Kuvendi i Lezhës, simbol i besës dhe bashkimit arbëror
(Me rastin e përvjetorit të 579 të Kuvendit të Lezhës)
Nga Gjon Keka
Historia e epokës së kryeheroit tonë arbëror Gjergj Kastriotit është e mbushur me frymën e lirisë dhe të fitoreve, pastaj të dritës së urtësisë, vizionit, strategjisë, udhëheqjes dhe bashkimit. Ai jo vetëm u bë figurë madhështore historike që drejtonte një shtet e ushtri, por edhe figurë universale, përbashkuese dhe mbi të gjitha figurë europiane më me ndikim në kohën në të cilën jetoi dhe veproi.
Kështu, duke ditur se ai si i vogël u morë peng nga sulltani dhe u edukua në oborrin e tij, ai në zemrën e mendjen e tij e gjakun atëror nuk e kishte harruar atdheun e tij prej nga ai u morë peng pa dëshirën e tij dhe të prindërve të tij. Një mosharresë e atdheut sikur e shohim tek Gjergj Kastrioti, është diçka e rrallë në historinë e njerëzimit, mos ta them një rast ndoshta homerik i tij dhe vetëdijes së brendshme të tij të lartë e ndjenjës për atdheun e tij të paharruar duke e ruajtur imazhin e atdheut arbëror në zemrën e tij të vogël.
Por që edhe pse i rrethuar nga armiqtë ne oborrin e sulltanit, ai imazh i ruajtur u bë imazh i cili do të bëhej realitet në zemrën e tij të madhe, e cila i thoshte të rikthehet në atdhe dhe ta mbushë atë me frymën e lirisë dhe të lavdisë. Rikthimi i lavdishëm i tij në atdhe dihet dhe është përshkruar me rastin e përvejtorëve të 28 nëntorit 1443, datë të cilën ai e shenjtëroi dhe e vulosi përgjithmonë në historinë e kombit tonë arbëror europian.
Sikur mësojmë nga kronikat, sulltani pas vdekjes së babait të Gjergj Kastriotit, nuk ia kishte lënë pasardhësve të tij të drejtën që i takonte natyrshëm, por në vend të tij ai e kishte emëruar guvernator Hasan Begun. Kjo e përforcojë në zemrën e Gjergjit të Madh se vetëm rikthimi i tij mund ta vendos në vend të drejtën e tij dhe të Arbërisë, e mbi të gjitha vetëm rikthimi i tij ia rikthen vendit nderin, fytyrën dhe frymën e munguar të lirisë dhe të pavarësisë.
Ndërkaq, Gjergj Kastrioti dërgoi Korrierët e tij në të gjitha anët e vendit me lajmet për atë që kishte ndodhur dhe me urdhër që të merrnin armët pa vonesë. Ndërkohë zëri tashmë kishte dalë përpara lajmëtarëve të tij; kudo që shkonin ata gjetën tashmë gjithçka në gatishmëri të plotë për të bërë vendin e tyre të lirë e të pavarur; kështu të gjithë armiqtë pushtues dhe renegatët u sulmuan nga të gjitha anët dhe u dëbuan nga Arbëria.
Poashtu në fjalimin e rikthimit të tij shihet se malli për atdhe e kishte marrë aq shumë Gjergj Kastriotin, prandaj edhe rikthimi i tij ishte i bekuar dhe me një gëzim të madh të zemrës së tij dhe arbërorëve që e përjetuan aktin e ngritjes së flamurit arbëror dhe të shpalljesë së Arbërisë të lirë e të pavarur.
Ky ishte akti i parë misionar i lavdisë së tij, rikthimi në atdhe dhe ngjallja e frymës së lirisë dhe ngritjes së vendit në nderin e natyrshëm dhe të pavarësisë.Kjo tanimë ishte vulosur dhe vendi gëzonte imazhin e tij të natyrshëm arbëror; jetonte, udhëhiqej, mbrohej, nga një personalitet i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm sikur ishte Gjergj Kastrioti.
Akti dytë misionar i madh e i bekuar ishte kuvendi i Lezhës i datës 2 mars të vitit 1444, i cili u mbajtë në Katedralen e Shën Nikollës, ku në të cilin ai i bashkoi arbërorët rreth vetes së tij në një Besë të përbashkët e cila ishte vula e lavdisë dhe fitoreve të kombit tonë. Gjergj Kastrioti ishte një arbëror i urtë e vizionar e dinte mjaftë mirë se i vetëm nuk ishte në gjendje ta përballonte një detyrë të tillë kaq të shenjtë kombëtare e cila kërkonte unitet dhe bashkim forcash, ndaj e mendoi menjëherë të përgatiste një Kuvend të të gjithë princave të Arbërisë dhe me vëzhgues të pranishëm si përfaqësues ndërkombëtar të asaj kohe nga Venediku, Raguza etj.
Në këtë Kuvend u dekretua Besa dhe u themelua Kuvendi pëbashkues, ku në krye të saj u votua në mënyrë unanime për Gjergj Kastriotin si kryetar i saj dhe si gjeneral i përgjithshëm i Ushtrisë arbërore. Posa përfundoi punën Kuvendi, Gjergji i Madh menjëherë i përvjeli krahët e palodhur të tij, dhe mendjen plotë dritë e syrin me shikimin e shqiponjës drejtë fitoreve të reja që e prisnin në fushën e betejës së Arbërisë për ekzistencën e saj, lirinë dhe pavarësinë.
Kështu, tre muaj pas themelimit të Kuvendit më 29 qershor 1444 ai me Ushtrinë e tij i shkaktoi otomanëve pushtues një disfatë të madhe në Torviollë, e cila u kurorëzua me fitore historike, në fakt ky ishte vetëm fillimi në serinë e fitoreve të reja që do të ndodhnin në vitet më pas, kjo fitore e madhe dhe historike i dha atij reputacionin e të pamposhturit dhe jehona e kësaj fitore u dëgjua edhe në tryezat e mbretërve e princave europian.
Sikur dihet në kuvndin e Lezhës u betuan të gjithë princat arbëror në Besë se më shumë duan një vdekje të lavdishme në mbrojte të atdheut, se sa të jetojnë në robëri. Besa e dalë nga Kuvendi i Lezhës luajti rol jetik e të pazëvendësueshëm, dhe u bë simbol e shtyllë e bashkimit politik e ushtarak dhe fuqisë drejt fitoreve e lavdisë në krye me Gjergj Kastriotin.
Edhe sot kur po shkruaj, Kuvendi i Lezhës duhet të jetë gurthemeli i Besës dhe Bashkimit ndërshqiptar duke patur në zemër e mendje udhëheqësin tonë të pavdekshëm Gjergj Kastriotin, si një shembull për të gjitha kohërat dhe epokat. Ai e vendosi vulën e Besës dhe përbashkësisë, vulë kjo jo vetëm për arbërorët, por me këtë shëmbull ai i ftoi edhe kombet e Europës së asaj kohe se si duhet bashkuar, ku vetëm një Europë e bashkuar mund të jetë e fuqishme dhe t’i mposhtë armiqtë e saj si dhe të arrihen fitoret historike.