22/12/2024

Kush e ka radhën ta marrë dekoratën e Serbisë pas ambasadorit Grenell?

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dekoroi diplomatin amerikan, Richard Grenell, me “Urdhërin e Flamurit Serb”. Kjo dekoratë e lartë iu dha atij në prag të festës kombëtare të Serbisë dhe në shenjë nderimi për kontributet e zotit Grenell në dobi të interesave dhe projekteve të Serbisë në Ballkan. Gjithçka lidhet me aktivitetin e ambasadorit amerikan në Ballkan si i deleguar i ish-presidentit Donald Trump, sidomos në ndërmjetësimin e bisedimeve midis Kosovës e Serbisë.

Me dekoratën që iu akordua ambasadorit Richard Grenell janë nderuar më parë nga ana e zotit Vuçiç vetëm autoritetet ruse, si Sergei Shoigu, Sergei Lavrov, Vitali Churkin e të tjerë politikanë të Moskës, të cilët sot udhëheqin luftën në Ukrainë. Eshtë dekoruar gjithashtu lideri pro-serb e pro-rus i Frontit Demokratik në Malin e Zi, Andrija Mandiç. Ajo është dekorata më e lartë që u jepet personaliteteve ndërkombëtare, të cilët kanë kontribute të mëdha në mbrojtjen e interesave të Serbisë në Ballkane më gjerë. Por një dekoratë si kjo për Richard Grenell  vjen pasiqë diplomati amerikan është angazhuar dhe përkushtuar për mbrojtjen e interesave të Serbisë në raport me Kosovën.

Akti më i njohur i ambasadorit Grenell ishte rrëzimi i qeverisë Kurti në vitin 2020 dhe përçarja e spektrit politik të Kosovës, me qëllim që t’i hapte rrugë një marrëveshjeje për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe në fakt kjo do të funksiononte nëse në qershor 2020 presidenti Thaçi e kryeministri Hoti do të mbërrinin në Uashington për ta nënshkruar një marrëveshje si kjo! Një marrëveshje e tillë do t’i krijonte mundësinë shtetit serb që më pas të zgjerohej në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Ky projekt i përkrahur fort nga ndërmjetësuesi i dialogut, zoti Grenell, përbën motivin themelor të dekorimit të tij.

Por Grenell nuk ishte i vetëm. Pas tij presidenti i sotëm ose presidentët e ardhshëm të Serbisë do të dekorojnë edhe shumë personalitete shqiptare, të cilët kanë bashkëpunuar me zotin Vuçiç dhe zotin Grenell për zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe realizimin e interesave të Serbisë në Ballkan. Më shumë sesa Grenell, dekoratën më të lartë të shtetit serb do ta meritojë një ditë prej ditësh kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ndërkaq duhet thënë se shërbimet e tij ndaj Serbisë dhe çeshtjes serbe në Ballkan nuk shlyhen me një dekoratë, madje as me ceremoni përkujtimore të ditëlindjes ose datave të tjera të shënuara të kryeministrit të sotëm shqiptar. Serbia e sotme dhe ajo e së nesërnes do ta nderojë dhe respektojë Edi Ramën më shumë se çdo politikan tjetër shqiptar e të rajonit tonë, sepse shërbimet e tij ndaj Beogradit janë unike, të papërsëritshme së paku deri më sot prej askujt.

Kur Edi Rama të mos jetë më kryeministër, vikendet e tij do t’i shijojë në Beograd, si dhe në brigjet e Savës e Danubit, duke shetitur me varka mbretërore e salltanete, të cilat vetëm Serbia t’i ofron. Deri atëherë do ta ketë harruar Prizrenin dhe vizitat e tjera për propagandë politike! Ai do të jetë për Serbinë shumë më tepër se sa ishte Gerhard Schroeder për Rusinë pasi ai la detyrën e kancelarit në Gjermani. Shumë më tepër edhe sesa është Grenell për Serbinë! Nuk ka ndodhur ndonjëherë që në një dekadë të ketë kontribuar dikush tjetër aq shumë për interest e Beogradit, sa ka kcontribute kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. E nisi me mbështetje të pakufizuar të projektit të ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territorit dhe e bitisi me protagonizmin e tij të fuqishëm në mbështetje të iniciativës serbe të Open Balkan.

Duket sikur të dy këto projekte janë në agoni. Megjithatë këto dy përpjekje të mëdha të kryeministrit të Shqipërisë pro-Serbisë kanë lënë gjurmë në subkoshiencën e diplomacisë botërore, ndërkohë që ende ajo po motivohet për t’i promovuar ato. Mbrëmë në një intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, moderatori i Opinion, Blendi Fevziu, shprehu hapur pakënaqësinë e tij, pse zoti Kurti e kishte kundërshtuat idenë e shkëmbimit të territoreve. “Po ja, i thoshte Fevziu! Nëse do ta pranonit ndarjen e Kosovës, atëherë do realizohej edhe projekti juaj (i Vetëvendosjes) për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”! Kjo batërdi konceptesh dhe provokimesh në dëm të territorit dhe interesave të Kosovës shkonte në harmoni të plotë me projektet serbe të Beogradit të iniciauara nga kryeministri Rama! Zoti Kurti u përgjigj në kuitesencën e çeshtjes, kur tha se “ai ishte projekt i Beogradit dhe ne nuk e bëjmë bashkimin sipas atyre projekteve”!

Provokomi ishte perfid. “Ti je për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë! Atëherë prano mënyrën për ta realizuar këtë! Ndajeni Kosovën me Serbinë dhe pjesën që mbetet bashkoje me Shqipërinë”! Zot i Madh! Çfarë mesazhesh japin njerëzit tanë mediatikë?! Dhe sa shumë dekorata do t’i duhet Serbisë të shpërndajë për shqiptarët shërbëtorë të saj! Nuk do të mjaftojë vetëm dekorata për Edi Ramën. As nderimet e pafund që do t’i bëhen atij në të gjallë e gjithashtu pas vdekjes. Do të duhet që presidenca e Serbisë të skalitë në flori shumë dekorata, të cilat i meritojnë jo pak shqiptarë të brezit tonë. Prej Baton Haxhiut e deri të Blendi Fevziu! Por edhe emra të tjerë politikanësh, diplomatësh e njerëzve mediatikë në Kosovë e në Shqipëri. Ndoshta edhe në Maqedoninë e Veriut , Luginën e Preshevës e në Mal të Zi, përfshirë Dritan Abazoviçin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok