Lamtumirë, Akademik Luan Omari!
Nga Albert Z. ZHOLI
Me dhimbje të thellë dhe respekt të veçantë, po përcjell lajmin e ndarjes nga jeta të akademikut Luan Omari, në moshën 101-vjeçare, një prej figurave më të shquara të dijes, kulturës, shkencës dhe mendimit juridik shqiptar. Largimi i tij nga jeta shënon humbjen e një personaliteti të rrallë, të një intelektuali me përmasa të veçanta, i cili për më shumë se një shekull i shërbeu me përkushtim dijes, arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Akademik Luan Omari ishte nga ata njerëz që nuk e matën jetën me vitet, por me veprën, kontributin dhe gjurmët që lanë në shoqëri. Me formimin e tij të gjerë, kulturën e spikatur, mendimin e kthjellët dhe përkushtimin ndaj shkencës, ai u bë një nga emrat më përfaqësues të inteligjencies shqiptare. Ishte një personalitet që bashkonte dijen me urtësinë, autoritetin shkencor me modestinë njerëzore dhe përvojën jetësore me vizionin për të ardhmen. Një dimension i veçantë i jetës dhe personalitetit të akademik Luan Omarit ishte edhe pjesëmarrja e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. Ai i përket atij brezi që përjetoi drejtpërdrejt një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe që u lidh me idealet e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit kombëtar. Për OVP e LANÇ-it, ky kontribut përbën një vlerë të rëndësishme të kujtesës historike dhe një pjesë të pandarë të vlerësimit për figurën e tij. Akademik Luan Omari ishte anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish-sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj, profesor dhe studiues i njohur. Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mendimit juridik shqiptar. Veprimtaria e tij shkencore, studimet dhe botimet e shumta, si dhe angazhimi i tij në jetën akademike, përbëjnë një pasuri të çmuar për shkencën dhe kulturën shqiptare. Ai kontribuoi në formimin e brezave të tërë juristësh, studiuesish dhe intelektualësh, duke ndihmuar në zhvillimin e mendimit juridik dhe në forcimin e koncepteve të shtetit të së drejtës. Përtej titujve, detyrave dhe vlerësimeve akademike, Luan Omari do të kujtohet edhe për personalitetin e tij njerëzor. Ishte njeri i heshtur, fjalëpak, i dashur, atdhetar dhe me një vizion të qartë për jetën dhe shoqërinë. Nuk kërkonte të binte në sy me fjalë të mëdha, por fliste me autoritetin që i jepnin dija, përvoja dhe karakteri. Modestia, urtësia dhe komunikimi i kulturuar ishin ndër cilësitë që e dallonin. Ishte nga ata njerëz që edhe në heshtje përcillnin respekt, sepse pesha e tyre qëndronte te personaliteti dhe vepra. Jeta e tij 101-vjeçare ishte një dëshmi e jashtëzakonshme e përkushtimit ndaj dijes, punës dhe përgjegjësisë qytetare. Ai i përkiste një brezi intelektualësh që e konsideronin dijen jo vetëm pasuri personale, por edhe detyrim ndaj shoqërisë dhe kombit. Nëpërmjet veprës së tij, ai i dha shkencës shqiptare një kontribut që nuk kufizohet vetëm në kohën kur jetoi, por do të vazhdojë të jetë referencë për brezat e ardhshëm. Personalisht e vlerësoj lart figurën dhe kontributin e akademik Luan Omarit, si në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ashtu edhe në jetën shkencore, akademike dhe shoqërore të vendit. Largimi i tij është një humbje e madhe për Akademinë e Shkencave, për arsimin, kulturën, drejtësinë dhe gjithë shoqërinë shqiptare.
Emri dhe vepra e tij do të mbeten pjesë e çmuar e kujtesës sonë kombëtare. Trashëgimia e tij shkencore dhe intelektuale do të jetojë ndër breza, ndërsa shembulli i tij njerëzor e atdhetar do të mbetet një vlerë për t’u kujtuar dhe përcjellë te brezat e rinj.
Lamtumirë, Akademik Luan Omari!
U prehsh në paqe!
I përjetshëm qoftë kujtimi i akademik Luan Omarit!
