KUSHTETUTA E PARË E SHTETIT SHQIPTAR (1914)
“Kushtetutat të paktën pjesërisht duhet të burojnë
nga e kaluara specifike dhe kultura e një kombi”.
(Hegel)
- E shkeli pavarësinë e shpallur më 28 nëntor 1912, por garantonte tërësinë e territorit, njohjen ndërkombëtare, zhvillim dhe stabilitet të brendshëm
Si erdhi deri te Kushtetuta?
Në Kuvendin e Vlorës, të mbajtur më 28 nëntor 1912, shqiptarët e kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kishin formuar qeverinë e përkohshme, me në krye Ismail Qemalin. Por, ajo qeveri nuk kishte kontroll dhe pushtet as në një të katërtën e territorit të Shqipërisë, ku ekzistonin edhe disa qeveri tjera lokale, derisa shumica e territorit ishte i pushtuar nga ushtri të shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi, Greqisë.
Dy javë pas shpalljes së paravarësisë në Vlorë, gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës: Anglia, Franca, Austrohungaria, Gjermania, Italia dhe Rusia, në Konferencën e Ambasadorëve të tyre, mbajtur në Londër më 17 dhjetor 1912, kishin vendosur që Shqipëria të mos jetë e pavarur, por të jetë një provincë autonome nën sovranitetin e Perandorisë Osmane.
Duke parë shkatërrimin e Perandorisë Osmane që po i shkaktonin luftërat ballkanike, e duke ditur se ajo Perandori nuk do të jetë më në gjendje të sundojë as të mbrojë Shqipërinë, Austrohungaria dhe Italia, për interesa të tyre, i kishin paraqitur Konferencës së Londrës një projekt të ri për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Pas një luftë të ashpër diplomatike në baza të interesave të ndryshme dhe të kundërta të vetë Fuqive të Mëdha, Konferenca e Ambasadorëve në mbledhjen e saj të njëzetekatërt, mbajtur më 29 korri 1913, kishte vendosur sa vijon:
- Shqipëria formohet si një principatë autonome sovrane dhe trashëgimuese sipas rendit të paralindjes, nën garancinë e të 6 Fuqive. Princi do të caktohet nga të 6 Fuqitë.
- Çdo lidhje suzereniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë përjashtohet.
- Shqipëria shpallet asnjanëse; asnjanjësia e saj garantohet nga të 6 Fuqitë;.
- Kontrolli i administratës civile dhe i financave të Shqipërisë i besohet një Komisioni Ndërkombëtar të përbërë nga delegatët e të 6 Fuqive dhe nga një delegat i Shqipërisë.
- Kompetencat e këtij Komisioni do të zgjasin 10 vjet dhe mund të përtërihen në rast nevoje.
- Ky Komisioon do të ngarkohet të përpunojë një projekt të organizimit të hollësishëm të të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë. Ai do t’u paraqes Fuqive, brënda një afati prej gjashtëmuajsh, një raport për rezultatet e punimeve të tij, si dhe konkluzionet e tij në lidhje me organizimin e administratës dhe të financave të vendit.
- Princi do të emërohet brënda një afati prej gjashtë muajsh e shumta. Deri sa të emërohet princi dhe të formohet një qeveri kombëtare përfundimtare, funksionimi i autoriteteve vendase ekzistuese, si dhe i xhandarmerisë do të jetë nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar.
- Qetësia dhe rendi publik do të sigurohen nga një xhandarmëri e organizuar ndërkombëtarisht. Ky organizim do t’u besohet oficerëve të huej, që do të kenë në duart e tyre komandën eprore dhe efektive të xhandarmërisë.
- Këta oficerë do të zgjidhen nga radhët e ushtrisë suedeze.
- Misioni i oficerëve instruktruktorë të huej nuk duhet të cënojë as uniformitetin e shërbimit, as marrjen në punë të oficerëve, nënoficerëve dhe xhandarëve vendas.
- Rrogat e këtyre oficerëve do të mund të sigurohen nga burimet e vendit, me garancinë e Fuqive.
(Joseph Swire: “SHQIPËRIA, ngritja e një mbretërie”).
Komsioni u formua më 15 tetor 1913, të cilin e përbënin: Harry Harling Lamb (Angli), Leon Alphonse-Thadee Krajevski (Francë), Aristotele Petroviq (Austrohungari), Julius Vinckel (Gjermani), Alesandro Leoni (Itali), Aleksandr Mihajllloviq Petrjaev (Rusi) dhe Myfit bej Libohova (Shqipëri). Përfaqësuesit e Austrohungarisë, Italisë dhe Shqipërisë, më vonë u zëvendësuan me persona tjerë: August Kral, Carllo Gallli dhe Mehdi bej Frashëri. Selia e Komisionit ishte në Vlorë.
Ismail Qemali më 22 janar 1914, dha dorëheqje nga kreu i qeverisë së përkohshme të Vlorës dhe qeverisjen ia dorëzoi Komisionit.
Në ndërkohë u emërua edhe princi për fronin e Shqipërisë, gjermani Wilhelm Wied, i cili arriti në Shqipëri më 7 mars 1914, dhe u vendos në Durrës, të cilin e shpalli kryeqytet të Shqipërisë.
Komisioni i Kontrollit Ndërkombëtar, më 10 prill 1914, shpalli Statutin Organik të Shqipërisë, me të cilin ishte përcaktuar forma e shtetit (monarki trashëguese); territori; popullsia; struktura, zgjedhja, mandati dhe kompetenca e organeve të shtetit shqiptar (princit, legjislativitit, ekzekutivit, gjyqësorit); liritë dhe të drejtat e qytetarëve; marrëdhëniet ndërkombëtare, etj,tj. Materja juridike që rregullonte Statuti organik ishte kryekput materje e karakterit kushtetetues, prandaj pavarësisht se mbante emrin Statut, unë këtu e quajta – kushtetutë, dhe kjo është kushtetuta e parë, akti më i lartë juridik , me të cilin fillon historia e kushtetutshmërisë së shtetit shqiptar, sado që askush nuk e përmend si të tillë.
Nuk është rast i veçantë që kjo kushtetutë quhet statut. Është term i njohur në drejtësinë botërore, sidomos në të drejtën anglosaksone, që ligjet e shkruara quhen “Statute law”, për dallim nga Common law, që është e drejta zakonore, e pa shkruar, por e zbatuar në bazë të aktgjykimeve të gjykatave. Këtë kushtetutë nuk e kishte miratuar ndonjë organ legjitim i shqiptarëve, por ishte “dhuratë” e Fuqive të Mëdha, të cilat gjithmonë kanë vendosur për fatin e shteteve të vogla, sipas ineteresave të tyre të mëdha.
Përmbajtja e Kushtetutës (Statutit Organik)
Dyqintegjashtëmbëdhjetë dispozita (nene/pika) të kushtetutës në fjalë ishin sistemuar në 17 kapituj. Ato nuk ishin ndarë as emërtuar si “nene”, por ishin radhitur nën numra rendor, me radhë të pashkëputur prej 1 deri në 216, secila nën kapitullin e caktuar:
1.Shqipëria dhe territori i saj (pikat:1-6)
2.Sovrani (7-21)
- Popullsia (22-39)
- Legjislacioni (40-71)
5.Organet e Qeversë (72-94)
- Administrata Lokale (95-140)
- Financat (141-143)
8.Punët Botore (publike, 144-148)
- Forcat e armatosura (149-158)
10.Drejtësia (159-169)
11.Kultet (besimet, 170-177)
- Arsimi Publik (178-182)
- Prona Tokësore (183-194)
- Bujqësia, Tregtia,Industria (195-208)
15.Posta, Telegrafi, Telefoni (209-210)
- Marrëdhëniet e Jashtme (211-212)
17 Konfliktet Administrative(213-216).
Vëshrim mbi disa kapituj dhe dispozita më të rëndësishme
Me dispozitat e kapitullit të parë, ishte përcaktuar se Shqipëria formohet si një principatë kushtetuese sovrane dhe e trashëgueshme, nën garancionet e gjashtë Fuqive të Mëdha. Është e pandashme, me territor të patjetërsueshëm, me kufijtë e përcaktuar nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, të cilët nuk mund të ndryshohen pa miratimin e Fuqive të Mëdha. Garantohej neutraliteti i shtetit.
Është në këtë kapitull një dispozitë (pika 3) që i garanton Serbisë që përmes hekurudhës ndërkombëtare të ketë daljen në portin tregtar në Adriatik. Kjo dalje përmes hekurudhës do të ketë regjim të posaçëm, që nuk mund të mbyllet! A nuk po ju duket se ndërtimi i Rrugës së Kombit dhe tendenca e tanishme për ndërtimin e hekurudhës Serbi-Kosovë-Adriatik, e paska fillin prej asaj kushtetute të dështuar?!
Sa i përket fronit të principatës shqiptare (kapitulli i dytë), parashihej se ai fron është i trashëgueshëm brenda familjes së princit Vilhelm Vid (pika 7). Princi është kryetar i administratës civile dhe ushtarake (14). Ai cakton zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare dhe mund të shpërndajë atë. Drejtësia jepet në emër të tij; ai ka të drejtën e faljes dhe amnistisë, të dhënies së çmimeve dhe tituj nderi; lidhë traktate ndërkombëtare. Princi është i shenjtë dhe nuk përgjigjet para ligjit!
Në kapitullin e tretë përcaktohej se shtetas shqiptar janë të gjithë ata që kanë lindur ose janë vendosur në Shqipëri para 28 nëntorit të vitit 1912 dhe që nën qeverinë Osmane kanë pasur nënshtetësinë e saj (22). Çdo person me prejardhje shqiptare që jeton jashtë vendit, do të ketë mundësinë që brënda një afati të caktuar nga qeveria, të merr shtetësinë shqiptare (24). Shqiptarët e ardhur nga viset të cilat u janë aneksuar shteteve ballkanike, e që janë vendosur me banim në principatën e Shqipërisë pas 28 nëntorit 1912, do të konsiderohen shtetas shqiptarë (25). Gjuha zyrtare e vendit është gjuha shqipe (26). Të gjithë shtetasit shqiptarë janë të barabartë para ligjit (27). Shqipëria nuk ka fe shtetërore, por liria dhe ushtrimi publik i të gjitha kulteve janë të garantuara (32). Banesa dhe të gjitha pasuritë e fituara ligjërisht janë të pacënueshme (30; 33). Arsimi është i lirë dhe ushtrohet nga persona që kanë cilësitë e kërkuara me ligj, dhe mbikëqyret nga qeveria. Arsimi fillor është i obligueshëm dhe është falas, kudo që ekzistojnë shkollat. Mësimi i gjuhës shqipe është i obligueshëm në të gjitha shkollat (35). Liria e shprehjes me gojë e me shkrim, e tubimit dhe e formimit të shoqatave, dhe fshehtësia e letrave dhe telegrameve është e garantuar, në suaza të ligjit (36; 37; 38; 39).
Asambleja Kombëtare (kapitulli IV, pikat 40-71) është organ legjislativ i principatës. Asambleja kombëtare përbëhet nga tri kaegri anëtarësh: a) anëtarët sipas ligjit; b) anëtarë të zgjedhur nga populli; dhe c) anëtarë të caktuar nga princi. Anëtarë sipas ligjit janë përfaqësuesit fetarë të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve dhe kryetari i bektashinjëve, si dhe komisari i lartë i Bankës Kombëtare Shqiptare. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare duhet të jenë shtetas shqiptar dhe vendbanimin ta kenë brenda principatës.
Anëtarët e zgjedhur zgjidhen me votim indirekt, në tri nivele, duke filluar nga nahijet, kazatë dhe përfundojnë në sanxhak. Mund të zgjedhen shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 30 vjeçe dhe dinë shkrim-lexim. Princi emëron 10 anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Anëtarët e Asamblesë marrin nga 15 franga në ditë për pjesëmarrje në seanca. Në rast mungese nga seanca nuk marrin shpërblimin. Legjislatura ka mandat katër vjet. Vendimet merren me shumicën absolute të anëtarëve të pranishëm, ndërsa kuorumin e përbëjnë të paktën gjysma e anëtarëve. Anëtarët e Asamblesë, të cilësdo kategori qofshin, kanë të drejta dhe detyra të njëjta. Asambledja ka kryetarin, të cilin e emëron princi, por mbledhjet i thërret, kryeson, shtynë, ndërpret apo i mbyllë princi, i cili edhe mund ta shpërndajë Asamblenë, që të zgjedhen anëtarë tjerë në afat prej dyzet ditësh. Puna në Asamblenë Kombëtare zhvillohet në gjuhën shqipe. Kompetencat e Asamblesë janë miratimi i ligjeve themelore, ligjeve për taksat, për buxhetin dhe llogarinë përfundimtare, për kontributet, për marrëveshjet ekonomike dhe koncesionet, për ndarjen e administrative, etj. Për fusha të caktuara princi nxjerr dekrete me fuqi ligjore.
Qeveria, apo Këshilli i ministrave (72-93), ka: Ministrinë e punëve të jashtme; atë të Punëve të brendshme, të Financave dhe të Drejtësisë. Kryeministri është edhe ministër i punëve të jashtme. Ministrat i emëron princi, të cilit i betohen, përgjigjen dhe japin dorëheqjen. Ministritë ndahen në departamente e departamentet në seksione, siç përcaktohet në pikat (77-80).
Dispozitat për Administratën lokale (95-140) përcaktojnë ndarjen e territorit të Shqipërisë në shtatë sanxhaqe: Shkodra, Durrësi, Elbasani, Berati, Dibra, Korça dhe Gjirokastra. Sanxhaku administrohej nga mytesarifi, me ndihmën e këshillit të sanxhakut. Sanxhaku ndahet në kaza e kazaja në nahije. Kazaja administrohet nga kajmekami, i ndihmuar nga këshilli i tij. Nahija përbëhet nga një grup fshatrash të lidhura gjeografikisht dhe ekonomikisht, me një popullsi 4000 – 7000 banorë. Nahija administrohet nga mudiri. Për të gjitha nivelet e pushtetit lokal kushtetuta përcaktonte kompetencat, të drejtat dhe detyrat.
Sanxhaqet, kazatë, nahijet, pastaj mytesarifi, kajmekami e mudiri, ndarje dhe terma këto të ruajtura nga periudha e pushtetit otoman!
Organizimi i administrimit të financave (141-143), mbetej ai që ka qenë më parë, me ndonjë ndryshim të nevojshëm që do të bëhej me dekret të princit.
Për punët publike (144-148) ishte paraparë struktura e organizimit dhe profesionistëve të nevojshëm, burimet e financimit dhe mundësia që kryerja e tyre të jepet me koncesion.
Forcat e armatosura, sipas kushtetutës (149-158), përbëhen nga xhandarmëria dhe milicia. Fuqitë e Mëdha ia kanë besuar xhandarmërinë misionit holandez (fillimisht ia kishin besuar ushtrisë suedeze, por ajo nuk kishte pranuar, vj.j.). Rreguloren për xhandarmërinë do ta hartojë ai mision, ndërsa hyn në fuqi pasi ta miratojë princi. Milica është forcë ushtarake vendase, territoriale dhe sedentare. Çdo banor vendas i principatës (me përjashtim të atyre që janë të paaftë), është i detyruar të kryejë shërbimin ushtarak në radhët e milicisë dhe të rezervës së saj. Formimi dhe organizimi i milicisë rregullohet me ligj të veçantë.
Në fushën e drejtësisë (159-169), si autoritete gjyqësore ishin caktuar: 1) Këshilli i pleqëve; 2) gjykatësit paqtues; 3) gjykatat e shkallës së parë; dhe 4) gjykatat e apelit. Për secilën kategori ishte caktuar përbërja dhe kompetencat. Këshilli i pleqëve formohet me ligj, për seciln fshat, me kompetencë për të shqyrtuar dëmet në fshat dhe shqiptuar gjoba prej 10 deri 100 franga. Gjkatësit paqtues emërohen me dekret të princit, për vendet e caktuara me dekret ministror. Ata ishin kompetent për të gjykuar çështje civile dhe penale. Disa vendime të tyre ishin të paapelueshme, e disa të apelueshme. Të paapelueshme ishin ato që shqiptonin gjobën pej 100 deri 500 franga në fushën civile, dhe vendimet penale që shqiptonin 24 orë deri një javë burgim, ndërsa të apelueshme ishin vendimet e shqiptuara mbi këto shuma e kuota (161). Gjykatat (shtetërore) të shkallës së parë duhej të formoheshin në çdo sanxhak dhe në ato kaza ku shihej nevoja. Ato përbëheshin nga një kryetar e dy ndihmësgjyqtarë, një prokuror, një gjyqtar hetues, dy sekretarë dhe dy ftues (162). Në fushën civile dhe atë ekonomike, ishin kompetente të gjykojnë, pa apel, në çështjet me vlerë 500 deri 1000 franga, ndërsa të tjerat – me apel. Në fushën penale gjykojnë të gjitha krimet dhe kundërvajtjet. Si shkallë e dytë ato gjykojnë çështjet e apeluara kundër vendimeve të gjykatësit të paqit (163). Ishin paraparë tri gjykata të apelit, për të gjykuar në shkallë të dytë të gjitha çështjet civile dhe penale të vendimeve të gjykatave të shkallës së parë. Përbërja e tyre ishte: një kryetar, katër këshilltarë, një prokuror, një zëvendësprokuror, dy kancelarë, një sekretar dhe dy ftues. Selinë e secilës gjykatë të apelit do ta caktonte qeveria (164). Parashihej mundësia që me ligje mund të jepen edhe kompetenca tjera për të gjitha llojet e gjykatave (166), ndërsa kushtet për emërimin dhe gradimin e gjyqtarëve do të caktoheshin me ligj të posaçëm (165). Ngritja e një gjykate më të lartë se gjykatat e apelit, apo të çfarëdo gjykate tjetër të posaçme, ishte lënë në vlerësimin e princit dhe të qeverisë (168). Parashihej që me një ligj të veçantë të krijohet shërbimi i noterisë (167).
