21/12/2024

LIRIA E SHTYPIT – KJO “FERRË” NË SY TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

0
Frank-Shkreli

Nga Frank Shkreli

Ky ishte titulli i një shkrimi mbi lirinë e shtypit në Shqipëri që kam shkruar në vitin 2015, si një reagim i imi ndaj deklaratave të zyrtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në atë kohë Frank Shkreli/ Liria e shtypit, kjoferrë“në sy politikanëve shqiptarë | Gazeta Telegraf, drejtuar medias shqiptare, ose “Kënetës mediatike” shqiptare, siç preferonte ta cilësonte Kryeminsitri Rama në atë kohë. Gjatë viteve, fjala e lirë dhe liria e shtypit kanë qenë dhe janë subjekte të preferuara për tu trajtuar, sidomos, përballë sulmeve dhe kritikave nga pushtetarët shqiptarë. Raste të tilla reagimesh anti-media, gjatë viteve, ku liria e shtypit dhe fjala e lirë duket se konsiderohen si pengesa kryesore e pushtetarëve shqiptarë, ka pasur dhe ka mjaft, sidomos në Tiranë.  Mbizotëron një atmosferë ku gazetarët dhe shtypi konsiderohen të rrezikshëm, veprimtaria e të cilëve duhet frenuar dhe kontrolluar — në sytë e politikanëve shqiptarë të të gjitha ngjyrave, pa përjashtim.  Janë shumë raste për të përmendur kur dhe sa herë janë bërë përpjekje dhe janë marrë masa efektive të kontrollit qeveritar ndaj medias gjatë këtyre 30-viteve “pluralizëm”, për të kontrolluar dhe penguar edhe ashtu gjysëm lirinë e veprimtarisë së medias në Shqipëri, duke shkaktuar në këtë mënyrë, edhe përhapjen e vet-censurës nga gazetarët e frikësuar se nëqoftse nuk i përshtaten vijës zyrtare mund të humabsin edhe punën, si rrjedhim i trysnisë zyrtare, kërcënimeve dhe frikësimeve të dala nga qarqet politike dhe mbështetsve të tyre, ndaj punës së përditshme të gazetarëve.

Nuk besoj të ketë patur ndonjë subjekt tjetër me rëndësi publike – siç është liria e shtypit — që ka pësuar aq shumë ndryshime gjatë viteve dhe propozime ligjore me qëllim kufizimin e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias. Sikur liria e të shprehurit dhe liria e medias — në mbrojtje të interesit publik, siç ndodhë në çdo vend normal që e quan veten “demokratik” – është rreziku më i madh që i kanoset sot shoqërisë shqiptare dhe interesave kombëtare.

Duket sikur qëllimi për të penguar lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri është një detyrë me orar të plotë për një ose më shumë persona. Vërtetë, gjatë viteve janë shënuar shumë raste ndërhyrjeje nga qeveria shqiptare kundër lirisë së fjalës dhe të medias në përgjithësi, por kësaj radhe më ra në sy propozimi më i fundit i Kryeministrit Rama – që në fillim të mandatit të tretë – gjëja më me rëndësi në sytë e qeverisë Rama-3, na qenka krijimi i asaj që ata e quajnë Agjensia për Media dhe Informim.  Jo, more jo, sot për sot nuk ka sfidë me të madhe se kontrollimi i medias dhe i fjalës së lirë as ndonjë plan më të rëndësishëm, si për shembull për të zbutur deri dikur zbrazjen e vendit, ndërkohë që rinia shqiptare dhe më të përgatiturit e vendit, po largohen masivisht, problemet ekonomike dhe shoqërore dhe shumë e shumë probleme të tjera me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Kombi shqiptar. Por, për klasën politike në Tiranë, është pikërisht për ta, ajo “ferra në sy”: liria e shtypit dhe media e lirë që i ka të gjitha fajet për gjëndjen e krijuar ekonomike, politike dhe shoqërore në vend dhe si e tillë informacioni duhet të kufizohet dhe shpërndarja e informimit të përqendrohet në duart e qeverisë.

Si përfundim, kufizimi i lirisë së fjalës dhe lirisë së medias për të shkuar përpara pa kokëçarje nga media — krijimi i Agjensisë për Media dhe Informim – është përparësi kombëtare dhe duhej miratuar, pa vonesë, në mbledhjen e parë të qeverisë Rama-3. Aq i rëndësishëm e serioz ishte ky propozim, përparësi numër një në krahasim me hallet e tjera të shqiptarëve!  Sipas vet Kryeministrit dhe zëdhënsve të tij, miratimi i këtij enti do bëhet me një ligj të ngjashëm me atë gjerman. Gjithmonë ruajuni dhe  të kini kujdes kur politikanët shqiptarë, në përpjekje për të bindur dike për meritën e propozimit të tyre — krahasojnë diçka që duan të miratojnë me ndonjë shembull nga vendet demokratike – kështu e bejnë gjermanët, amerikanët, italianët e tjerë, thonë ata.  Kësaj radhe, mos u shqetësoni na thonë mbështetsit e këtij propozimi, duke na siguruar se Agjensia Shqiptare për Media dhe Informim e propozuar nga Kryeminisitri Rama është, kryesisht, në përputhje me modelin gjerman dhe si e tillë duhet të pranohet nga të gjithë. Si mund të gabojmë me krijimin e një agjencie alla gjermane!?    Ja si e shpjegoi Z. Rama krijesën e tij të re, Agjencinë Shqiptare për Media dhe Informim, në një intervistë për Zerin e Amerikës javën që kaloi.  i pyetur se si do iu përgjigjej kritikëve të themelimit të këti enti qeveritar.  Zoti Rama u përgjigj kështu:

“Ky është një reagim që vjen me siguri nga mosnjohja dhe moskuptimi i rolit dhe i misionit të kësaj agjencie. Agjencia është ndërtuar mbi modele të konsoliduara në vende shumë të zhvilluara demokratike. Republika Federale e Gjermanisë e ka identikisht të tillë dhe, në fakt, prej shembullit të saj ne kemi krijuar këtë agjenci. Ata e quajnë Zyra për Mediat dhe Informimin e Qeverisë, ne e kemi Agjencia për Median dhe Informimin pranë Këshillit të Ministrave. Po kështu edhe Italia, po kështu edhe vende të tjera. Dhe kjo agjenci nuk ka lidhje fare as me propagandën as me kontrollin, por ka lidhje me një rritje të kapacitetit të qeverisë për të ndërvepruar me opinionin publik dhe me burimet e informacionit, në mënyrë që të garantojmë që informacioni, që kërkohet nga qeveria, të jetë sa më i shpejtë dhe njëkohësisht sa më integral në funksion të mediave dhe, nga ana tjetër, që qeveria të jetë në vijimësi e informuar dhe natyrisht e vetëdijshme deri në fund për opinionet e qytetarëve, për opinionet e mediave dhe opinionet në mjedisin pluralist shqiptar,” është shprehur Shefi i qeverisë shqiptare.

Sikurë, shoqëria shqiptare ka nevojë për një sistem më integral në funksion të mediave siç pretendon Kryeministri Rama. Sidoqoftë, nëse dikush mendon se me krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, vërtetë, do të avancohet liria e fjalës dhe veprimtaria e shtypit të lirë, asnjanës, gjithpërfshirës dhe objektiv në Shqipëri, atëherë siç thonë këtu në Nju Jork, unë kam një urë t’ua shes juve: urën e Bruklinit.  Të jeni të sigurt se ashtu siç ka ndodhur këto tre dekada “post-komunizëm”, kjo krijesë e re për kufizimin lirisë së fjalës do ta lejë Shqipërinë, sa i përket lirisë së shtypit, aty ku është tash 30-vjet, e karakterizuar si një vend “gjysëm i lirë”, nga organizatat ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe nga disa shtete perëndimore.

Por nëqoftse prisni ndonjë kundërshtim ndaj kësaj nisme anti-demokratike të kryeministrit prej opozitës në Parlamentin e ri të Shqipërisë, mos u entuziazmoni shumë se shënjat nuk janë të mira as nga ajo palë, sa i përket lirisë së fjalës dhe medias së lirë. Këto ditë lexova në median shqiptare në lidhje me një debat brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të jep përshtypjen se opozita e re nuk do të mbrojë lirinë e fjalës në Kuvend dhe as nuk do të kundërshtojë krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, kur ti paraqitet Kuvendit për miratim.  Sipas medias, edhe aty u fol me fraza anti-liriës së fjalës për deputetët, si për “koordinim” mesazhesh, “dakordësi me zyrën e shtypit”, leje nga lartë për dhenje intervistash nga deputetët dhe të tjera fraza të tilla që nuk flasin mirë për një grup opozitar nga i cili mund të prisnin shqiptarët mbrojtjen e lirinë e fjalës, as për të veten as për të tjerë.  Shpesh e kam thenë, nëqoftse nuk ka liri brenda partisë as vendi nuk gëzon liri. Dy partitë aktuale më të mëdha të vendit e pasqyrojnë këtë fakt, si më mirë nuk ka, për fat të keq të shqiptarëve.

Bazuar në përvojën e së kaluarës, edhe ndërkombtarët, siç është OSBE-ja apo diplomatët perëndimorë në Tiranë, kanë dështuar, mizorisht, në misjonin e tyre për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.  Vura re në fillim të këtij muaji se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po shënon, siç shprehet ajo, përparime të mëtejshme në përpjekjet e saj në ndihmë të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për ngritjen e një qendre trajnimesh për gazetarët e rinj të transmetuesit publik dhe studentët e gazetarisë.  Në shikim të parë, kjo duket një ndërmarrje fisnike nga ana e OSBE-ës, por ky nuk është problemi kryesor me të cilin përballet sot shtypi dhe gazetaria në Shqipëri. Shqipëria ka mjaft gazetarë të zotët që nuk kanë aq nevojë për trajnim se sa kanë nevojë për liri të plotë veprimi, jashtë dhe larg influencave dhe kontrolleve e pengesave qeveritare ndaj profesionit të tyre, siç duket të jetë kjo krijesa e re e Kryeministrit shqiptar e quajtur Agjencia Shqiptare për Media e Informim.

Për lirinë e shtypit duhet folur haptazi dhe shpesh, si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose “gjysmë të lirë”, siç karakterizohet Shqipëria – për 30-vjet tani — nga shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe qeveri perëndimore. Liria e shtypit, pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet nga të gjithë, por sidomos nga qeveria dhe entet shtetërore, me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët pjesë të këtyre vendeve që ndajnë këto vlera të përbashkëta e universale. Kultivimi, mbrojtja dhe i zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe me të drejtat universale të njeriut është dhe mbetet në interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për të sigurar këtë angazhim edhe të Shqipërisë si një vend anëtar i organizatave ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e fjalës, nuk është i nevojshëm themelimi i ndonjë agjencie të re qeveritare, me pretendimin se gjoja kjo agjenci do të jetë në fundkison të lirisë së medias. Nuk është e tillë!  Ashtu siç bënte dikur regjimi komunist kur merrte me forcë pronat e shqiptarëve dhe i shtëtëzonte për qëllime të veta, ashtu edhe ky veprim është i njëjtë në thelb — megjithse në një fushë tjetër, fushën e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë – por më në fund është një shtetëzim i mënyrës së përhapjes së lajmeve dhe të lirisë së shqiptarëve, në përgjithësi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok