30/12/2024

LETËRSIA PËR FËMIJË NË STUDIMET E ANTON NIKË BERISHËS

0
Berisha-Poetika

Nga Prend Buzhala

Çështje teorike letrare dhe studime monografike

Duke qenë njëra ndër figurat epiqendrore të letërsisë së sotme shqipe[1], me interesime të shumëfishta, shpesh të pakrahasueshme me ndonjë autor, përmasash të mëdha e të jashtëzakonshme për letërsinë (kritikë letrare, studime monografike e interesime teorike letrare), duke i zgjeruar këto interesime me realizimin e një varg projektesh të tilla sistematike të Fjalës Diskursive (interesimet për letërsinë popullore, interesimet për letërsinë arbëreshe, interesimet për letërsinë  vjetër shqipe, interesimet për çështje teorike letrare, interesimet për vlerat antologjike të lerave shqipe e të asaj botërore si hartues antologjish, puna në përzgjedhjet e librave poetikë po edhe në prozë të dhjetëra autorëve të sotëm shqiptarë e arbëreshë, veprimtaria e tij në fushën e përkthimeve të kryeveprave botërore, veprimtaria në fushën e letrave kushtuar Nënës Tereze etj.; duke ia shtuar kësaj veprimtarie edhe krijimtarinë e pasur letrare me romanet, poezitë, poemat si në letërsinë për të rritur ashtu edhe në at për fëmijë); gjithsesi, që, në kuadrin e këtyre interesimeve të gjalla e dinamike hyjnë edhe interesimet kushtuar letërsisë për fëmijë.

Këtu do përmendur kontributin e tij që prej fillim vitet ’70 të shekullit që e lamë pas e këndej, në fushën e kritikës letrare, duke vlerësuar e interpretuar autorë e vepra të letërsisë së sotme shqipe për fëmijë, siç janë Rexhep Hoxha[2], Mark Krasniqi[3], Anton Çetta[4], Bedri Dedja[5], Rifat Kukaj[6], Vehbi Kikaj[7], Agim Deva[8], Ymer Elshani[9] etj.

Ndërkaq, në dekadën e fundit, e zgjeroi këto interesime me përkushtime të mirëfillta studimore, kritiko-letrare dhe të fushës së interesimeve të lehtësisë për fëmijë, siç janë “Letërsia për fëmijë si art i fjalës”[10] dhe “Poetika e letërsisë për fëmijë”[11]

Ky korpus tekstesh studimore, kritiko-letrare dhe interpretuese, hynë në radhën e mendimit letrar ndër më të mirëfilltat në letrat shqipe.  Ky interesim zgjerohet e thellohet me studimet monografike kushtuar letërsisë për fëmijë, siç janë “Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit” (studimin monografik) – FAIK KONICA, Prishtinë 2002, pastaj  “Letërsia për fëmijë si art i fjalës”, ARBËRIA 07, Tiranë 2013 dhe sivjet botoi monografinë “Veçanti të veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt”, Argeta LMG, Tiranë 2020. Kohëve të fundit botoi edhe një vepër të rëndësishme me titullin “Poetika e letërsisë për fëmijë” (botoi Universiteti i Gjakovës” Fehmi Agani”, Gjakovë 2020 ).

  1. “Poetika e letërsisë për fëmijë” – një vepër shumëfish e rëndësishme

Meqenëse letërsia për fëmijë si art i fjalës ka fushë të gjerë receptimi jo vetëm nga lexuesit e përkushtuar, por edhe nga nxënësit, pedagogët, studiuesit e fushave letrare, arsimore, edukative; meqenëse shumë vepra të letërsisë për fëmijë lexohen si lekturë e zgjedhur shkollore, apo si lëndë mësimore përmes libër-leximeve, apo si lëndë e veçantë studimi në nivel universitar tek katedrat albanologjike e pedagogjike; atëherë s’do mend se vepra “Poetika e letërsisë për fëmijë” (Letërsia për fëmijë si art i fjalës & Vëzhgime teorike & Krahasime me letërsinë për të rritur & Interpretime veprash & Portrete shkrimtarësh)”, meqë mban për botues Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, do të shërbejë edhe si libër universitar për studentë dhe për profesorë që e ligjërojnë lëndën e letërsisë për fëmijë. Fillimisht librit i prin punimi “Letërsia për fëmijë si art i fjalës dhe rëndësia e saj “, në të cilin pohon me të drejtë: “Vepra e letërsisë për fëmijë është para së gjithash art i fjalës, prandaj nëse me dashje e lëmë anash këtë tipar të sa, vetvetiu i mohojmë qenësinë dhe veçantinë, përkatësisht qëllimin kryesor, përmasën artistike dhe kënaqësinë – ndikimin estetik.”[12] Ndonëse në të kaluarën, nëpërmes shkrimeve të ndryshme nëpër revista a shtypin pedagogjik, arsimor e letrar, kanë shkruar për problematikën e letërsisë për fëmijë, për përqasjet e marrëdhëniet mes letërsisë për të rritur e për fëmijë, qëllim i autorit është që ta riaktualizojë rëndësinë e letërsie për fëmijë dhe të ndriçojë veçori, tipare e dukuri të saj si art i fjalës, por dhe “rëndësinë e saj të shumëfishtë për pasurimin shpirtëror dhe artistik të njeriut tonë, pa marrë parasysh moshën e marrësit ose shfrytëzimin e letërsisë për fëmijë dhe për qëllime pedagogjike ose të tjera.”[13]

Duke e ndarë librin në disa pjesë: “Çështje teorike të letërsisë për fëmijë”, “Interpretime veprash” dhe “Portrete shkrimtarësh”,  autori do t’i mbetet besnik, përgjatë gjithë veprës, postulatit kryesor të kësaj letërsie, kur tashmë lë anash karakterin pedagogjik, arsimor, edukues, argëtues etj. dhe përqendrohet te qenësia e sa si art i fjalës. Në këtë drejtim shtjellohen e zhdrivillohen çështje e dukuri e veçori të letërsisë për fëmijë tek tri punimet e pjesës “Qenësi dhe veçanti të artit të fjalës – letërsisë”, si janë “Arti letrar si pasuri shpirtërore”, “Ndërliqësia e natyrës së artit të fjalës” dhe “Qenësia e strukturës gjuhësore poetike”. Meqë autori është edhe studiues i letërsisë gojore, në të dy rastet (letërsi gojore, letërsi e shkruar) ai e sheh krijimtarinë letrare esencialisht si art i fjalës. Kur kemi parasysh, te ky libër imi, ku po flasim për romanet për fëmijë të Anton N. Berishës, atëherë na përligjet edhe një interesim tjetër, mu ashtu siç pohon edhe vetë autori:

“Njeriu jo vetëm që e krijoi artin e fjalës, por u mor dhe me shqyrtimin dhe studimin e tij, me veçantitë shtjelluese dhe shprehëse poetike si dhe me përmasën e ndikimit estetik dhe me rëndësinë e këtij ndikimi në njeriun. Kjo ndodhi nga fakti se ndriçimi i tipareve të artit kushtëzoi zhvillimin e vetë artit, rrjedhimisht me këtë, zhvillimin e shijes artistike, përkatësisht zhvillimin e ndjenjës për të bukurën e për të madhërishmen, gjë që i hapi shtigje të reja artit të fjalës dhe dëshmoi qenësinë e shumëfishtë të tij për njerëzimin. Këto përpjekje kurorëzohen me veprën Qasje artit poetik të Aristotelit, që shërbeu si bazë për thellimin e studimeve të mëtejshme dhe për njohjen sa më të plotë të artit të fjalës”[14]. Meqë i veçon, tek shtresat e ndërliqshme estetike të veprës letrare, edhe aspekte tjera të këtij arti siç janë mesazhi që përcillet te marrësi (lexuesi), shumëkuptimësinë e fjalës (“Pikërisht gjuha poetike e kushtëzon veçantinë dhe vlerën e krijesës letrare”, thotë autori, sepse jashtë gjuhës nuk ka letërsi), apo edhe veçori tjera, siç është rrëfimi, sidomos rrëfimi përrallor. Autori i ka kushtuar rëndësi të veçantë tipit të rrëfimit përrallor dhe gjuhës poetike që ajo ngërthen, për t’i ndërlidhur, kësisoj, praktikën krijuese, romanet e poemat e tij, me trajtimet e studimet që i kushtohen kësaj krijimtarie. Po qe se letërsia krijohet e lexohet për të ushtruar ndikimin e saj estetik, po qe se edhe letërsia gojore, edhe ajo e shkruar, duan të njësojnë realitetin konkret nëpërmes realitetit imagjinativ a përfytyrues, atëherë është krejtësisht e përligjur se përse në krijimtarinë letrare për fëmijë të Anton N. Berishës mbizotëron trajta përrallore e rrëfimit, rikrijimi i përrallës në letërsi:

“Dukurinë e tillë e përligj mirëfilli njëri nga llojet më të njohura të letërsisë për fëmijë – përralla, e cila shekuj me radhë u përcoll gojarisht brez pas brezi, për të bërë pastaj një jetë mjaft të gjallë në formën e shkruar, qoftë kur u krijua nga shkrimtarët, qoftë kur tekstet e traditës letrare gojore u mblodhën dhe u botuan […] Me botën magjepse dhe me stilin e veçantë e të ngritur, ndikim i këtij lloji letrar qe i shumëfishtë dhe mbetet si i tillë: ai shpreh një botë të përfytyruar, të projektuar, që nuk është kërkesë vetëm e botes së fëmijës, por edhe e të rriturit. Pa këtë përfytyrim jeta e njeriut do të ishte diçka tjetër.”[15]

Këto dy forma a trajta të komunikimit, po i quajmë kushtimisht trajtat diskursive (studimi, kritika, mendimi teorik) dhe trajta imagjinatave (kësaj radhe, romani për fëmijë, poezia për fëmijë e poema për fëmijë); e ndihmojnë njëra tjetrën, të dyja marrinë japin nga njëra tjetra. Mu  si vepra  e Aristotelit që erdhi pas veprave të autorëve antikë, por që i shtjelloi, i organizoi e iu dha trajtë e formë brenda mendimit të tij teorik-letrar. Gjithsesi që autor e ka t qartë dallimin midis gjuhës që përdor shkrimtari në veprat letrare për fëmijë dhe në veprat letrare për të rritur: “Ajo duhet t’i përshtatet natyrshëm mënyrës së të menduarit të fëmijëve, të jetë një qenësi e kuptueshme prandaj dhe lehtazi e receptueshme. Pikërisht brenda këtyre përbërësve fshihet dhe qëndron fuqia dhe veçantia e gjuhës që përdor shkrimtari në një vepër për fëmijë.”[16]

Te pjesa e parë shtrohen edhe çështje tjera me rëndësi thelbësore, të dorës së parë, për sa i përket letërsisë për fëmijë, siç janë:  ndikim estetik i letërsisë për fëmijë, përkufizimi i saj, si e përligj përralla rëndësinë e letërsisë për fëmijë, letërsia për fëmijë përballë letërsisë për të rritur me përafrimet e dallimet që kanë, shtresa dhe lloje të ndryshme të letërsisë, duke u përqendruar edhe tek vlerat që ka si letërsia shqipe për fëmijë si ajo e letërsisë sonë gojore për fëmijë. Madje, letërsia gojore konsiderohet bazë e letërsisë së shkruar për fëmijë.

Pasi t’i ketë shtjelluar këto çështje teorike, në pjesën e dytë  i hyn punës praktike të interpretimit të veprave, siç janë veprat poetike për fëmijë “Posta e porositur” e Mark Krasniqit, që e vlerëson njërën ndër më të rëndësishmet e letërsisë sonë, kurse librin me poezi “Pëshurrani i gjyshit” e quan një kryevepër e poezisë sonë. Një studim  mirëfilltë është ai që ka të bëjë me poezinë e Agim Devës, përkitazi me veçoritë q ka kjo poezi. Më tutje merr në shqyrtim veprat në prozë, siç janë “Princi i vogël” i Antoan dë Sent Ekçyperit, si dhe dy romane të Rifat Kukajt, “Zogu i bardhë” e “Dita e xhufkave”, si dhe romanin “Shpella e piratëve” të Petro Markos. Te pjesa e fundit “Portrete shkrimtarësh”, vijnë dy punime: “Mbi disa mëvetësi të veprës letrare të Rifat Kukajt” dhe “Rreth disa cilësive të veprës letrare të Vehbi Kikajt”.

Bota e personifikuar e kafshëve me modelin e saj të mrekullueshëm, me rrëfimin e ngrohtë e tërheqës, me veprime, lojë e humor tek “Posta e porositur”; rrafshi i lartë poetik, ngjizja e të rëndomtës me të parëndomtën, mesazhet me përshtypje të forta e me ndikim estetik, pasuria e të shkrehurit poetik me ngjyrime shumësore, zgjedhja e dukurive për trajtim  që janë të rëndësishme për jetën e njeriut, teksti i mbrujtur me mendime të qenësishme tek “Pëshurrani i gjyshit”  Rifat Kukajt – janë punktet e kundrimit interpretues e shtjellues të kësaj kritike. Autori hulumton gjithnjë veçorit që e dallojnë atë vepër, gjithnjë me kërkesën se secila vepër e mirë dhe secili autor serioz, ka identitete vet krijues, artistik, shenjat e veta dalluese. Po me këto kërkesa ai shkruan edhe për poezinë e Agim Devës, duke veçuar prirjen e poetit për shumëllojshmërinë e temave e të motiveve: “Pra, për Agim Devën s’ka asnjë temë që nuk mund të bëhet të komunikohet me fëmije. Për të është e rëndësishme mënyra e qasjes dhe e transponimit të dukurisë, përkatësisht mesazhi qe del nga struktura tekstore, qe nxit e kushtëzon komunikim. Autori me qëllim do që nëpërmjet vjershës së vet t’i ballafaqoje fëmijët me ato dukuri e probleme që do t’i ndeshin në jetë, qoftë si fëmijë, qoftë, më vonë, si të rritur. At di se jeta dhe të papriturat e saj nuk u përkasin vetëm të rriturve, por njësoj edhe fëmijëve. Së këndejmi, sa më parë që ata të bëhen të vetëdijshëm për jetën dhe për vështirë,  si të tillë, i presin, më lehtë do t’i përballojnë e do t’i zgjidhin ato.”[17] Mirëpo studiuesi vë në pah edhe dallimet e botës së fëmijëve nga ajo e të rriturve, sepse fëmijët nuk bëjnë leqe, pasi poti gjithnjë e kërkon rolin që ka fëmija në familje e në shoqëri, kërkesën për një individ të lirë n gjirin e shoqërisë dhe për pasurim të botës së tij shpirtërore. Poeti nuk iu ikën temave që e shqetësojnë njeriun dhe fëmijën. A. N. Berisha thekson: “Rrëfimi poetik i Agim Devës […] është sa i pandërmjetëm dhe i qartë, aq dhe simbolik dhe poetik. Poezia e tij tematikisht është aktuale dhe kuptimisht shumësore. Edhe pse autori nuk e kultivon fantastikën, të mrekullueshmen, krijimet e ngritura e të shtjelluara nga gjuha poetike, nxisin një nëntekst dhe një konotim të pasur!”[18]  Se vepra “Poetika e letërsisë për fëmijë” pati jehonën e vet, dëshmojnë, ndër të tjera, edhe dy lexime prezantuese e shtjelluese që i janë bërë asaj, siç është punimi i Ajete Zogajt “Vepër e rëndësishme për letërsinë për fëmijë”[19] dhe i Sabahajdin Cenës “Çelësi i interpretimit të veprave letrare për fëmijë”[20]

  1. Në paradigmat e leximit

Ashtu sikundër shihe prej veprave që i merr në shqyrtim dhe prej autorëve që i zgjedh, studiuesi Anton N. Berisha spikat individualitet e ndryshme, që dallojnë. E bën këtë, sepse më mirë do të vërehen  edhe ato veçori që e përbëjnë përgjithësisht letërsinë për fëmijë. Mbi të gjitha, për t’ua përcjellë lexuesve, shkollave, pedagogëve, studiuesve të letërsisë vlerat e mirëfillta letrare e artistike që iu qëndrojnë kohëve. Mendimi kritik për letërsinë për fëmijë tek Anton N. Berisha, si te studiues e autorë tjerë, përfshin së toku shtjellimet e përgjithshme të ndërkomunikimeve në mes letërsisë për fëmijë dhe teorisë së letërsisë; atëherë kritika e tillë do të marrë dy kahe makrostrukturore: trajtën e analizës së mirëfilltë letrare dhe trajtën e shkrimit kritiko-letrar drejtuar botës së fëmijëve.[21] Ç’është e vërteta, përgjithësisht kritika letrare, qoftë edhe ajo për vepra të letërsisë për fëmijë, i drejtohet lexuesit të rritur, pedagogëve, prindërve dhe bibliotekistëve, sepse fëmija nuk është intelektualisht dhe emocionalisht i pjekur për t’i bërë një lexim krijues tekstit kritik. Veprat e sotme të letërsisë për fëmijë e  ngërthejnë paradigmën e vet të leximit, leximin paradigmatik. Kurse leximi studimor e kritik gjithnjë e gjithnjë do të gjendet në shoqëri me motrën e saj që i rri te koka në të gjitha vështirësitë, sikundër është Praktika e Leximit.

Në këtë mënyrë, bota komplekse e fëmijës, kësaj krijese të mrekullueshme dhe bota komplekse e veprave letrare për fëmijë që dhuron vlera të patjetërsueshme të përjetimit dhe të së bukurës. Megjithatë, botën e pasur që ta ofron fëmija e fëmijëria për trajtime letrare; dhe proceset e zhvillimit të fëmijës, nga ana tjetër,- ende mbeten mister, siç theksojnë edhe autorët e sipërpërmendur amerikanë. Mister, mu ashtu si do të shprehej Uordsvorth: fëmija është babai i burrërisë.[22] Nëse kjo letërsi, e shoqëruar me simotrat postmoderne të internetit, filmit, filmit të animuar, librit të digjitalizuar, bibliotekës së digjitalizuar, filmit të vizatuar, lojërave pa kufi etj. nuk është e habitshme që do të sfidohet edhe nga mendimi, nga përvojat dhe nga imagjinata e shkruar apo gojore e ligjërimit, apo nga ato të imazhit. Tashmë e bukura nuk zbulohet vetëm në fjalën e shkruar, apo vetëm në gjuhë, por edhe në trajtat e shumta të receptimit kritiko-letrar. Letërsia është këtu, sfidat janë këtu. Pritet dora e kritikut dhe e studiuesit, ashtu sikundër na dëshmon këtë studiuesi e kritiku Anton Nikë Berisha.

[1] Më gjerësisht shih Prend Buzhala: Kode poetike të mbijetesës shpirtërore/Mbi romanet për të rritur të Anton N. Berishës, Argeta LMG, Tiranë, 2009.

[2]  Shih Anton Berisha, Teksti poetik, Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 114-120, kushtuar romanit “Lugjet e verdha”.

[3]  Anton Nikë Berisha, Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit, Faik Konica, Prishtinë, 2002.

[4]  Anton Nikë Berisha, Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Shkup, 2020. Punimi “Anton Çetta poet për fëmijë”, f. 35-43.

[5]  Shih Anton Berisha, Shumësia kuptimore, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 134-141, kushtuar romanit “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”.

[6]  Përveç që ka shkruar te disa libra të tij kritiko-letrarë, Anton Nikë Berisha botoi edhe librin “Veçanti të veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt”, botoi Ageta LMG, Tiranë 2020.

[7] Shih Anton Nikë Berisha, Veçanti ligjërimesh poetike, Eurorlindja, Tiranë, 1996, f. 101-105.

[8]  Po aty, f. 106-118.

[9]  Shih Parathënia e librit Ymer Elshani: “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”, Poezi e zgjedhur për fëmijë. Zgjedhjen dhe parathënien ANTON NIKË BERISHA, Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë, 2021.

[10] Anton Nikë Berisha, Letërsia për fëmijë si art i fjalës, Argeta LMG, Tiranë, 2013.

[11]  Anton Nikë Berisha: Poetika e letërsisë për fëmijë, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Gjakovë, 2020.

[12] Po aty, f. 15.

[13] Po aty, f. 16.

[14] Po aty, f. 23.

[15] Po aty, 14.

[16] Po aty, f. 76.

[17] Po aty, f. 121.

[18] Po aty, f. 126.

[19]  Ajete Zogaj, Vepër e rëndësishme për letërsinë për fëmijë. Në: https://www.zemrashqiptare.net/news/56108/ajete-zogaj-veper-e-rendesishme-per-letersine-per-femije.html

[20] Sabahajdin Cena: “Çelësi i interpretimit të veprave letrare për fëmijë”. Në të përjavshmen letrare kulturore “Exlibris”, nr. 129, 1 maj 2021, Tiranë, f. 9.

[21] Shih librin tim: Prend Buzhala: “Në mbrojtje të imagjinatës (Nga letërsia shqipe për fëmijë)”, ANDENA,  Prishtinë, 2013, f. 26- 27

 

[22] William Wordsworth: My Heart Leaps Up (Poezi). Në https://poets.org/poem/my-heart-leaps.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok