26/12/2024

Kushtetuta e Kaçanikut – vlerë e civilizimit euro-atlantik të Kosovës!

0
u6_Enver-Bytyci

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Sot 29 vite më parë në Kaçanik u mblodh në ilegalitet Kuvendi i Kosovës dhe miratoi Kushtetutën e Repiblikës. Ky akt i frymëzuar dhe udhëhequr nga lideri historik, Dr. Ibrahim Rugova, përbën një ngjarje kulmore në përpjekjet dhe shprehjen e vullnetit politik të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës për pavarësinë e vendit dhe shtetësinë e tij.

Kushtetuta e 7 shtatorit 1990 e Kaçanikut ishte produkt i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës të 2 korrikut 1990, deklaratë e cila u shpall nga 114 deputetë të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës pas dhunimit të kësaj autonomie më 23 mars 1989 nga ana e regjimit serb të Milosheviçit. Kjo Kushtetutë vuri themelet e shtetësisë së Kosovës dhe përbën një ngjarje madhore në historinë e saj. Pavarësia e Kosovës u shpall de juro më 2 korrik 1990 dhe u jetësua më 7 shtator 1990.

Edhe pse shteti i ri i Kosovës u krijua në fakt në vitin 1990, për shkak të pushtimit dhe sundimit të Serbisë në këtë vend, ai nuk mundi të implementohet. Por Kushtetuta e Kaçanikut do të mbetet në historinë e luftës së shqiptarëve për shtetformim si një akt i parevokueshëm, si një ngjarje shumë madhore, do të jetë simboli i rezistencës së shqiptarëve për liri, demokraci e shteformim. Ata që formuluan Kushtetutën e Kaçanikut ishin dhe do të mbeten korifejtë e shtetit modern e demokratik të Kosovës.

Kushtetuta e 7 shtatorit 1990 ishte kushtetuta e parë e bazuar në parimet e demokracisë dhe të lirisë në Europën Lindore ish-komuniste. Ishte kushtetuta e parë, me të cilën shqiptarët dëshmuan se i përmbahen me rigorozitet vlerave euro-atlantike të Perendimit. Çdo nen i asaj kushtetute shpreh tolerancë dhe respekt për të drejtën e çdo qytetari të vendit për ushtrimin e lirisë së besimit, të mendimit, të organizimit, të vetëqeverisjes, si dhe të lirisë së iniciativës së lirë.

Pas 7 shtatorit janë hartuar disa kushtetuta demokratike në Kosovë e në të gjithë rajonin. Por asnjë prej tyre, madje as Kushtetuta e Ahtisaarit e 15 prillit 2009 e Kosovës, nuk është aq e hapur, aq konstruktive, aq demokratike, aq e kompletuar me të gjithë elementët e lirisë perendimore euro-atlantike, sa Kushtetuta e 7 shtatorit e vitit 1990 e miratuar nga Kuvendi I Kosovës në Kaçanik.

Me këtë rast shqiptarët duhet edhe njëherë t’i falenderohen vizionit properendimor dhe atdhetar të liderit dhe personalitetit politik më të spikatur të të gjitha kohërave, Doktor Ibrahim Rugovës. Vetëm një mendje e ndritur dhe e hapur si mendja e Rugovës mund të frymëzonte një akt të tillë të jashtëzakonshëm! Duhen nderuar për jetë mendjet e ndritura të juristëve profesorë dhe akademikë të kohës, të cilët e hartuan tekstin e asaj kushtetute, që në shekuj do t’u bëjë nder shqiptarëve, sepse do të shërbejë si dokument i qytetërimit dhe civilizimit perendimor në Kosovë!

Dhe së fundmi, mësimi që del nga ajo kushtetutë ka të bëjë me luftën për ta arritur dhe njëherë atë nivel civilizimi euro-atlantik si para 29 vitesh, atë formë dhe model bashkimi vlerash dhe forcash si atëherë, atë kapacitet dijesh dhe kulture politike, si në kohën e të madhit Ibrahim Rugova!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok