21/12/2024

Lamtumirë Artisti i madh, “Nderi i Kombit”  Mirush Kabashi

0
Berti-Mirushi

Flasin, Bashkim Hoxha, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Bujar Kapexhiu, Muharrem Hoxha

– “Hakërrima” e Ali Asllanit apo “Ah moj demokraci” e Pano Taçit mbeten poezitë brilante që i përmend gjithë populli

Nga Albert Z. ZHOLI

Aktori i talentuar u largua nga jeta, në agun e kësaj të marte (5 dhjetor 2023) në moshën 75-vjeçare. Humbi kështu betejën me një sëmundje të rëndë me të cilën luftonte prej tri vitesh, duke u kuruar edhe në Turqi, ndërkohë që fitoi luftën ndaj kohës, përjetësinë, me artin që reziston.

Lajmin tronditës e kanë bërë të ditur familjarët e tij, të cilët nëpërmjet një njoftimi bëjnë me dije se Kabashi ka mbyllur sytë mesnatën e datës 5 dhjetor 2023.

“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroi jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi!”,- thuhet në njoftim.

Jetëshkrimi

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”.

Mbi një gjysmë shekulli në skenë, pati rrëmbyer zemrat e publikut në të dy kohët.

‘Sokrati’ ishte padyshim ‘kali i tij i betejës’, e interpretoi në shqiptari e përtej vuajtjen dhe apologjinë e tij që ndërtuan bashkë me Gëzim Kamen, me të cilën fitoi dhjetëra vlerësime. Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Jeta në teatër

Interpretimi dhe ngjyrimi emcional i roleve, e veçojnë Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njeri te tjetri, të përzgjedhur me mençuri dhe intuitë. Spikat në rolet satirike dhe komike. U dallua fillimisht me krijimin e figurës qesharake të Telit në komedinë “Kartela e verdhë e Haxhi Rames” (1976), ku luajti me lirshmëri dhe tifozin e pasionuar qe ndjek skuadrën dhe lojtarin e tij të zemrës ndeshje pas ndeshje e hall pas halli duke përdorur një shumësi detajesh shprehësi, si në plastikë ashtu edhe në mënyrën e të folurit. Ky rol u pasua më tutje me karaktere të tilla komike, si: Diafarusi në komedine “I sëmuri imagjinar e Molierit” (1982), me te cilin luajti mjaft bukur me elegancën plastike të tij, me përpunimin e gjestit, ç’ka i dhanë Kabashit hirin, sharmin, ngjyrimin dhe stilin klasicist. “Në teatër mësova se ç’ishte aktori, pata peripeci si gjithë të tjerët, pastaj kam marrë pjesë nëpër filma, shfaqje. Të vetmen gjë që mund t’jua them me bindje: nuk i jam trembur e shmangur kurrë punës në çfarëdolloj kushtesh. Kur është fjala për të provuar, për të pasur mundësinë e kontaktit me spektatorin, unë nuk kam refuzuar, por përkundrazi kam provuar me guxim. Njëra prej këtyre fushave është edhe ajo e recitimit që tregova sot para jush.”- shprehet aktori Kabashi. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Roli i Sokratit është ndoshta kulmi i tij artistik, ku fuqia interpretuese mbërrin në caqe vërtet të lavdërueshme dhe realisht konkurruese në rrafsh ndërkombëtar. M. Kabashi pëson një transformim të plotë psikofizik, plastika e tij paraqitet tejet e përpunuar, e folura gjithashtu, edhe me temperamentin dhe energjinë që ka ndërkallur në fjalën pasionale e ironike të Sokratit realizon një akuzë të fortë ndaj tiranisë, padrejtësisë, korrupsionit, në suazën e një sarkazme të pamëshirshme, duke i dhënë krejt lojës një qasje të dukshme bashkëkohore.

Filmografia

Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002”me rolin e Nokes në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit . Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

* Kronikë provinciale (2009)

* Ne dhe Lenini (2008)

* Nata (1998)

* Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës

* Binarët (film) (1987)

* Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi

* Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci

* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi

* Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan

* Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi

* Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (daja i Tirkes)

* Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani

* Gëzhoja e Vjetër (1980) ………Bake

* Radiostacioni (1979) ……Një nga tekniket e Radios

* Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari

* Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i Zanit

* Emblema e dikurshme (1976) ……..Veniamin Papa

Intepretimi poetik

Poezia ishte një tjetër armaturë e fortë për interpretimin e tij, ku nuk i linte rrugë tjetër publikut veç të mbërrinte fort mesazhi i poetëve tanë, si me “Hakërrimën” e Ali Asllanit apo “Ah moj demokraci” të Pano Taçit, Poemin Kosovar të Mitrush Kutelit ku ndillte origjinën e tij gjakovare. Edhe në këto interpretime reflektonte rebelimin e tij ndaj padrejtësive, si një zë intelektual e përfaqësues që dinte të ishte kritik.

Çmimet
Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”

Nuk e besova kur mora vesh lajmin e hidhur. E mbaj mend gjithmonë të dashur, të sinqertë. Më fliste dhe buzëqeshte. Ishte një bashkëshort dhe prind shembullor. Po ashtu shembullor për kolegët e teatrit. Me atë buzëqeshjen e tij, me atë humorin e holl!. Ishim duke xhiruar në një azil pleqsh në Kavajë “Ne dhe Lenini”. Ai kishte një personazh të dorës së dytë, por ai shkëlqen edhe aty. Ai ishte një merakli i jashtëzakonshëm, ai merrej dhe me detajet më të holla. Kishte pasion, e donte artin, shumë serioz në punë. Bënte vërejtje nga më të mirat, më të mençurat. Sepse ai ishte vetë arti. Ai sikur ishte vetë arti. E bënte gjithmonë çdo rol të vërtetë”- 

Bujar Kapexhiu, “Nderi i Kombit”

Nuk mund ta besoja. Një humbje e madhe për familjen, miqtë, shokët dhe artin shqiptar. Themi shpesh për aktorët dhe regjisorët që janë të rrallë, por për Mirushin fjala ime e sinqertë është; një aktor dhe artist i rrallë. Ai ka qenë një aktor i talentuar, virtuoz. Atë e dallonte nga të tjerët, serioziteti, këmbëngulja dhe puna që bënte me rolin, madje ne thonim; e tepron më këtë seriozitet. Mbi këtë material më pas kishte një punë të jashtëzakonshme. Ai kishte korrektesë për gjithçka. Në skenë shpërthente.  Kishte brenda një zjarr aktrimi të pashoq

Muharrem Hoxha, aktor

Ditë e ëvshtirë për artin dhe ëpr mua si mik. Po ikën plejada e aktorëve më të mirë. Mirushi kishte vendin e tij këtu. Njëherë kam punuar me Mirushin dhe ishte shkollë më vete. Qen i punës në kuptimin i përpiktë për atë që donte. Kam bërë një komedi me Mirushin, dy vëllezër e gjysmë. Kishte lezet kur e shihje, nur. Recitimet që ka bërë Mirushi, edhe në komedi edhe citime. Kolosi i artit.

Mirush Kabashi la pas bashkëshorten, dy vajzat, dashamirësinë e kolegëve dhe njerëzve të thjeshtë, që i fitoi me talent e qytetari.

Luftar Paja “Artist i Popullit”

Arti skenik ju shkëput një meteor i çmuar. Një aktor me dinjitet. Nëse kemi dëshpërim se na iku kaq shpejt fizikisht ndihemi krenar, sepse ai ka lënë një vepër të madhe që do ngelet brez pas brezi. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek kombi shqiptar me role të spikatura që dinte vetëm ai t’i intepretonte. Ai ishte aktor, por dhe një intelektual i ditur dhe njerëzor.  Unë jam i dëshpëruar shumë dhe i shpreh famijes ngushëllimet më të sinqerta.

Bashkim Hoxha, shkrimtar

Mirush Kabashi ishte një artist i mirë dhe njeri i mirë. Artin e kishte dhe mision qytetar. Jo vetëm artist i madh  por dhe si qytetar kishte cilësi të rralla. Është një humbje e madhe.

Homazhet 

 Do të mbahen në datën 6 e mërkurë, në Muzen Historik Kombëtar  për nder të mjeshtrit të madh të skenës, aktorit Mirush Kabashi. Ministria e Kulturës duke shprehur ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe publikut që do t’ia ndjejë mungesën informon se homazhet do të mbahen ditën e mërkurë, datë 06.12. 2023, ora 10:00-13:00, në hollin e Muzeu Historik Kombëtar. Po kështu dhe qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet familjarëve dhe miqve të të ndjerit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok