26/12/2024

Lidhjet  Shqiptaro- Veneciane në  Optikën e Albanaloges  Lucia Nadin

0
Lucia-Nadin

Kumtesë nga Aristotel Mici

Para se të shohim fakte dhe dokumente me rëndësi studimore nga burime muzeale, që sjell  në fushën e lidhjeve veneto-shqiptare Prof. Lucia Nadin, le të njihemi sadopak me Republikën e Venecies, ose si e ka quajtur   populli shkurt “Venetiku”.   Jeta e këtij qyteti nis me shekullin  e V pas Krishtit, kurse Republika e Venecies , si një shtet me parlament , që  përfaqësohej nga  Këshilli i Lartë (Maggior Consiglio), fillon nga viti 697 pas Krishtit, kur u zgjodh Doxha i parë i republikës, Paolo Lucio Anafesto[1], i cili drejtoi jetën e Venecies deri më 717. Nga koha në kohë  Republika e Venecies do të zgjeronte dhe forconte gjithënjë kufinjtë e saj detar, që fillonin nga Adriatiku dhe shtriheshin në tërë pellgun e Mesdheut, duke u bërë shteti më i fuqishëm detar i Mesjetës. Republika e Venecies do t’i qendronte kohës deri në vitin 1797, kur do të  pushtohej  nga Napoleon Bonaparti. Kjo republikë jetoi një periudhë historike prej më shumë se një mij vjetësh, kohë në të cilën fitoi famë dhe reputacion  si zonjë e Mesdheut dhe prandaj do të quhej edhe me emra figurativë: “La Regina del  Mare Adriatico”, Republica di San Marco, dhe  “ La Serenissima Republica di Venezia“.

*

Qytetet bregdetare të Arbërisë,  pra të Shqipërisë Mesjetare, duke u  ndodhur në zonat ujore, që dominoheshin nga Republika e Venecies, nuk kish si të mos ishin të lidhura përmes fijesh të ndryshme me botën e “Mbretëreshës së Adriatikut”. Pikërisht këto lidhje midis venetëve dhe shqiptarëve për kohën e Mesjetës përpiqet të ndriçojë  përmes veprave të botuar në këto vite të fundit studiuesja L. Nadin, profesoreshë në Universitetin e Venecies.                                                                                                                           Në librin e saj “Venezia  e Albania”, promovimin e të cilit në auditorin “Tomaseo”, pata rastin ta ndiqja si pjesëmarrës i ftuar, ajo parashtron materiale muzeale dhe fakte dokumentare, që hedhin më shumë dritë rreth lidhjeve Veneto-Shqiptare. Nëpër faqet e librit përshkruhen lëvizjet e njerzëve dhe të prodhimeve në hapësirën adriatike dhe më gjërë. Sipas Prof. L Nadin, në Mesjetë “deri në fund të shekullit  XIV,  lëvizja e njerzëve dhe e mallërave, mundësonte një tip emigrimi thuajse  natyror. Në këtë hapësirë detare mund të lëvizje lirshëm nga  njeri skaj në tjetrin, nga njeri port në tjetrin; dhe dalja në det do të thoshte një hyrje në një “rreth” të kësaj kulture mesdhetare, që për atë kohë, para se të krijohej mundësia   e qarkullimit përmes oqeaneve, ish “zemra e botës”. [2]             .Mesdheu është një  bashkësi rrugësh detare dhe tokësore për gjatë gjithë brigjeve të tij. Kështu edhe qytetet e Arbërisë atë kohë mbaheshin dorë për dore me qytetet e Republikës së Serenessimës, si dhe me çdo  zonë të Ankonës dhe Puljes, gjë që  e dëshmon edhe prania e ngujimeve shqiptare të regjistruara  përkëtej Adriatikut për gjatë gjithë Mesjetës.[3] Gjurmë të këtyre ngujimeve shqiptare në regionin  e Venetos i gjejmë edhe sot e kësaj dite, madje dhe brenda në Venecia , përmes toponimesh të tilla si “Via di Scutari”(Rruga e Shkodrës) , “Calle degli Albanesi” në dialektin e Venetos do të thotë (Rruga e Shqiptarëve)“, Ramo degli Albanesi” (Rrugica e Shqiptarëve), “Campiello degli Albanesi” (Sheshi i Shqiptareve). Po edhe folmja e Venetos, si dialekt, ka disa  huazime në leksikun e saj  që përputhen me  fjalë  të gjuhës shqipe,  siç janë  fjalët “pirun”, ”karrike”  “ullaster”, “minestra”. Pra, edhe këto konkordanca fjalësh shqiptaro-venete,  sado  të pjesëshme dhe të vogla qofshin, janë një shprehje e lidhjeve të herëshme midis dy vendevePo edhe në anën tjetër të bregut Adriatik, në Shqipëri, populli në mënyrë folklorike, ruan në kujtesë grimca detajesh  nga lidhjet me Venetikun, sidomos me monedhat e tij si mjet shkëmbimi, ose stolisjeje:

.Konkretisht në jug të Shqipërisë ende këndohet në dasma:

Lule, ballë-venetike,

Me pahir të zura mike”.      

Kurse në veri të vendit këndohet:

“Si dukat i vogël je,

Era karajfil po bje.”

Pra, populli me gjykimin e vetë,  ka pas vlerësuar mekanizmin magjik të progresit venecian për kohën, “paranë” të shprehur me monedhat “dukat” dhe “venetike”.

*

Eshtë e qartë se marrëdhëniet  më të hërëshme midis dy anëvë të brigjeve të Adriatikut,  pra edhe midis Shqipërisë dhe qytetve  të ndryshme të Italisë kanë qënë ato të tregëtisë. Venecianët vinin nëpër qytetet bregdetare të Arbërisë, ku blinin mallëra, që grumbulloheshin  nga zonat për rreth. Atëherë karvanet tokësore me lloj-lloj plaçkash, shndrroheshin në karvane detare, që çanin ujërat. Dhe, ashtu, tok me prodhimet lëviznin e qarkullonin edhe njerëzit me idetë e tyre.

Për lidhjet tregëtare, Durrësi ish qyteti i parë si objekt i pikësynimeve veneciane në lindje, sepse ish porti kryesor i Perandorisë Bizantine, ish hyrja drejt rrugës  së famëshme “Egnatia”, pra udhëkryqi i shkëmbimeve detare e tokësore nga Lindja në Perëndim. Në Portin e Durrësit, po edhe në Kepin e Rodonit, afër tij, arrinin nga zonat e brendshme të Shqiperisë, gjëra të ndryshme për eksportim, si prodhime gruri, punëra druri, e veçanërisht kripa e bardhë e Durrësit, shumë e kërkuar në tregjet e huaja. Në Durrës, qysh nga shekulli i XI figuronte një koloni e zhvilluar tregëtare veneciane . “Këtë realitet e konfirmon edhe  historiania bizantine Ana Komnena, kur na kujton se që në shekullin e XI popullsia e Durrësit përbëhej edhe nga  një mumër i madh  amalfitanësh dhe venecianësh.”[4]

Prania veneciane në bregdetin shqiptar, shton autorja e librit, dalëngadalë do të shtrihej edhe në qendra të tjera më në brendësi të vendit, nga të cilat përmendim:Butrintin, përball Korfuzit, Spinaritza, ishulli i  Sazanit përball Vlorës, Lezha, Tivari, Shkodra, dhe kjo ndodhte  nga gjysma e dytë e shekullit të XIII, në te njëjtën kohë, kur shumë vende po shndrroheshin në  zotërime të mirëfillta veneciane. Po praninë e qytetërimit venecian  në bregdetin e Arbërisë, Prof. L. Nadin nuk e sheh vetëm përmes shkëmbimit të mallrave, po edhe në aspektin e jetës civile, në qeverisjen  e  vendit dhe në komunikimin e përgjithshëm administrativ, gjë që konkretizohet sidomos me statutet e qytetve të ndryshëm bregdetare. Këto statute ishin si embrione kushtetutash për “qytete- komuna” arbërore të lidhura me Venecien.   Ndër kohë, kur mendohej  se këto dokumente, thuajse kishin humbur, albanolgia L.Nadin, me kërkimet e saj, ra në gjurmë të këtyre materialeve shkrimore, dhe zbuloi “Statutet e Shkodrës” (Statuti di Scutari) në arkivat e muzeumit Korrer (Correr), pranë pjacës  së Shën-Markut në Venecia. Të marra së bashku ato “Statute” ishin një burim drite, që shprehnin një nivel të lartë qytetërim  për qytetin e Shkodrës.  Sipas Prof. P.Xhufit, “Ato janë përmbledhje ligjesh e normash që nga viti 1330 e deri sa ra Shkodra nën sundimin turk më 1479. Këto statute  përfaqësojnë jo vetëm një fakt shkencor e kulturor, po edhe një  vlerë të jashtzakonshme edukative.[5]

Statutet e Shkodrës janë dokumente të çmuara  për të njohur të kaluarën në aspektin juridik, në atë ekonomik, shoqëror, urbanistik e gjuhësor. Tre ishin temat  kryesore të  këtyre statueve: e drejta publike, e drejta civile, e drejta penale.

Teksti i Statuteve hapet me një fjalë kyçe, Liri -“Liberta”. Dhe ja cila është fjalia e parë e këtyre Statuteve: ”Liri kujtdo që  dëshiron të jetë  pjesë përbërse e  e shoqërisë  dhe qe respekton ligjet e saj” (f. 35 e librit).

Një aspekt  tjetër social i Statuteve të Shkodrës ish edhe garantimi  ligjor i disa të drejtave të grave. “Ligji mbronte  gruan nga sulmet fizike dhe fyerjet gojore; ligji  e lejonte atë të bënte tekst trashëgimie, të merrte pjesë në gjykime për çështje paje, a po të fëmijëve të vegjël.” Nuk është e vështirë të kuptohet ndryshimi i madh  i të drejtave të grave  në Statutet e Shkodrës dhe nënshtrimit të plotë të tyre para burrave, në rregullat e kanunit të maleve.

Çdo mosmarrëveshje zgjdhej para gjykatësit dhe dëmshpërblimi bëhej sipas rregullave. Ky ish qyteti i Shkodrës në optikën e Prof. L. Nadin –it për kohën kur u lidh në aleancë me Venecien, në vitin, 1396. Edhe pse kjo lidhje nuk zgjati më shumë se një shekull, ajo mjaftoi që Shkodra të fitonte një nivel të dukshëm civilizimi mesdhetar, që rrezatonte nga idetë republikane të Venecies.

Statutet e Shkodrës marrin një vlerë të veçantë informimi historik edhe për arsyen se hedhin dritë më tepër  rreth  lashtësisë së simbolit tonë kombëtar. Ajo që është e rëndësishme, të theksojmë në këtë rast, është fakti se në një faqe të këtyre statuteve gjendet e pikturuar “Shqiponja me dy krerë”.  Prof. L.Nadin, duke komentuar këtë ilustrim të statuteve, shikon se në të  pasqyrohet një  stemë heraldike e bërë me kujdes. “…një shqiponjë dy krenare e kurorëzuar me ar në të dy krerët. (…aquila bicippite, coronata d’oro su e entrambe le teste).[6] E nxitur nga zbulimi i këtyre dokumenteve po kjo studiuese do të theksonte me bindje se “Gjetja e “Statuteve të Shkodrës” rihap një faqe shumë të ndritëshme, po të harruar të këtij vendi, i njohur vetëm si  vendi i shqiponjave”[7]. Dhe më pastaj, Prof. L. Nadin, tek analizon simbolikën  e kësaj embleme, shikon se në të, në mënyrë figurative “ pasqyrohet  shqiponja triumfale, simbol i një autonomie  të fuqishme qytetare” [8]

Kështu, duke u mbështetur dhe në materialet e  Statuteve të Shkodrës, krijojmë një ide historike më të qartë, për shek. XIII – XIV, rreth zhvillimit të jetës sociale , sidomos në qytetet bregdetare të Arbërisë, dhe jo vetëm në Shkodër, po si ajo, edhe në Durrës, Lezh, Vlorë, Himarë, Butrint, Ulqin e Tivar, qendra të zhvilluara ekonomike këto, të cilat ishin në kontakte të  vazhdueshme me tregëtarë venecianë.

Po më vonë, nga fundi i shekullit të XIV dhe fillimi i shek. XV , situate në Shqipëri do të pësonte ndryshime serioze. “Shkak do të bëhej  një ngjarje historike me përmasa të jashtëzakonshme,  ekspansionizmi Turko-Osman.

Turqit osmanllinj shkelën në Gadishullin e Ballkanit më 1354, dhe, duke e ndjerë veten të fortë ushtarakisht, filluan sulmet agresive. Në ato kohëra, princat  e Ballkanit, sado që  u përpoqën të bashkoheshin kundër turqëve, u mundën keq prej tyre në betejën e Fushë Kosovës, më 1389, ku , siç shkruan kronisti turk Evlija Çelebiu “Sulltan Muradi shkoi 700 000 të pa fe në teh të shpatës.[9] Në këtë betejë u vra edhe një nga princat shqiptar, Teodor Muzaka. Pra qe krijuar një situate historike e rëndë si për  popullin  edhe për princat shqiptarë. “Ishte pikërisht kjo gjendje kërcënuese  nga ana  e agresorëve turq  që i detyroi prinjësit shqiptarë të kërkonin mbështetjen  e Venecies, sepse ata nuk donin të humbisnin tokat e veta. Në këto rrethana “Durrësi bëhet venecian” në vitin 1391, kurse Shkodra në vitin 1396”[10]                                                                                               Lidhur me këtë realitet historik, Prof. P. Xhufi shpjegon se “Kërcënimi osman  ndihmoi në forcimin e marrëdhënieve  veneto-shqiptare drejt një alence , që siguroi për  shumë vjet paprekshmërinë e pjesës lindore të Adriatikut.Venediku kishte në këtë kohë interesat e veta që të mbështeste princat shqiparë” [11]

*

Grindjet për fronin perandorak  në Perndorinë e Bizantit si dhe luftrat për kurorat mbretërore  në Europë, ua lehtësonin planet pushtuese Turko-Osmanëve për  gjatë shekullit XIV  dhe të fillimit të shek. XV. Mbretërit dhe princat europianë, jo vetrëm  që ishin të papërgatitur lidhur me rrezikun e invazionit  osman, po ishin edhe moskokëçarës. Kështu,  kur sulltani i osmanëve synonte  Europën,  mbretërit e Anglisë dhe të Francës bënin Luftën 100 Vjeçare midis tyre për kurorë (1337-1453), në Angli princat e Lankasterit dhe të Yorkut  bënin Lufën e Trëndafilave (1455-1485) , po ashtu edhe në Spanjë,  zjenin luftime për forcimin e kurorës nga ana e çiftit mbretëror të Isabelës dhe Ferdinandit.

I vetmi vend, që guxoi të ndeshej me superfuqinë  Turko-Osmane të asaj kohe, qe Arbëria e vogel, ku një grusht princash nën udhëheqjen e një strategu të madh, si Gjergj Kastrioti, Skenderbeu, arriti t’u bënte ballë hordhive barbare te drejtuara nga dy sulltanët më gjaksorë, Sulltan Murati II, dhe Sulltan Mehmeti II.  Atëherë “Toka shqiptare, si  vend kufitar midis Lindjes dhe Perëndimit, ishte e përcaktuar të mbante peshën e sulmeve të osmanllinjëve në synimet e tyre drejt Europës”. [12] Ndërsa Skënderbeu, korrte fitore kundër turqëve, mbretërit europianë vazhdonin luftimet e tyre kundër njeri tjetrit, duke e lënë kryeheroin shqiptar pa ndihmat e nevojëshme. Vetëm Papati, Venetiku dhe mbreti i Napolit i dhanë Skënderbeut herë pas here ndihma, po edhe këto të kufizuara. Me luftrat e tij ”shumë shpejt Skenderbeu do    shëndrrohej në një hero ndërkombëtar, bëmat heroike të të cilit do t’i njohë gjithë Europa dhe në veçanti Venecia”.[13] Pikërisht, në vitin 1463, vit kur Venecia u shpalli luftë turqve,          Këshilli i Lartë i Republikës do të merrte masa  për të gjallëruar  aleancën me  strategun shqiptar, Skenderbeun, i cili, me heroizmin e vetë e kish bërë Shqipërinë flamur mbrojtës të perëndimit… Që me Skenderbeun gjallë kish lindur miti i  tij.[14] Papa Kalisti i III do ta quante atë atlet të krishterimit, duke i dhënë  dhe titullin “Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë”.

*

Pasi pushtoi Konstantinopolin, më 1453,  Sulltanit i u forcua edhe më shumë ambicia të  zaptonte  gjithë territoret e dikurshme të Perandorisë  Bizantine dhe të Perandorisë Romake. Në këtë periudhë kohe, Papa i Romës, Republika e Venecies dhe mbreti i Nappolit filluan të shikonin tek figura e  Skenderbeut strategun e vërtetë, që mund të udhëhiqte një kryqëzatë antiturke. Pikërisht për këtë arsye “në vitin 1464, Papa Piu II mbrrin në Ankona, ku do  të hipte në  anije së bashku me Skendebeun, për të udhëhequr  kryqëzatën e re kundër Osmanëve. Po kryqëzata do të dështonte  nga vdekja e papritur e Papës. Kështu që ky projekt i kryqëzatës anti-turke mbeti vetëm një ide si nga shtetet e tjera europiane, si nga vetë Venecia.[15]

Po epopeja e heroit shqiptar, Skënderbeut, do të ndërpritej  nga vdekja e tij  mbas  një çerek shekulli  lufte , më 1468 dhe nuk do të dilte asnjë tjetër si ai. Skenderbeu vdiq, po jo fama e tij. Emri i tij qe futur ne legjenda. Për atë po shkruheshin , monografi, drama dhe poema.

Emri i Skenderbeut po nderohej në të gjithë Euopën, po në mënhyrë të vaçant ai do të kujtohej  në Republikën e Venecies , ku mundën të  gjenin strehë,  njerëzit e një eksodi të madh, të shpërngulurish  prej Arbërisë, sidomos pas rënies së Shkodrës nën  pushtimin turk, më 1479 . Sipas  Marin Beçikiemit, “ ky eksod  ish masiv dhe përfshiu të gjitha shtresat shoqërore, nga të gjithë ata njerëz që mbijetuan, të pakësuar në numër për shkak të shumë viteve lufte. Po aq mbresëlënësë ishte mënyra se si Venecia drejtoi emigrimin shqiptar dhe vuri në zbatim politikën e mikpritjes. Vejushave shqiptare ju caktua një pension për sa kohë të ishin në jetë; po ashtu do të përfitonin djemtë dhe vashat e tyre deri sa të arrinin moshën e pjekurisë. [16]                                                                                                                                                    Pra në Venecia, siç merret vesh nga deklarimi i Beçikemit, vajti dhe u ngulit  gjithë bashkësia shkodrane, që nuk donte të pranonte poshtërimin e vetes nën sundimin turko-osman. Fisnikëve më të njohur iu dhanë pasuri, kurse gjithë të tjerëvë iu siguruan toka për të mbijetuar. Ndërsa klerkëve shqiptarë të emigruar në regionin e Venetos iu gjendën vende sherbimi priftëror nëpër kisha dhe konventa të ndryshme të provincave si në Venecie, Trevizo, Padova, Vicenca, Bergamo. Nga klerikët më të njohur që shërbyen në këto vise të Venetos  përmendim në fillim Pal dhe Andrea Ëngjëllin, që u caktuan me sherbime fetare në zonën e Padovës, si miq dhe bashkohës të Skënderbeut. Po kështu Marin Beçikemi nga Shkodra, duke gjetur strehë në  Padova, studjoi dhe arriti të jepte leksione në Studio Patavino të Universitetit të  Padovës[17].  Portreti  tij ruhet midis  profesoreve më të njohur të  kohës edhe sot e kësaj dite në  Pallatin “BO[18].

Duke folur për shkodranët, që emigruan në krahinën e Venetos, nuk mund të rrimë pa permendur të famshmin Marin Barleti, që u bë prift po këtu, në zonënë e Venetos më 1494, dhe më vonë shërbeu si famulltar në Piovene të Vicencës. Që këtej Barleti do të shkruante dy veprat e tij historike: e para është De Obsidione Scodrensi (Rrethimi i Shkodrës) që e botoi në vitin 1504, në Venecia. Kjo vepër flet për shtetrrethimin e fundit  të Shkodrës , 1479-ës, dhe nis me një përkushtim drejtuar  Doxhes Loredan, me fjalë adhurimi dhe mirënjohje për të. Gjithë vepra ishte një rrëfim heroik nga  historia e përbashkët shkodrano-venrciane, e cila duhej  patjetër të kujtohej  siç e thotë vetë Barleti. Libri dytë i tij titullohet “Historia  De Vita Et  Gestis Skanderbrgi…” ((Historia e Jetës dhe e veprave të Skenderbeut), që u botua më 1510. ”Kjo vepër biografike e Barletit për Skenderbeun  u përhap me një herë dhe u bë shpejtë një best seller europian: libri u  shpërnda në gjuhën latine  si edhe në gjuhët e tjera europiane”.(f 40.)

Po në Venecia do të gjente strehë, pas pushtimit turk të Shqipërisë, edhe Dhimitër Frangu, i cili do shkruante në latinisht dhe do ta  botonte në Venecia veprën e tij, të shkruar latinisht për  Skenderbeun,  me  titull (në italisht): “Comentario delle cose dei Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg”[19]

Një tjetër  figurë madhore e kulturës shqiptare në viset e Venetos është Gjon Buzuku, autori i “Mesharit”, që është libri i parë  i letërsisë shqiptare. Me fakte të gjetura dhe me studimet e saj këmbëngulëse, Prof. L.Nadin ka konfirmuar në librin e vetë  të titulluar “Shqipëria e Rigjetur” (Albania Ritrovata)  se Gjon Buzuku ka qënë prift franceskan dhe ka shërbyer në një bashkësi shqiptare të vendosur në Veneto, diku rreth  Venecies. Ajo ka argumentuar gjithashtu me detaje se libri i Gjon Buzukut “Meshari” është botuar, së pari, në Venecia, më 1555, duke konfirmuar tezën e hedhur më pare edhe nga Prof. E. Çabej e Prof. I.Zamputi, Po në këtë libër studiuesja  Nadin ka rrëzuar idenë shekullore se vepra e Buzukut është një përkthim i Biblës.. Përkundrazi, ajo shpreh me fakte konkluzionin se Buzuku  ka shkruar një libër origjinal, duke u mbështetur në kulturën e tij teologjike.

Një arritje tjetër me rëndësi sensacionale e Prof. L. Nadin  është  gjetja prej saj e simbolit tonë kombëtar  në kishën  e Shën-Sebastianit  në Venecia. Në afresket e kësaj kishe ajo dalloi se një personazh ndodhej i pikturuar me flamurin shqiptar: i veshur me bluzë të kuqe dhe me shqiponjën dykrenare në gjoks. Kuptohet se autori i veprës, piktori i famshëm venecian, Paolo Veroneze, e ka vendosur simbolin tonë kombëtar në pikturat e tij, për të evokuar heroizmin shqiptar ndër betejat kundër turqëve, nën udhëheqjen e Skenderbeut  legjendar.                                                                                                    Gjatë gjurmimeve të saj në Veneto, albanologia  Nadin, vë re se  shqiptarët, duke u bashkuar vëllazërisht , ngrinin jo vetëm kisha për t’u falur, po edhe shkolla për edukimin e fëmijëve të tyre. E tillë ishte në Venezia  “Scuola degli Albanesi” (Shkolla Shqiptare), e cila qe ndërtuar nga viti 1500-1504. Në murin ballor të së cilës ishte realizuar një bazorelif, që përkujton fillimin e“Rrethimit të Shkodrës”, 1474, dhe sipër në mur janë gdhendur  fjalët  Scutari assediata dagli Ottomani”, si dhe data, MCCCCLXXIIII, 1474.

Ky memorial mban gjallë nderimin e përbashkët, si të shqiptarëve të ardhur në Veneto, po edhe të vetë venecianëve, lidhur me qendresën heroike të Shkodrës së rrethuar (1474-1479). “Për këtë heroizëm të shkodranëve në shtetrrethimit ottoman, kronikat e kohës tregojnë se në kishën e Shën-Markut valviteshin simbolet e të dy qyteteve, Venecies dhe Shkodrës: Luani marcian dhe Shqiponja dykrerëshe,” si shprehje e aleancës së vjetër[20].

Po gjurmët e lidhjeve të shqiptarëve me Mbretëreshën e Adriatikut, nuk i hasim vetëm nëpër faqe librash, në afreske të kishave, në emra rrugësh, a po në basoreliefe shkollash; këto lidhje gjenden deri në zemrën e Pallatit Dukal, ku dilnin vendimet historike të Republikës Veneciane për më shumë se një mijë vjet. Pikërisht në sallën më solemne të këtij pallati, në Sallën e Këshillit të Lartë (Sala del Maggior Consiglio), atje, në tavanin e saj, është pikturuar afresku për Shkodrën e rrethuar nga turqit më 1474- 1479, titulluar  Difesa di Scutari“. Edhe ky afresk është vepër e piktorit të famshem venecian Paolo Veronese.[21] Ajo që të bije në sy, tek shikon pikturat e mrekullueshme, që veshin  këtë sallë, është vendoja e pikturës Difesa di Scutari në tavan pranë  afreskut në formë Ovale, e cila është shprehja më madhështore e Apotheozës së Veneciaes.

.Gjatë leximit të librit, duket edhe përpjekja që bën historiania, për të dhënë sa më qartë mithin e figures së Skenderbeut brenda në Venecia. Është fjala për kohën pas vdekjes së Skenderbeut, kur Shqipëria ra në duar të turqëve, dhe Republika e Venecies do të ndodhej ballë për ballë me kërcënimin e osmanëve. Shtetet e gadishullit italikë, si gjithë vendet europiane, e kishin të gjallë kujtimin e tmerrshëm të Betejës së Otrantos më 1480. Sulltanët e Turqisë vërtetë humbën atë betejë, po nuk humbën ëndrrën, që edhe Romën dhe Venecien t’i gllabëronin ashtu si Konstandinopolin më parë. Në ato rrethana, para këtij rreziku real, – shkruan autorja e librit – Senati Venecian, më 1601, kërkonte që emri i Skenderbeut, të përdorej si garanci e një trashëgimie  ende të patreguar ( f.42).Dhe kështu, në vbazhdim të kësaj ideje, në Venecie, po në vitin  1601 filluan punimet për ndërtimin e një anijeje të re të quajtur  Bucintoro[22]. Në zonën e bashit, ndërmjet statujës së  Drejtësisë , simbol i Venecies, dhe rreshtit të dytë, pikërisht aty ku ulej  jo vetëm doxhe dhe përfaqësuesit e lartë politikë  të Republikës, po edhe miq e të ftuar, aty u projektua dhe u vendos një  statujë me përmasa të mëdha, shpesh e quajtur  “Gjiganti”. Kjo shtatore ishte e mbuluar me fletë argjendi, dhe e vënë në pozicion sulmi, me kordhën në njerën anë,, kurse shtizën e gjatë e mbante nga ana tjetër. “Gjiganti” – deklarohet nga autorja e librit, – ishte Gjergj Kastrioti, Skenderbeu.”[23]

Duke parashtruar materiale dhe fakte të reja, Prof. L. Nadin, shtron dhe pyetjen sugjestive se pse u zgjodh figura e Skenderbeut për atë vend të anijes Buçintoro? Dhe pastaj përmes arsyetimeve të saj, ajo shkruan se të vendosje në anijen e doxhes statujën e atij, i cili në botimet e  kohës, për më tepër pas betejës së Lepantos, ishte cilësuar si  “Flagelo dei Turchi”, nuk ishte tjetër veçse një veprim politik shumë i zgjuar: a)Venecia mbronte sigurinë e detit “të saj” paqësisht, por, në se do të duhej, edhe me armë;

b) Ndërsa Luftëtari i shquar kundër turqëve, Skënderbeu, që u kishte dalë zot atyre dhe që kish qënë fitimtar i shkelqyer mbi ta, shprehte garanci për çdo lloj plani veprues në të ardhmen (f.44).

Po, duke komentuar simbolikën e shtatores së Skenderbeut në anijen  Buçintoro, albanologia, L. Nadin  nuk rri pa dhënë edhe vërejtjen e saj kritike lidhur me doxhet dhe Senatin venecian, të cilët, me gjithë ndihmat dhe garancitë e tyre, nuk kishin qënë shumë korrektë me heroin e lavdishëm shqiptar. Ajo e shpreh mendimin e saj me këto fjalë: “ Kuptohet mirë se kjo ishte një zgjedhje vetëfestuese, dhe në kundërshtim me të kaluarën  historike të politikës reale mes Venecias dhe Skënderbeut.” (Era, lo si capisce, una scelta autocelabrativa, anche in contrasto gli effettivi trascorsi storici della politica tra  Venezia e Scanderbeg”) (f. 45-46)                                                                                                      Pastaj, duke përshkruar anijen e Buçintoros,  studiuesja, na sjell në kujtesë se po nga Venecia kemi pasur edhe operan historike  “Scanderbeg” të kompozuar nga Antonio Vivaldi. Sipas saj, kompozitori i famshëm venecian, mbase është frymëzuar edhe kur shikonte nga shtëpia e vetë lundrimet  e kësaj anijeje. “Vivaldi,- shkruan ajo, –  shpesh pati mundësinë,  të shikonte  Buçintoron nga dritaret e banesës së tij , në afërsi të spitalit “Mëshira”, në  Pellgun e  Shën Marku-t, ku do të ketë gjetur frymëzim për të kompzuar  dramën muzikore “Skanderbeg”, që u shfaq  për herë të parë në teatrin   Pergola të Firencës, më 22 qershor,1718.”[24]

Nga sa parashtruam më sipër, kuptohet, përpjekja  serioze e një studjiueseje si  Prof. Lucia Nadin, e cila, me fakte historike, argumenton lidhjet Veneto-shqiptare në shekujt e Mesjetës dhe që i interpreton ato me një optikë të re dhe objektive. Të dy popujt, si dy fqinj në dy anë të Adriatikut, gjatë shekujve të mesjetës, i kanë qënë pranë njeri tjetrit. Kështu gjatë furisë së egër osmane, shqiptarët u bënë barrierë e madhe, që penguan vërshimet turke drejt viseve italiane dhe gjirit të Venecies. Kurse venetët, pas vdekje së Skenderbeut,  do të bëhen strehë për eksodin shqiptar. Le të kujjtojmë vetëm hapjen e portave për të pranuar mijëra azilantë nga Shqipëria, që linin vatrat e tyre nga tmerri i egërsise turko-osmane dhe merrnin arratinë përtej detit. Shumë shqiptarë nga Shkodra, Drishti, Tivari, Durrësi,Vlora, Himara dhe Butrinti shkuan në provincat e Venetos, ku pritën bujarisht si nga populli si dhe nga Doxhe-t e Senati i Venecies. Midis të ikurve shqiptarë dolën edhe burra të ditur, të cilët punuan, studjuan dhe krijuan vlera kulturale, që janë gurë themeli për kulturën tonë mesjetare, si Marin Biçikemi, Marin  Barleti e Gjon Buzuku. Ata i shkruan veprat e tyre në provincat e Venetos, dhe pastaj i botuan po aty, në Venecia, ne qytetin magjik , që  populli e quan dhe Venetik.

 

Massachusetts

Janar, 25, 2015

 


[1] Emri i Paolo Lucio Anafesto ndodhet i pari  nw listwn e doxh-wve tw Venecies, qw wshtw e gdhendur brenda mureve tw Pallatit Dukal.

[2] L. Nadin, “Venezia e Albania”, Regione del Veneto, 2014, f.23

[3] L. Nadi n, “Venezia e Albania”, Regione del Veneto, 2014, f. 24

[4] L.Nadin, “Venezia e Albania”, Regione del Veneto, 2014,  f.26

[5] P. Xhufi, nga artikulli “Ju rrtëfej për Statutet e Shkodrës të 1330-ës

[6] L. Nadin,  “Statuti di Scutari”, Universita di Venezia, 2002, f. 79.

[7] L. Nadin, “Statuti di Scutari’, Universita di Venezia”, f.49

[8] L. Nadin, “Statuti di Scutari”, Universita di Venezia, 2002

[9] E.Celebiu, nga kronikat e publkuara prej botimeve “”Faik Konica”, Prishtinë,2007.

[10] L.Nadin “Venezia e Albania”, Regione del Venton 2014, f.29

[11] P. Xhufi, “Venediku në Shqipëri”, shqiptari I Italisë, 28. September,1911.

[12] L. Nadin “ Venezia e Albania’”, Regione del Veneto, 2014, f. 29

[13] L. Nadin, “Venezia e Albania”, Regione del Veneto, 2014,  f..38

[14] L. Nadin, “Venezia e Albania”,  Regione del Vento, 2014, f.40

[15] L.Nadin, “Venecia e Albania” ,  Regione  del Veneto , 2014 , f. 39

[16] L. Nadin, “Venezia e Albania’,  Regione del Vento, 2014, f.56

[17] Universiteti  i Padovës  është unuversiteti i dytë në botë nga vjetëresia, pas ati të Bolonjës, i themeluar  më 1222.

  [18] Po në këtë auditorium do te jepte leksione më vonë edhe Galileo Galilei nga viti 1592 – 1610.

[19] Kjo vepër e Dh. Frangut njihet prej studiuesve vetëm në variantin e përkthimit, prej dikujt, në italisht dhe të botuar  po në Venecia, më 1539

[20] L.Nadin,”Venezia e Albania”, Regione del Veneto, 2014, f. 53

[21] Paolo Veronese, (1528 – 1588), piktor i  famshëm venecian; ka kompozuar shumë subjekte ngatë cilat do të përmendim përvec  “Rrethimit të Shkodrës” dhe   “Beteja e Lepantos”, “Pallati Dukal” dhe “Vnezia mbi Lagun”

[22] Bucintoro ishte një anije e madhe ceremoniale, që përdorej  nga doxhet e Venecies  në raste festive,ose takime diplomatike.

[23] L. Nadin, “Venezia e Albania”, Regione del Veneto, 2014,  f.43

[24] L.Nadin, “Venezia e Albania”, Regione del  Veneto, 2014, f.47

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok