këtë do të kisha veçuar si hallkën kryesore e aty do të kisha përqëndruar forcat për të dhënë edhe zgjidhjen.

Duke thënë këtë, nuk dua të fajësoj askënd më shumë a më pak. Për konceptin tim, krejt janë fajtor me dashje në këtë situatë, por më “i forti” duhet të lëshoje pé, ai që ka patur fatin apo rrezikun e të qënit në krye duhet të përdorë pushtetin e mbingarkuar për “të lehtësuar barrët” e qeverisjes, qoftë edhe duke humbur karrigen e pushtetit! Më saktë, duke zbritur nga kolltuku në karrige normale, se edhe opozita e tillë është, pushtet në një shoqëri demokratike.

Por ç’do të bëja unë konkretisht në këtë moment po të isha një “Edi Ramë”?! Fare pak gjëra, me një peshë të madhe për të nesërmen:

Me një fjalim si ai di të bëj (ia kam lakmi artikulimin gjuhësorë!) në parlament, apo në forumin më të lartë të socialistëve, do të shpallja gadishmërinë për të shkuar në zgjedhje të reja, sapo të krijoheshin parakushtet e nevojshme që ato të jenë normale, do të propozoja që opozita të hartojë Kodin Zgjedhor, i cili do të miratohej nga socialistët me kushtin e vetëm që opozita t’a votojë hapur me të gjithë segmentet e saj dhe ai të ketë marr miratimin e organizmave ndërkombëtare relevante dhe vendin drejt zgjedhjeve t’a drejtonte një qeveri socialiste teknike, që të merrte edhe miratimin e opozitës. Le të gjendeshin edhe fondet e duhura për gjithshka kërkonin një palë zgjedhje që duhet të rezultonin zgjidhje…

Po më tej…?!

Pasi sovrani të jepte verdiktin e tij të pavarur, në se do të isha përsëri “i dënuar” për të qeverisur, do të respektoja këdo për aq sa e ka respektuar populli e do shihja përpara drejt destinacioneve strategjike ku duam të shkojmë, pa mbivlerësuar as nënvleftësuar askënd për asgjë, larg tekave të secilit e sidomos larg veseve të pushtetit.

Dhe në përmbyllje… Po të isha…Ai,

Ndoshta s’mbetem…Unë.

Se edhe Ai, më duket s’është vetvetja!

Ekuacion i veshtirë, forca transformuese e pushtetit.

Llesh Ndoi

Lezhë, më 9 shkurt 2024

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok