18/11/2024

Liriku i pashoq Skënder Rusi iku në qiell përjetësisht

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Me shumë hidhërim e morëm lajmin e ikjes së parakohshme të poetit të shquar korçar Skënder Rusit, në moshën 72 vjeç.

Vargjet e poetit Rusi jane korale të shpirtit të tij lirik, të një lirike të ngrohtë dhe tejet përjetuese.  Lirika e tij duket sikur e ka fituar përjetësisht dashurinë e lexuesit si poezia që po sjellim më poshtë: “Fitorja e ngadalshme”.

Hyra prapë në sytë e tu jeshilë/ Në bebëzat e tyre/ zura prapë vend!/ Më pas trokita në shtëpinë e shpirtit/ Ku ca të tjerë prisnin prillin tënd!/ Dhe m’u duk vetja sikur isha një Odise/ Ndërsa ti-Penelopa e famshme!/ Të pata pushtuar një here kur ishe e re/ Por nuk mburrem me pushtimet e mëparshme!/ Eh/ Zgjasin më shumë/ Fitoret e ngadalshme!

E kam takuar së bashku me Qemalin në Bibliotekën “Thimi Mitko” të ftuar nga Shoqata e Shkrimtareve “Bota e Re” me kryetar z.Ylber Merdani ish i përndjekur politik (tashmë i ndjerë) dhe nga kompozitori dhe kantautori i mirënjohur korçar z. Nonda Kajno.

E gjithë udha nga Tirana për në Korçe ishte këngë, kurse xhamat e makinës lageshin nga një vesë e butëz shiu me pikla të argjendta vezulluese që shkëlqenin dhe më shumë ngazëllimin e shpirtrave tanë, për t’u takuar me shkrimtarët korçarë “Bota e re”, të cilët na kishin ftuar në vendin e kulturës, në bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë.

Ishte një ndjesi e bukur mbështjellë me dashurinë e pastër të poetëve korçarë me sherbet mikpritjeje.

Shkrimtarët korçarë dinë të dhurojnë mjaltë me hojëza poezie.

Dhoma kryesore e bibliotekës së qytetit të Korçës “Thimi Mitko”, atje ku na prisnin miqtë, ishte mbushur plot me shkrimtarë dhe dashamirës të artit dhe të kulturës.

Në krye të vendit qëndronte poeti i shquar z.Skënder Rusi, drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, që mban emrin e folkloristit të shquar shqiptar. Mjaft interesant është fakti se kjo bibliotekë është krijuar nën kujdesin e Federatës “Vatra” dhe ishte vendosur pranë Bashkisë, sot ndodhet në një godinë tjetër të qytetit.

Nuk i kishja takuar më parë shkrimtarët e Korçës që ndodheshin aty, por nga leximi i librave ishja magjepsur prej poezive të tyre, pas metaforave të befta…

Edhe pse poetët dallohen nga njeri-tjetri në mënyrën e të shkruarit, ata se ç’kanë një gjë të përbashkët, atë hyjnoren, përshëndetjen e nxehtë poetike.

U takuam përzemërsisht, miqësisht me poetin dhe natyrshëm shkëmbyem librat.  Kur takohem me poetët emigrantë, tha penëndrituri Rusi se ç’më bëhet një gur i rëndë në zemër, është malli i poetit që bëhet nyje në fyt.  Krenohem që keni hapur shkollat shqipe, mësojuani fëmijëve emigrantë.  Nëse keni mundësi i mirëpresim këtu në djepin e hapjes së Shkollave Shqipe, këtu në Korçën e ABC-së.

Sa ëmbël i ka kënduar poeti Korçës së serenatave, ka derdhur gjithë dashurinë e birit për të si: Jetoj në një qytet në formë zemre/ Ku kitarat netëve marrohen/ Ku djemtë nuk rrinë pa të shkelur syrin/ Dhe vajzave ju pëlqen të ngacmohen!

Poeti Rusi me metaforat e tij gati eterike për bukurinë e gruas, joshjen femërore, është pushtuar nga vetëtimat përpirëse të ninëzave tësyve te bukur, dhe prushëzohet nëpër trupin elegant të vargjeve marramendëse.

Po ndalem më konkretisht vetëm tek lirikat shpirtërore për gruan, pasi ai nuk i këndoi vetëm asaj, por nënës, Atdheut, Korçës, fëmijërisë e gjithçka.  Ndalem tek këto poezi për bukurinë e femrës, pasi sot mjerisht të babëziturit dhe të pagdhendurit i kanë dhunuar dhe masakruar deri barbarisht shumë gra.  Ndaj poezitë duhet të jenë libra të vegjël xhepi, të jenë shkëndijëza që të ndriçojnë mendjen e çdo lexuesi të kualifikuar ose jo…

Ai e skalit bukurinë femërore shumë ndjeshëm si në poezinë: “Në sytë e tu digjen meteorë”

Në sytë e tu digjen meteorë/ Ti rri e heshtur, si një Perëndi/ Unë fshehur jam, ku burojnë lotët,

E kam një vend që s’ma gjen dot as ti/ Në sytë e tu digjen meteorë/ Përmbysen qiej, ashtu, kot më kot/ Unë fshehur rri, ku burojnë lotët/ Bëj të të flas, po nuk të folkam dot!/ Në sytë e tu digjen meteor/ Qerpikët po të përcëllohen krejt/ Unë fshehur rri, ku burojnë lotët, Dua të ik, por s’po e gjej një shteg/ Kam frikë/ Mos dhe mua/ Ti më djeg!

Në shumë poezi ai është magjistar i fjalës shqipe dhe e ka lënë dritaren e shpirtit poetik për t’i kundruar nga larg dhe nga afër metaforat drithëruese që e bëjnë poetin të jetojë përjetësisht.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”, si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

1 Qershor, 2024

Staten Island, New Yorki

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok