LIBËR PËR NJERIUN QË PËRHERË ISHTE NË SHËRBIM TË ATDHEUT
![Bedri Tahiri-Perurimi](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2025/02/Bedri-Tahiri-Perurimi.jpg)
Përurim libri
Nga Bedri Tahiri
Të nderuar familjarë të atdhetarit e luftëtarit Behram Rrahmani!
Të respektuar komandantë, veteranë, familjarë dëshmorësh, familjarë të martirëve, invalidë e bashkëluftëtarë të Behram Rrahmanit!
I nderuari kryetar i komunës, z. Ferit Idrizi!
Të dashur mësimdhënës, drejtorë e veteranë të arsimit!
E palodhura autore Remzije Zekolli!
Pjesëmarrës të nderuar nga të gjitha trojet shqiptare!
Të flasësh e të shkruash për luftëtarët e lirisë, është sa krenari, aq edhe përgjegjësi. Sado që të thuash për ta, nuk është e mjaftueshme. I tillë është edhe Behram Rrahmani nga Kolla e Vushtrrisë, i cili ishte ndër themeltarët e parë të UÇK-së në Artakoll dhe pjesëmarrës i shumë luftërave e betejave.
Të gjitha këta i ka pasur parasysh edhe Remzije Zekolli, e cila ka kohë që është mishëruar me shenjtërinë e dëshmorëve, për të cilët shkruan me plot vullnet e përkushtim.
Në këtë vazhdë ecën edhe libri monografik “TRIMI I LIRISË- BEHRAM RRAHMANI”, të cilin sot po e përurojmë e ku profili i Behram Rrahmanit na del i kompletuar në të gjitha dimensionet: njerëzore, atdhetare, miqësore, familjare e humanitare.
Libri ka një përmbajtje të ngjeshur dhe ka diskurs shumëdimensional. Autorja, që tashmë ka ber emër në portretizimin e dëshmorëve të lirisë në vargje, në këtë monografi ka shtjelluar një lëndë të pasur me fakte historike, nga e kaluara dhe, veçan nga lufta e lavdishme e UÇK-së, me rrëfime bashkëluftëtarësh e familjarësh, me kujtime e rikujtime, duke na shpërfaq natyrshëm profilin e një luftëtari sypatrembur.
Libri, parimisht është i ndarë në dy pjesë kryesore: Pjesa autoriale (ku autorja shpërfaq mendimet e vlerësimet e veta për protagonistin dhe rrethanat në të cilat ai veproi) dhe pjesa përkujtimore (ku familjarët, kolegët, bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e Behramit japin mendimet dhe kujtimet e tyre, duke e ndriçuar personalitetin e tij në të gjitha aspektet).
Në mbrojtje të shkollës shqipe dhe në radhët e UÇK-së
Mbijetesa e shkollës shqipe në komunën e Vushtrrisë, në kohën zezonë, kur falangat serbe na dëbuan dhunshëm nga shkollat tona, nuk mund të mendohej dot pa mbrojtësit e saj të devotshëm, pa Behram Rrahmanin dhe kolegët e tij, që me mish e me shpirt ishin vënë në shërbim të kësaj kauze të madhe kombëtare.
Meqë udhëtonim me të njëjtin autobus, ai për në Kollë e unë për në Galicë, me Behramin më ra të rrija më shumë dhe ta njihja më mirë. Paskëtaj, unë edhe isha dhëndër i Kollës, kështu që na lidhnin shumë gjera. Mirëpo, mbi të gjitha na lidhte çështja kombëtare, na lidhte fati i popullit tonë që padrejtësisht po vuante nën robërinë shekullore. Në Drenicë, ishin shfaqur më herët celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, andaj Behrami ishte shumë i interesuar të dinte më shumë për atë lëvizje shpresëdhënëse…
Behram Rrahmanin -Ruajtja dhe mbrojta e shkollës shqipe, nuk e penguan që t’i rrokte edhe armët e lirisë e të radhitej në vijën e frontit luftarak. Veprimtarinë e tij atdhetare luftarake e kishte nisur qysh herët. Fillimisht kishte mbajtur lidhje, paksa ilegale, në koordinimin e punëve logjistike në vijën Vushtrri-Artakoll-Drenicë. Më kujtohet sa e sa herë ka shkuar dhe ka marrë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në punëtorinë e vëllezërve të palodhshëm Mjeku në Vushtrri (me Hanefiun punonim bashkë në gjimnaz dhe këto punë i endnim me shumë kujdes) dhe i ka përcjellë në male, tek luftëtarët e lirisë në Drenicë, në Qyqavicë e në Shalë.
Mirëpo, sistemimin e parë ushtarak e bëri në Drenicë, por me kthimin e Jashar Jasharit- Komanndat “Durakut” nga perëndimi, Behrami angazhohet në rajonin e Artakollit, duke nisur në vendlindjen e tij, në Kollë, ku përherë e në të gjitha periudhat historike, kishte jehuar kënga e bukur e grykëhollës.
Kështu, ku bënte bam pushka çlirimtare, aty e gjeje trimin sypatrembur, i cili nga shokët e luftës njihej si Komandant “KUJTIMI”. Mori pjesë në shumë luftime e beteja. Mjafton të përmendet Beteja e Hamidisë e 11 qershorit 1998, ku, ky luftëtar i orëve të para, mori pjesë si komandant i Njësisë Speciale dhe, pos tjerash, posedonte edhe një snajper gjysmautomatik jugosllav 7.9 mm. Beteja u organizua dhe u realizua nga strategu Jashar Jashari (Komandant “DURAKU”). Kjo qe pushka e parë e UÇK-së këndej Qyqavicës, e cila u shndërrua në shkëndijë të pashuar të zjarrit të luftës për liri deri në çlirimin e vendit.
Paskësaj, veprimet dhe ngjarjet tjera të tij gjatë gjithë kohës së luftës sonë çlirimtare, as që mund të numërohen. Behram Rrahmani mbetet shëmbëlltyrë për brezat e ardhmërisë. Vërtet, ishte për tu admiruar. Kurrë nuk u ndal, as para luftës, as gjatë luftës, as pas luftës. Përherë qëndroi i pathyeshëm në shërbim të Atdheut.
Ikja e tij e hershme në amshim, qe një humbje e madhe për familjen, për shoqërinë, për atdheun. Mirëpo, veprat e tij na bëjnë krenarë dhe na e lehtësojnë shpirtin, ngase krenaria qëndron mbi dhimbjen.
Një lapidar përjetësie, që përherë do t’i qëndroi kohës, është edhe libri TRIMI I LIRISË- BEHRAM RRAHMANI”, i autores Remzije Zekolli, e cila meriton një falënderim të veçantë!
Lavdi për jetë e mot, veprimtarit e luftëtarit sypatrembur Behram Rrahmani!
Gëzuar përvjetori i 17-të i Pavarësisë së Kosovës, mjerisht, pa më meritorët, pa shpallësit e saj, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë!
Faleminderit për vëmendje!
Vushtrri, më 14 shkurt 2025