22/12/2024

Ligji apo Vuçiqi! Kush është përgjegjës për situatën në Kosovë?

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Aleksandër vuçiq aktivizoi bandat në veri fillimisht për t’i trembur serbët që pajtohen me sovranitetin shtetëror të Prishtinës në këtë pjesë të vendit. Dogjën jo pak makina të atyre serbëve që pranuan të ndërrojnë targat e të pajisën me shenjën RKS. Më pas urdhëroi komandantin e policisë së zonës të mos zbatojë vendimet e qeverisë e urdhërat e Ministrisë së Brendshme! Kur komandanti i policisë u shkarkua për kundërshtim urdhëri, atëherë presidenti serb urdhëroi lëshimin e institucioneve dhe dorëheqjen e kryetarëve të katër komunave veriore!

Të gjithë këtë presion ai e shoqëroi me dy mjete: – Kërkesën që të anullohet vendimi i qeverisë Kurti për ndërrimin e targave dhe krijimin e Asosacionit, si dhe me ushtrimin e dhunës kundër sovranitetit shtetëror e kundër vetë serbëve në Kosovë. Të dielën u organizua edhe një miting – protestë në Mitrovicën e Veriut. Ata që ligjëruan i përmendën këto kushte për pjesmarrje në jetën institucionale të Kosovës.

Ndërkaq mediet në Shqipëri, në Serbi e në Kosovë po japin alarmin për “mundësinë e një lufte të re në Ballkan”! Ka TV kombëtare në Tiranë që gjithë kohën e lajmeve e mbushin me transmetimet e kërcënimeve të Beogradit dhe krerëve të Listës Srpska, pa thënë asnjë fjalë për të drejtën e Kosovës që të mbrojë sovranitetin e saj! Kjo zhurmë mediatike ka krijuar përshtypjen se ne shëiptarët “jemi në prag katastrofe”! Madje edhe profesorë, diplomatë, analistë, njerëz që dinë të vlerësojnë situatat, po shfaqin nervozizëm dhe fajësojnë qeverinë Kurti, në vend që të fajësojnë Beogradin për këto zhvillime.

Ndërkaq u përpoqa të gjej në shtypin europian lajme rreth këtyre ngjarjeve dhe gazetat serioze të Europës as që kanë marrë mundimin të flasin për to. Që do të thotë se zhurma për luftë, konflikt, destabilizim a çkado tjetër është e sajuar në Beograd dhe transmetues të saj janë bërë jo pak medie e altoprlantë të shqipes. Nga padija a nga pengmarrja, kjo mbetet për t’u vlerësuar, por fakt është se është vënë në shënjestër Albin Kurti, në vend që të qortohet Aleksandër Vuçiq! Ndoshta dikush ka porosit që Vuçiqin ta ruajnë nga sulmet mediatike, me preteksin se “është në situatë të pafavroshme dhe nuk i duhet bërë presion”!  Megjithatë atë presidenti i Serbisë për të krijuar këtë situatë tensioni mori bekimin e Kishës së beogradit, si dhe institucioneve të tjera të vendit të tij!

Alibia gjithashtu është pro-serbe: – Meqenëse kryeministri i Kosovës nuk pranoi rekomandimin e amerikanëve dhe europianëve për shtyrjen me dhjetë muaj të ndryshimit të targave, atëherë ai shpallet “anti-amerikan”! Etiketa e anti-amerikanizmit është përdorur edhe herë tjera për ta denigruar Albin Kurtin! Por në fund del e kundërta! Kurti është i aftë ta çojë ujin jo vetëm në mullinjtë e Kosovës, por edhe të Amerikës dhe Europës. Nuk ka njeri me mend në Europë dhe në SHBA, përveç Borrellit, që i kërkon Kosovës të mos zbatojë ligjin e të dëgjojë Vuçiqin! Por ka jo pak në Kosovë e në Shqipëri!

Mësë shumti i fryejnë kësaj alibie ata që ishin zotuar që “Me Amerikën të luanin koqas”! Dhe ky është paradoksi më i madh i kësaj skene anti-kosovare! Mund ta kesh inat kryeministrin Kurti! Mund të mos e duash! Mund të mos pajtohesh me të! Madje edhe unë që shkruaj e kam kritikuar e ndonjë këshilltar i tij më ka sulmuar me kundërpërgjigje për kritikat që ia kam bërë zotit Kurti! Disave që nuk pajtohen me mua u them gjithashtu se kurrë nuk e kam takuar zotin Kurti. Edhe një rast që doja ta takoja nuk më priti! Por të marrësh në mbrojtje autorët e krimit në Kosovë, pra qeverinë dhe presidentin e Serbisë, bandat kriminale të rakiqit në veri etj për inat të kryeministrit të Kosovës, kjo është e papranueshme dhe e turpshme. Me qëllim apo pa qëllim është edhe anti-kombëtare e anti-kosovare!

Në fund të fundit duhet të ndalemi e të analizojmë se kujt i shërben kritika, sipas së cilës “Kurti bëri gabim që nuk dëgjoi ta shtyjë zbatimin e ndryshimit të targave”?! A nuk e kërkon pikërisht këtë gjë Vuçiq dhe zëdhënësi i tij në Kosovë, Rakiq?! Kujt i shërbeu vërejtja që iu bë Kurtit edhe nga profesorët e Kosovës se “Po nxit luftë me kritikat që ia bën Vuçiqit si luftënxitës”?! A nuk është interes i Beogradit që t’i paraqesë qeverinë dhe autoritetet e Kosovës si shkaktare të destabilitetit në veri të vendit?! Ndërkohë kjo nuk është e vërteta! Së paku pse nuk i shërbeni tyë vërtetës o njerëz të nxirë e të shpëlarë, edhe nëse nuk e keni në konsideratë interesin e vendit për shkak të frikës nga një luftë e mundshme apo për shkak të dinarëve serbë?!

Kujt i shërben kërcënimi që politikanë opozitarë i bëjnë qeverisë së Kosovës, kur ajo dhe policia e shtetit, forcat e sigurisë dhe qytetarët janë të angazhuar në ruajten e sovranitetit shtetëror! “Jo, – thonë – Kurti duhet të bëjë lëshime”! Madje shkojnë deri te skema, sipas së cilës “Po nuk bëre lëshime ti, lëshoje pushtetin, sepse e bëjmë ne”! D.m.th shqiptarët, qeveria, institucionet duhet të jenë ikanakë të përjetshëm! Në emër të qetësisë! Gati sa nuk dëgjojmë të thuhet se “Na duhet qetësia, nuk na duhet territori e nuk na duhet shteti”!

Unë nuk mendoj se të mbrosh territorin e vendit je anti-amerikan! Nuk mendoj se të mbrosh autoritetin e shtetit dhe kushtetutën, je anti-amerikan! Anti-serb po! Eshtë më mirë që këta që donin të luanin koqas me Amerikën dhe tani thirren në emrin e saj t’u kërkojnë Fuqive Perendimore që ta pranojnë brenda javës Kosovën në NATO! Dhe të jeni të sigurt se nëse do të donin Uashingtoni, Berlini, Londra dhe Parisi, kjo realizohet edhe brenda tri ditëve! Prandaj mos e gënjeni veten me alternativa anti apo pro-amrikanizmi!

Nëse ndodh një konflikt midis Kosovës dhe Serbisë, unë jam i bindur se ndërkombëtarët, kryesisht amerikanët, do të donin që me këtë konflikt të shkërmoqin edhe ndjenjën e frikës te shumë shqiptarë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok