23/12/2024

KUSH JANË HALABAKËT E POZHARANIT

0
Hamza Halabaku 1

Pjesëtarët e familjeve Halabaku nga Pozharani i Vitisë janë mbase të vetmit që e mbajnë këtë mbiemër, që sipas fjalorit të Gjuhës shqipe e ka kuptimin rrugaç, por ata nuk kanë asnjë arsye të ndihen të turpëruar pse e mbajnë këtë mbiemër, përkundrazi mund të ndihen krenarë me punën dhe veprat që të parët e tyre dhe këta si pasardhës i bënë për familjet e veta dhe për rrethin ku jetuan e punuan

Nga Hamza HALABAKU

Shpeshherë nëpër portalet tona, që i kemi me bollëk, e hasi fjalën “halabak” të përdorur në kontekst negativ, ashtu siç e shpjegon edhe Fjalori i gjuhës shqipe që e ka kuptimin rrugaç. Ka qenë një periudhë kur unë si pjesëtar i familjeve që mbajnë mbiemrin Halabaku jam ndier paksa në siklet në disa raste. Miku im, Idriz Zeqiraj, shkruan shpesh për çështjet tona politiko – shoqërore në stilin e tij të veçantë e të guximshëm, duke i thënë të keqes e keqe dhe të mirës e mirë. Në shkrimet e zotëri Zeqirajt shpesh e hasi fjalën “halabak” ose “halabakët” në kontekst negativ. Me zotëri Idrizin takohem shpesh në tubime kulturore e letrare të mërgatës tonë. Rastis që po ato ditë ta ketë ndonjë shkrim që e përdor fjalën “halabak” dhe nga takimi ynë nuk përjashtohet ndonjë këmbim mendimesh edhe lidhur me këtë fjalë. Unë si në shaka i them që ta mënjanojë këtë fjalë nga shkrimet e tij, duke theksuar se unë jam me dokument Halabak dhe si unë janë shumë të farefisit tim që rrjedhim nga një stërgjysh i përbashkët e që jemi të një gjaku dhe se me krenari e mbajmë këtë mbiemër. Ndërkaq, miku im Zeqiraj, i buzëqeshur, më thotë se ajo fjalë nuk ka të bëjë me ty dhe me pjesëtarët e farefisit tënd.

Por të jem si sinqertë, sa më takon mua, më shumë më vjen keq për emrin që e mbaj, sesa për mbiemrin. Më vjen keq që më kanë pagëzuar me emrin që është i huaj! Se nuk është emër i shqiptarëve e mësova kur brezit tim i erdhi koha të pasurohet me më shumë njohuri jo vetëm në bankat shkollore. Siç dihet, brezi ynë nuk pati mundësi që gjatë shkollimit të mësoj shumë për periudhën e të lavdishmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, por as për periudhat e tjera të historisë tonë kombëtare. Më kujtohet që në rininë time kisha lexuar apo dëgjuar diçka për periudhën e Skënderbeut, më konkretisht për tradhtinë e Hamzait dhe paksa i dëshpëruar iu pata ankuar të mirës, nënës sime, pse më kishin pagëzuar me emrin që mua më dukej i shëmtuar dhe që nuk kishte ndonjë kuptim në gjuhën tonë. Ajo, nëna ime e mirë, m’u përgjigj: Hajt biri i nënës, të pastë nëna, emrin e zbukuron njeriu me sjelljet dhe punën e tij! Vërtetë, ka më shumë se shtatë dekada që e mbaj emrin Hamza dhe mbiemrin Halabaku dhe gjatë gjithë jetës, përherë jam përpjekur ta zbatoj porosinë e nënës, se emrin e bën të mirë apo të shëmtuar vetë njeriu me punën dhe sjelljen e tij.

Në këtë shkrim timin nuk kam për qëllim fare që atyre që e përdorin fjalën “halabak” tua mohoj të drejtën e përdorimit të saj, por dua që lexuesve të nderuar të ju tregoj kush janë Halabakët e farefisit tim, që e mbajnë apo nuk e mbajnë këtë mbiemër. Ndërkaq, pjesëtarëve të familjeve Halabaku nga Pozharani i Vitisë, që mbase janë të vetmit që e mbajnë këtë mbiemër, që sipas fjalorit të Gjuhës shqipe e ka kuptimin rrugaç, t’u them se nuk kanë asnjë arsye të ndihen të turpëruar pse e mbajnë këtë mbiemër, përkundrazi mund të ndihen krenarë me punën dhe veprat që të parët e tyre dhe këta si pasardhës i bënë për familjet e veta dhe për rrethin ku jetuan e punuan.

Që në moshën time të rinisë më ka interesuar prejardhja jonë por nga ata më të moshuarit, përfshirë edhe gjyshin tim, kam marrë përgjigjen se askush nuk e mban mend prej kur paraardhësit tanë kanë jetuar në këtë fshat. Si dhe prej nga mbiemri ynë Halabaku nuk e di. Di vetëm se farefis ynë, pra Halabakët e Pozharanit, jemi të fisit Thaç, siç janë edhe shumica e banorëve të fshatit Pozharan. Për aq sa unë kam arritur të hulumtoj pos farefisit tonë në Kosovë nuk mban dikush tjetër mbiemrin Halabaku. Në komunën e Podujevës ndodhet një fshat me emrin Halabak, por që farefisi ynë nuk ka ndonjë lidhje me ata që jetojnë aty. Madje askush nga banorët dhe ish-banorët e fshatit Halabak nuk e mban mbiemrin Halabaku.

Miku im Lekë Preçi, pensionist që jeton në Shtutgart të Gjermanisë, i interesuar për të më ndihmuar për këtë shkrim timin, ka kontaktuar me një shokun e tij nga fshati Halabak i Podujevës. Latif Stublla nga fshati Halabak që tani jeton në Gjermani ia ka konfirmuar mikut tim, Lekës, se në fshatin Halabak dhe fshatrat rreth tij, Terrnavë, Dyzë, Sharban dhe Koliç, nuk jeton dikush me mbiemrin Halabaku. Sipas tij, në fshatin Halabak jetojnë familje me mbiemrin Stublla, Pllana, Xhakaliu, Prekoroxha, Rukovci dhe Rafuna, pra familje muhaxhirë të shpërngulur dhunshëm në vitin 1878 nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit.

Në hartat e Kosovës e kam parë se diku në trekëndëshin kufitar, Kosovë, Shqipëri e Maqedoni është një vend ku shkruan “Halabak” e diku “Balabak” ose “Maja e Kallabakut”. Tani, në hartën e sotme digjitale, kur e kërkon te Google, nga Kukës-i në Shqipëri, e vazhdon rrugën, për 22 kilometra nëpër Belje, Nimçe, Topojan, Kollovoz, Shtrezë dhe arrin në vendin e quajtur “Maja e Kallabakut”. Po shpesh herë në hartat gjeografike e kam pa edhe me emrin “Maja e Halabakut”.  Se a ka gjasë që të parët e Halabakëve të kenë zbritur nga ato maja malesh u mbetet hulumtuesve të rinj ta gjejnë.

Lagja e Halabakëve, epiqendër e Pozharanit

Lagja e Halabakëve në fshatin Pozharan, tani ka më shumë se njëqind shtëpi. Por pjesëtarë të farefisit Halabaku ka edhe në Prishtinë, në Zvicër, në Gjermani, në Austri, në Londër e përtej Atlantikut. Nga më të moshuarit kam dëgjuar se në fshatin Pozharan të komunës së Vitisë, është dem baba dem lagjja Halabaku mu në mes të fshatit që shtrihet afër rrugës Gjilan – Ferizaj.

Unë mbaj mend 11 shtëpi të familjeve Halabaku: Katër shtëpi të bijve të Ali Halabakut: Rama, Murati e Isufi dhe i biri i Ramës, Rifati, që ishte shtëpi më vete; pastaj i biri i Fazli Halabakut: Hamdiu, e i biri i Zejnës, Rrustemi; i biri i Osman Halabakut, Xhemaili; i biri i Mehmeti Halabakut, Qerimi, dhe bijtë e Qerimit, Azemi e Syla, që ishin shtëpi më vete; bijtë e Rexhepit: Rizahu e Mehmeti dhe i biri i Muharremit, Isaku.

Sa isha fëmijë, por edhe në moshën e rinisë, mbaj mend se te ato njëmbëdhjetë shtëpitë e Halabakëve, kur vinte ndonjë mik, në atë odë në mbrëmje tuboheshin të gjithë meshkujt të rinj e të vjetër dhe bënin muhabet deri në orët e vona të natës. Më kujtohet, që në ato biseda të ëmbla të burrave nuk na harronin as ne të rinjve. Na aktivizonin edhe neve në muhabetet e tyre qoftë në bisedat tejet serioze, qoftë në ato që përshkoheshin nga një humor i lehtë e edukativ pa e lënduar askënd. Të pashmangshme ishin edhe argëtimet e ndryshme, sidomos në netët e gjata të dimrit, siç ishin loja e filxhanëve. Mbaj mend nga ajo kohë që fitimtarët e lojës këndonin këngë me përmbajtje humoristike për humbësit e lojës, por asnjëherë nuk fyheshin të humburit. Asnjëherë gjatë lojës e pas lojës, në odat tona, nuk hidhërohej njeri. Në ato ndeja shpeshherë jehonte edhe kënga e mirëfilltë e folklorit tonë të pasur burimor. Grupi prej tre-katër burrash (Murati, Halimi, Tefiku dhe Zeqiri) këndonte këngë përmbajtja e të cilave na edukonte në shumë fusha. Ata, më së tepërmi u këndonin figurave të ndritshme kombëtare. Më kujtohet që pas pushimit të këngës kishte edhe komentime për përmbajtjet e këngëve që për ne të rinjtë ishte një lloj mësimi dhe edukim e shkuar edukimit. Këtë dinin ta bënin gjyshërit dhe baballarët tanë për brezin tonë. Ata ishin mësues dhe edukatorë në oda, në rrugë, në ara e kudo që ishim me ta e në mesin e tyre!

Mbaj mend që shpeshherë profesor Zeqiri mbante me vete ndonjë libër dhe nga ai libër na lexonte këngë të ndryshme nga cikli i këngëve kreshnike, këngëve historike dhe atyre të trimërisë. Nga aty mbaj mend këngët Muji e Halili, Aga Ymeri, Luto Fukaraja, Ali Pashë Tepelena, Hajredin Pasha, Bajram Curri, Çanakalaja, Gjylistanja e shumë e shumë të tjera.

Lagja e Halabakëve shtrihet mu në mes të fshatit dhe supozohet se paraardhësit tanë kanë qenë ndër të parët apo të parët në këtë fshat, edhe pse unë nuk kam hasur ndonjë studim për këtë çështje. Supozimin tim e forcon edhe fakti se e tërë pasuria e patundshme, të cilën e posedojnë Halabakët e Pozharanit, është në vendet më të mira të fshatit. Halabakët i kanë tokat më pjellore në fshat dhe livadhet më të mira në fushën e Pozharanit, livadhe të cilat kanë pasur mundësi të ujiten dhe të kositen çdo vit nga dy herë.

Halabakët kishin në pronësi arat më të mira të fshatit:“Vertinat”, “Bregjet”,“Litrat”,“Tresavat”, “Rasulat”, “Qeshlikat”, “Zipolet”, si dhe “Arat në mal”. Të veten e kishin edhe  fushën dhe livadhet “Te mullini”, që vlerësohej pasuri shumë e vlefshme, pasi ishte tokë që mund të ujitej dhe të behej bahçe. Kjo pronë e kishte jazin që vinte nga Morava e Binçit, për nevojat e mullirit, që ditë e natë silleshin dy gurët e tij, e që deri vonë e kishin në pronësi Halabakët. Tani mulliri nuk ekziston por toka është ende e tyre. Në atë hapësirë secila nga shtëpitë e Halabakëve kishte livadhe, ara dhe bahçe, por ajo që në fëmijëri më kishte lënë përshtypje, e që nuk e harroj kurrë, ishte një sipërfaqe jo e madhe toke që ishte e të gjithëve dhe e quanim “mera”. Aty i linin qerret edhe ata që binin drithëra për t’i bluar në mulli.

Pjesëtarët e farefisit Halabaku ishin punëtorë të dijshëm e shumë të vyeshëm. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë se burrat e lagjes Halabaku në fushën e vet, në vendin e quajtur “Te mullini” kanë mbjell edhe oriz dy-tri vite rresht dhe rendimentet nuk kanë qenë për t’u nënçmuar.

Halabakët,  dashamirë të shkollimit

Lagjen e Halabakëve e hijeshonin burrat e saj të vyeshëm e të dijshëm dhe nënat e gjyshet tona të fisme e bujare që na mësonin dhe na edukonin. Që në vitin 1909 këtë lagje dhe gjithë fshatin Pozharan e hijeshoi edhe godina e shkollës së parë.

Të moshuarit tregonin se stërgjyshi im, Mehmet Halabaku, e kishte lëshuar një sipërfaqe të pronës së tij për ndërtimin e shkollës. Në librin “Hasan Prishtina” (Përmbledhje dokumentesh) 1908-1934, përgatitur nga Kujtim Nuro dhe Nezir Bato, Tiranë 1983, faqe 23, shkruan: “Ai, (fjala është për Hasan Prishtinën, H. H.), hapi një shkollë në Moravë, një shkollë tjetër në Gjilan dhe një tjetër në Pozeran. Përveç këtyre, ka gjetur 5 djem të varfër nga ato vise, të cilët do t’i dërgojë në shkollë Normale të Elbasanit edhe do t’i përmbajë vetë…”

Islam Pira, atëherë kryetar i fshatit Pozharan, e kishte njoftuar stërgjyshin tim, Mehmetin, se Hasan Prishtina kishte siguruar mjetet financiare për ta ngritur një shkollë. Islami e kishte lutur Mehmet Halabakun që ta lëshonte një sipërfaqe toke nga prona e tij për ndërtimin e shkollës. Mehmeti kishte prona të shumta dhe ato ndodheshin në vendin më të përshtatshëm për shkollë. Ishin në mes të fshatit. Këtë e shpjegon Prof. Sadulla Brestovci në fejtonin me titull “Lëvizja Kombëtare në kazanë e Gjilanit – Islam Pira (1861-1931)”, botuar në vazhdime në të përditshmen “Rilindja” 29.V. – 5.VII.1971. Në këtë fejton Prof. Brestovci, ndër të tjera, përmend se Islam Pira ishte njëri nga ata që tërë jetën ia kushtoi Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. “Islam Pira vërtet e vazhdoi me besnikëri e me ngulm dhe me mjeshtëri të rrallë luftarake porosinë dhe rrugën jetësore të Idriz Seferit, në luftë të vazhdueshme për çlirim kombëtar”, shkruan Prof. Brestovci në fejtonin e përmendur.

Stërgjyshi im, pasi ishte konsultuar me të afërmit e tij, e kishte miratuar propozimin e Islam Pirës dhe kishte lejuar që shkolla të ndërtohej në pronën e tij. Rrëfimin për ndërtimin e shkollës së parë në Pozharan e kam dëgjuar edhe nga gjyshi im, ndjesë pastë. Ai tregonte se shkolla e parë e ndërtuar në Pozharan ishte ajo e vitit 1909 e ndërtuar në pronën tonë.

Atë botë stërgjyshi, gjithnjë sipas fjalëve të gjyshit tim, kishte thënë se të mirat që vijnë nga dashuria dhe shkollimi shumëzohen vazhdimisht. “Për ndërtesën ku do të përhapet dija, të shtohen njohuritë dhe të bëhet edukimi i fëmijëve tanë, do ta liroj një pjesë të pasurisë time. Zoti i Madh më ka dhënë mjaft pasuri dhe unë për të mirën e pasardhësve tanë do ta liroj vendin që të ndërtohet një ndërtesë ku do të përhapet  dituria!”, – tregonte gjyshi im.

Halabakët e Pozharanit nga koha që unë mbaj mend dhanë shumë mësues, arsimtarë, profesorë e drejtorë shkollash, jo vetëm për fshatin e tyre, por edhe shumë më gjerë. Me mbiemrin Halabaku sot kemi  disa profesorë e profesoresha  edhe në universitete, mjekë e mjeke, juristë e juriste, ekonomistë e ekonomiste, inxhinierë e inxhiniere dhe ekspertë të fushave të caktuara në mjedise të ndryshme në Kosovë, por edhe në mërgatën tonë. Madje në mërgatë me mbiemrin Halabaku ka studentë e studente të fushave të ndryshme. Një studente me fakultetin e mbaruar në Gjermani ka studiuar linguistikën gjermane dhe tani jeton e vepron në Londër. Një tjetër ka mbaruar studimet në Kolegjin Utica në Nju Jork dhe studimet e nivelit master në Shkenca politike, integrim e qeverisje në Universitetin e Salzburgut në Austri. Është asistent në Universitetin e Salzburgut dhe ligjëron lëndë të drejtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe negociatave ndërkombëtare.

Nuk duhet harruar  pinjollin e familjes Halabaku, Lum Menderes Halabaku, i lindur më 25.04.2000 në Gjilan, që është kompozitor i brezit të ri dhe që premton shumë në fushën e muzikës. Ai është autor i dhjetëra veprave origjinale të muzikës artistike dhe pjesëmarrës në shumë festivale garuese për të rritur e fëmijë. Ajo që e bëri të dallohet shumë është hartimi dhe botimi i një libri pianistik që në moshën e tij 16-të vjeçare. Në atë libër prej 100 faqesh,  Lumi në mënyrë profesionale, i ka përshtatur për piano këngët tona. Kryesisht ato popullore – qytetare, me qëllim të ruhet dhe afirmohet edhe më shumë muzika me vlerë shqiptare.

Komuna e Vitisë, që në kohën kur mbaj mend me Kushtetutën e vitit 1974, kishte 43 fshatra e kryetar komune ishte, një ose dy mandate, mr. Idriz Halabaku. Pastaj, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, pikërisht nga 15 shtatori i vitit 1970 profesor Zeqir Halabaku, zgjidhet inspektor komunal i arsimit dhe këtë funksion e mban deri në vitin 1978, ndërsa nga 20 marsi 1978 ai ushtroi funksionin e kryeshefit të Shërbimeve Shoqërore të Komunës së Vitisë deri në vitin 1982, kur edhe zgjidhet në funksionin e sekretarit të Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit të Arsimit dhe këtë funksion e ushtron deri më 22 qershor të vitit 1990, pra në dy mandate. Profesori Zeqir Halabaku ishte person me autoritet jo vetëm në Komunën e Vitisë, por edhe më gjerë.

Po ashtu, për kohën sa mbaj mend, drejtor në Gjimnazin e Vitisë ishte magjistër Idriz Halabaku. Ai e drejtoi këtë gjimnaz, bile me shumë sukses, në kohët më të vështira, në vitin 1981 e tutje. Një numër i madh i nxënësve dhe profesorëve të gjimnazit kishin dalë në demonstratat e marsit të atij viti, por ai si drejtor, për t’i mbrojtur nxënësit dhe profesorët ishte vu në ballë të demonstruesve dhe kishte kërkuar, nga udhëheqësit e komunës së asaj kohe dhe nga kryeshefi i policisë së Vitisë, Isuf Zuka, që askush, nga policia apo qytetarët, mos t’i ngacmojë demonstruesit. Isuf Zuka, bashkëfshatar yni, kishte angazhuar policë që t’i përcjellin demonstruesit dhe t’i ruajnë ata. Ato demonstrata kishin kaluar pa u dëmtuar asnjë xham i gjimnazit e as i lokaleve dhe objekteve të tjera të qytetit. Edhe pas atyre demonstratave drejtor Idrizi nuk kishte lejuar që të dënohet asnjë nxënës dhe asnjë kuadër i Gjimnazit të Vitisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok