Lindsey Graham ishte një mik i shquar i Kosovës
Nga Prof. Blerim Latifi
Paska vdekur senatori amerikan Lindsey Graham.
Qëndrimet e tij politike pasqyronin pothuajse plotësisht ato që edhe sot përbëjnë bazat e interesave tona kombëtare.
Ai ishte një mbështetës i fuqishëm i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, një përkrahës i palëkundur i pranisë ushtarake amerikane në Ballkan, një zë këmbëngulës në vlerësimin se politika e Beogradit mbetet burimi kryesor i destabilitetit në rajon dhe një mbrojtës konsekuent i qëndrimit se vetëm njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit mes dy vendeve.
Pra, Lindsey Graham ishte një mik i shquar i Kosovës në politikën amerikane.
Vdekja e tij na vë përballë një fakti të hidhur: ndërsa miqtë e vjetër të Kosovës po largohen njëri pas tjetrit, ne nuk po bëjmë pothuajse asgjë për të krijuar miq të rinj.
Të kurthuar në grindjet e brendshme, e kemi humbur pothuajse krejt sensin për botën në të cilën jetojmë, kemi humbur vetëdijen se sa e brishtë është kjo ndërtesë me emrin Republika e Kosovës përballë dridhjeve tektonike që po tronditin rendin e sotëm botëror dhe, bashkë me të, edhe mësimin themelor të historisë politike të njerëzimit: aleancat nuk trashëgohen siç trashëgohet toka e babës, por ruhen, mirëmbahen dhe forcohen me vigjilencë nga çdo brez.
Në një botë hobsiane të marrëdhënieve ndërkombëtare, për kafshët politike jovigjilente dihet se çfarë fati ruhet.
