22/12/2024

Largimi i amerikanëve nga Afganistani i ka ngjallur shpresat e shumë shovinistëve në Beograd

0
u6_Blerim-Latifi

Nga Blerim Latifi

Tekst i shkëputur dhe i modifikuar nga një punim tjetër ma i gjanë

Largimi i amerikanëve nga Afganistani i ka ngjallur shpresat e shumë shovinistëve në Beograd se një largim i ngjashëm i amerikanëve do të ndodhë edhe nga Kosova dhe kështu Serbia mund të përfitoj nga rasti për ta rimarrë Kosovën.

Ne anën tjetër, ne mendojmë se historia ka marrë fund, amerikanët do të qëndrojnë këtu përgjithmonë dhe ne mund të vazhdojmë ta konsiderojmë shtetin si një instrument për t’i kënaqur egot tona dhe interesat e klaneve tona, të cilat i quajmë parti politike.

E vërteta, ndërkaq, qëndron diku në mes. Serbët nuk do të mund ta gllabrojnë aq lehtë Kosovën si talebanët Afganistanin. Për shumë arsye. Kosova është në Europë dhe kombi shqiptar nuk është aq i pafuqishëm sa të kolapsojë para një Serbie demografikisht në rënie të shpejtë.

Në anën tjetër, ne duhet të kuptojmë se gjeopolitika nuk është realitet statik, por një realitet që ndryshon me kohën, ndërsa interesat ndërkombëtare transformohen dhe riorientohen. Askund nuk është parashkruar që Amerika duhet dhe do të kujdeset për ne deri në fundin e kohëve. Amerikanët na kanë ndihmuar që ta kemi shtetin dhe nëse ne nuk jemi në gjendje ta mbajmë e zhvillojmë atë, atëherë është e qartë se nuk e meritojmë ta kemi.

BREXIT-i dhe kriza e thellë e integrimit federal në Bashkimin Evropian, e kanë nxjerrë në shesh faktin se ideja e kapërcimit të epokës së nacionalizmave, është thjesht e gabuar. Anthony D.Smith, ndoshta studiuesi më i mirë i kombeve dhe nacionalizmit, konkludon se globalizimi nuk e ka zhvlerësuar kombin dhe se kombi e nacionalizmi edhe në të ardhmen do të mbesin format më të rëndësishme dhe më popullore të identifikimit e bashkimit të njerëzve.

Në kontekstin tonë kjo do të thotë se ne nuk duhet që edhe më tutje të humbasim kohë me përrallat për “kombin kosovar” vs “kombit shqiptar”, e për “vëllazërinë multietnike me hymn pa fjalë e histori”, por t’i rikthehemi nacionalizmit shqiptar. Kuptohet jo ndonjë forme paranojake të tij, sepse paranojat politike prodhojnë diktatura, të cilat pastaj e diskreditojnë vetë nacionalizmin, brenda dhe jashtë.

Duhet t’i kthehemi afirmimit të atij nacionalizmi që përmbanë idealet e rilindasve, të tilla si orientimi liberal perëndimor i shoqërisë, kultura sekulare dhe supremacia e kombit mbi përkatësitë e ndryshme fetare, si dhe fryma demokratike e ligjeve dhe shtetit.

Të gjitha këto përmblidhen në konceptin e nacionalizmit demokratik, i cili nuk e urren tjetrin, por është në gjendje të mbrohet nga urrejtja e tjetrit kur paraqitet nevoja.

__________

Amerika sot: midis Fukuyamas dhe Huntingtonit

Mendimi politik amerikan ka qenë i ndarë mes dy interpretimeve për rendin botëror pas rënies së komunizmit: interpretimit të Fukuyamas dhe interpretimit të Huntingtonit.

Fukuyama mendonte se me rënien e komunizmit historia botërore e konflikteve ideologjike kishte përfunduar në favor të demokracisë dhe bota tash e tutje nuk kishte rrugë tjetër përveç asaj të demokratizimit dhe liberalizimit.

Mbi këtë interpretim bazohej doktrina e cila e përkufizonte rolin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si udhëheqëse e përpjekjeve dhe proceseve të përhapjes së vlerave demokratike gjithandej botës.

Interpretimi i dytë ishte ai i Samuel Huntingtonit. Sipas tij konfliktet e mëdha nuk kishin përfunduar me rënien e komunizmit, por vetëm kishin ndërruar formën: nga konflikte ideologjike ato ishin shndërruar në konflikte midis civilizimeve.

Doktrina politike që dilte nga interpretimi i Huntingtonit ishte doktrina që rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e shihte në lidershipin e demokratizimit të botës, por në mbrojtjen dhe konsolidimin e vlerave të civilizimit perëndimor, në përballje me sfidat që paraqisnin civilizimet e tjera.

Vizioni i Fukuyamas kërkonte një Amerikë ofensive në fushën e vlerave politike, ndërsa ai i Huntingtonit një Amerikë defansive në këtë aspekt.

Çfarë mund të thuhet tridhjetë vite pas debatit midis këtyre dy interpretimeve?

Duket se fjalimi i djeshëm i presidentit Biden na e sugjeron një përgjegjje: Amerika nuk do që edhe më tutje të bëj beteja për përhapjen e demokracisë në botë, diçka që edhe Trump e kishte theksuar shumë herë gjatë presidencës së tij. Kjo do të thotë se ajo ka hequr dorë nga ideja e dikurshme për t’i eksportuar vlerat dhe idealet demokratike nëpër botë.

A nënkupton kjo përqafimin e vizionit të Huntingtonit nga Washingtoni?

Ende jo, por fakti se rendi aktual botëror tanimë ka formën e një rendi multipolar, lë vend për të menduar se Huntingtoni mund të ketë pasur më shumë të drejtë se Fukuyama. Aq më tepër kur sot jemi dëshmitarë të ngritjes së fuqive të mëdha autoritariste, si Kina e Rusia, të cilat autoritarizmin e tyre e justifikojnë me termat e civilizimeve të tyre.

__________

Kosova duhet ta mendojë idenë u futjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak për qytetarët e saj. Në 20 vitet e fundit në Kosovë janë rritur gjenerata të tëra të cilave u mungon totalisht edhe edukimi ma elementar mbi çështjet e ushtrisë, luftës dhe rreziqet me të cilat mund të përballemi në të ardhmen, ndërsa kulti i luftës çlirimtare ka ardhur vazhdimisht duke u zbehur, shto kësaj edhe propagandën konstante që është bërë kundër UÇK-së dhe sulmet mbi narracionin kombëtarist nga pacifistët kokëbosh që mendojnë se kemi hyrë në paqën e përjetshme dhe më s’na duhen as kombi, as nacionalizmi, as kujtimi i të kaluarës. Një popull që beson se po jeton në paqën e përjetshme, në rast të shpërthimit të luftës, nuk di se çfarë të bëj, përveçse të dorëzohet brenda ditës.

Presidenti Biden, në fjalimin e djeshëm për Afganistanin, e tha një gjë që ne duhet ta marrim si paralajmërim: Amerikanët t’i japin armët, por ata nuk do të luftojnë për ty, nëse ti nuk do të luftosh për vendin tënd!

__________

Së paku prej Revolucionit Francez të vitit 1789 historia evidenton një rregull që përsëritet vazhdimisht: askush nuk do të luftojë për të mbrojtur një regjim të kalbur nga korrupsioni dhe abuzimi i pushtetit.

Shembujt janë të shumtë.

Grusht-shteti i bolshevikëve me 1917 në Rusinë Cariste është njëri nga më të shquarit. Pastaj ardhja e lehtë në pushtet e Fidel Kastros në Kubë në vitin 1959. Pastaj e Khomeinit në Iran me 1979. Në të gjitha këto raste një lëvizje e vogël militantësh, brenda pak kohësh, e gjunjëzon një forcë të madhe shtetërore, e cila nuk reagon dot sepse njerëzit e kanë humbur besimin në të dhe nuk duan të lënë kokën për të.

Edhe në historinë tonë kombëtare nuk mungojnë raste pak a shumë të tilla.

Me 1939 Italia e pushton Shqipërinë brenda ditës dhe Zogu ikë, sepse e di se askush nuk e ka ndërmend të luftojë për regjimin e tij të zhytur në korrupsion e abuzime të tjera. Rasti i fundit, ky i Afganistanit, duket se futet në kategorinë e këtyre shembujve. Një ushtri prej 300 mijë ushtarësh, e pajisur me armët më moderne, kolapson para një guerilje të armatosur shumë herë më keq. Arsyeja është e qartë: askush nga kjo ushtri gjigante nuk ka dashur të luftojë për një qeveri e perceptuar gjerësisht si e krimbur nga korrupsioni dhe keqqeverisja.

Ideologjitë ekstremiste gjithmonë triumfojnë në përballje me regjimet e korruptuara. Sepse ekstremizmi bazohet në premtimin për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë, të lehtë dhe përfundimtare rendit politik të korruptuar dhe kjo i josh njerëzit e thjeshtë.

Ky premtim gjithmonë është i rrejshëm, por derisa njerëzit e marrin vesh, ekstremistët ideologjikë e bëjnë të veten, i vendosin diktaturat e tyre të egra, të cilat për t’i hequr qafesh pastaj duhen gjakderdhje e sakrifica të tjera të mëdha njerëzore.

__________

Klasikët e propagandës thoshin se që një gënjeshtër të ketë efekt, ajo duhet të duket, të maskohet si e vërtetë.

Siç duket e kanë pasur gabim, sepse sot ne shohim se si gënjeshtrat kryejnë punë edhe pa u masku hiç.

Qe dy prej tyre:

Ne jemi shpresa e vetme e këtij vendi!

Ne kemi programin më të mirë qeverisës!

__________

Është viti i largët 1991.Komunizmi ka rënë dhe Bashkimi Sovjetik është shpërbë. Lufta e tij e fundit ajo e Afganistanit ka përfunduar me turp për sovjetikët. Njëri nga pjesëmarrësit e kësaj lufte Osma Bin Laden jep intervistë për gazetën britanike The Independent. Gazetarit ia rrëfen përvojën fascinuese që ka përjetuar gjatë luftës kundër sovjetikëve dhe premton se tash e tutje ai dhe muxhahidinët e tij do t’i kthehen punës dhe paqës. Janë ditë kur të gjithë flasin rreth paqës globale. Flet edhe Bin Ladeni, por ai e mendon të kundërtën e asaj që e flet. Dhe ajo që ai mendon është e thjeshtë: muxhahidinët e tij nuk do të kthehen në shtëpi, tek fëmijët dhe gratë e tyre. Lufta e tyre nuk ka përfunduar. Ajo sapo ka filluar. Armiku i ri janë demokracitë perëndimore. Qëllimi i ri është kalifati islamik, fillimisht në botën arabe, e pastaj në gjithë globin. Metoda: xhihadi. Bazat nga do të niste gjithçka ishin vendosur në Afganistanin e shndërruar në gërmadhë nga lufta e gjatë me rusët.

Pjesa tjetër e historisë njihet nga të gjithë.

__________

Pronari i një salloni bukurie duke mbuluar me ngjyrë të bardhë reklamat në muret e tij, në Kabul.

Welcome to the Middle Ages!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok