22/12/2024

Kush i vrau civilët në Kosovë dhe si u përgatitën listat e civilëve të vrarë që i vishen UÇK-së?

0
kosovo-genocide

Në përvjetorin e vrasjes së civilëve serbë dhe malazezë në kafenenë “Panda”, në Pejë!

Nga Bardhyl Mahmuti

“Papritmas, pak pas orës 20 dëgjova përplasje të frikshme të derës dhe pas saj krisma armësh. Shokët e mi rrëzoheshin si duaj njëri pas tjetrit. Te dyert qëndronin dy terroristë, të veshur me të zeza, me kapela në kokë dhe pamëshirshëm gjuanin kundër nesh. Plumbi i parë e goditi Ivanin, që u rrëzua mbi mua (…)” sjell kujtimet e veta Nikola Rajoviq për mbrëmjen e 14 dhjetorit të vitit 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë. Nga 13 persona që kishin qenë të pranishëm në këtë kafene, që frekuentohej kryesisht nga të rinjtë malazez dhe serbë, gjashtë persona humbën jetën: Ivan Obradoviq (14 vjeç), Vukota Gvozdenoviq (16 vjeç), Svetisllav Ristiq (17 vjeç), Zoran Stanojeviq (17 vjeç), Dragan Trifoviq (17 vjeç) dhe Ivan Radeviq (25 vjeç), ndërsa tre persona u plagosën rëndë. Slavica Obradović-i, nëna e Ivan-it, dhe të gjitha nënat e të vrarëve të tjerë, edhe sot e kësaj dite kërkojnë ta dinë se kush i vrau dhe kush dha urdhër për vrasjen e tyre.

15 vjet më vonë, në një shkrim të datës 17 janar 2014, gazeta beogradase “Kurir” solli hollësira rreth asaj se kush qëndron konkretisht prapa këtij krimi të përbindshëm. Duke u bazuar në burimeve qeveritare të Serbisë, bëhet e ditur se informatat për masakrën në kafenenë “Panda” i kishte dhënë “ish Shefi i Sigurimit Shtetëror serb, Radomir Markoviq”. Sipas pohimeve të Radomir Markoviqit, “Milorad Ulemek-Legija kishte organizuar likuidimin e djelmoshave serbë në kafenenë “Panda”.” Përballë kësaj situate ku e vërteta filloi të dalë në shesh, “Milorad Ulemek-Legija u deklarua se është i gatshëm të dëshmojë se urdhri për vrasjen në Pejë ka ardhur nga kreu i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore, në krye të së cilit ka qenë Rade Markoviq”.

Në intervistën për gazetën “Kurir” ish-zëvendës-kryeministri jugosllav Vuk Drashkoviq, deklaroi: “Vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve që e mbështetnin Serbinë dhe e dënonin UÇK-në, e solli Milosheviqi dhe Shtabi i tij strategjik. Në krye të eskadronit të vdekjes, Njësisë për Operacione Speciale1, u caktua Milorad Ulemek-Legija (…) Ky i merrte urdhrat nga Radomir Markoviqi, ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë. U vendos që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente një varg sulmesh terroriste të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste. Në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve do t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë (…) Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me në krye Radomir Markoviqin, me ndihmën e Milorad Ulemek-Legijas, më 14 dhjetor 1998 kreu masakrën kundër gjashtë djelmoshave serbë e malazezë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë.”

Zbulimi i kësaj të vërtete bëri që të reagonte ish-shefi i Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviq, i cili ndodhet në burg për organizimin e vrasjeve në Serbi.  Në kërkesën për falje të dënimit që i drejtoi Kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolliqit, Radomir Markoviq kërcënoi se “do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse e publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.” Deklarata e njeriut që ka qenë në krye të Shërbimit Sekret të Serbisë për listën e krimeve që ky shërbim i kishte kryer kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, “LISTË QË DO TA GJUNJËZONTE SERBINË”, është domethënëse për përmasat e krimeve shtetërore kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike me qëllim të nxitjes së urrejtjes ndëretnike dhe stigmatizimit të UÇK-së si organizatë “terroriste”.

Të gjitha atyre që u intereson të dinë më shumë rreth kësaj forme të veprimit të pushtetit serb, i ftoj të lexojnë kapitullin e dytë të Pjesës së parë librit “Mashtrimi i madh” (f.51-71), ndërkaq në faqet 526-549 do të kenë mundësi të informohen për mënyrën se si Shërbimi Sekret i Serbisë sajoi listat e civilëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe kush është në ato lista.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok