LIBRI “SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE” I BASHKIM TRENOVËS
(Në vend të falenderimit për Bashkim Trenovën që solli librin e rrallë “Shqiptarët sipas serbëve”, Klubi i Poezisë, 2022)
NGA REXHEP SHAHU
Libri “Shqiptarët sipas serbëve” i gazetarit, shkrimtarit e diplomatit të njohur Bashkim Trenova, që botova këto ditë vere me Shtëpinë time botuese Klubi i Poezisë, është ndër ato libra të rrallë, të rëndë, të domosdoshëm e të dobishëm për shqiptarët e ndricimin e mendjes së tyre që të mos shkojnë edhe më gjatë se një shekull në krahë ëndrre, që ndërsa i han ujku, ata vazhdojnë t’i thonë vetes se jemi në ëndërr. Është libër që i bën esell shqiptarët si rrallë libra të tjerë që njoh e di deri sot për raportet e shqiptarëve me serbët. Libër që nuk fton për urrjetje, por ftohtë na ul në sallën e historisë si spektatorë dhe na mundëson të lexojmë e të shohim në skenë cfarë thonë figurat kryesore serbë për shqiptarët për një shekull e më shumë.
Ky libër na mundëson të dimë si na vlerësojnë, na cmojnë si e sa na duan ne shqiptarëve 125 nga figurat më kryesoret të botës serbe, na mundëson të dimë opinionet e 125 politikanëve të lartë serbë, të deputetëve dhe udhëheqësve të partive politike, të akademikëve, të historianëve, të shkrimtarëve dhe të veprimtarëve shoqërorë, të antropologëve, analistëve, gazetarëve, gjeologëve, gjeografëve serbë dhe vetëm serbë.
Libri Shqiptarët sipas serbëve i Bashkim Trenovës që ka në faqe të parë këtë tekst: “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që u dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët…”. (Dushan Batakoviç, Milan St.Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq.3.), sot është domosdo kur imponohemi të pajtohemi me serbët pas mëse një shekull kolonizimi e urrjejtje, pas luftës së fundit shqiptaro serbe, pas dëbimit të Serbisë prej Kosove e fitimit të Kosovës prej shqiptarëve falë Amerikës e NATOs, kur ende sot e gjithë ditën kreu i shtetit serb ngatërron botën duke artikuluar teza të zeza, si “të mos vriten më serbë në Kosovë…”, duke marrë mjeshtrisht rolin e viktimës kur mbi një shekull ishin xhelatë serbët, e kur politika në Tiranë e Prishtinë më e shumta hesht në këtë rast ndoshta me dashje…
Shpesh si vargje rapsodie këndojmë fraza urrejtje e përbuzje të serbëve ndaj shqiptarëve e anasjalltas. Por gjithmonë bëjmë thashetheme dhe jemi shumë larg të vertetave të thjeshta. Thashetheme e propagandë bajate nëpër studio e ekrane televizive, nëpër gazeta por larg të vertetave të hidhura, larg realiteteve konkrete.
Shumë mentarë shqiptarë shesin mend duke artikulue fjalët e serbëve sikur të jenë fjalë të tyre, duke sharë shqiptarët me të njejtat sharje që na shajnë serbët, vec mentarët, ideologët e gjithologët shqiptarë nuk tregojnë se të kujt janë ato fjalë, shprehje e akuza, qortuesit shqiptarë nuk tregojnë se janë thjeshtë zëdhënësa të serbëve të ndryshëm kur na qortojnë. Bashkim Trenova do i lërë zbuluar qortuesit e shqiptarëve sepse ua zbuloi gurrat e krojet e tyre ku pinë muzë.
Fyerjet e sharjet më të rënda kundër shqiptarëve lexohen në librin e kryeministrit të Serbisë Vlladan Gjeorgjevic me titull “Shqiptarët e fuqitë e mëdha”, ku thuhet edhe se shqiptarët janë me bisht, libër i botuar nga ai në tre gjuhë, gjermanisht, frëngjisht e serbisht me bindë Europën për bishtin e shqiptarëve… Këtë libër e ka përkthyer kryeministri shqiptar Mustafa Kruja dhe është botuar në Zarë të Kroacisë me 1928. Në Shqipëri e kam botuar unë në 2015. Sic kam botuar “Shpërngulja e shqiptarëve” të Vaso Cubrilloviqit e disa libra të tjerë që janë dekalogje të urrejtjes serbe kundër shqiptarëve.
Libri i Bashkim Trenovës me titull “Shqiptarët sipas serbëve”, është përmbledhja më e bukur, serioze, profesionale e gjithë cfarë kanë thënë 125 përsonalitete të elitës serbe për shqiptarët, është një libër që i bën nder gjuhës shqipe, u bën nder akademikëve shqiptarë se ua shpëton nderin e dinjitetin, i bën nder politikës shqiptare inferiore e vasale dhe ia hap sytë, i bën nder medias shqipe se e kthjellon, u bën mirë gjithologëve shqiptarë se i fut në ujë të ftohtë dhe i nxjerr lakuriq tellallët e Serbisë që flasin jo serbisht nëpër ekrane e gazeta në Shqipëri e Kosovë e kudo ku ka shqiptarë.
Libri voluminoz me 500 faqe “Shqiptarët sipas serbëve” paraqet dy rrymat që kanë ekzistuar në Serbi në raport me shqiptarët. Ka patriotë të mëdhej serbë, që janë serbë të mirë dhe miq të shqiptarëve, sic ka edhe serbë për të cilët shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur.
Bashkim Trenova mbase ka një jetë që ka punuar për këtë libër pasi libri është shumë serioz dhe tregon se është derdhe djersë e përkushtim shkencëtari, janë lexuar, cituar e sjellë 125 figura nga më të rëndësishmet e botës serbe, nga disa gjuhë e vepra, janë shfletuar e konsultuar mbi 100 organe shtypi dhe jo nga një akademi apo grup autorësh por nga një njeri i vetëm si Bashkim Trenova.
Analizat, interpretimet dhe komentet që përfshihen në këtë libër janë vendosur në një hapsirë kohe të kufizuar: vitet e Krizës Lindore dhe të Luftrave Ballkanike. Janë zgjedhur qëllimisht këto periudha sepse ato, me pasojat e tyre, qëndrojnë në themelet e marrëdhënieve serbo-shqiptare, apo shqiptaro-serbe për të gjitha vitet në vazhdim, deri në ditët tona, shkruan autori në përcjelljen e këtij libri
Mustafa Kruja shkruante në 1928 se duhet një bibliotekë me libra me iu kundërvu Vlladan Gjeorgjeviqit dhe se ai ishte i vetëm në atë ndërmarrje sfiduese kundër kryeministrit serb të asaj kohe. Me iu kundërvu kryeministrit serb dhe me pohue rrenat e shpifjet e tij dhe konstatimet e tij të verteta, por duhet në gjuhë të Europës në të cilën ai ka shkrue librin e tij të akuzës kundër rracës shqiptare.
Edhe Bashkim Trenova është i vetem në këtë ndërmarrje të madhe e fisnike me i gjetë, selektue, lexue, citue 125 nga kryesorët e elitës serbe dhe me iu përgjigjë atyre e me ua rrëzue tezat.
Nuk ka kundërvënie të tilla të forta kundër serbëve nga elita shqiptare, me pak përjashtime, pasi shekulli i pushtimit serb, futja e hundëve serbe në gjithë jetën shqiptare edhe që nga themelimi prej tyre i Partisë komuniste të Shqipërisë, serbët kanë qenë të shtëpisë në shtëpinë politike shqiptare sa herë kanë dashtë.
„Në qoftë pra se nji popull ka interes të dijë se ç’mêndojnë për tê të huejt, sidomos ata të huej me të cilët pozita gjeografike e shtrëngon me qênë në përpjekje t’afërt e në marrëdhânie të përditshme, libri i Dr. Vladan Gjorgjeviqit, … sigurisht vjen në radhën mâ të parë për me u këndue prej né shqiptarëvet.“, – shkruan dijetari e politikani i madh Mustafa Kruja në parathënien A ka shqiptarë me bisht, të librit „Shqiptarët e fuqitë e mëdha”.
Libri i Bashkim Trenovës „Shqiptartët sipas serbëve” që na paraqet se cfarë mendojnë 125 serbë elitë për shqiptarët natyrisht që është me shumë e shumë interes për shqiptarët që ta dinë si i shohin serbët.
Thënë me fjalët e Mustafa Krujës, po ta lexojnë librin e Bashkim Trenovës Shqiptarët sipas serbëve, ata, shqiptarët „Mâ së pari do të kenë para sýsh nji pasqyrë të kthjellët, dokumentin mâ autentik t’opinionit politik sërb mbi ta.“
Libri i Bashkim Trenovës është shumë khjellues, qartësues.
Fishta shkrun diku e i thotë autoritetit shtetëror se një libër i keq është më i dëmshëm se një revolucion. I nxitur nga Fishta unë do t‘i thoja kryeministrit tonë se libri i Bashkim Trenovës duhet lexuar me detyrim nga cdo zyrtar shqiptar, nga cdo punonjës zyrash në ambasada e konsullata, edhe nga shoferët e tyre sepse ky libër nuk të frymëzon me urrjetje por të bën të qëndrosh vertikal e të mos lejosh të poshtrosh veten e vendin tënd, të mëson se si serbët bëhën bashkë në cdo rrethanë kundër shqiptarëve a kundërshtarëve sic nuk behen kurre bashke shqiptyaret…
Ajo që thonë 125 elitarët serbë për shqiptarët na mundëson të njohim më mirë veten e pastaj edhe ta duam pak me shumë veten e atdheun, pasi në asnjë rrethanë nuk na bëhet askush atdhe dhe nuk na e don askush atdheun për ne.
Mustafa Kruja vinte në dukje që në 1928 se nuk kishte ndonjë vlerë të madhe të kundërshtoje serbët në gjuhën shqipe, të kundërshtoje librin e Vlladanit në gjuhë shqipe,kur ai e kishte shkrue e botue së pari gjermanisht e frengjissht e pastaj serbisht, por vlerë do të kishte të kundërshtoje librin e tezat e Vlladanit në gjuhë të huaja me të cilën flet politika, kultura e diplomacia e botës.
Por politika shqiptare asnjëherë nuk ka dashur as ka mundur e mbase as ka lejuar që të konfrontohen serbët me libra në gjuhë të huaja. Se po të kishte dashtë politika shqiptare në Shqipëri e Kosovë dhe po të kishin dashtë baballarët e kombit në Tiranë e Prishtinë, bota do të kishte mësuar më shumë në anglisht për shqiptarët e shpifjet serbe.
Por para botës na duhet të bëhemi ne vetë esëll së pari, të shohim veten e raportet me fqinjin që nuk e kemi zgjedhë ne por fati. Libri i Bashkim Trenovës në mëson më shumë se cdo gjë, më kthjelltë e qartë se cdo gjë.