Për besimet fetare (170 -177), parashihej liri e plotë e organizimit, komunikimit, veprimit dhe marrëdhënieve që ato mund të kenë në çështjet e dogmës fetare. Garantohej pasuria e tyre dhe parashihej edhe ndihma nga buxheti i shtetit, varësisht nga nevojat dhe nga pasuria që kishin ato. Ato mund të organizonin shkolla teologjike dhe të zhvillonin mësimin në gjuhën e kultit.
Përdryshe, në kapitullin XII (Arsimi publik, 178-182), përcaktohej se me një ligj të posaçëm do të rregullohej funksionimi i shkollave të shtetit dhe shkollave të komuniteteve. Mësimi i gjuhës shqipe është i detyrueshëm. Të gjithë mësuesit duhet të jenë shtetas shqiptarë; vetëm për mësimin e gjuhëve të hueja mund të ketë mësues që janë shtetas të huaj. Qeveria mbikëqyrë funksionimin e të gjitha shkollave dhe rspektimin e ligjeve përkatëse për to.
Në pikëpamje të pronës së paluejtëshme, kushtetuta njihte pronën private dhe atë publike,të njohur me dokument zyrtar. Njihej edhe prona e vakafeve për institucinet fetare, shkollore ose fondacionet bamirëse. Në kapitullin XIII (Prona tokësore), në dispozitat 183-194, ishin paraparë llojet dhe të drejtat e pronës së paluejtëshme, të hyrat prej tyre, servitutet, hipotekimi, shpronësimet. Përcaktohej oblimi sa më i shpejtë i qeverisë për të hartuar ligjet për kadastrin e pronave tokësore dhe për ndryshimin e organizimit të vakafeve.
Kapitulli XIV (nenet/pikat 195 -208), përcaktonte skemën e organizimit të departamenteve të bujqësisë, tregtisë, industrisë, pyjeve dhe lundrimit, detyrat e tyre, profilin e kuadrove, lirinë e veprimtarisë ekonomike të degëve të caktuara, shfrytëzimin, dhënien me koncesion të minierave, etj. Deri sa të miratohen ligjet përkatëse, këto veprimtari do të vepronin sipas ligjeve të Perandorisë Osmane.
Sa i përket administrimit të postë-telegrafit (209 – 210), parashihej se në të tërë principatën ajo do të jetë në dorë të qeverisë shqiptare, e cila do të respektojë të drejtat e fituara më parë. Ky shërbim ndahej në dy seksione: në seksionin e postës, dhe në atë të telegrafit e telefonit, me nga një shef në krye të secilit seksion. Parashihej që qeveria mund t’ia jep me koncesion shërbimin telefonik ndonjë firme private.
Marrëdhëniet e jashtme (211 – 212) i udhëheqin bashkarisht princi dhe kryetari i Këshillit të Ministrave, i cili është njëkohësisht edhe ministër i punëve të jashtme, e që shërben si ndërmjetës midis sovranit dhe përfaqësuesve të huaj të akredituar në Shqipëri. Ministri i paraqet princit emrat e përfaqësuesve diplomatikë e konsullorë për t’i emëruar për punë jashtë shtetit.
Është paksa interesante, përse kapitulli mbi konfklitet administrative (kapitulli XVII, nenet/pikat 213 – 216), nuk është absolvuar e futur në kapitullin e drejtësisë, por është lënë si kapitull i veçantë, në funt të kushtetutës, kur çështjet e përcaktuara në këtë kapitull janë puro juridike-administrative, e që parasheh formimin e gjykatave të posaçme për kontestet që dalin nga veprimet ose mosveprimet e organeve të administratës. Për këto lloje konfliktesh, do të ngriten gjykata të shkallës së parë në çdo sanxhak, ndërsa gjykata e apelit për këto konflite do të jetë në selinë e qeverisë. Poashtu është inetesante përbërja e atyre gjykatave. Për gjykatën e shkallës së parë, kryetarin e zgjedh (emron) princi, nga radhët e gjyqtaraëve të gjykatave të zakonshme të instancës së parë të sanxhakut, ndërsa dy anëtarët e tjerë do të jenë gjykatësi i paqëtimit dhe sekretari i përgjithshëm i sanxhakut, ose një nëpunës të cilin e delegon mytesarifi i sanxhakut. Për gjykatën e apelit, të konflikteve administrative, kryetarin e emëron princi, nga radhët e gjyqtarëve të apelit të gjykatave të rregullta, ndërsa për katër gjyqtarët tjerë, dy i cakton minstri i drejtësisë nga radhët e gjyqtarëve të zakonshëm, dhe nga një e caktojnë ministri i financave dhe ai i punëve të brendshme, nga radhët e këshilltarëve të dikastereve të tyre.
* * *
Në diskutimet që janë zhvilluar për përmbajtjen e tekstit të projektit të Kushtetutës, në disa seanca të Komisionit Ndërkombëtar, delegatët – anëtarë të Komisionit kanë bërë disa vërejtje, sugjerime e propozime konkrete. Përfaqësuesit shqiptarë, fillimisht Myfit Libohova, e pastaj Mehdi Frashëri, kanë kërkuar shkëputje sa më të plotë prej trashëgimisë administrative otomane e pavarësi sa më të plotë të asaj shqiptare, në harmoni me standardet e Europës. Përfaqësuesit e Austrohungarisë dhe Italisë kishin pasur ca vërejtje lidhur me koncesionet dhe procedurat civile.
Sidoqoftë, Kushtetuta e parë e shtetit shqiptar, e servuar nga Fuqitë e Mëdha, nuk u jetësua në pikëpamje institucionale as nuk u zbatua kurrë në asnjë segment. Princi që kishte ardhur dhe që duhej ta zbatonte atë, nuk kishte përkrahjen as morale as materiale të Fuqive të Mëdha, për të zbatuar synimet që kishte për mëkëmbjen e shtetit shqiptar. Përkundrazi, për shkak të interesave të ndryshme të atyre fuqive, dhe për shkak të turbullirave të brendshme, personaliteti dhe funksioni i princit u komprometua aq shumë, sa rrezikohej edhe ekzistenca fizike e tij, derisa u detyrua që më 3 shtator 1914, ta lëshonte Shqipërinë. Atë ditë që iku nga Shqipëria, Princi kishte lëshuar këtë proklamatë:
“Shqiptarë!
Kur delegatët tuaj erdhën tek unë dhe më ofruan kurorën e Shqipërisë, unë iu përgjigja me besim thirrejes së një kombi trim dhe fisnik, që më kërkonte ta ndihmoja në veprën për shpëtimin kombëtar.
Unë erdha te ju i frymëzuar nga një dëshirë e flaktë për t’ju ndihmuar në këtë punë patriotike. Ju më keni parë të bëja çmos qysh në fillim për rganizimin e vendit tuaj dhe që përpiqesha t’ju jepja një qeveri të mirë. Por lufta që ka shpërthyer në Europë i ka shtuar ndërlikimet e pozitës sime.
Në këto rrethana, unë gjykova që, për të mos e lënë të pambaruar punën së cilës unë kisha vendosur t’i kushtoja të gjithë forcën dhe jetën time, është më e dobishme që për një kohë të shkoj në Perëndim; por unë dua që ju ta dini se duke qenë larg, ashtu si dhe midis jush, unë nuk kam mendim tjetër përveçse të punoj për përparimin e vendlindjes suaj fisnike.
Bërë në Durrës, ditën e tretë të shtatorit 1914. VILHELM”
Kështu, shpresa e shqiptarëve që ishte varur te gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës dhe princi, u shuan, filloi Lufta e Parë Botërore, Shqipëria u pushtua e tëra nga monarkitë fqinje dhe rrezikohej të shuhej përgjithmonë. Vetëm Zoti, fati dhe presidenti amerikan Wilson e shpëtuan shtetin shqiptar nga fshirja prej hartës politike të Europës.
Ndërsa kushtetuta e parë, e shqyrtuar në këtë shkrim, mbeti për histori të konstitucionalizmit të Shetit Shqiptar, të cilën nuk e përmed askush, as nga aspekti teorik a letrar!
Adil FETAHU