24/12/2024

Lexova një libër që më mrekulloi

0
Kristaq-Nanushi-Shaperdani

Nga Meri Lalaj

Kur e pyesja shokun tim të klasës në gjimnaz, Kristaq Nanushin: me çfarë po merresh? Ai më përgjigjej thjesht: me Bendo Shapërdanin… Dhe mbeti ngulur për një kohë të gjatë atje, në Sallën e Studimit, në Bibliotekën Kombëtare.

Kristaq Nanushi ka shkruar dhe botuar disa libra, mund të përmend: “Legjendat e Liknidës”, “Legjendat e Enkelanës”, “Pogradeci, vendlindja ime”, “Pogradeci në shtypin e viteve (Bibliografi). Gjithashtu ai ka shkruar disa skenarë për dokumentarë dhe filma artistikë si edhe ka botuar në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori” shumë artikuj kritikë para dhe pas viteve ’90-të.

Kujtova se ky do të ishte një libër me të dhëna historike për këtë kapedan madhështor dhe fare pak të njohur, ndonëse lexova titullin “Bendo Shapërdani në kohë orëliga” dhe poshtë tij shënohej roman.

Në kopertinën e shpalosur në të dy anët shohim një luftë të atyre viteve. Kopertina është punuar mjeshtërisht nga piktori i talentuar pogradecar Anastas Kostandini (Taso). Në faqet e para të librit ndodhet portreti burrëror i Bendo Shapërdanit me sytë e tij që rrezatojnë mirësi dhe trimëri punuar nga piktori Gentian Tola. Kështu fillova ta lexoj dhe nuk u ndala deri në fund këtij romani që më këndelli dhe më emocionoi fort.

Emrin e Bendo Shapërdanit e kam dëgjuar që në vogëli, në qytetin tim të lindjes, Pogradec, madje mbaj mend edhe vargjet:

More Bendo Shapërdani,

Në Stamboll të vajti nami!

N’atë Starovë të shkretë,

Turq, o të zinj më s’mbettë!

Dy janë arsyet për të cilat u mrekullova me këtë libër: E para, brezi im dhe brezat më tej e kanë mësuar historinë e kombit të përçudnuar, u janë thurur lavde njerëzve që nuk e kanë merituar aspak, me një fjalë kriminelëve dhe shkatërrimtarëve. Le të kujtoj anadollakun injorant të Shqipërisë së Mesme Haxhi Qamili, i cili donte ta kthente mbrapsht rrotën e historisë me bëmat dhe zullumet e tij. Apo Shahin Matraku e më vonë nipi i tij Kajo Babjeni, që i përkasin zonës juglindore, fshatrave të Korçës dhe Pogradecit. Dikur Shahin Matrakun e mbanin si një Robin Hood shqiptar, që gjasme ndihmonte të varfërit, madje për këtë është shfrytëzuar edhe piktura e piktorit Spiro Xega “Shahin Matraku dhe çeta e tij”.  Për fat të mirë para nja tre vitesh lexova librin e piktorit dhe kritikut të veçantë të artit, të ndjerit tashmë Gëzim Qëndro “Heronjtë janë të uritur”, që analizonte hollësisht jo vetëm pikturën e Spiro Xegës, por edhe ngjarjet lidhur me të, duke qëmtuar në Bibliotekën Kombëtare deri ditarin dhe shkrimet e Gjergj Qiriazit, i cili u zu rob nga Shahin Matraku, u zvarrit si peng gjashtë muaj radhazi shpellë më shpellë derisa u sëmur për vdekje. Mendoni për shkakun e një xhahili dhe një katili humbëm Gjergj Qiriazin, mëmëdhetarin e shquar!

Ne dinim emrat e këtyre hajdutëve pa din e iman dhe nuk dinim emrat e Suli Starovës dhe Bendo Shapërdanit. Kristaqi e ka lexuar këngën e Bendos që në librin e klasës së pestë. Më vonë bashkë me kompozitorin Kristaq Koci e përgatitën këngën dhe e paraqitën në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1973.  Më vonë shkroi një legjendë në njërin nga librat e tij.

Së pari, kënga për Bendo Shapërdanin është botuar në librin e Thimi Mitkos “Bleta Shqiptare” në vitin 1878. Në vitin 1929 Mitrush Kuteli botoi në Rumani një rrëfenjë lidhur me këtë temë, ndërsa në vitin 1980, Sterjo Spasse botoi një novelë. Tani Kristaq Nanushi na dhuron një vepër të mirëfilltë artistike nga përmbajtja dhe bukuria. Vendosja e ngjarjeve të romanit i takon fundviteve të shekullit të 18-të. Dua të kujtoj se shumë kryengritje po tronditnin Perandorinë Osmane në atë kohë në Ballkan dhe Shqipëri. Për fat të mirë këto javët e fundit lexova edhe librin “Katër Burrat” shkruar nga Doktor Fedhon Meksi dhe mësova shumë për figurën e Mahmut Pashë Bushatit, por sidomos për Ali Pashë Tepelenën (që e njihnim thjesht si mizor, në të vërtetë ai ka qenë njeri që donte me doemos përparimin e kombit tonë)..

E solla në vëmendje këtë libër historik për faktin se ngjarjet në romanin “Bendo Shapërdani në kohë orëliga” zhvillohen në të njëjtën periudhë kohore në të cilën sundonin Mahmut Pashë Bushati në veri dhe Ali Pashë Tepelena në jug. Heronjtë kryesorë dhe luftarakë të romanit Bendo Shapërdani dhe Suli Starova janë mbartës të shpirtit trimëror dhe atdhedashës të popullit shqiptar. Të dy trimat me shembullin e tyre frymëzuan mijëra burra për të luftuar armikun.

Autori i përshkruan shumë bukur me ngjyra të ndezura ambientet orientale në sarajet e Ahmet Pashait dhe në Kalanë e Ohrit. Njerëzit që i shërbejnë këtij Pashai kanë në gjak ligësinë, grabitjen, kurthet, spiunimet, pabesinë…Jam habitur kur kam ndjekur zhvillimet e betejave ndërmjet turqve dhe çetave të Bendos dhe Sulit, autori të duket sikur ndodhet vetë në sheshbetejë dhe drejton sulmin tok me trimat. Sepse Kristaq Nanushi para se të ulej e të shkruante romanin ka shkelur me këmbë çdo vis që e përshkruan në këtë libër. Ngjajnë si teatër vendet ku zhvillohen betejat: Fusha e Starovës, Pylli i Gështenjave, Tushemishti, Shën Naumi dhe, matanë liqenit, Ohër, Strugë, Manastir.

Përveç sfondit historik që përmenda më lart, autori na përshkruan bukuritë e rralla magjepsëse të Liqenit të Ohrit (Liknidës), të fshatrave rreth e rrotull tij. Përshkrimet janë aq të bukura me drurët në lulëzim, me lulet e malit lloj-lloj, me zogjtë që ia marrin këngës dhe më duket sikur autori ka mbledhur anës së gjolit guriçka të vockëla, copëza kristali  e me to porsi një piktor i mirëfilltë ka krijuar një mozaik të mrekullueshëm të jetës në ato vite me të gjitha ngjyrat e mundshme. Kështu ka përshkruar jo vetëm natyrën, mjediset ku jetojnë njerëzit e thjeshtë në ato peizazhe aq të bukura, por edhe psikologjinë dhe mendësinë e atyre njerëzve të asaj kohe.

Kristaq Nanushi na tregon se është mjeshtër i vërtetë në rrëfimin e ngjarjeve të romanit, ai e ka kapur fort për brirësh çdo situatë të krijuar pa u bërë i mërzitshëm për lexuesin. Takimet e Bendos me zotërinjtë Asllan Hysa dhe Namik Mane, burra shumë të kulturuar, që punojnë mësues në Manastir dhe që e duan Shqipërinë të lirë, fjalimet që u mbajnë fshatarëve në kazanë e Starovës ngrenë peshë zemrat e tyre dhe marrin hov për ta luftuar hasmin me çdo kusht. Gjithë kjo frymë luftarake i paraprin Rilindjes sonë Kombëtare që do përndritej pak dekada më vonë .

Paralelisht epikës së luftës ballore midis ushtrive turke, që thuhej se ishin 40 mijë ushtarë nën komandën e Ahmet pashait dhe fshatarëve kryengritës që vullnetarisht mblidheshin nën komandën e Sulit dhe Bendos epiciteti ishte i madh ndonëse prapa linin jetimëri dhe therori. Zulmi dhe lavdia e tyre ishte aq e jashtëzakonshme saqë nami shkoi deri në Stamboll dhe e pati trazuar fort sulltanin dhe administratën e tij, ndaj vinin urdhërat e sulltanit njëri pas tjetrit për ta kapur gjallë ose vdekur Bendon. Në mos, pashait të Ohrit i duhej të çonte kokën e tij në Stamboll. Luftimet në roman janë përshkallëzuar në mënyrë bindëse dhe logjike, ku furia e ngjarjeve ngre lart tek lexuesi dallgët e emocioneve.

Një linjë e rëndësishme e subjektit janë kuvendet që kapedanët mbajnë në Namazgjah të Starovës. Aty vihet re fryma luftarake patriotike, dashuria për liri dhe dëshira për t’u bashkuar në një luftë të përbashkët. Përtej kësaj njohim strukturën feudalo-ushtarake të Perandorisë Turke në vendet që ajo pushtonte.

Një linjë shumë e rëndësishme është ajo e idilit të dashurisë së Bendo Shapërdanit me vajzën maqedonase Veselina, të cilën ai e thërret shqip Vesa.  Si prozë poetike tingëllojnë fjalët që shkëmbejnë me njëri tjetrin dy të dashuruarit, Bendo dhe Vesa, pastaj vizita e tyre në Kishën e Shën Naumit dhe biseda me priftin e mençur. Kjo kishë ka qenë një thesar i çmuar ku ruheshin libra dhe stili i të shkruarit të këtij libri është tejet i veçantë: gjuha është afër së folurës në fundshekullin 18-të, një gjuhë e zhdërvjellët me një frazeologji të pasur, përdoren fjalë të vjetra, autori e kërkon fjalën të jetë sa më e bukur dhe në vendin e duhur. Ky autor përpiqet që fjalët e rëndomta, të zakonshme, t’i lartësojë dhe të bëjë art.

Arsyeja e dytë, që më mrekulloi në këtë libër është pikërisht fjala shqipe, ajo e shenjta me të cilën jemi mëkuar që në djep. Mund të jap shembuj, sepse duke lexuar librin nënvizova disa syresh, që e lartësojnë gjuhën tonë të bukur: (orëliga, tremë, këndëllente, muziktarët, hajet, humbellat e mendimeve, këmbëshkallët, gjumëprishur, dredhullonte dritë, vorbullonin kujtimet, kokëngriturve, rrahmendur, terrnate, tejqyrën, syçapluar, gërrmëremi, zhurmërimë, urtak, ftujak, mbushullimë, tufëlonin, u lektisën, pispunët, pisjeta e të tjera)                            Për mendimin tim, këtij personazhi historik, autori jo thjesht i ka hequr  pluhurin e harresës, por p ka dhënë një dritë rrezëllitëse e kuptimplote për të gjitha kohët. Momenti më i dhimbshëm është vrasja me tradhti e Bendos. Atij ia presin kokën, por ai nuk bie. Këtu ngrihet legjenda. Edhe pse pa kokë, ai vazhdon luftën me armiqtë duke shkulur lisat aty pranë dhe duke i hedhur mbi ta. Një skenë sureale që monumentalizon heroin e pamposhtur. Ndaj për të populli ka ngritur atë këngë që është ndër më të bukurat e epikës folklorike kombëtare.

Romani “Bendo Shapërdani në kohë orëliga” mendoj, është shumë i përshtatshëm, madje i gatshëm për t’u bërë film.

Lexuesi, sidomos ai pogradecar, do të ishte i dëshiruar që nga dora e këtij shkrimtari të shihnim vepra të tjera të realizuara kaq bukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok